Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Ngjarje e thurur artistikisht

| E premte, 20.06.2014, 07:16 PM |


Ngjarje e thurur artistikisht dhe e luajtur mjeshtërisht

Nga Gjekë Gjonaj

Kush  e ka parë shfaqjen premierë “ Servantesi dhe Dulçinea” të  trupës amatore të Ulqinit,  në regji të Munib Abazait e  cila është shfaqur më 16  maj 2014 në Qendrën Kulturore të  këtij qytetij jam i bindur se ka përjetuar mjaft emocione që vetëm arti di t’i dhurojë.  Kjo shfaqje erdhi  në skenë  si një freski për publikun vendas, i cili atë mbrëmje u shkri me ngjarjen e thurur artistikisht ( e bazuar në legjendë-gojëdhënë) e të luajtur mjeshtërisht nga  amatorët ulqinakë. Shfaqja  po ashtu    i rikthye qytetit  të Ulqinit  një nga vlerat e munguara  me vite  të artit skenik . Ishte një shfaqje e punuar me shumë përkushtim, me invencion dhe me ndjenjë për detajet, me një sinkronizim të pranueshëm në mes të zërit dhe lëvizjes së aktorëve.

Edhe skenari ( Fluturta Mustafa) skenografia ( Agron Ujkashi, kostumet ( Jetmira Hoxha) dhe muzika (Ardian Hasanaga) ishin në funksion  të shfaqjes, e cila  nga kompetentët e kulturës së kësaj komunë,u cilësua si ngjarje e dorës së parë në sferën e kulturës dhe  arteve skenike teatrore.

Protagonistët e skenës   nga rrafshi gjeografik i Komunës së Ulqinit , edhe pse amatorë , bënë një punë të madhe dhe me vlera të mëdha.   Aktorët: Atif Hasanaga, Shefqet Luca, Muho  Uruçi, Flutura Mustafa,  Munib Abazi, Jonuz Abazi, Barbana Draga, Samir Ismaili, Ali Peri, Sakib Lika, Eldin Kurti, Ardian Veliqi, Xhemal Peri, Albana Kurti dhe  Ilirjana Rama  u   përfshinë nga pasioni, këmbëngulja, guximi për të bërë më të mirën për vete, për trupën dhe për publikun.

Kolektiviteti dhe këmbëngulja për të bërë më të mirën e mundur i mbajtën gjallë  në skenë  këta artistë amatorë, duke filluar nga më i riu e deri më i vjetri.  Aktorët e ndien publikun  teksa ishin  në skenë. Komunikuan drejtpërdrejtë me të.  U gëzuan bashkë. Edhe publiku i ndjeu ata për së afërmi, i adhuroi dhe i duartrokiti. Dëshmi kjo që  rolet e tyre i lozën bukur, bindshëm dhe natyrshëm.

Këtë  pohim e dëshmoi edhe  juria profesionale  në Fetsivalin e amatorëve teatral  të Malit të Zi në Bijello Pole, e cila  trupës amatore nga Ulqini i ndau tri çmime:  vendin e  dytë me shfaqje, çmimin për rolin më të mirë mashkull Shefqet Lucës ( Mehmet Begut) dhe çmimin për kostumografinë më të mirë.

Si përfundim: shfaqjen  e përjetova  me emocione të forta  si një bukuri    vërtetë më ka  magjepsur,    një ambijent të këndshëm, një log i një suksesi, ku u laujt një lojë e bukur skenike.  Do të thoja me gjithë shpirt  ajo më shkaktoi mbresa të pashlyeshme. Që nga shfaqja  “ Ora bizare”  në regji të  regjisorit të mirënjohur Emin Halilit , në vitin 1997, në mos gabohem,nuk kam parë një vepër   teatrale me  aktorë vendas  që ta mbushte kështu sallën e Qendrës Kulturore të Ulqinit dhe të ketë kaq sukses sa vepra “ Servantesi dhe Dolçinea”. Ky sukses obligon pushtetarët dhe përgjegjësit për kulturë  t’i thërrasin mendjes, ndërgjegjjes  dhe arsyes për një politikë të re kulturore,  ku gjithësesi   vend  meritor  do të duhej të ketë themelimi ( ngritja nga hiri)  i teatrit në Ulqin.