Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Vjollca Pasku: Këndo bilbil!

| E premte, 20.06.2014, 07:10 PM |


Vjollca Tiku Pasku

 

KËNDO BILBIL !

 

Në degë të trëndafilit,

këndo bilbil, o më i bukuri zogjve!...

Zëri yt,

erë e detit lëmuar nga margaritarë,

kënga jote,

kristal i burimit përthithur nga dielli,

melodia jote

hyn në shpirt e zemër,

dhe në driadat e bukura të pemëve.

 

Puplat e tua,

frymë mëngjesi puthur nga trëndafilat,

flatrat e tua,

petalet e ngushta të hapësirës së qiellit.

Nën gushë,

të shtrihet një horizont i vogël,

në bisht,

ke diellin që mbajnë akoma vetullat e muzgut

Gjithë veshja jote

është bërë nga mbreti i dizenjimit,

me dorën e vetë Krijuesit.

 

Këndo, o artist i natyrës së gjelbërt,

këngëtar lirik i agimit të bardhë,

dhe i netëve të majit që përhapin lulëzim,

të lutem, lermë vetëm një here

ta ngjyej penën me melodinë tënde,

vetëm për një mëngjes,

të ndihem si bilbil !...