E enjte, 22.04.2021, 04:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Modernia dhe klasikja

E enjte, 12.06.2014, 07:58 PM


Modernia dhe klasikja

Ekspozitë  personale e artistit Eroll Murati

Nga Dr. Ilir Muharremi

Nga brendia njeriu nuk mund të hiqet nga fantazma e sakrificës për të mbajtur në vazhdimësi një jetë të re. Kjo e re është si shkak i asaj që ishte, por ajo që ishte prapë kërkon rrënjën e pafundësisë dhe arsyes, por në vetvete nuk është e arsyeshme , sëpaku kështu mund të thuhet. Ballafaqimi i irracionales me dëshirën e paepur për qartësi dhe dritëdhënie, thirrja e së cilës tingëllon në thellësinë e artistit përgjigjet me bukurinë e dritës e cila shpërndahet në formë nostalgjike mbi forma të copëtuara, të thyera në dysh, dhe pas thyerjes rikonstruktohet një formë e re nga ajo që ishte më parë. Asgjë nuk mund të kthehet, mund të ndërtohet duke u mbështetur në atë dukje apo pamje, por jo në dukje të njësuar, forma e re lind nga momenti i ri. Artisti Eroll Murati përdorë poçet elektrike në forma të vogla, të mëdha, të përthyera, të varura brenda kornizave, të shtrira në dysheme, të kthyera mbrapshtë, të copëtuara në grimca me forma cilindrike, gjeometrike, edhe të pa planifikuara, të arritura nga natyraliteti, spontaniteti nga i cili krijohet lëvizja, ritmi, harmonia , por edhe e kundërta e harmonisë, në fakt loja për të ngacmuar shpirtin. Në dukje të parë, poçet janë çuduake dhe shprehin revoltën prodhuese të universit. Kur them revoltën këtu përshkruaj vetëmohimin e vetes , heqjen dorë nga dëshirat momentale për një ndriçim më të mirë. Këtu sakrifica nuk shkon pa ndjenjën edhe pse shndërrohet në trup. Në këtë pikë artisti i robëruar në një farë mënyrë thotë “po” dhe “jo”. Këtu kemi të bëjmë me konfirmimin e kufirit duke afirmuar krejt atë në të cilën dyshon dhe dëshiron ta ruaj brenda kornizës. Fjala është për dritën dhe kornizën, të dyja tok puqen, vërtiten brenda kufizimit i cili lartësohet me sakrificën për të vazhduar dhe treguar çdo detaj të asaj që ishte. Artisti flijohet, pastaj rrjedhimisht ngre kokën  sakrifikohet për idealet ndriçuese.

Kërkesa ngulmuese dhe prodhuese e këtij lloj arti që ndodhet në mes klasikes dhe modernes, klasikes për shkak kufizimit dhe dekorit, modernes për arsyet e sakrificës, zgjon ribërje për llogari të vetes dhe simfonive natyrale. Telat ilustrohen me retorikë në një univers të mbyllur, të mbyllur për shkak kufizimit të qelqit dhe dritës, por prapë estetika ngul rrënjë nën dritën, e cila jep forma të ndryshme. Punimet janë tredimensionale dhe qëllimi i tyre nuk është të imitoj, por të stilizoj dhe të mbaj ngushtë shprehjen domethënëse dhe vërtitjen e pafund të qëndrimeve. Modelet janë zhurmuese me perfeksionin e lëvizshëm, kjo arrihet me ndriçimin, hijen, formën dhe secili kupton subjektin në mënyrë unike.

Modernia prapë ngritët në piedestal krahas klasikes, klasikja mbetet e heshtur nën shërbim të modernes, figura zgjon këndelljen, lumturinë, ngjizjen, ribënë protagonistë dhe vazhdon mbi lojën e klasikes. Por, po të mos ishte klasikja nuk do veçohej modernia, futuristët vrasin të kaluarën për ta krijuar të ardhmen, Murati bashkon të dyja për të zgjedhur lojën. Në një mënyrë ai përdorë edhe gjendjen, gjendja arsyetohet nga fuqia e punës, konkretisht copëzat të pa radhitura, ose siç thotë Nietzsche se arti na kujton gjendje të fuqisë kafshore. Liria është mbretëreshë e artit, kjo liri shndërrohet në gjendje, dhe artisti liron veten. Është një rritje e ndjenjës vitale apo stimulues i kësaj ndjenje. Po të mos ishte gjendja, nuk do ta kishim imazhin, por fuqia gjendet përbrenda para se të bëhet formë. Këtu nuk arrihet përsosmëria e jashtme sepse është nga gjendja e tij e pafajshme. Çdo copëz mbetet ashtu siç ishte gjatë punës, madje as një konturë nuk është përmirësuar me qëllim të shpërfaqet procedura fillestare deri tek ajo përfundimtare. Nuk duhet shijuar vetëm veprën, por edhe lodhjen, çlodhjen, mundimin, refleksin, pavetëdijen, vetëdijen të gjitha ato që shoqërojnë punën. Përsosmëria është tek drita e cila valëvitet mbi format, është si pasuri e pushtetit, vërshim i nevojshëm përtej  kufijve. Dëshira është për të bërë gjëra të përsosura, për t’i parë të përsosura, kjo e dyta shkëputet vetvetiu nga shpirti, atëherë ngritët mbi arsyen e sakrificës së jashtme, kjo ja vlen të studiohet, ngaqë ndërron nga ajo që ishte. Artisti Murati e di këtë lojë dhe e liron të gjej vetë shtratin gjithnjë nën përpjekjen kompozicionale. Pastaj, kemi gjykimin e bukurisë që gjen vetëm rrjedhojat e afërta. Mbushet objekti me hijeshi- të dritës artificiale të përcaktuar nga shoqërizimi i gjykimeve të ndryshme të bukurisë, po kjo nuk është e njëjtë për thelbin e këtij objekti. Ta ndjesh të bukur dritën patjetër është artificiale, sepse korrigjohet nga dora e njeriut, por këtu drita është natyrale, ngaqë arritja deri tek drita ka vazhduar në formë natyrale. Çdo objekt renditet sikur të kishte lindur mu ashtu. Këtu qe qëllimi.

Nëse analizojmë dritën në këtë art, kemi dendësinë apo gjerësinë e saj, pastaj gjatësinë e valës që shpërndahet me ngjyrën e dritës. Por, nuk mungon edhe polarizimi apo thënë këndi i dridhjes, në shumë rrethana është i pakapshëm nga njerëzit. Ai bënë krijon lojën me fizikën moderne me një çështje përcjellëse gjatë tërë jetës. Duhet respektuar dritën. Dikur njerëzit mendonin se drita arrihej nga jashtëqitja e trupave. Drita e artistit ndriçon mbi trupat duke krijuar estetikë, shpejtësi dhe lojë. Forma rifiton kuptimin me dritën, bëhet imazh, shton forcën, ndez kënaqësi (ose ndjenjën e forcës), është një kujtesë e veçantë që zbret nga brendësia shpirtërore aspo siç thotë Nietzsche kthehet të ty një botë e largët dhe ikanake ndijimesh.

Nga punimet e prezantuara vërejmë se e bukura jetohet nuk imagjinohet. Ky art e konteston realen, kontestimi ndodh mbi oazën e fantazisë, por prapë ikja nuk mund të ndodh dhe refuzimi shndërrohet në kthim. Fantazia vërshohet mbi formën, forma ka kuptimin, por vëzhguesi identifikon sipas imazhit dhe shijes. Artisti emërton dukje të ndryshme të cilat nuk ngjajnë me atë se çfarë percepton shikuesi, por këtu është qëllimi, të arrihet perceptimi dhe kuptimi individual mbi formën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora