E marte, 23.04.2024, 11:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Daut Arifi: Valentini dhe Shipkovica e rezistencës

E diele, 15.06.2014, 06:35 PM


VALENTINI DHE SHIPKOVICA E REZISTENCËS SHQIPTARE

Nga Daut Arifi

E kërrusur thellë në zemrën e Sharrit plak, 10 kilometra në veriperëndim të Tetovës, ndodhet Shipkovica. Katundi i rezistencës shqiptare. Banorët e Shipkovicës janë shqiptarë etnik që i përkasin fiseve të ndryshme. Ndër fiset kryesore të Shipkovicës veçohen Gjurajt, Mjakët, Lekët, Vokët, Krasniqët (Çadelët) dhe Fandët. Fandët janë fisi më i madh i këtij fshati me origjinë nga krahina e Mirditës, nga bajraku i Fandit, të cilët në Shipkovicë duhet të jenë vendosur diku nga fundi i shekullit të 17. dhe fillimi i shekullit të 18. Kur u vendosën në Shipkovicë ishin të besimit katolik, por duke u përzjerë me banorët vendës të fshatit, ata dalngadalë kaluan në islamizëm.

Fandët e Shipkovicës janë të ndarë në disa vëllezëri, prej të cilave shquhen Seferët, ose pasardhësit e Sefë (Sefer) Fandës, të cilët i hasim kryesisht me mbiemrin Seferi por edhe me mbiemrat Arifi, Demiri, Sejdia dhe Bajrami. Sef Fanda pati gjashtë djem: Arifin, Bexhetin, Bajramin, Kasamin, Rexhepin dhe Sejdiun. Të gjithë të bijtë e Sefë Fandës patën shumë fëmijë, por më së shumti u shtua familja e Arif Sefë Fandës, të cilit Zoti i fali tetë djem dhe tri vajza. E këta pastaj të gjithë paten nga disa fëmijë dhe shumë nipër e mbesa që jetojnë, si shumica e shqiptarëve të degdisur, në vende të ndryshme të botës.

Arif Sefa së bashku me vëllezërit e tij kishtë ndjekur rrugën e babait të vet dhe që në moshë të re qe vendosur në Videle të Rumanisë, ku i ati kishte ngritur biznesin e tij familjar, që diku nga viti 1850. Të bijtë e Sef Fandës e zgjeruan biznesin e tyre edhe në qytetet tjera të Rumanisë, si në Bukuresht, Sibiu, etj., por pjesa më e madhe e familjes ngeli të punojë e jetojë në Videle, ku edhe sot vazhdojnë të jetojnë disa prej pasardhësve të kësaj familjeje. Te bijtë e Arif Sef Fandës dhe pasardhësit e tyre, kryesisht jetuan dhe jetojnë në Shipkovicë, por edhe në Turqi (në Edirne dhe Stamboll), në Rumani, në Itali, Zvicër, Austri, Gjermani,etj. Në Rumani vazhdojnë të jetojnë, kryesisht në qytetin Videle, pasardhësit e djalit të shtatë te Arif Sef Fandës, Nexhmedinit.

Nexhmedin Seferi u lind në vitin 1912, në Shipkovicë. Që në moshë të re emigroi në Rumani ku punonte dhe jetonte i ati dhe disa prej vëllezërve të tij. Atje u dashurua dhe u martua me një rumune, me të cilën pati dy vajza, Doinën dhe Georgetën, dhe pasardhësit e të cilit vazhdojnë të jetojnë në Videle. Por fat i keq e ndoqi edhe familjen Seferi. Në vitin 1940 si pasojë e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mbretërisë së athershme Jugosllave dhe asaj Rumune, qeveria rumune kërkoi që të gjithë shtetasit jugosllavë ta lëshojnë Rumaninë, me çka edhe filloi ndarja e gjatë mes vëllezërve Seferi, pasi të gjithë vëllezërit, përvec Nexhmedinit që kishte shtetësi të Mbretërisë Shqiptare, e braktisën Rumaninë dhe u kthyen në vendlindje.

Lufta e Dytë Botërore dhe pastaj diktaturat komuniste të të dy vendeve, pamundësuan ribashkimin e familjes. Ne vazhduam të jetojmë të ndarë dhe me një komunikim shumë të paktë e me ndërprerje deri në vitin 1986, pasi Nexhmedini mbet në Rumani, ku edhe vdiq i përmalluar, në vitin 1986, në qytetin Videle, sepse asnjëherë nuk pati mundësi ta vizitojë Shipkovicën dhe familjen pas viti 1940. Nga kjo kohë lidhjet u ndërprenë tërësisht dhe ne nuk ditëm asgjë për njeri-tjetrin. Para dy vitesh, në një mbrëmje dhjetori të 2012, lexoj në postën time elektronike një mesazh të dërguar nga miku im, veprimtari i devotshëm i shqiptarizmës në Rumani, zoti Baki Ymeri, i cili më jepte lajmin e shumë pritur (shpesh i kisha porositur Bakiut që të interesohet për të vënë kontakt me këte pjesë të familjes që për ne llogaritej e humbur), se më në fund ai kishte gjetur kushëririn tim, tashmë të ndjerë, Valentinin, dhe se njëlloj sikur unë, edhe ai po kërkonte familjen e mbetur në vendlindjen e gjyshit të tij.

Kontaktet u vunë dhe ne rigjetëm njëri–tjetrin. Njeriu nuk mund ta marrë me mend se sa jam gëzuar atëherë, por siç duket, gëzimet nuk zgjakan shumë. Me Valentinin komunikonim shpesh, planifikonim të këmbenim vizita, të çmallemi, jo vetëm për vete por edhe për ata që vdiqën me mallë për ta parë e përqafuar njëri–tjetrin. Planifikuam që Valentini të vinte këtë verë për vizitë, por fati s’e deshi. Përsëri ishte një mesazh i Bakiut, por tash i kobshëm. Një mesazh që s’doja ta pranoja kurrë. Bakiu më njoftonte se kushëriri im, Valentini, kishte ikur nga kjo botë si pasojë e një aksidenti tragjik. Sa shumë dëshiroja të isha pranë kësaj pjese të familjes në këto ditë të dhimbjes së madhe, por nuk pata mundësi.

Dhimbja është e madhe por ne do gjejmë forcë dhe do vazhdojmë përpara. Jemi familje e madhe që kemi ditur të përballojmë sa e sa tragjedi, e dhashtë Zoti kjo të jetë e fundit, sepse ne jemi rigjetur për të mos u rindarë më kurë, dhe çdo herë do të ndodhemi pranë njeri-tjertit, nëse jo fizikisht, me mendje, zemër e shpirtë, si pasardhës të denjë të një familjeje të madhe, të arsimuar, të pasur e krenare që vazhdon dhe do vazhdojë të rritet më e forte e më e bashkuar se kurrë në të katër anët e Europës. Unë që po i shkruaj këta reshta, jam vetëm njëri nga pinjollët e shumtë të kësaj familjeje, që eshtë rritur me mallin për t’i njohur dhe bërë një ditë bashkë të gjithë pjestarët e familjes, kudo që ndodhen ata, dhe besoj se do t’ia arrij me ndihmën e Zotit.

(Tetovë, qershor, 2014,  d.arifi@hotmail.com)



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora