E premte, 29.03.2024, 01:23 PM (GMT)

Kulturë

Namik Selmani: Përtej dritave...

E merkure, 11.06.2014, 05:33 PM


PËRTEJ DRITAVE QË NUK E ERRËSOJNË RRUGËN E KTHIMIT NË ATDHE

(Sami Sherifi, Si të kthem në atdhe, Amanda Edit, Bukuresht 2014)

Poeti është një tribun kombëtar i kohëve moderne. Me mjeshtëri të madhe ai krijon paraleliznma mes Bllacës dhe Mathauzenit. Një nga palët e mëdha të shpirtit poetik sherifian, padyshim është mërgimi, një mërgim tipik shqiptar. Sami Sherifi ka shqisa të sakta poetësh. Të kësaj sëre të çuditshme njerëzore që, për ne shqiptarët, sikur është shumë më ndryshe. E nuk kam droje ta them se hapat e tij, herë gjallojnë, herë gjakosen në shtigjet e Kosovës martire dhe të Karadakut krenar. Libri i Samiut vjen në gjirin e familjeve tona si një dhuratë letrare që shëmbëllen me një dritë atdhedashurie  që na e dhuron mërgata jonë!

Nga Namik Selmani

Simbolika  e Kthimit në Vendlindje është më e lashta e udhëve që ka bërë njeriu që në të gjallë të tij. Madje në folklorin tonë e në disa vende të tjetra, ky udhëtim është bërë po kaq i pranishën edhe pas vdekjes. Është shenjtëruar edhe në fetë që lindën në tokë. Udhëtimi mitik i Odisesë drejt Itakës ku kishte një Penelopë që e priste, është shoqëruar nga qindra e mijëra të tillë në të gjithë vendet. Si sfida që njeriu ia kishte ngritur vetes. Si duket, edhe  Sami Sherifi me vëllimin poetik “Si të kthehemi në atdhe”, tenton të sfidojë mitet dhe realitetet e prekshme bashkëkohore. Poezia e tij na dërgon te vendlindja jonë, që është Shkupi. Kur shkoja para disa vitesh në Çair të kësaj qendre ballkanike, e shihja atë shqiptarizëm të dikurshëm të Shkupit. Krenaria dhe dhimbja më goditën fort mua dhe miqve të mi. U futa në Muzeun e Nënë Terezës ku nuk figuronte asnjë shkronjë shqip. Edhe poezia e tij e ka këtë hapësirë shenjtërie në vargjet: Dhe urata/ Nga vetë Nënë Tereza/ Dhuruar falas njerëzinë/ Jetën dhe poezinë.

Poezia e tij ka lindur prej shumë  kohësh, bash si ëndrra që nuk ka moshë, mu si urimi që ka lindur për martesën e  fëmijës që kur ai hedh hapat e parë.  Në të njëjtën kohë, ai është flutur, diell, ëndërr, rrugë majë botës, magmë vullkani, shqiponjë. Poeti është meteor, informacioni të pasur dhe gjeografia që na jep një vepër briliante, të cilës i jep shumë kulturë lexuesit dhe vargut të tij.  Poezia e tij lexohet me një frymë. Dhe më kujton në çdo qelizë vargërore Gurin biblik çajupian. Sami Sherifi bën një Gur tjetër në poezinë e tij, tashmë gati një shekull pas tij, pikërisht në Paris apo Zvicër. Është një poezi kryesisht si dialog me Europën për të thënë mjeshtërisht në çdo varg se në atë “parajsë” qetësie, lumturie, shlodhjeje, ligjore, se atij ia trazojnë gjumin vargjet, orët e shëtitjeve, hapi që hedh duke i menduar gurët e Trebeshinës, të Sharrit, të Luginës së Pollogut, gurët e Sulit të Çamërisë që ende kanë gjak dhe janë thinjur nga pritja.

Janë këta Gurë që preken nga bashkëgjuhësit dhe bashkëkombasit që qënkan shumë më të butë se jastëkët puplorë të Europës me ngjyra, me reklama, mes dritave franceze, gjermane, angleze. Jo! Gurët e atdheut çajupian dhe tash sherifian, nuk ndërrohen me asgjë. Në poezinë “Ëndërr e madhe mërgimtare“ , ai  merr pamjen më të veçantë të një njeriu që ka marrë në supe një trastë me halle e kujtime nga vendi i tij i lindjes, dhe shkon në udhë të largëta: Më thoni ju lutem, në cilin stacion të zbresim?/ Në cilin metropol ta varim trastën tonë/ Ku të kërkojmë një punë të përkohshme/ Në cilin prej tyre ta mbajmë dhimbjen tonë ballkanike?

Poeti është një tribun kombëtar i kohëve moderne

Me mjeshtëri të madhe ai krijon paraleliznma mes Bllacës dhe Mathauzenit: Bllaca të mbeti Mathauzen Atdhe!/ Një vragë që të vret ndërgjegjen, Kosovë/ Andaj të ngrihemi e akuzojmë krimin fashist sllav/ Mos të kemi frikë, vëllezër! Do të veçoja një poezi emblematike që ai e ngre në formën e një kontrasti. Ndërtuar me një fabul (edhe në poezi të tjera ai e përdor bukur fabulën), autori bën portretin e  një lypsi që zgjat dorën për ndihmë. Përballë lypsave të Europës, ai kujton fshatin e tij në rrethinat e Shkupit kur bujaria kalonte kufinjtë njerëzorë sa dhe Europa nuk e kuptonte dot. Edhe pse një javë në magje nuk kishte grurë e miell, asnjëherë lypësi që trokiste, nuk largohej pa marrë diçka, nuk largohej duarthatë. Ose diku më tej, në një ballafaqim vlerash morale, ai shkruan te poezia “Përshëndetje nga mërgimi”: Atje dikur më lënduan dritën/ E këtu syrin ma verbëruan.

Sami Sherifi ka shqisa të sakta poetësh. Të kësaj sëre të çuditshme njerëzore që, për ne shqiptarët, sikur është shumë më ndryshe. E nuk kam droje ta them se hapat e tij, herë gjallojnë, herë gjakosen në shtigjet e Kosovës martire dhe të Karadakut krenar, herë parajsohen mes blerimit të tokës së tij. O zot, vetëm hapa të tillë poetësh mund të ndjejnë këtë gjuhë sa njerëzore aq dhe profetike të kombit tim! Ai hedh hapa në Europë, shumë i menduar. Në këtë rrugëtim ai flet si i barabartë me Pablo Nerudën, me Nazim Hikmetin dhe qoftë nga vargu, qoftë nga tharmi poetik që na përcjell në këtë libër poetik, ai nuk është kokëulur para tyre. Samiu duket se ecën jo si udhëtar që vrapon pas plazheve befasuese. Ai do drejtësi dhe nuk është rastësi kjo. Është njëlloj sikur të jetë Migjen e klith, piskon dhe bulurin se Mjerimi (çështja shqiptare) nuk do mëshirë, po do vetëm drejtësi.

Dhe nuk është vetëm çështja shqiptare, por edhe imagjinata, metafora dhe figura tjera stilistike, sidomos vargu astrologjik, ngjitja e poetit në qiell: Dhe do ta zberthejë ëndrrën e abandonuar/ Diku lartë në sistemin qiellor/ Do të ndalem/ Hapsirën e pafund do ta ndajë më dysh/ Diku mes Diellit dhe frymëmarrjes. Shih poezinë ”Në kërkim të vargut pellzg”, dhe jo vetëm atë! Sami Sherifi është poet i dritës, poet i paqes dhe dashurisë: Urat kudo në botë lidhin dy botëra/ Ndajnë e ruajnë edhe ndonjë fshehtësi/ Shpesh historitë i kthejnë në legjendë. (Ponts des arts). Dhe ja më tej edhe një vlerë tjetër briliante e kësaj vepre: Më ngeli vetëm një përshëndetje të jua nis juve/ Kadarenë do ta kërkoj/ Diku mes emrave e mbiemrave të shenjtë të gjithësisë/ Do ta gjej/ E do të flasim për bashkimin e Shqipërisë.

Një nga palët e mëdha të shpirtit poetik sherifian, padyshim është emigrimi të cilin herë pas here quan ekzil. Është një mërgim tipik shqiptar. Nuk jemi vetëm ne në këtë botë qe e kemi këtë plagë që e humb krenarinë shqiptare. Te poezia “Rejani i vogël më përshëndet italisht”, del simbolika e traditës. Aq sa dua ta uroj për librin. Aq dua të them se, përtej urimit është dhimbja që e kam njohur vonë këtë poezi. Po dua t’u them të gjithëve poetikisht, dëshpërimisht, bukurisht, etnografikisht, kulturalisht, se jemi e do të jemi bashkë. Të them se më përloti gëzimi i fjalës, më trishtoi, ma trazoi shpirtin e më bëri që të mbledh grushtet  e  të qaj dhe unë para nipit. Pse jo edhe ta pastrojmë pushkën e vjetër të gjyshit!

Do falënderoj edhe mikun tim (B. Y.), që u bë kumbar i këtij bashkimi, për ta lexuar dhe deshifruar shpirtin poetik të Sami Sherifit. Po ta shohësh me kujdes, në këtë vëllim poetik është përmendur me shumë kujdes  Simbolika e dy Drinave. Nuk është vetëm nostalgjia në këtë përmendje, po edhe ajo simbolikë bashkimi që ai e rrezaton në vargje. Poeti e njeh fort mirë folklorin e kombit të tij. Njeh bajlozët, madje edhe xixëllonjat që duken shqiptare në poezitë e tij. Samiu është moshatar me mua. I përkasim trojeve  të ndryshme amtare. Ai vjen nga Shkupi shqiptar, dhe unë nga Çamëria. Vështirë që të gjesh poetë si Sami Sherifi që nuk i përkasin trojeve çame pas Ali Podrimjes, poetë që të kenë kaq shumë vargje për Çamërinë.

Jemi ngjizur në hapat që hedhim, në fjalët që e gdhendim për fjalën “Bashkim”. E kur flasin vargjet e Sami Sherifit, edhe bashkimi do të vijë patjetër më shpejt. Nuk është vetëm shpirti dhe fryma, por duket se ai ka marrë në poezinë e tij edhe atë jehonë të bukur të shqiptarizmit tonë. Jashtë kornizës së një gjykimi letrar, më duhet të shpreh sot një keqardhje të madhe. Pa qënë fajtor, më duhet që të ul dhe unë kokën, dhe të skuqem. Si do ta lexojë një lexues në Lushnjë, Berat, Tropojë, në Vlorë e në Fier, veprën e Sami Sherifit? Ne ende nuk kemi mekanizma europiane që të shpërndajmë gjithandej në botë këto vlera kulturore, që fryma e lirikës dhe e epikës të mos mbeten vetëm në kuadrin e disa promovime, sado të mrekullueshme që bëhen. Fjala e bukur poetike e poetëve të mos jetë “dallandyshe“ që stinojnë, por një Gur Oxhaku, Gur Vatre, Gur Qosheje për secilin prej nesh. Aq sa mund të formoj betimin më të ri “Pasha poezinë e Sami Sherifit!” Një betim që më kujton edhe Biblën e Shenjtë, si dhe ajetin e Kuranit që thotë: “Pasha penën dhe atë që shkruan pena!”

Përtej gurit çajupian është një shqiptar me imagjinatë të bujshme që ecën në metrotë e zhurmshme europiane. Samiu ka një pasaportë poetike pa hile. Ka një botë të tij, ka sinqeritet dhe origjinalitet. Me plot ngjyra mallëngjimi t’i flasim/ Atdheut tonë të përbashkët/ Shqipërisë t’i themi “Shqipëri“,  nipi im/ E mos të harrojmë/ Se kemi vetëm një Shqipëri! Si të kthehemi në atdhe, lum miku? Hë, si të kthehemi? Libri i Samiut vjen në gjirin e familjeve tona si një dhuratë letrare që shëmbëllen me një busullë. Mos mbetshim pa këtë busullë apo dritë atdhedashurie  që na e dhuron Sami Sherifi!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora