E enjte, 28.03.2024, 01:40 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Shkrimtari ''disident'' maqedonas

E enjte, 19.06.2014, 07:03 PM


SHKRIMTARI “DISIDENT” MAQEDONAS

NË “MËSHIRËN” E NJË LIBRARIE

NGA KALOSH ÇELIKU

Interesant është rasti, për të hyrë në Librin e Genisit me shkrimtarin “disident” maqedonas Luan Starova, që në vend librat e tij t’i botojnë institucionet shtetërore dhe shqiptare në IRJ të Maqedonisë: Akademia e Shkencave të Maqedonisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë e ndonjë institucion tjetër kulturor, ku ai me vite ka derdhur mund dhe djersë, i boton një librari e posathemeluar çarshie, në Shkup. Librari, pa asnjëfarë bagazhi kulturor e artistik në shpinë. Haptas, mohohen Institucionet e pakta kuklturore shqiptare në këtë shtet “demokratik”, që shkaku këtyre argatëve politik, nuk mund të ngrejë krye kultura shqiptare, merren nëpër këmbë nga partitë politike dhe Shteti i “përbashkët demokratik”. Vërtetë, jeta e tyre zgjatë, aqsa zgjatë jeta e partisë tyre në pushtet, por dëmet dhe pasojat për kulturën shqiptare janë katastrofale.

Akademikun maqedonas, që deri dje pas tij qëndronte Shteti jugosllav e maqedonas, sot nuk e duan edhe “vëllezërit”, edhe pse dikur i festonin “fitoret” partizane qafë për qafe nëpër darka e festa shtetërore para kamerave televizive. Tekefundit, për t’i ngritur “namin” akademikut si shkrimtar, së paku librat e tij t’i botonte një institucion shqiptar në Kosovë, ose Shqipëri. Mos më tepër, ndonjë Shtëpi botuese e mirënjohur dhe e dëshmuar në publikimin e librave të shkrimtarëve shqiptar. Shkrimtari, që gjithë jetën i shëtitur nëpër poste politike me gjithë familje në kohën komuniste jugosllave, i arratisur nëpër redaksi të “vëllazërim - bashkimit”, institucione e poste politike shtetërore si ambasador në Paris e nëpër Botë, profesor universitar i “Shën Kirili dhe Metodi” e antëtar i rregulltë i Akadimsë të Shkencave të Maqedonisë, sot delë dhe e “rrezikon”  tinëz pas shpine me “vlera të arrira artistike” edhe shkrimtarin me famë botërore, kandidatin e vetëm sot për sot shqiptar për çmimin Nobel, Ismail Kadere?! Krah për krahu me akademikun tjetër të arratisur të tri akedemive shkencore Ali Aliu, nën sjetulla si kungull Stambolli edhe me një Sanço Panço tjetër shqiptar në pelena, që tutullin shkencor mezi e fitoi me një najlon kese speca në dorë tek një miku im profesor univeristar në “Shën Kirili dhe Metodi, në Shkup. Dhe, një papagalli politik të “pavarur” të dalldisur e shashtrisur me diplomë universitare në Qafë Thanë nga kjo anë shqiptare, emëruar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, gjoja për “kordinimin” e kulturës mbarëshqiptare, merr rrugën të përurojë një shkrimtar në mes të Tiranës. Kryeqytetin e Shqipërisë, ku shumë shkrimtarë dhe artistë kanë vdekur dhe vdesin edhe sot, për bukën e gojës. Njeri të gjallë nuk kanë pasur kush t’i shti edhe në varr me një cërpkë kopshti te koka e një vorbë te këmbët për ujë në atë botë të amshueshme, matanë varrit. Akademiku, jetë “kaçaku”, përpiqet të bëjë me ndihmën e kalorësve të arraisur të kësaj ane në “Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe Përkthyesëve Letrar” në Tiranë, ku Kryeqendra shqiptare sot për sot nuk e ka edhe një Lidhje të Shkrimtarëve Shqiptar, Shtëpi të shkrimtarëve shqiptar me çati mbi kokë në qiellin e hapur me Diellin mbi male, të cilën qysh moti me vite në kohën e komunizmit e ka pasur edhe me çati dhe oxhak në mes të Tiranës.

Publikisht, para syve tanë si shqiptarë, “harrojnë” me qëllim një personalitet gjigand të arsimit dhe kulturës shqiptare të kësaj ane, që ka vepruar me vite deri në vdekje, në Shkup: Poetin e madh shqiptar për fëmijë, Mehmedali Hoxha. Babain e dy revistave për fëmijë: Gëzimi dhe Fatosi. “Kobure” e dytë, pas Libër Këndimit të nxënësve shqiptar, Ministrit arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqi. Që, shumë shkollarë anembanë Atdheut u rritën në personalitete dhe e mbanin në gji, shtëpi, çantë e mbi banka në shkollë si armë me dy tyta për dije, në Ditën e Nesërme. Personalitet madhor i Letërsisë Shqiptare, që rri krah për krahu me poetin tjetër vëlla revolucionar, Esad Mekuli. Atë, që e bëri Esad Mekuli për letërsinë shqipe në Kosovë, Mehmedali Hoxha e bëri në Maqedoni. Emrin e të cilit sot, plot krenari mund ta mbajnë me nderë institucione arsimore e kulturore. Rrugë të këtij qyteti, rrëzë kalasë Dardane e në vendlindje. Profeti shqiptar, që në atë kohë të egër komuniste me një shishe konjak “Skënderbeu” në dorë, mori guximin, e hapi dritaren e SHGB “Nova Makedonija”, në Shkup t’u thotë “vëllezërve”: Koha do të vijë, kur ju një ditë do t’i fshini rrugët e Tiranës. Parashikim historik i shekullit, për të cilin i hëngri edhe disa vite burg. Krijuesi pati të drejtë, ajo kohë erdhi një ditë me koçi përmes maleve. Vetëmse, ai burrë i pushkës dhe penës, nuk e pa vetë me sy për së gjalli.

Dhe, nuk është çudi, që nesër ndonjë Tokmak shelgu vadhe, si përfaqsues i ndonjë “institucioni” kulturor e shkencor shqiptar, ose shoqate të “pavarur joqeveritare”, i arratisur nga Kosova me gjithë dele në Shipkovicë  të Tetovës për të ikur në Turqi, më vonë si “hoxhë” arabie në Shkup, delë dhe e propozon si kandidat për çmimin Nobel, sojin e këtillë të “vëllazërim-bashkimit”, i shëtitur gjithë jetën nëpër poste politike partiake. Shkrimtarin, që deri dje nëpër intervista publicistike haptas deklaroheshte si shkrimtar maqedonas, i cili nuk e fliste dhe i dilte zot si sot gjuhës shqipe. Librat e tij i publikonte me të madhe, me shumicë e pakicë në gjuhën maqedonase. Shkrimtarit, që me porosi partiake komuniste të asaj kohe mezi ia përkthenim me plot vështirësi “veprat” edhe në gjuhën shqipe në Shkup e Prishtinë.

Fati njëjtë e ndoqi edhe një shkrimtar tjetër të përkëdhelur nga sistemi komunist i Hoxhës Allahut, mikut të tij  të ideologjisë revolucionare të “Pranverës arabe”, në Shkup (K. M.), që në atë kohë dha një intervistë “eksluzive”, po të këtij “niveli artistik” si shkrimtar maqedonas dhe librat e tij i shkruante dhe botonte në gjuhën e “perspektivës” të Shtetit komunist, i cili vite më vonë e pa gabimin, nisi ta mësojë gjuhën shqipe dhe doli me “thirrjen revolucionare”, ferexhenë e zezë krahëve për bashkimin e shqiptarëve në një shtet shqiptar: Shqipëri Etnike. Përgëzime “revolucionarit të ndryshimeve politike”, nëse është i sinqertë për zgjidhjen e Çështjes shqiptare, nuk është Pykë shelgu! Edhe pse, deklaratat e tia publike - politike, unë nuk e di. pse i marr me rezervë.

Poet dhe akademik maqedonas me prejardhje shqiptare është edhe Mateja Matevski. Akadamiku, ndoshta edhe më i madhi maqedonas, që edhe sot nuk e ka harruar gjuhën shqipe, po kurrë nuk e shkruajti dhe botoi një libër në gjuhën e Nënës shqiptare. Populli, thotë: bunar të ri bë, por kurrë te i vjetri mos pështy. Ose, i yti nëse ta hanë mishin, eshtrat t’i ruan në arkë për Nesër. Realitet historik, që ndodhi edhe me këto shkrimtarë maqedonas. Nama e Nënës i zuri këta djemë të arratisur e dalldisur, që e mallkoi të birin, kur ia ktheu shpinën. Tambëli i së cilës, i ndjek nateditë gjithë jetën deri në varr. Kohë ajo e egër “artistike”, kur shkrimtar shumë më i madh në Letërsinë Shqipe ka qenë dhe mbetet përgjithmonë Sterjo Spase. Autori i romanit Afërdita. Pse, dhe Zgjimi.

Çmimin Nobel, nuk e kanë marrë për së gjalli shumë pena të mirënjohura shqiptare të djeshme dhe të sotshme: Gjergj Fishta (kandidat), Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Fredrik Rreshpja, Ismail Kadare, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Pano Taçi, Teki Dërvishi, Adem Demaçi, Ymer Shkreli e Anton Pashku. Edhe, ndonjë tjetër personalitet shqiptar, për të cilin hë për hë nuk më kujtohet emri. Çmimi Nobel, është Çmim të cilin e kanë marrë edhe parsonalite botërore nën nivelin e vlerave të arrira artistike të këtyre artistëve shqiptar. Dorën në zemër, artistët shqiptar jo se nuk e kanë merituar, por edhe Çmimi Nobel, siç duket është politizuar deri në palcë në Ditën e sotshme. Punë tjetër është ajo se, shqiptarët nuk e kanë një Zhan-Pol Sartër, që ta kthejë prapë Çmimin Nobel. Sartri, e ktheu se, i kishte donatorët e popullit të vet liridashës që i qëndronin me  tru e para përmbrapa në luftën artistike për Liri (ia dhanë gjeniut dyfishin e parave), ndërsa shkrimtari shqiptar, i harruar nga politikanët e vetëbegenisur të Shtetit Shqiptar, sot vdes edhe për bukën e gojës.

Shkrimtari i “arratisur” pas Luftës Dytë Botërore nga Shqipëria me gjithë familje, dhe i përpunuar nëpër institucione policore jugosllave me të gjitha dyert e hapura krah më krah për veprime “shkencore-kulturore”, mirë është në Ditën e sotshme të presë pak pas dere!. “Durim”, thoshte presidenti i parë i Republikës së Kosovës, z. Ibrahim Rugova. Edhe populli shqiptar, si e gjithë bota i ruan dhe kultivon zakonet dhe traditën shqiptare, kujt duhet hapur derën si mik, e kujt përplasur me forcë në fytyrë. Cili në odën e burrave e ka vendin te oxhaku, e cili te dera. Raste ka, kur derën ia kemi hapur edhe armikut, por ato janë përjashtime historike, në momente rreziku kur na ka trokitur në derë për ndihmë. Imzot, po ky popull ende, edhe në Ditën e sotshme këmbekokë do dhe plasi të përpëlitet në bërllok?! Derën e madhe, si nuk e gjeti deri më sot për dalje, pas shtëpie matanë malit me lisa kokë më kokë në Qiellin e hapur, Liri?! Dritare pas Shtëpie, për të ikur si i “çmendur” me mendtë në kokë, hipi me shokë në Baba Tomor me gjithë këta “studjuesë” letërsie e “kritikë” letrar me thasë të rrasur me të dyja këmbët nëpër institucione?!

Faji, përsëri u mbetet shqiptarëve. Ende mbeturina komuniste, përpiqen ta “nxjerrin” këtë popull historik nga qorrsokaku, në Liri. Fatkeqësia, ky bërllok shqipar që i është ngatërruar popullit shqipar dje nëpër këmbë, e them me plotë gojën: sot, nuk e nxjerrë dot nga bataku, po me të katër këmbët edhe më thellë e rrasë në batak deri në fyt. Gabimi dihet, është i partive politike shqiptare, që ende në Ditën e sotshme i mbajnë gjallë me pak shpirt eksponentët e “vëllazërim-bashkimt”, në shoqërinë shqiptare.

E pyes veten, si shkrimtar “i çmendur”, sipas diagnozës së tyre policore letrare: Çfarë shkrimtari është ky akademik me “famë botërore”?! Dyert,  që dikur ia ka hapur krah më krah Partia Komuniste Jugosllave, sot ajo Neokomuniste “demokratike”, së fundi edhe ajo e ashtuquajtura “Rilindja kombëtare” e Edi Ramës. Kryeministër, që e kënaqi Shqipërinë, tashti i ka mbetur edhe “lulëzimi kulturor” i IRJ të Maqedonisë me autorin e disa librave kalorsiak: profesor universitar, ish ambasador jugosllav e maqedonas nëpër disa vende të botës dhe anëtar Akedemie i Shkencave të Maqedonisë, që lejon dhe pajtohet famën “krijuese” t’ia sjellë një librari çarshie?! “Institucion” partiak biznesi familjar, që lidh bashkëpunim kulturor me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë?! E, për sa di unë, bashkëpunim politik e kulturor, lidhin institucionet e të njëtit niveli shtetëror (Ministritë e Kulturës të dy shteteve). Vështirë, e kam t’i përgjigjem si shkrimtar kësaj “çorbe artistike- kulturore”. Dhe,  pyetjejeve provokative policore - politike (dukurie të këtillë “profetike”), që na e kanë shtruar kulturofagët me shokë, qysh moti në sofër.

Koha (Dita e Nesërme), si gjithmonë do t’ia vë në ballë vulën historike…



(Vota: 61 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora