E premte, 19.04.2024, 03:25 AM (GMT+1)

Intervista

Oralda Lahe: Intervistë me gazetarin Shaqir Foniqi

E merkure, 18.06.2014, 08:04 PM


Flet gazetari dhe monografisti i mirënjohur në Kosovë Shaqir Foniqi:

Gazetarin e bën të njohur puna e vet dhe këmbëngulja ka shumë rëndësi, por nuk duhet të kalohet në bezdi.

Ekskluzive nga Oralda Lahe

Shaqir Foniqi është një nga gazetarët dhe monografistët e mirënjohur në Kosovë. Fama e tij i kaluar kufijtë duke u bërë një figurë e dashur përtej vendlindjes. Intervista me personalitete të afirmuar e dallon dhe e spikat mes shumë të tjerëve. Puna për 36 vjet, dashuria për profesionin ka të  njëjtin intesitet ashtu si në ditën e parë të këtij profesioni. Mes librave të shkruar të zhanrit monografi dhe poezi do të përmendim Monografi për Aleksandër Moisiun, Nexhmije Pagarushën, Bekim Fehmiun. Së fundi dhe monografia për Rita Orën këngëtaren me famë botërore. Ndërsa në lidhje me librat e tij me poezi përmendim disa prej tyre si “Drithërimë”, “Diell me diell”, “Porta e diellit” e shumë të tjerë.

“Gazetaria të krijon një lodhje të bukur. Unë them se sot jam lodhur artistikisht. Ky profesion më ka mbajtur gjallë. Po të mos isha gazetar nuk di çka do të punoja. Kam 36 vjet përvojë pune vetëm në gazetari dhe besoj flet mjaft. Nëse do të shkruaja vetë ose nëse do të merrte dikush mundin që të shkruante për mua.  Titulli i librit  do të kisha dëshirë të ishte: Shaqir Foniqi: Gazetaria,Dashuria ime! ose Gazetaria-profesioni më i bukur në botë!”

Lidhja juaj me gazetarinë është e hershme dhe në këtë profesion ju jeni afirmuar. Si i kujtoni fillimet tuaja në fushën e gazetarisë?

Faleminderit për intervistën dhe kureshtjen tuaj. Jam i lumtur të flas për lexuesit tuaj dhe ndjehem krenar që i drejtohem një auditoriumi të çmuar shqiptar. Fillimet e mia, infektimi im me gazetarinë daton shumë herët qysh në moshën fëmijërore. Kisha një pasion të fshehur deri në fanatizëm dhe i thosha vetes gazetar televiziv ose hiç fare!  I shtyrë nga ky pasion fillova t’a sprovoj veten qysh në moshën e re. Si çdo i ri  fillimet  e veta i ka me poezi, paraqitjen e parë e kisha me poezinë, “Ç’ka dua” e botuar në një revistë letrare të kohës. Mirëpo meqë poezia nuk ishte profesion, u orientova në gazetari me gjithë fuqinë. Pasi mbarova Gjimnazin, “Luigj Gurakuqi”  të Klinës, në vendlindjen time u regjistrova në  Fakultetin e Gazetarisë, ku isha gjenerata e parë. Krahas studimeve merresha me shkrime. Pas përfundimit të Fakultetit të Gazetarisë, u inkuadrova në RadioTelevizionin e Prishtinës, që nga 1978 jam gazetar e redaktor në RTK. Gazetaria  është njëra nga dashuritë e mia. Gazetarinë nuk mjafton t’a duash, dashurosh, se përndryshe je në profesionin e gabuar, prandaj sikurse thoshte Çërill, ”Gazetaria është e mirë, por duhet lëshuar me kohë”. Unë e dashuroj gazetarinë jetoj me këtë dashuri. Nuk thuhet kot: -“Gjeje dashurinë dhe dashuroje gjetjen”. Po të mos isha gazetar...nuk di a do të isha gjallë...

Në karrierën tuaj numërohen intervista me personalitete të rëndësishme dhe të shumtë. Personalisht do të doja të ndalesha tek intervista me dy femra të famshme si Sophia Loren dhe Nikol Kidman. Si ishte të intervistoje këto aktore të përbotshme?

E mira e gazetarisë është se të krijon kontakte me personalitete botërore. Unë kisha këtë fat dhe mendoj se kam shfrytëzuar ai nuk i ofrohet gjithkujt. Duke qenë gazetar i kulturës më ka rënë që të përcillja shumë festivale filmi, si  festivalin e Berlinit, Berlinale. Në këtë festival në vitin 2002 ishte dhe ikona e filmit, Sophia Loren e cila ishte e ftuar për të marrë pjesë në premierën e filmit të saj më të mirë sipas meje, “Çoçarja”. Ajo me të arritur në aeroportin e Berlinit kishte deklaruar njësoj sikur presidenti amerikan, Wilson: - Unë sot jam Berlineze. Para premierës, Loren kishte një takim me shumë gazetarë për fatin tim të mirë, më rastisi të jem në radhën e parë dhe yllin Sophia. Shfrytëzova rastin që me të parën të parashtroja pesë pyetje. Nga të cilat mësova se ishte vajzë e një familje të përzier, nëna franceze, babai Italian nga Napoli. Në moshën shtatë vjeçare e kishte përjetuar urinë.Talentin e saj e kishte zbuluar bashkëshorti  i saj producenti Karlo Ponti . Sophia Loren ishte shumë modeste. Kishte vetëm një zinxhir në qafë shumë të hollë dhe unazë  në gisht mbase diamanti. Ndërsa,sa i përket Kidman, çështja është pak më ndryshe. Ajo në vitin  2006  ishte në Kosovë në një mison humanitar si ambasadore e UNICEF-it.  Unë  isha caktuar ta përcillja vizitën e saj, kisha rastin t’i merrja një deklaratë. Më kujtohet që raporin e kisha nisur. Sinonimi i bukurisë femërore N.C qëndroi në Kosovë.  Nicole Kidman është një ikonë. Ajo është e gjatë,e bukur, inteligjente, me sy të thellë, një shikim depërtues dhe mbi të gjitha humaniste e madhe. Unë  përveç raportit televiziv kisha shkruar  një vjershë të cilën e botova. Ajo kishte premtuar se do xhironte një film për luftën e Kosovës besoj se është duke punuar në këtë drejtim.

Sipas jush çfarë ju bën të njohur si gazetar duke ditur vlerësimet dhe njohja përtej Kosovës?

Gazetarin e bën të njohur puna e vet dhe këmbëngulja ka shumë rëndësi, por nuk duhet të kalohet në bezdi. Sikurse thashë  më herët, terreni është  një përvojë e madhe sepse duke marrë pjesë nëpër festivale, njeh shumë personalitete, kultura. Nuk e keni  idenë sa të thjeshtë, të dashur janë yjet e skenës, vetëm është çështja si të marrësh kontakt me t’a. Qasja ndaj tyre duhet të jetë e kulturuar, e sjellshme,  e butë...sikurse është vetë arti.

Ju kanë konsideruar si monografistin më të mirë në Kosovë dhe me të drejtë ky vlerësim. Çfarë të veçante sjell dhe monografia për këngëtaren Rita Ora me famë botërore?

Faleminderit për konstatimin. Është e vërtetë se kam shkruar disa monografi ose përpjekje për monografi. Sepse monografi të plotë nuk mund  të shkruajë askush dhe askund. Me këtë rast po theksoj se kam shkruar monografi për aktorin e madh, Aleksandër Moisiun, artisten e këngës së bukur shqipe zj.Nexhmije Pagarushën, piktorin e njohur Gjelosh Gjokajn, artistin me famë botërore Bekim Fehmiun dhe yllin e dritës, Rita Orën. Emblema dhe krenaria jonë në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Mund të them se kam patur pesë intervista ekskluzive me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Intervista  të cilat mbase një ditë do t’i zbradh.  Sa i përket monografisë së dytë për Rita Orën është një libër biografiko-monografik. Aty jepet fëmijëria e saj ngritja drejt famës, profili i saj artistik. Gjithçka që ka të bëjë me jetën e saj artistike dhe familjare. Me qëllim nuk e kam prekur jetën e saj private, ndonëse në libër flitet, shkruhet për këtë segment. Mund të them se kam zhvilluar intervistën e parë të shkruar me të në 2010-tën për revistën “Imeca”. Fotoja e saj ishte në kopertinë  dhe pastaj ka pasuar libri i parë ”E përndritura, Rita” më pas i dyti “Rita Ora”. Unë mendoj se Rita po prek majat e famës botërore  për  këtë kam propozuar në Kosovë të themelohet një dekoratë që do të quhej, “Ora e Pavarësisë” , e cila do t'iu dhurohet  personaliteve të larta, me rastin e shënimit të datave të Pavarësisë së Kosovës.

Nëse nuk do të ishit gazetar një profesion që kërkon orare të zgjatura, punë intensive dhe përkushtim. A ka ekzistuar një moment ku ju keni menduar për  t’a braktisur këtë profesion?

Gazetaria të krijon një lodhje të bukur. Unë them se sot jam lodhur artistikisht. Ky profesion më ka mbajtur gjallë. Po të mos isha gazetar,nuk di çka do të punoja. Kam 36 vjet përvojë pune vetëm në gazetari dhe besoj flet mjaft. Nëse do të shkruaja vetë ose nëse do të merrte dikush mundin të shkruante për mua. Titulli i librit do të kisha dëshirë të ishte: Shaqir Foniqi: Gazetaria, Dashuria ime! ose Gazetaria-profesioni më i bukur në botë!



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora