E shtune, 20.04.2024, 05:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Ku individë e popuj bashkohen

E hene, 23.06.2014, 07:56 PM


E vërteta është vatra ku individë e popuj bashkohen.

Nga Kujtim Mateli

(Më 21 qershor 2014, në sallën qendrore të Muzeut Historik Kombëtar, u mbajt një veprimtari përkujtimore me temën: “ Barbaritë greke në Dëshnicë dhe Shqipërinë e Jugut gjatë viteve 1913-1914”).

Të nderuar dëshnicarë, miq e të ftuar.

Jemi mbledhur për të përkujtuar një nga ngjarjet më tragjike për krahinën e Dëshnicës dhe Jugun e Shqipërisë, siç është pushtimi i Shqipërisë në vitet e mbrapshta 1913-1914 nga fqinji ynë jugor, Greqia.Më 6 mars të vitit 1913, ra në duart e grekëve Janina, qyteti për të cilin shqiptarët kishin ngritur aq këngë e legjenda sa kishte dhe gurë kalaja që kishte ndërtuar atje, Ali Pashë Tepelena.Pas humbjes së Janinës, ranë njëra pas tjetrës qendrat kryesore të Shqipërisë jugore: Konica e Kolonja, Korça e Gjirokastra, Saranda e Përmeti, Tepelena e Skrapari. Kudo, ushtria greke kreu mbi popullsinë e pushtuar vrasje e dhunë të pa parë.  Arrestoi patriotët shqiptarë për ta gjunjëzuar popullsinë. Këtë bëri dhe me njërin nga patriotët me emër të Dëshnicës, komandantin e njërës prej këtyre çetave patriotike, Riza Xhungën. Ushtroi mbi të dhunë për ta bërë pjesë të masakrave të tyre. Por kur e panë se nuk u gjunjëzua, e goditën gjersa i shkaktuan vdekjen në burgun e Janinës.

Ushtria greke bënte kontrolle e bastisje të vazhdueshme nëpër shtëpitë e fshatrave të Dëshnicës. Mund të përmendim arrestimet e 45 burrave të fshatit Bubës në fillim të vitit 1914, kurse gratë dhe fëmijët u larguan dhe u strehuan në fshatin Lavdar për të mos rënë në duart e ushtarëve grekë.

Sipas vendimit të Fuqive të Mëdha ushtria greke duhej ta linte në duart e autoriteteve shqiptare Korçën, Kolonjën, Përmetin, Gjirokastrën, Delvinën e Sarandën, duke e humbur përfundimisht deri më sot, krahinën e Çamërisë.

Të detyruar nga fuqitë e mëdha për t`u larguar nga këto territore të Jugut,  grekët nxorën në dukje një tjetër veti të dinakërisë së tyre. Liruan nga burgjet greke mijëra të dënuar, në këmbim të shfarosjes që do t`i bënin popullsisë së Shqipërisë. Këtyre të burgosuarve u shtuan edhe qindra grupe të tjerë dhe i nisën për të përmbushur misionin e tyre. Bashkë me ta, me dashje e pa dashje nga zonat e pushtuara, rreshtuan ndonjë shqiptar që të krijonin përshtypjen se kjo ishte një kryengritje që bëhej nga shqiptarët, të cilët kërkonin bashkimin me Greqinë.

Në fillim të vitit 1914 kemi një ushtri të rregullt greke që ishte në largim dhe një ushtri të re greke që merrte vendin e pushtuar në dorëzim. Një pjesë e armatimeve të ushtrisë greke kaloi në duart e andartëve, po kështu një pjesë e ushtarëve të ushtrisë së rregullt u rreshtuan me formacionin e ri të andartëve grekë. Ende pa u larguar ushtria e rregullt, andartët grekë kryen provën e parë të mizorisë së tyre në Shqipërinë e Jugut. Kjo provë u krye në krahinën e Dëshnicës, me fshatrat Kuqar dhe Pacomit.

Mbi këtë masakër kemi dy dëshmitarë që e kanë parë me sytë e tyre këtë ngjarje. Njëri është Kosta Tomorri dhe tjetri një ushtar i ushtrisë së rregullt shqiptare që ka nënshkruar dëshminë e tij me emrin Taronini.

Papa Kosta Tomorri e përshkruan kështu:

“ Më 25 të shkurtit, ditë e hënë në mëngjes, andartët hodhën ca batare, se gjoja panë ca shqiptarë që hynë në Pacomit. Pas batareve u sulën të gjithë në këto dy fshatra dhe mblodhën të gjithë burrat sa qenë, i shpunë në Kosinë dhe i mbyllën në një katua. U kthyen prapë katilat në këto fshatra, fëmijët që kishin mbetur në fshat u therën, pastaj u sulën nëpër shtëpitë për të plaçkitur. Muarën 1500 krerë dhen e dhi dhe 100 krerë lopë, pastaj u vunë zjarrin shtëpive, i përvëluan, i bënë hi. Si mbaruan këto, katilët u kthyen në Kosinë. Nxorën burrat që kishin mbyllur dhe i shpunë në një përrua të fshatit, ku i lemerisën me thika, disave u prenë hundë, veshë, këmbë e duar. Numri i tyre qe 75 veta. Si dhanë shpirt, i lanë në atë përrua të zbuluar.

Kurse ushtari i ushtrisë shqiptare me pseudonimin Taronini e përshkruan kështu:

“ Në anët e Dëshnicës e Skraparit, kufiri provizor shqiptaro-grek ishte: Mali i Martës, Qafa Kokojkë, Qarrishtë, Kumbulla e Sevranit e Gryka e Këlcyrës.

Ato dy a tri ditë posa kish ardhur ushtria liriprurëse nga Vlora në Kiçok. Në mbrëmje, tek po fjaloseshim për çështjet e ditës së kaluar dhe së ardhmes, një bubullimë u dëgjua nga fshati Brezhdan përtej lumit Vjosa dhe, pas pak, një flakë u përhap mbi kulmin e fshatrave Kuqar, Pacomit, Seniçan dhe Velçisht.

Të nesërmen, unë me disa shokë, me petka të ndryshme (tebdil) duke shkuar nëpër rrugë të fshehta, nëpër monopate, arritëm në fshatin Kuqar, ku ende s`ishte shuar zjarri, akoma s`ishin bërë hi muret gjigande të shtëpive. Takuam në një kasolle disa plaka, çupa, djem dhe gra, të cilat nga duhija e thikave kishin ngrirë, ishin zverdhur dhe në pyetjet që u bënim

s`mund të jepnin përgjigje, goja u ishte kyçur, mendja dhe gjaku u ishte trumbulluar, pothuajse u kishte rënë pika. Më poshtë gjetëm tek pragu i shtëpisë së tij, të mjerin Hasan Bej, i cili me hanxharët e elinëve ish ndarë më katër.

Pastaj vajtëm në fshatin Pacomit ku gjetëm të shtypur me gurë dhe të shpuar në disa vende me bajonetë Islam Bejnë, më tej gjetëm afro 20 foshnja - djem dhe vasha- ca të therur e ca të shpuar me bajoneta”. Kështu e përfundon tregimin ushtari i qeverisë së Vlorës

Nëse do t`u shtojmë këtyre 75 burrave të vrarë tek përroi i Kosinës dhe 20 foshnjat e fëmijët e vegjël të Pacomitit dhe të tjerët në Kuqar,

numri i atyre që u masakruan nga fshatrar Kuqar e Pacomit arrin dhe e kalon numrin 100.

Masakra e dytë ndaj Dëshnicës është bërë pas masakrave që ndodhën në Frashër në fillim të majit të vitit 1914. Pasi u shkatërrua plotësisht Frashëri

dhe fshatrat Pagri, Alipostivan e Sevran andartët grekë hynë në Dëshnicë ku shkatërruan fshatrat Seniçan dhe Fratar. Për të dy këto fshatra Kosta Tomorri jep  dëshmi tronditëse të masakrimit që u janë bërë edhe dy grave të reja.

Masakra e tretë që u bë në Dëshnicë është ajo e 29 majit të vitit 1914. Andartët që ndodheshin në Brezhdan sipas tregimit të Kosta Tomorrit,  “ u hodhën nga ura e Muço Hysës dhe i vanë Këlcyrës. Si ujqit u sulën nëpër shtëpira dhe ai që pati fatin dhe ndenji, u therr prej tyre. Masakruan gra, foshnja dhe burra”.

Lind pyetja. Po sa ishte numri i të masakruarve të Këlcyrës dhe i fshatrave përrreth? Ky numër ka mbetur pa përgjigje, pasi nuk është shkruar për numrin e viktimave.

Trupat  që ishin planifikuar për djegien e Dëshnicës, pasi dogjën Këlcyrën dhe fshatrat përreth, u vunë zjarrin fshatrave Topojan, Beduqas, Zhepovë, Kajcë, Toshkës, Vinokash etj., si dhe fshatrave që gjendeshin rrëzë Trebeshinës. Po ato që pa e përshkroi Kosta Tomori, janë një pjesë e atyre që ndodhën në Dëshnicë. Dëshnica u shkrumbua e tëra. Nuk u kursyen as sarajet e fisit Klisura që ishin një mrekulli arkitekturore e Shqipërisë jugore. Vetëm aty-këtu gjendej ndonjë shtëpi e pa djeguar që andartët grekë, si duket, i linin vetë për t`i patur si strehë kur të ktheheshin përsëri.

Bazuar në burimet e shtypit të atyre viteve dhe në ato që tregojnë vetë dëshnicarët, për një ngjarje që tashmë po mbush 100 vjet, autorë të tjerë kanë dhënë dëshmi për këto masakra.

Studiuesi përmetar Stilian Adhami  shkruan:

“Më 29  maj, katilët sulen kundër fshatrave të Dëshnicës: Topojanit, Zhepovës, Kajcës, Toshkësit, Vinokashit, Ballabanit, Mazhanit etj.,

të cilët i plaçkitën dhe u vunë zjarrin. 300 barrë bakërre me mijëra bagëti vanë në Janinë, kurse 15 gra të Zhepovës i therën me gjithë fëmijët dhe 18 burra i vranë”.

Kurse një tjetër autor dëshnicar, Murat Murataj, banor i fshatit Toshkës shkruan:“ Në Toshkës vranë 4 burra: Ali Mukën, Muço Ismailin dhe dy djemtë e Muharrem Veizit dhe në të gjithë krahinën e Dëshnicës dogjën 957 shtëpi, kurse në Toshkës 39…”

Në këto kushte banorët e fshatrave  u shpërngulën duke shkuar në Vlorë, Mallakastër dhe Berat. Pas lanë Dëshnicën në tym dhe në flakë dhe disa njësi vullnetare që luftonin për lirinë e saj. Lanë pas 100 e ca të masakruar nga duart e katilëve dhe gjakatarëve. Nga mënyra se si u zhvilluan këto masakra në Dëshnicë dhe në të gjithë Shqipërinë e Jugut, mund të klasifikohen si një genocid. Vrasja e cdo qënie njerëzore që nga fëmijët e deri tek të moshuarit, tek të dyja gjinitë, tregon se qëllimi i andartëve grekë ishte shfarosja e plotë e popullsisë shqiptare. E tillë është dhe masakra e Panaritit të Korcës ku u masakruan 275 njerëz apo masakra e Leklit dhe Hormës që numëron 217 viktima. Që nga Bilishti i largët e deri në malet e Kurveleshit, një brez i tërë, me gjerësi disa dhjetra kilometra, u përfshi në tym dhe në flakë duke lënë mes gërmadhave të shtëpive të djegura, disa qindra viktima. Dëshnica është njëra prej atyre krahinave që e pagoi shtrenjtë këtë genocid të andartëve helenë.

Kanë kaluar 100 vjet dhe akoma nuk është bërë një falje publike nga ata që e shkaktuan këtë masakër. Kanë kaluar 100 vjet dhe ne ende nuk i dimë emrat e atyre që u masakruan në Dëshnicë. Nuk dimë as numrin e saktë. Sa ishin dhe cilët ishin? Po dimë një gjë që martirizimit të tyre u jemi borxhllinj. Në këto kushte do të ishte në derin tonë, si pasardhës të drejtpërdrejt të tyre, që në qytetin e Këlcyrës të ngrihej një obelisk që njerëzit e nderuar të këtij vendi dhe të afërmit e tyre t`i përkujtojnë ata sikundër e meritojnë. Le të jetë pa emra dhe pa atë numrin e saktë. Le të emërtohet në rendin e plotë të numrave: 100 viktimat e Dëshnicës.

Të mos i kujtojmë një herë në 100 vjet sikundër kemi bërë deri tani. 25 shkurti, dita kur u krye masakra e Kuqarit dhe Pacomitit le të mbetet dita përkujtimore për çdo vit. Ashtu siç përkujtohen dëshmorët e atdheut në çdo 5 maj, të përkujtohen në Dëshnicë viktimat e vitit 1914 duke çuar pranë obeliskut që do të ngrihet në qytetin e Këlcyrës, buqeta e kurora me lule nga banorët e të gjitha fshatrave të Dëshnicës, nga shkollat e institucionet e qeverisjes vendore dhe nga cilido që di të nderojë veten dhe historinë e vendit të tij, ndërsa në qytetin e Përmetit, njëra nga rrugët apo shetitoret e këtij qyteti, le të mbajë emrin e atyre martirëve të rënë në të gjithë rrethin e Përmetit.

Do të doja të bëja dhe një tjetër propozim. Dita e 25 shkurtit të shpallet si ditë përkujtimore kombëtare, duke qënë se 25 shkurti është dita e fillimit të  këtyre masakrave. E di që ka hezitime, por këto hezitime janë të pakuptueshme dhe të papranueshme. Qëndrime të pakuptueshme rëndojnë edhe mbi disa data e ngjarje të rëndësishme të historisë sonë. Ka njëlloj nënshtrimi ndaj atyre vendeve që na i kanë bërë këto padrejtësi. Ka një lloj tendence për ta zbutur pushtimin Osman, duke e justifikuar si shenjë mirënjohje ndaj Turqisë së sotme. Ka një lloj tendence për të zvogëluar figurën e Ismail Qemalit, duke rritur më tepër seç duhet rolin e Austrisë, për mbështetjen që ajo i dha vendit tonë në Shpalljen e Pavarësisë. Ka një lloj tendence për të zvogëluar përmasat e Luftës së popullit tonë për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë e nazistë, duke zvogëluar në këtë mënyrë përmasat e indentitetit tonë kombëtar. Këto mentalitete, të prodhuara në parcelat e nënshtrimit dhe servilizmit, nuk i bëjnë dëm vetëm shoqërisë shqiptare, por edhe atyre vendeve të cilave u drejtohemi. Kthehemi tek fqinji ynë Jugor. Greqia e sotme është Greqia europiane e mijëvjeçarit të ri. Na ka mbështetur dhe po na mbështet për integrimin e vendit tonë në BE. Greqia e sotme nuk është Greqia e fillimit të shekullit të kaluar. Qytetari i sotëm grek, është qytetari europian që rrezaton mirësi e mikpritje për shqiptarët. Është larg arsyes të mendosh se greku i sotëm me mentalitetin e shoqërisë europiane që mbart, të mos i dënojë krimet e vitit 1914. Është larg arsyes të mendosh që qeveria e sotme greke nuk i dënon krimet e vitit 1914.  Ndaj druajtja e disa individëve se, duke përkujtuar këto viktima, ndikojmë në prishjen e miqësisë midis dy vendeve, nuk ka asnjë mbështjetje. Përkundrazi, heshtja jonë e vazhdueshme për t`i thënë gjërat hapur, ashtu siç kanë ndodhur, mund të ketë ndikuar negativisht në opinionin e përparuar të shoqërisë greke.

Të nderuar pjesëmarës.

E parashtrova opinionin tim në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj ngjarjeve historike ku përfshihet dhe ajo e vitit 1914, sepse vetëm e vërteta e thënë në dritë të diellit i bashkon njerëzit dhe popujt. Heshtja të shpie drejt errësirës e moskuptimit, drejt gjërave që lëvizin në drejtimin e gabuar. Duke ngritur një obelisk për të rënët në qytetin e Këlcyrës ndriçohet edhe më shumë e vërteta, ndriçohet historia. Kjo u bën mirë edhe shqiptarëve, edhe grekëve. Kujtoni ngjarjen e pak kohëve më parë kur një gjerman erdhi e kujtoi të rënët e Borovës në rrethin e Korçës që një pjesë e tyre kishin qenë viktima të babait të tij. Pas kësaj ai u ndie i çliruar prej mëkatit të prindit. Askush nuk kërkon sot, pas 100 vjetësh, hakmarrje për atë që ka ndodhur. Por kush e ka mundësinë dhe mendjen e ndriçuar, qoftë dhe në heshtje, le të vendosë një lule për mëkatet e paraardhësit të tij që të çlirojë veten dhe atë grup njerëzish që i kreu këto krime. Ndaj përfaqësuesit e popullit në qytetin e Këlcyrës dhe të Përmetit duhet t`u krijojnë mundësinë njerëzve për ta parë të vërtetën në sy. E vërteta shihet kur ngrihen e ruhen simbolet e saj. Një obelisk apo një shëtitore që të kujtojë këto viktima, do të ishte një veprim i duhur në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të vdekjes së tyre.

Qofshin të paharruar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora