E shtune, 20.04.2024, 02:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Djegia e dorëshkrimit

E marte, 17.06.2014, 06:15 PM


Djegia e dorëshkrimit

Nga Mehmetali Rexhepi

Bubullima zbrazte jonet e nxehura.

Nëna Zanë i thoshte të birit:

-           Ka ra una e zjarmit prej qilli dhe e nxé stinën e tokës.

Buuuuuu - buuu-buuuu - buuu - buuu-buuuuuu... Në çast me tëhollësin e petave dhe sipas ritualit të goditjeve të lehta, prekte: pemët, drunjtë e mollëve, të dardhëve, kumbullave, pjeshkave, ftonjve... Hambarin e vjetër: plot, magjen e miellit: plot, plot, tepsitë: plot, sahanët: plot, lugët: plot, plot, shtratin: plot, gjithnjë me ndajshtesën plot. Me shkopin e lëmuar mbi petë më kishte prekur mua, motrën, vëllamin me atë ndjellës: plot, plot, plot... Shqiptuar zëshëm edhe me pëshpërimë, si fëshfërimë gjethesh në plotësinë e drunjve të stinës.

Moti nuk e kuptonte atë ritual ndjelljeje... Dhe ashtu bënte ajo pikërisht në bubullimën, mërmërimën e parë, në kapërcyell të stinës së tatuazheve me krahneza dritareve të drunjta, qirinj të zgjatur kokëposhtë strehëve.

Ndoshta nuk ishte kujtuar që me atë shkop tëhollës petash t`ia prekte librat, por, edhe çka nuk i kishte prekur Motit? Atij i mbështilleshin fijet në një bosht të avullt kujtese, mandej edhe boshti, edhe fijet i shtangeshin në nyje të ngrira... Se dhe çka nuk kishte tokur ai shkop mitik?... Dhe për flokët e tija gjethe të zbardhuara që fluturojnë dhe bien në djathin e kafjallit, për t`ia shtuar menysë shqisën e irrituar.

Një valë e vakët kujtese i pikoi mbi nyjën e ngrirë në harresë. Sakaq, nga moria e vitrinës iu shkëput kopertina e vetëm një libri, atëbotë ia kishin brejtur minjtë atë të vetmin. Dhe, shtrydhur prej mjegulle, që duhej ngurtësuar për ta kapur. Akulli i kujtesës  po të kapej shkrihej...

Nëpër filtrat e përsiatjeve të Motit hynte shumëçka, pa u trajtësuar plotësia e karakterit. I vinin përroska të pista pllakave të trotuareve, gromësira të tjetërsuarish. Kujtimet gjëmuese vijnë edhe kur nuk i lyp, të atilla çfarë ishin: therëse, mallëngjyese. Ndonëse, ato nëna Zanë, nuk i pat bekuar...Gjithsesi  poleni i farës së mllefit verior frynte ftohtë këndej, aq sa të mbinin dendur gjembat shpërthyes, për t`ia nëmur ecjen anasit të pa shfytyruar...

-           Mal, shkrepi dëftimin e tij, Moti, duke e kapur fijen e butë të ndjesisë:

-           Zana nuk e paska prekur me tëhollësin e saj...

-           Kë?

-           Lapsin.

-           Cilin laps?

-           Atë, që, ajo i thoshte “kalem” dhe, mbrehej me teh brisku prej ashti të topitur, ose me ndonjë copë qelqi të thyer.

Moti lëmonte buzët me stilolapsin e tij, majtas djathtas.

* * *

Tingujt e Moxartit nga gudulisja shpijnë në gërvishtje. Pas pikimeve të sigluara:

hë, mos do të rrjedhin  impulse të përziera me shqiptime fekalesh, ose do ta pickojnë grerëza bezdie, lëng i shtrydhur rrushi që do t`ia rrudhte buzët prej athtësisë, ose... Rastisje e porositur për infarkt, si tërbimi i ftohtë i njeriut, me veshkën e fëmijës në trastën e të betuarit të Hipokratit, si herdhet e vyshkura të plakut në buzët e adoleshentes... Nga gjithë kjo e pritur e së papriturës, shqiptohet një tungjatjeta dhe kërkesa e Hirësisë për pikëpjekje me Motin dhe Malin.

Hirësia:

-           Disi të rralla i kanë kokrrat kallinjtë e arës së dorëshkrimit të Motit - vijoi:

-           Mos jam aq i trashë, ose, po ashtu, sikur unë është dhe Moti? Ç`ke pra, Mot?

Moti nuk u kthjell, as u turbullua. Kthjelltësinë, turbullirën dhe përqendrimin ia mbuloi heshtja.

Mali mëtoi përngjasimin me Motin:

-           Disa kallinj janë përplot me kokrra, por i kanë të vockla.

-           Si duket e ke paragjykuar dorëshkrimin Hirësi!

-           Furishëm ka fryrë e ka rënë dendur shi, porse frytet e Motit nuk janë përulur.

Motit iu shfaqën arat e shtrira të kallinjve pas  shtrëngatës e shirave bezdisëse.

As pohimi, as mohimi nuk e mëkonin shtrirjen e tyre.

Meqenëse nuk u shqiptua, mbetej si një tumire e asaj mynxyre për dorëshkrimin e Motit.

-           Ore i uruar! Nuk e kishte arritur dorëshkrimi yt atë, me gjithë mëtimin, që të dëftonte nënteksti më shumë se teksti.     .

Moti nuk nxehej.

Atij vranësirat e shpirtit i sillnin në sy: as borë, as shi ndonëse vetëtinte e bubullinte. Stufa duhej të ndizej me pak dru e shumë letra të dorëshkrimit në ditën e një prillit.

Dhe erdhi zhgënjimi e mallëngjimi i letrës.

Digjej adhurimi i figurave të para, i ndjesisë së parë, ndoshta të cekët por... Edhe kundërmimi i ftonjve të nënës mbi letër dhe, kalbëzimi... Koha e pamatur e shkëlqimit të thesarit të rrezeve jashtë tij... Ndërsa ai shtigjeve të pambarimta kërkimi, i pluhurosur, i palarë, për t`i dëftuar nëntekstit aso porosish për të cilat kumtimi nuk e kishte atë shqisë.

Edhe çka nuk kishte pleksur në dorëshkrim, që dorëshkrimi i Motit ta merrte tumiren e Hirësisë?

Gjumi nuk iu linte shteg ëndrrave.

Vardisjet pas trajtave shumëngjyrëshe të jetës, janë aq të rrotullueshme, aq marramendëse dhe, si nuk shmanget ende nga shinat e padukshme, harkore, përqark ekuinoksit globi?! Ndaj, edhe shfaqjeve të hijeve të natës e të ditës rrotullimeve të globit, ua kishte kthyer shpinën.

Refuzimi ishte në dorëshkrim...

Miku hamshor mëtoi ta shpinte në një shtjellë epshore të lavireve, që t`ia nxirrnin e pinin lëngun e bardhë të spermës së tretur.

Sikur e grishnin trajta që s’pushoi së gjakuari, të shtresuara diku përreth, në një kënd të rregullt a të pa rregullt, figura të shkrira të njeriut për njeriun... Një aventurë për kërkimin e plotësisë, jo kërkimit “të etheve të arit” të Jack London-it, por të margaritarëve njerëzorë  në lumin e gjerë e të thellë të jetës.

-           Pse nuk ia preva dyshimin Hirësisë? T`ia përkufizoja:

-           Hirësi, gjakoj jo të prarohet vetëm ajo që të përket ty, pos të fisnikërohem, të fisnikërohesh, të fisnikërohen dhe të fisnikërojmë djerrinën e ligësisë së djallit.

Gjakimi tjetërsoj i jetës, Motin e shpuri te ndeshtrasha, tek izolimi madje, dhe me vetveten.

Para shtratit të njomë, letra i ofronte gjetje dhe shtrirje në shtratin e saj të thatë.

Menyja e letrës: shkronja që ndërtojnë rrokje, rrokje që lidhin fjalë, fjalë që ngrehin gjymtyrë, togfjalësha që përmbarojnë kumte të thjeshta, të zgjeruara, të ngjyera në erëza ndjenjash për t`i fituar pigmentet e munguara. Ngërthesa të joshjes që vashën nuk e reduktojnë këmbë e kokë në një vagjinë; krua i turbulluar që lyp kthjelltësinë për shuarje etjesh... Atyre që pinë, pshurrin dhe pështyjnë të njëjtin krua... Dhe i njëjti nuk u shterua!

Ura e holluar e vajtje - ardhjes së mëdyshjeve të Motit, e lidhur në eufemizmat e Malit dhe hiperbolat e Hirësisë, doemos këputej...

-           Mos, vallë Hirësia karakteret e mi i shihte të zhveshur, sikurse gratë cullake plazheve të  rërës?

Fyese.

Pas çdo faji, mllefi, dëshpërimi, galdimi e pendese karaktereve ua sjellke vakësinë e larjes, ua veshte kostumet e ndërrueshme të arsyes, ua qepte shqepjet e veseve me hiret e fisnikërisë.

 

* * *

 

Pikëpjekje sheshit të qytetit, tokje duarsh të Hirësisë e Motit, kaherë të ngujuar në variantet e dorëshkrimit.

-           Mot, lexova variantin e ri në “Ars poetica” dhe…

-           E di… Mos më shtyj t`i ngjitem një pjerrtësie të rrëshqitshme, të bie e të mos ngrihem!

-           Madje, si e lexove pohimin tim të pashkruar?

-           Nëse dorëshkrimi nuk të frymoi fisnikëri të veshjes sipas modës dhe, karaktereve s`ua zgjidh nyjat e enigmave...

-           Dhe?

-           Dhe... Lëre a hidhe si bukën e mykur. Nuk e përtypin assesi dhëmbët e syve të mi.

-           Dhe?

-           Dhe mbetesh arkaik.

Moti Hirësisë nuk ia ironizoi dhëmbët e rralluar e të ndryshkur.

* * *

Fillim prilli e drurët i dogji dorëshkrimi.

-           Të lutem, Mot ngrohe dhomën me dorëshkrimin tënd! - Spikati dhimbjen dhe ironinë Edlira.

Çka të digjte për ngrohje pos letrave të radhës së dorëshkrimit? Ngase, as ai i pari, as i dyti, as i treti nuk ia kishin ngrohur zemrën Hirësisë. Druante se dhe ky i teti nuk është ai i vërteti, ai i formulës tashmë të përcaktuar nga Hirësia. Gjetja e asaj formule është gjetje e fatit të dorëshkrimit. Dorëshkrimet të shumtën nuk kanë fat. Ato e humbin ose i humb fati si Serembes, duke mos e gjetur formulën magjike për mijëra identifikime e pëlqime. Asaj formule vërdalle sapo i afrohen disa shqiptime, pa masën e rrobaqepësit, nuk  bien për shtati: ose janë tejet të ngushta, jo melodike, të bezdisshme, të mërzitshme, të hirta, trup e turp zbuluara, nuk drithërojnë shpirtin në indiferencën e tyre dhe, ikin. Ku ikin? Mbyll vrimat ndërgjegjes, sepse ikin tek plotësia tjetër...



(Vota: 4 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora