E marte, 23.04.2024, 06:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Berisha: Pëllumb Gorica - ''Dallëndyshet e erës''

E diele, 15.06.2014, 07:04 PM


PËRFILLJE LIBRI

PËLLUMB GORICA DHE POEZITË “DALLËNDYSHET E ERËS”

NGA ALI R. BERISHA

Kohëve të fundit kemi patur rastin të lexojmë një vepër të re të poetit tiranas Pëllumb Gorica, me një titull domethënës e mjaft metaforik - “Dallëndyshet e erës”. Që të gjitha janë poezi lirike. Motivet, të cilat i trajton poeti në këtë vëllim, si nxitje për të shprehur ndjenjat me të thella për fenomene, shpirtësi, imagjinatën e tij të bujshme, dhe për të sheshuar forma të vargzimit, janë disa nga vlerat përcjellëse të këtyre poezive si art poetik. Duke u përpjekur që krahas motiveve, mënyrës së të shprehurit, përdorimit të figurave stilistike dhe të një gjuhe adapte për poezinë, poeti Pellumb Gorica ia del t’i sjell lexuesit një vepër, e cila është një prurje si frut i ecjes me ngulm për ta gjetur të bukurën. E poeti Gorica, tanimë ka krijuar një përvoje, e cila në saje të një shkathtësie që zotëron, të prirjes dhe ngulmimit krijues ka arritur të shënojë edhe një ngritje në krijimtarinë letrave në lëmin e poezisë.

Për poetin Pëllumb Gorica kemi patur rastin të lexojmë edhe më parë dhe pothuajse në të gjitha shkrimet e tij poetike ka dhënë shumë nga shpirti artistik, ashtu siç bën edhe me këto poezi, të cilat shpërndajnë grishje me plot aromë poetike, pamje dhe frymëzim me plotësi, që nga Tomorri me Devollin e deri te Gryka e Rugovës. Koha, natyra, prindi, miku, mikesha, poetët, janë frymëzimet lëvizëse e begatore që stolisin brendas e jashtas arealin poetik të vargjeve të këtij poeti. Edhe dashuria, ndërkaq, shikimi drejt në sy i jetës së atdheut dhe i bashkëkombasve të vet, qortimi me vend i hijezimeve në formimin njerëzor të atyre, me të cilët jetojmë dhe larg të cilëve s’kemi ku të shkojmë, janë pikëvrojtime të autorit. Vepra, të cilës ia kemi kushtuar vëmendjen nga aspekti vleror i brendisë dhe formës lënë përshtypje të forta leximore si diçka në ecje. Një ecje që kërkon edhe më tutje hapësira për të kënduar përmes vargut, sepse shprehjesia në art nuk ka fund. Duket sikur poeti këtu shenjon më shumë tema e nëntema individuale dhe të arealit ku jeton, mirëpo do të gjejmë aty edhe asosh të shtrirjeve më të gjëra. Me moton “frymëzimi sjell lirinë”, (f.47) poeti nuk i mbledh poezitë si lule të këputura, por i hedh ato në kapje të lexuesit për ta ngashnjye atë “si fjalëza ylberesh”, (f.12) Hetohen aty ca udhë, apo një hapësirë udhësh:

“Si në labirinte gërmova,

pyes gurët e udhët mes lëndinave,

ku vallë fëmijërinë e harrova?!”

(Sirtari  i  kujtimeve fq.27)

Poeti nuk është mbyllur “si dikush dikush” në ndonjë lokal për të shkruar, por ndodhet në lëvizje e në gjezdisje nëpër vendet piktoreske e tubime letrare. E udhët pra, ‘udhët janë trokitje zemre” (fq.12) E po ç’është më mirë për poetin: shëtitjet udhëpërshkruese, dashuria, miqësia, kujtimet, njerëzorja me historiken, malli, apo intimitet? Janë të gjitha… Tërësisht krijojnë simfoninë të quajtur “si lodh aspak furi e erës” (fq. 19) që përbëjnë zërat e brendshëm të poetit, gjithëtingullor të natyrës dhe rropatjesor të njeriut “fshehur ditëve që kanë ikur” (f. 64). Vargjet, të cilat Gorica i përdor me shume shkathtësi e përgjegjësi, ftojnë në sofrën poetike edhe njerëz të tjerë të dashur siç janë miqtë dhe mikeshat e shumta të poetit e që flatrojnë si krah dallëndyshesh – me sukses e rrumbullakojnë vlerën letraroartistike të këtij libri. Poeti Gorica nuk ka marrë përsipërsipër të ngul këmbë për të ndryshuar gjëra, por për të shtruar sa më shumë asosh, qofshin njerëz, fenomene, dashuri, pamje, paisazhe, vrojtime filozofike e psikologjike dhe kështu krah më krah të kundrojë ndërrime e tabllo nga bota e madhe kur është mirë e kur është keq, por edhe ato botëzat e vogla të intimës që e ilustrojnë me mjaft sukses tërësinë e veprës.

“Përmes furtunës thur tinguj kënge,

ku fjala derdh veç dashuri,

drejt teje marrkam krahë ëndërre

dhe ty të ftoj në kaltërsi.”

(Udhëtar pa kthim, fq. 45)

Një pjesë tjetër e poezive të këtij vëllimi i kushtohet natyrës, bukurive të saj, fenomeneve e pamjeve ku ka plot “botëza të vogla në dukje, por shumë të thella në mendime”. (Agim Bajrami, fq 8.) Grupit tjetër të poezive u përkasin ato që janë komunikuese të dashurisë, plot vargje “frymëvalë”, siç do të shprehej Kasoruho. Dëshmia më e mirë për këtë është jo vetëm miku, mikesha, njeriu i artit, por edhe prindi, fëmija – përgjithësisht njeriu, madje edhe kur ai ballafaqohet me vuajtjen. Edhe Gjirokastra, Prizreni, Peja, si simbole emblemash të veçanta rrezatojnë shenjtëri e dashuri, duke mos i lënë pa kundrim sidomos poezitë për Jusuf Gërvallën, piktorin Vangjush Mio, poetëve: Milianov Kallupi, Iliriana Sulkuqi, për t’ua lënë radhën poezive të tjera, akoma më të thukta e më të lartësuara në çdo aspekt. E mbi të gjitha një përshtypje flakëruse në këtë vëllim poezish, padyshim se na krijon poezia “Psherëtima miqësie”, fq 28, dallueshëm me strofën e katërt:

“ Përbrenda meje keni mbetur,

si gjethet nëpër pemë,

ndaj një ditë kur të jem tretur,

mes jush prapë do jem!

Shpirti i trazuar nga ndonjë problem i jetës dhe ai gurgullues nga ndjenjat lirike së brendshmi e së jashtmi na ofrojne shembuj konkretë për të besuar se Pëllumb Gorica është i denjë jo vetëm për udhëpërshkrime, me të cilat merret me një pasion të veçantë që sa e sa vjet, por edhe për poezinë melodike më mirë se gjithandej ku ai ka marrë pjesë dhe ka fituar çmime të rëndësishme letrare. Kështu me këtë libër Gorica edhe kësaj radhe e dëshmon se poezia lirike ka një shpirtndryshim të fortë në objekt dhe në subjekt. Ndonëse ky poet në jetën e përditshme duket nevrik, në poezinë “Joshje u dhëntë buza e humnerë”, e tillë që janë të e rralla në poezinë tonë, bombardon sarkazma dhe kritika, kundër atyre “që fshehin ligësi”, mirëpo në poezitë tjera është tejet i matur, i vëmendshëm dhe mjaft i ngulmët për t’ia nxjerrur asaj mushtin qetësues, për ta bërë sa më të adhurueshme e të dashur për lexuesin.

“E pabesë është miqësia me ju,

siç është çdo çast buza e humnerës!

U tretshi si reja në qiellin blu

në ditën e fundit të verës!”

(“Joshje u dhëntë buza e humnerë”, fq 60.)

Përveç gjatë leximit, edhe gjatë kundrimit me vëmendje të këtyre vargjeve nga ana teoriko-letrare dhe estetike, lexuesi domosdo se ka për t’u ndarë i kënaqur. Mirëpo sa i përket përdorimit të rimës dhe të strofës si elemente të formës së vjershërimit në disa prej këtyre poezive, mund të vërehen alternacione, kurse sa i përket radhitjes së poezive sipas temave, ka patur mundësi t’i kihet një kujdes më i madh. Duke mbështetur vlerësimet e Agim Bajramit (redaktorit të përmbledhjes, të shfaqura për këtë libër në parathënie dhe duke shfaqur besimin se libri, për të cilin shfaqa këto mendime, shënon ngritje të dukshme të poetit, na mbetet t’i urojme atij suksese dhe frutni të reja në fushat e tij elaboruese dhe përshkruese.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora