E premte, 29.03.2024, 02:41 PM (GMT)

Kulturë

Shahin Ibrahimi: Krenaria nuk njeh ligje

E enjte, 19.06.2014, 06:11 PM


Krenaria nuk njeh ligje.

Nga Shahin Ibrahimi

Një shi i imët kish kohë që kish filluar dhe nuk donte të mbaronte atë ditë shkurti. Ftohtë nuk bënte për muajin që ishte, por lagështira bënte të sajën. Po bisedonim me një shok më tepër për të vrarë kohën e cila dukej se ngjante si e bezdisur edhe ajo nga ai shi i imët. Kamarieri seç zhgarraviste mbi banak dhe unë hodha sytë nga dritarja. Më bëri përshtypje një i moshuar që lëviste avash nën strehët e ballkoneve  duke parë brënda lokaleve sikur diçka kërkonte. Qëndroi disa çaste para derës gjysmë të hapur të lokalit tonë, dhe me një çap gjysëm të zvarritur hyri brënda dhe u ul në një nga tavolinat pranë derës. Dukej i drojtur. Fytyra e tij ishte e vrarë nga jeta, dhe rrudhat e thella e tregonin më plak se çishte në të vërtetë. Ishte jabanxhi dhe nuk njihte njeri, prandaj na u duk dhe i ndrojtur. Mbasi u rehatua mori frymë thellë, nga lodhja si duket nuk e mbanin më këmbët. Pastaj diçka pëshpëriti me vete, ndofta një lutje fetare që e shoqërojnë të moshuarit me duar para. Kamarieri iu afrua dhe i tha në do mirrte diçka. Ai porositi një çaj limoni me respekt, se u ngit në këmbë kur dha porosinë. Shoku im në këtë kohë u largua dhe mbeta vetëm në tavolinë. Lokali ishte i vogël me shtatë tavolina dhe ishte dhe lloto sporti, kështu që gazeta nuk mungonte në tavolinë. Po lexoja me vëmëndje ndeshjet e ditës në gazetë dhe hoqa mendimin për të. Por më salutoi një i njohur që u fut në local, dhe atë çast sytë e mi ranë mbi të. Po më shikonte me vëmëndje, dhe diçka  po më thoshte. Në fillim nuk e kuptova, por më pas i rashë në të se ai donte të më bënte shoqëri në tavolinën time. Po i thashë mund të vish, mbasi dhe në atë kohë po hynin disa të rinj, dhe tavolinat po mbusheshin dhe s`kishte të lira. U ul duke më zgjatur dorën dhe u pyetëm në përgjithësi, ndërkohë i erdhi dhe porosia, dhe më tha dhe mua në dëshiroja ndonjë diçka nga ana e tij. Unë falenderova pa zë, dhe nuk pranova .

Po bie shi më tha ai, prandaj u futa të rri pak ulur, po pres të marr diçka. E pyeta nga je, se në dialekt fliste nga veriu por të butë dhe të ëmbël.

Jam dibran nga fshatrat e thella të Dibrës tha ai menjëherë, në rrëzë të malit të Korabit nga fshati Plashtan i Dibrës, rrethi i Peshkopisë.

-Nuk e kam dëgjur ndonjëherë i thash unë. Do të jetë fshat i vogël, dhe nuk kam ardhur shpesh andej. Po më tha i vogël është por më tepër i thon fshatit në emër të kalasë, dhe e thrrasin “Kalaja e Dodës”. Këtë emër e kam dëgjuar i thashë unë, e kam dëgjuar që është në rrëzë të Korabit, për vetë emrin që ka, por e dija që e merr Kuksi. Jo më tha, është e rrethit të Dibrës si zonë, por kufizohet me Kuksin. Kemi pranë fshtrat Radomirë, Çernjevë, Çeran, jemi zonë malore dhe mirremi vetëm me blgtori në veçanti me dele. Terreni i vështirë dhe malor është zona jonë, me male dhe dimra të egër. Atë pak tokë që kemi e punonim me krahë sa për ndonjë zarzavate. E lashë të mbaronte, dhe më pas e pyeta për një shokun tim nga Radomira mbasi kisha bërë ushtrinë me të. E njihte dhe më tha që është mirë, por tani banon në Kamëz, pranë Tiranës. Pastaj ai nisi të më fliste sërish për veten e tij. Ka njerëz që sikur e kanë detyrim të zbrazin zemrën me çdo njeri, që takojnë në rrugë apo tavolinë kafeneje. Ata seç kanë një mërzi në vetë rrëfimin e tyre dhe sikur të fshehin diçka, por me të ishte ndryshe. Ai mu duk njeri i mirë dhe shumë pranë tipit tim.  Kish qënë gjithë jetën e tij bari me dele, në fillim me delet e tij, pastaj me të koperativës. Kishte disa vite që ishte larguar nga vendlindja dhe kish ardhur në Durrës në fillim në Shënevlash tek një i njohuri i tij, dhe më vonë kishte marrë truall dhe kishte bërë një shtëpi për të jetuar në fshatin Pjezë. Jam mirë më tha por ndihet papunësia, tokë nuk kam që të punoj dhe të marr ndonjë prodhim, apo të mbaj bagëti megjithëse jam në fshat. Kam katër djem më tha, tre i kam jashtë dy në Angli, një në Itali dhe të madhin e kam këtu. Janë të martuar dhe dy të Anglisë i kanë gratë akoma këtu me ne pleqtë. Presin dokumentat ti marrin me vete. Mosha dhe shëndeti bëjnë punën e tyre mor shok, vazhdoi ai bisedën e tij dhe ne s`jemi më të zotët për asgjë. Tani del lodhja e viteve të rinisë, qëndrimi jashtë nëpër stane dimër e verë, pa zjarr dhe pa rehati, në dimër si jabanxhi nëpër fushat e Myzeqesë, apo të Lezhës dhe Shkodrës, në verë atje në rrëzë të Korabit. Kam ardhur këtu në qytet tha se kam vajzën e djalit në shkollë në gjimnaz në Ndrq, por nuk ka libra në asnjë librari. I kanë dhënë një libër kimie dhe po e fotokopjoj të gjithë tek interneti këtu pranë. Qeshi me vete, siç duket ka menduar që ai, nga fshtrat e thella të shkoj nëpër internete. Nuk dija si të vazhdoja bisedën me këtë njeri, ndaj si për ta ngushëlluar në trishtimin e tij i thashë, që vetë jeta të përplas nëpër tufane që duhet ti kalojmë, ne dimë vetëm të kaluarën, të ardhmen nuk e parashikon asnjeri. Ai tundi kokën dhe pa nga një cep i lokalit.

Dukej që kishte rënë në ëndërime, dhe për një farë kohe nuk më ktheu përgjigje. Por befas më pa sikur kërkonte falje, se nuk ishte i vëmëndshëm në bisedë.

Po më tha në mënyrën më të sinqertë, ne jemi fshatar dhe nuk dimë të flasim mirë. Qeshi dhe tundi kokën jo në shenjë miratimi, por më tepër për mirkuptim. E kuptoi që unë nuk e njihja dhe nuk desha ta ulja që ishte fshatar, gjë që e përmendi dy herë. E dija ironinë e zonës së tyre që ishte e thellë, dhe nuk e kuptoje se kur e kishte me tendencë, apo jo personi që bisedoja. Ai e ndjeu që po bisedonte me një njeri që nuk e njihte dhe nuk ishte i nxituar në bisedë, por donte të blente më shumë se të shiste nga unë. Ishte i zgjuar si gjithë banorët e atyre zonave, dhe mua sdi se si më ngihu. U mendua siç duket ishte në mëdyshje të bisedës që do hapte dhe tha. Po shikoj shumë njerës sidomos mbi moshën e mesme këtu, që e respektojnë njëri tjetrin si kur takohen, ngrihen në këmbë, pyeten, dhe vetëm i urojnë për mirë njëri tjerit, ndërsa rinia është më e shthurur, por përsëri e rrespektueshme me ne pleqtë. Dje isha në qytet dhe kur u ktheva me autobusin urban u ngrit njëri dhe më liroi vendin të ulesha. Bëft hair, se ish megjithmënd i lodhur dhe mezi rrija në këmbë. Ne shumë pak kishim të bënim me të rinj, se rrinim me bagëti nëpër kullota, dhe rrallë vinim në qytet. Por koha bën të sajën.

Gjyshi im quhej Hajredin Skeja. Ishte i pasur kishte mbi 2000 kokë dele në kohën e hershme më 1913. Në tetor bashkë me disa fshatar të tij dhe të tjerë shokë nga fshatrat aty pranë, u nisën për të dimëruar bagëtinë në fushat e Selanikut, se atje i çonin në ato vite. Rruga ishte e gjatë, kaluan nga Maqedonia në Selanik. Karvani ishte i gjatë, ishin disa tufa bagëti rreth 100.000 krerë. Paguan livadhet më lira turke dhe qingja. Por fillimi i pranverës së vitit 1914 ishte i mbrapshtë. Filloi lufta e parë botërore dhe filloi rrëmuja. Grekët na morën bagëtinë që ishte në kullotë. Ju dhanë vetëm dhjetë mushka dhe rreth 200 dele për të mbajtur frymën gjallë që të ktheheshin në shtëpi. Gjyshi erdhi në shtëpi pa asgjë vetëm me një mushkë dhe ato pak lekë që kishte nxjerrë nga shitja e qumshtit dhe qingjave të rinj. Në vitet 1930 familja jonë kishte rreth 400 krerë dele tre mushka dhe dy lopë. Nga lufta e dytë botërore zona jonë u prek shumë pak, mos të themi fare. Kështu në vitin 1946 në reformën e parë agrare na morën vetëm livadhet e mëdhaja në bjeshkë, ndërsa në bagëti nuk na prekën, mbasi ne ishim dhe zonë kufitare. Jetonim vetëm me blegtori duke shitur vetëm qëngjat dhe duke punuar atë pak tokë që punohej me krahë. Reformat e 1976 përfundimi i kolektivizimit të bujqësisë dhe kthimi i ekonomisë së vogël në koperativa bujqësore, neve na shtyvën vetëm gjashtë muaj, dhe kur erdhëm nga shtegëtimi i gjatë dhe i marzitshëm i dimrit në pranverën e 1977 na tufëzuam bagëtinë, dhe na lanë vetëm nga 20 krerë për familje, se s`kishim me çfarë të jetonim. Vite të vështira për të jetuar, më keq se në kohëra luftash. Me 20 kokë dele nuk zbrisje dot në fushë, kështu u detyruam ti mbanim në fshat atje në rrëzë të malit Korab, me gjethe pemësh e ndonjë krahë bari të thatë. Kjo bëri që shumë bagëti të dobësoheshin e të ngordhnin që vitin e parë. Qeviria nuk na ndihmonte as me një dorë krunde. Pastaj ne e morëm vetë situatën në dorë. Filluam të shtonim bagëtinë për të jetuar, ose do kalonim kufirin e do arratiseshim. Pushtetarët e asaj kohe bënin një sy qorr dhe një vesh shurdh, nga frika e arratisjeve tona. Demokracinë e pritëm si gjithë populli dhe morëm pak a shumë pronat tona, por tani ishim bërë shumë familje, megjithatë ne i ndamë pa sherre dhe u kënaqëm me aq sa na dhanë. Mbetëm në fshat vetëm pleqtë, gratë dhe fëmijët. Me blektori dhe aq pak tokë nuk bëje dot prokopi, ndaj ikën djemt në emigracion, në fillim në Maqedoni e Greqi, pastaj në mbarë Europën. Kur erdhi një nip i ynë që kish punuar në bujqësi dhe blegtori në fshatrat e Selanikut na tha, se në fshatin ku kishte jetuar ishte një plak rreth 105 vjeç. Kur mori vesh se unë isha nga Dibra dhe banoja në Kalanë e Dodës,  më pyeti se çfarë mbiemri kisha. Iu përgjigja se kisha mbiemrin tim Skeja. Ai më pyeti për gjysh Hajredinin dhe më shpjegoi se në vitin 1914 atij dhe shokëve të tij Grekët i kishin mbajtur rreth 100.000. kokë dele me qingja dhe disa mushka. Mbante që nga ajo kohë një ditar në të cilin kishte shënuar gjithçka, dhe lexoi emrin e gjyshit dhe disa emra dhe mbiemra të fshatarëve për rreth nesh. Plaku grek qante me lot kur kujtonte fytyrat e shqiptarëve mbasi ju morën bagëtitë. Nuk kishin çfarë të bënin i tha, grekët ishin shumë dhe të gjithë të armatosur. Shyqyr që nuk i vranë, por i lanë të shkonin në shtëpi. Në atë kohë im atë Aqifi ishte në shkollë në Arabi për hoxhë. Atë vit mbaroi vitin e parë, por vitin tjetër nuk vajti mbasi ekonomia ra, dhe duhej të punonte në shtëpi për të mbajtur frymën. Ai fliste dhe shumë herë binte në heshtje,  sikur nuk donte të largohej nga mendimet e të kaluarës të largët të fisit të tij. Ngjante i zhgënjyer si i gjithë populli shqiptar nga politika aktuale, nga realiteti, i viteve që kaloi mbas ardhjes së demokracisë. Qytetet u shtuan shumë se u dyndën popullsia nga fshatrat, ndërtimet u bënë pa kritere, pa perspektivë si në qytete dhe nëpër fshatra. Punë nuk kishte dhe për qytetarët, dhe jo më për të ardhurit që zbritën në masë nga fshatrat. Lagjja ku ata ishin vendosur i ngjante një bidonvili pa rrugë, pa ujë të bollshëm dhe pa asgjë. Energjia elektrike vinte me orar dhe ajo me shum mungesa, ujë të pishëm nuk ka, dhe kur vjen me orar është i ndotur. Kam kërkuar punë kudo tha, por kudo më përgjigjen se nuk ka, ose më thonë që nuk e përballon dot mosha jote punën. Shiu kish pak që kish pushuar dhe një diell i lehtë dimri po ndriçonte natyrën herë herë mes reve të bardha.

Më mirë do isha atje në rrëzë të malit të Korabit ku dhe buka është më e ëmbël se mjalta, tha si me vete. Bëra gabim që erdha në qytet, por mendova për fëmijtë e fëmijëvë. Ishalla të më falin dhe të më japin rahmet kur të vdes. Një fytyrë i vinte dhe një tjetër i ikte. Ishte shumë i mërzitur dhe i shqetësuar. Pastaj ai u ngrit, do më falësh më tha se mos i ka mbaruar fotokopjet nga libri, djali i internetit dhe mos do të më pyesë për ndonjë gjë. Faleminderit dhe ti që më dëgjove kaq gjatë, dhe të faleminderit që më shoqërove, por i thonë andej nga anët tona:

–“ Ku të dhëmb dhëmbi shkon gjuha”. Pagoi lekët e çait që piu dhe doli nga lokali. Mbas pak e pashë përsëri në rrugë të menduar. Priste në këmbë pranë internetit të mirrte kiminë e vajzës së djalit. Mu duk se i kishte kaluar të 70 tat, por nga zhgënjimi ngjante më shumë. Hodha sytë nga qielli dhe dola edhe unë mbas tij. Po niste të afrohej mbrëmja.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora