E marte, 21.05.2019, 05:53 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Pushimet verore filluan?!

E enjte, 19.06.2014, 08:05 PM


Pushimet verore filluan?!

Nga Entela Binjaku

Prej disa ditësh ka përfunduar viti shkollor për arsimin parauniversitar në vendin tonë. Duke përjashtuar nga ky përgjithësim maturantët që ende jetojnë nën “presionin” e provimeve, pjesa tjetër e nxënësve janë tashmë “në shtëpi”.

Fillimi dhe fundi i vitit shkollor janë dy nga  çastet e rëndësishme  në jetën e një fëmije. Si të tilla meritojnë të trajtohen me kujdes dhe vëmëndje.  Këto çaste përkojnë me nisjen dhe ndalesën në një rrugëtim me vlerë në formimin e personalitetit të tyre, gjurmët e të cilit mbeten thellë në kujtesën individuale.

Ka ndër ta, fëmijë e adoleshentë  që i presin me shumë padurim këto çaste, ka ndër ta që janë më pak entuziastë veçanërisht për fillimin, por të gjithë thuajse janë të një qëndrimi sa i takon fundit të vitit shkollor. Si fëmijë ashtu edhe adoleshentë e përbashkëta e tyre  lidhet me ngazëllimin për fillimin pushimeve verore.

Por në biseda të ndryshme me prindër, ka një shqetësim të madh lidhur me mënyrën sesi do ta kalojnë fëmijët e tyre këtë kohë vere.  Ky është shqetësim i përsëritur dhe nuk është i panjohur, por çdo vit paraqet specifika që nuk tregojnë përmirësim.

Në kushtet kur mjediset argëtuese publike mungojnë ose dhe kur ka të pakta, pushimet verore nuk kanë si të jenë të qeta për prindërit dhe fëmijët;

Po në kushtet kur shkollat verore publike mungojnë, ose edhe nëse ka ndonjë  ajo është jopublike dhe me pagesë, sërish kjo nuk mund t’i gëzojë të gjithë. Jo çdokush e ka mundësinë të frekuentojë këto alternativa.

Prindërit shqetësohen sepse janë të ndërgjegjshëm që lidhjet tradicionale mes fshatit dhe  pushimeve verore janë zbehur shumë, ose edhe kur  ka mbetur ndonjë e tillë, ata vetë nuk kanë kultivuar tek fëmijët kërshërinë dhe dëshirën  për të njohur fshatin, edhe pse njihen benefitet e lidhjes së fëmijës  me natyrën.

Në kushtet kur edhe gjyshërit e kanë të vështirë t’i ndjekin fëmijët  në ritmin dhe pasionet e tyre, alternativa e mbështetjes tek ata mbetet e kufizuar.

Ndërkohë  lidhjet e fëmijëve me teknologjinë janë rritur aq sa ata po shkëpusin dalëngadalë  lidhjet me bashkëmoshatarët dhe jetën shoqëore aktive.

Këto pushime verore kanë filluar edhe për ata fëmijë,  prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi ekonomike të përmbushin dëshirat që ka bota e hapur shpirtërore dhe psikologjike e fëmijëve sot.

Në përgjithësi njerëzit, fëmijë, adoleshentë apo të rritur bëjnë gajtë kohës së lirë  aktivitete të ndryshme që t’i shpëtojnë mërzisë, rutinës, monotonisë dhe kjo është e natyrshme.

Por po kaq e natyrshme është edhe ideja se një pjesë e veprimeve deviatore, sjelljeve shqetësuese  për shoqërinë kanë ardhur edhe si rezultat i atyre veprimeve që njerëzit i kryejnë pikërisht për t’i shpëtuar monotonisë, mërzisë dhe rutinës, të kryera këto gjatë kohës së lirë.

George Alger thotë se “ajo shoqëri që nuk e përdor në mënyrë racionale kohën e lirë është shumë më e rrezikuar sesa ajo që nuk ka fare kohë të tillë”.  Po sipas këtij studiuesi  sfida e madhe e kohës sonë është të krijojë një shoqëri të atillë që nuk degjeneron përmes kohës së lirë.

Ndaj duke e njohur këtë rëndësi që merr koha e lirë, është në detyrimin e shoqërisë përmes institucioneve të saj  t’u mësojë fëmijëve edukatën e të kaluarit të kohës së lirë.  Këtë detyrë e ka familja, e ka shkolla, e ka mass media, etj.

Një nga detyrat e shkollës është të zgjojë dhe kultivojë  tek  fëmijët interesin për artet, muzikën, teatrin, sportet, dansin etj.  si elementë të kohës së lirë, sinonim i pushimeve verore.

Duke marrë të mirëqenë faktin se shkolla shqiptare e kësaj periudhe po e kryen detyrën e saj duke edukuar  respektin dhe edukatën për të kaluar këtë kohë, cështja është çfarë ju ofrohet këtyre fëmijëve për ta kaluar këtë kohë?

Sa mundësi ka një fëmijë që jeton në Librazhd, në Pukë, në fshtatrat e Tiranës, apo në qytezën e Rrëshenit, në Gramsh apo periferi të Durrësit të shohë një pjesë teatri? Sa prej këtyre fëmijëve mund të shijojë një koncert pranë  moshës, për të pasuruar botën e tyre shpirtërore? Sa aktivitete sportive kanë mundësinë të ndjekin e të jenë pjesëmarrës fëmijët shqiptarë në muajt e verës? Sa herë mund të frekuentojnë kopshtin zoologjik? Sa kurse jashtëshkollore noti, pikture, koleksionizmit, të filaletilisë, të rretheve letrare etj., mund të takojë në fëmijërinë e tij një djalë apo vajzë shqiptare gjatë muajve të verës? Dhe kjo ndodh kudo nëpër Shqipëri.

Në këmbim, ka shumë më shumë mundësi të qëndrojë në shtëpi i mbyllur, para programeve të pakontrolluara të televizorit, ose para kompjuterit;  përballë rrezikut që njeh përdorimi i internetit, në pritje të një dyjavëshi pushim të prindërve diku nga fundi i korrikut apo nga gushti, të ndonjë të diele në plazhet e mbipopulluara që mund të kthehen në probleme të lëkurës,  pa harruar  mbasditet me prindërit nëpër qëndra tregtare.  Natyrisht në këto kategori nuk gjenden të gjithë. Të mos harrojmë se ka fëmijë që jetojnë në varfëri të madhe që as këto mundësi nuk i kanë!

Ka fëmijë që muajt e verës shesin rrugëve, qëndrojnë me orë të tëra larg familjes  nën kërcënimin e të panjohurave që mund të sjellë pakujdesia, ka fëmijë që lajnë xhamat e makinave etj. Edhe për këta fëmijë është kohë pushimesh verore.

Pushimet që sapo kanë filluar janë problem për prindërit,  sepse nuk duhen harruar konceptet ndërbrezore dhe dëshirat e nevojat e fëmijëve për argëtim dhe komunikim me bashkëmoshatarët.

Duke ju rikthyer përfundimit të vitit shkollor dhe  detyrës së shkollës, për të edukuar tek fëmijët interesin për aktivitete të kohës së lirë, që përkojnë me pushimet verore, me atë çfarë fëmijët presin në pushimet verore rrezikojmë të ulim edhe prestigjin, ndikimin dhe besueshmërinë që jep shkolla. Sepse ajo që kultivhet ndodh që nuk është ajo që gjendet.

Duke i braktisur prindërit në përpjekjet e veta për t’u siguruar fëmijëve në mënyrë rastësore pushime verore të gëzuara, nuk kemi bërë gjë tjetër vecse kemi krijuar një konfuzion tek fëmijët që nuk ndihmon në zhvillimin e qendrueshëm dhe të shëndetshëm të tyre.

Për të shmangur këto deformime, për të reduktuar këto rreziqe, për t’u dhënë fëmijëve pushime verore më ndikim pozitiv në jetën e tyre, duhet që shkolla dhe familja të ndihmohet në misionin e saj nga të tjera institucione që me programe të konsoliduara edukuese dhe të organizuara të krijojë tek fëmijët një personalitet të shëndetshëm.

Kujdesi për kohën e lirë të fëmijëve dhe pushimet verore  të tyre duhet të udhëhiqen nga një sistem vlerash, interesash, vlerësimesh, aftësish të cilat shkolla që sapo kanë përfunduar i ka promotor të edukimit.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT