Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Papirusët që "deshifron" Albert Verria

| E enjte, 19.06.2014, 04:56 PM |


Papirusët që "deshifron" Albert Verria

(esse)

Nga  Përparim Hysi

Dje, mbasdite vonë, më ra zilja e telefonit. Zëri që foli qe i Artistit të Popullit, Albert Verria. - Po të pres tek klubi "Sofia" për të pirë një kafe dhe për të të dhënë librat: të tri librat  që kam nxjerrë. Natyrisht, që ishte një ftesë që nuk kisha se si mos i përgjigjesha. Së pari, se kish ardhur që nga Vlora dhe së dyti, e kush mund të  refuzonte një ftesë të këtij Kapedani të  skenës Shqiptare? As që do  shkruaja për mundësinë e përgjigjes pozitive, po të mos bëhej një pengesë paksa subjektive: në ora 18 luante Gjermania me Portugalinë dhe unë për sportin mënd lë çdo gjë mangut. Sidoqoftë, graha këmbët (sikur më ndiqte dikush me shkop) dhe, o burra, tek klubi "Sofia" ngjitur me universitetin  e New York-ut. Vet jam goxha larg nga "Komuna  e Parisit", por miku është i pari. E gjeta atje tek më priste dhe, pasi shkëmbyem "kredencialet" (herë e parë që takoheshim), pimë nga një ekspres dhe Berti më dhuroi tri librat e tij.

I pari "Rrëfime paradoksale" (unë kam shkruar për të) është një libër i rrallë: unik nga mënyra si e  ka shkruar autori, por dhe unik nga ana teknike: unik si libër ( nuk e mban dot në  dorë, është si libër që duhet ta lexosh mbi tavolinë) dhe mund  të them: se  vlera ka gjetur vlerën.

Kur mora librat, i thashë Bertit:- Kushedi se kur mund të shkruaj,se... gjatë gjithë këtij muaji kam patur shumë probleme dhe, së dyti, tani është kampionati botëror dhe unë si "luvgati" nuk mbyll sy qoft kur ndeshjet janë në tre të mëngjesit. Thashë kështu, po, kur thonë, po të lanë për prift, bëhesh dhe dhespot. I vendosa librat që të trija mbi  tavolinën time të punës dhe thashë:- Do rri, do shoh ndeshjet me radhë dhe librat aty janë. Ka kohë për to. Kështu thashë, po, ndërsa prisja që të vinte ora 21 e ndeshjes tjetër, kurioziteti më  mundi: thashë pa të shoh se ç'ka trajtuar ky, Berti, tek libri "Deshifrimi?!". Kaq dhe hapa librin. E njëjta rrugë si tek " Rrëfimet paradoksale", por tani më ngulmues; më intringues; më " kryengritës",  e më mëshumë  i rebeluar se sa tek "RRëfimi...".  Në Dibër këndojnë një këngë  që, ndërmjet tjerash, thotë: "... vet i pate fajet/ shkoje pas rrospajet". Pra,sado që nuk po shkoja" pas rrospajet", pata  "fajin" që shfletova "Deshifrimin". Pra, i  hoqa "petët lakrorit" dhe në doni të besoni apo jo, rashë në "çargun" që më kish ngritur autori. Mbeta me të në dorë dhe ndeshjen e orës 21, e hëngri dreqi. - Ç' më bëre, Kapedan! Ç' më bëre?! Po kampionati botëror njëherë në katër vjet zhvillohet dhe ti me ato "marifetet" e tua  më kape në rrjetë dhe  ngeca brënda: si një peshk krap! Në fund të fundit, ç' m'u desh që e kruajta kurrizin? Se më ndodhi si me atë që dha një grosh e hyri në valle dhe pagoi pesëqind dhe nuk dilte dot.  Kot nuk tregojnë:- Baba, kam zënë një hajdut; ta mbaj apo ta lëshoj? -Mbaje! - Mbaje, mirë, po nuk më lëshon ai.

*     *    *

... dhe kështu "hajduti" nuk më lëshoi. Nuk më lëshoi se, tek e ndiqja  " për ta çuar në apsanë", një  t'më përfshirë dhe më dha një fron të ulem e më tha:- Rri e dëgjo dikë që "deshifron" papiruset. Dhe ky që "deshifronte" papiruset qe dora vet: Artisti i  Popullit, Albert Verria. Mirë që i "deshifronte", por dhe i deklamonte si në skenë dhe nuk kishe se si mos mbeteshe gojëhapët. Ajo që më çudit ( kështu ka për të ndodhur me çdo lexues), është erudicioni në një shkallë të epërme të autorit. Takimet e tij që nga lashtësia me emra që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, tregon se nuk kemi të bëjmë me një aktor që të hipnotizon me lojën e tij artistike, por me një njohës të mirë në fusha të ndryshem  dijesh: në histori e filozofi; në shkencë dhe deri në "xhepat e fshehta" të mistikls e religjioneve. Tek "deshifron papiruset", Albert Verria nuk është as  astrolog ku "horoskopin" e fateve të njerëzimit ta lexojë me  apriori, por as një alkimist  që mallin kallp ta shesë për flori.

Duke "deshifruar papiruset", Autori, i ka vënë vetes si qëllim për të vënë pikat mbi i, për gjithë dinamikën e jetës njerëzore dhe, kryesisht, në vëndin tonë. Duke iu sjellë përqark figurave të tilla, si: Homeri, Uliksi, Agamemnoni dhe për të vazhduar me Ezopin, "Tre muskëtjerët e tragjedisë greke" apo komedianin e madh dhe aq aktual deri në ditët e sotme, Aristofanin, autori  bën apel për të parë në dritën e diellit dhe me syhapët që, njeriu ( e thonë bukur turqit) sa është shejtan, aq është dhe  melaqe; se siç di të bëjë të mirën, të bën dhe të keqen. "Deshifron papiruset", por, si të thuash, i bie pragut  të dëgjojë dera. Ai "ngjirret" duke apeluar: njeriu është armiku i vetes. Them që nuk është as i pari dhe as i fundit. "Babai" i ekzistencializmit, ZHan Pol Sartri, para se   Albert Verria të "deshifronte papiruset", jo mëkot e ka lënë me shkrim: "Armiku është tjetri?!". Dhe ca më afër,  i njderi dhe i papërsëritshmi, Bekim Fehmiu thoshte: "Fajin kërkoje tek vetja"

*     *    *

Po u sillem pak si "cekët" mbresave  që më la lexim  i këtij "deshifrimi", por kushdo që do ketë fatin ta lexojë, ka për të nxjerë përfitime të mëdha. Se është për t'u çuditur,se në këtë "deshifrim", sado  që "shetit deri në planetin X..., s'ke se si mos  e ndjesh,se të gjitha "bëmat" të mira e të këqia kanë vetëm një emër: janë prej njeriut. Të vjen keq kur Ezopin aq të mirë e të ndershëm e denigrojnë pa qenë fare fajtor; Sokratit aq të urtë i  japin kupën me helm... dhe "deshifrimi" vazhdon, nga nëntoka e mbitokë, dhe, fare pa kuptuar, nga ky"deshifrim" ti merr në dorë pasqyrën ku shihet açik: korrupsioni, vrasja, hajdutria, prostitucioni, drejtësia e korruptuar dhe pushtetmbajtësi, ai politikani dinak që për pushtet (nga pushteti vjen pasuria), mund të vrasë pa e vrarë fare ndërgjegja.  Të gjithë këtë "deshifrim", Albert Verria e ka bërë  në mënyrë origjinale: "deshifrimi" është si një poemë me vargje të lira. Vargjet vërtet janë të lira, por mesazhet janë me vlerë dhe të shtrenjta. Janë si një tundje kambane për ata që kanë veshë. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa të bësh, sikur nuk vë re gjë , ose ca më keq: sikur nuk dëgjon.

*     *    *

Duke i dhënë lexuesit shqiptar këtë "horoskop" të aktualitetit, Bert Verria, hyn në grupin e intelektualëve aktivë që duan ta shohin Shqipërinë sa më bukur. Ai e ka amplifikuar zërin e vet edhe disa "megavatë" vetëm e vetëm që e vërteta të vrasi gënjeshtrën e hipokrizinë.

Tek po ndahesha me të (sakaq më dha dhe librin e tretë të tij "Misteri") , më tha:- Ky është libri i fundit. Më nuk shkruaj, kurse unë iu përgjigja:- Jo. Nuk është i fundit. Puna e shkrimtarit ( të paktën, ky është vizioni im), është si puna e assj gruas që lind së pari. Dihet që ndjen dhimbje dhe, në grahmat e kësaj dhimbjeje, betohet se nuk do lindë më fëmijë. Po, kur të shohësh,pas dy a tri vjetësh, skur "harron" dhe lind tjetrin. E, kështu, me radhë. Kështu është dhe me  shkrimtarin. Kështu dhe me  shkrimtarin (tanimë ai është i tillë) Albert Verria. Ai do vazhdojë të "deshifrojë" të tjerë "papirusë" dhe, së shpejti, do dalë me një libër tjetër. Unë jam  një nga ata që shpresoj. Se mos vetëm unë....

Tiranë, 17 qershor 2014