Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Beqir Cikaqi: Amaneti i një pishtari!

| E marte, 17.06.2014, 06:44 PM |


Amaneti i një pishtari!

Nga Beqir Cikaqi, Treviso-Itali

“Kudo që të më lerë ky shpirt, kudo që të më pushojë së funksionari kjo zemër, kudo që qelizat e mia biologjikë do ti ndalin proceset fiziologjike e jetësore,…eshtrat e mi të më prehen në vendlindjen time të dashur, në Herticë, aty pran eshtrave të të parëve të mi, sepse vetëm aty do të pushojë i qetë dhe do të ndjehem i “relaksuar” gjithmonë…!”- ishte amaneti dhe dëshira e pishtarit të arsimit, të nderuarit z. Zeqir S. Muçolli.

Njeriun të cilin pata fat të njihem, të komunikojmë e të takohemi me Bacën Zeqë.. Njeriu i cili nuk dinte të mendojë për dëshpërim e depresion, njeriu që ishte plotë optimizëm e sinqeritet, njeriu që i gëzohej suksesit të tjerëve sikur të ishte suksese të tij. Edhe pse nuk dihej mire me shëndet, nuk dorëzohej, sugjeronte opsione favorizuese për arritjen e sukseseve e rezultateve...

Se kush ishte  Zeqir S. Muçolli, ky është profili i shkurt:

Zeqir S. Muçolli u lind në Herrtizë (Herticë) të Besianës(Podujevës) më 08.08.1937. Klasën e katërt të shkollës Fillore e kreu në Herticë, gjimnazin e ulët: klasën e parë në Podujevë, kurse të tjerat në Orllan. Shkollën Normale, Fakultetin Filozofik – Dega e Gjeografisë, i kreu në Prishtinë, kurse studimet pasuniversitare në Beograd. Më 1 shtator 1960 ka filluar të punojë si mësues i klasës së parë dhe njëherit është emëruar edhe drejtor i Shkollës Fillore “Rilindja” në Herticë. Në këtë shkollë u prit me mirëseardhje nga nxënësit, kolegët dhe prindërit e nxënësve. Menjëherë filloi të aplikonte risi në procesin mësimor – edukativ në shkollë. Por, pasi në Shkollën Fillore të Orllanit ndihej nevoja për arsimtar në klasë të larta, me 1 tetor e tërhoqën në Shkollën e Orllanit. Në Orllan ishte mësimdhënës dhe drejtor i shkollës fillore “Meto Bajraktari”, pastaj profesor dhe drejtor i gjimnazit “8 Nëntori” të Podujevës, inspektor i arsimit, sekretar i Bashkësisë së Arsimit dhe të Kulturës të Podujevës, inspektor krahinor i arsimit dhe këshilltar i Sekretarit të Sekretariatit të Arsimit, të Shkencës e të Kulturës të Kosovës. Ka qen edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe anëtar i Këshillit të Arsimit të Dhomës Krahinore.

Është autor  dhe bashkautor i disa librave, monografie, librave praktikë, etj. Ka bashkëpunuar vazhdimisht me gazeta dhe periodikun në gjuhën shqipe: “Rilindja”, “Shkëndija”, “Bujku” dhe me Radio dhe TV Prishtinën.

Përveç në lëmin e Arsimit ka dhënë kontribut të çmueshëm edhe për popullarizimin dhe përparimin e bletarisë në Kosovë. Ishte bashkautor me inxhi. Haxhi Demukjan i librit “Bleta”, -botim Libri Bujqësor, Prishtinë 1985 dhe shpikës i aparatit për largimin e bletëve  nga hojet “Z.S.M.-‘83”, që u patentua në Entin Federativ  të Patenteve në Beograd. Për punën në bletari u nderua me diploma, lëvdata e mirënjohje, me plaketen “Bleta e artë” dhe “Bletar i dalluar”. Më 1990 doli në pension, por nuk u ndal së shkruari edhe së vepruari me bletët. Ka botua librat: “Kalendari Bletarisë”, “Fjalori i bletarisë” dhe “Produktet e Bletëve”-ushqim dhe bar për njerëz. Më 2009 nxori librin “Bletaria Praktike” , botues: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës. Ka përgatitur për botim dorëshkrimet me titull: “Bletaria për fëmijë” dhe “Bletaria për të gjithë”.

Ka jetuar në Prishtinë me familjen e gjerë, por kohë pas kohe edhe në Padova të Italisë me djalin Gëzimin që iu ka rregulluar dokumentacionin e bashkimit familjar. Edhe pse e përballoi një operacion mjaftë të ndërlikuar, ndërroi jetë  në këtë mes të qershorit (2014) në banesën ku jetonte në Padova të Italisë, pas një sulmi në zemër...!

Zeqir S. Muçolli nuk vdiq, vetëm ndërroi jetë! Virtyti, vepra dhe aktiviteti i tij do të jetojë dhe do të respektohet  e nderohet brez pas brezi.Amaneti i pishtarit të arsimit, do të përmbushet nga familjarët e vet. I lehtë i qoftë dheu i vendlindjes- Herticës krenare! Zoti e bekoftë bacën Zeqë. Amin!