E premte, 29.03.2024, 03:59 PM (GMT)

Kulturë

Kujtim Mateli: Një libër për Dëshnicën

E marte, 10.06.2014, 07:02 PM


Një libër për Dëshnicën ku bilbili Fratarit ligjëron.

Nga Kujtim Mateli

“ Jo vetëm mirënjohje” është libri i fundit i shkrimtarit dëshnicar, Tomorr Caushi. Doli muajt e fundit të vitit që shkoi (2013), por lexuesi ende ruan të frekëta në kujtesën e tij ndodhi e ngjarje që kapin jo vetëm hapësirën e vendit tonë, por edhe më tej, deri atje ku kanë shkuar në emigrim bijtë e Dëshnicës e të gjithë Shqipërisë, deri në Kretën e largët që shënon dhe skajin më jugor të hapësirës ballkanike. Personazhet e Tomorr Caushit janë marrë nga jeta reale. Hapësira kohore e personazheve të tij shtrihet në segmentin e dy shekujve të fundit. Janë njerëz të tij të njohur, të cilët i ka portretizuar me dashuri. Pena e tij u ka dhënë tiparet më të mira që mbart një qënie njerëzore. Është dashuria e shkrimtarit për njerëzit që ka njohur dhe që i do deri në kufijtë që një qënie njerëzore  dashuron njerëzit me të cilët është rritur dhe ka ndarë me ta gëzimet dhe hidhërimet e jetës. Pjesë të jetës së tij, shkrimtari ka bërë dhe figura madhore të kombit tonë, siç është ajo e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit.
Përvoja jetësore e shkrimtarit ka bërë që ai të kap thelbin e misionit historik të Plakut të Vlorës. Atë e sjell në skenë të historisë nevoja e ngutshme e shqiptarëve për të formuar shtetin e tyre të lirë e të pavaruar prej asnjë fuqie të huaj. Ismail Qemali, në penën e Tomor Caushit, është figura e një burri shteti që diti të përballet me ligësitë e fqinjëve që kërkonin të ndanin midis tyre shtetin e ri, të sapo formuar. Në këtë përballje mes fqinjëve, fati i keq e desh që këta lakmitarë e shovinistë të pashembullt të ndihmoheshin edhe nga disa fuqi europiane që në politikën dhe filozofinë e tyre kishin parimin që të voglin dhe të sapolindurin ta bënin ushqim për për më të mëdhenjtë. Megjithatë, kjo Krijesë e re, këta popuj (midis tyre dhe grekët e sërbët që zunë vend në Ballkan në kohë të ndryshme njëri pas tjetrit), i kishte pritur me bukë e u kishte dhënë dhe strehë.
Po kishte ardhur koha që këta fqinj, atë mirësinë dhe shpirtmadhësinë e shqiptarit, t`ia kthenin me urrejtje e cinizëm, deri në asgjësimin e plotë të tij. Kur një popull është i vetëm, sigurisht që nuk do të arrijë ta përmbush misionin, aq më tepër që  shteti shqiptar ishte në ditët e para të lindjes së tij. Përballë kësaj lukunie të huaj u radhitën edhe vendas që kërkonin largimin e tij. Më 22 janar 1914, Ismail Qemali, i dorëzoi pushtetin Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit.
Shkrimtari Tomorr Caushi e pasqyron me realizëm gjendjen e krijuar në Shqipërinë  pas Shpalljes së Pavarësisë, duke krijuar tek lexuesi admirim për këtë figurë madhore të Kombit që diti t`u përshtatej situatave të krijuara, që mbarte në politikën e tij të jashtme filozofinë e Rilindjes Kombëtare, të gërshetuar me përvojën e tij jetësor si diplomat e burrë shteti. 
Një vend të rëndësishëm, zë në këtë libër dhe jeta e emigrantëve në ishullin e Kretës. Aty, Tomorri ka një pjesë të familjes së tij, vajzat e tij të shtrenjta: Olimbinë dhe Valbonën si dhe bashkëshortët e tyre Aliun dhe Avniun, nipërit dhe mbesat. Autori është treguar mjeshtër i përshkrimit të natyrës dhe i  mjedisit shoqëror që emigrantët kishin krijuar në ishullin e Kretës dhe veçanërisht në qytetin e Rrethimnos ku jeton një komunitet, që në shumicë janë nga rrethi i Përmetit dhe sidomos nga komuna e Ballabanit. Një vend të vecantë zë portreti që autori ia ka kushtuar gazetarit Luan Pacani, i pranishëm në gazetat që emigrantët botojnë në Greqi. Autori ka gjetur tek Luani shpirtin e luftëtarit. Ka zbuluar tek ai materialin shpirtëror që e bën atë të pathyeshëm përballë vështirësive. I pranishëm në të gjitha debatet televizive që zhvillohen në Kretë sa herë që tematika e tyre lidhet me emigrantët. Mbrojtësi më i flaktë i të drejtave të tyre, të drejta që sigurohen nga Konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kudo i pranishëm. Autori na zbulon se Luani udhëhiqet nga parimi: “Jeta është një provë për të fortët”. Ndaj ai e jeton jetën si njeri i përballjes dhe sakrificës.  Shqiptarët e Rrethimnos kanë ditur ta përballojnë denjësisht këtë sfidë të jetës së tyre.
Duke lexuar librin e ndien se vetvetiu krijohet një lidhje midis sakrificave të emigrantëve shqiptarë të këtyre 20 viteve të fundit  dhe kapedanëve shqiptarë që vunë themelet e shtetit helen pas revolucionit të vitit 1821. “ më qaseshin pranë vitet e kapedanëve shqiptarë që luftuan për lirinë e popullit grek, Marko Bocari, Kollokotroni, Bubulina, Kapedan Mihali... Ata ashtu do të mbeten në historinë e të dy kombeve, gjithmonë kapedanë e flakadanë e do të zhvlerësojnë cdo Mjegullnajë. Figura të tilla mbeten simbole mirëkuptimi, bashkëpunimi e vëllazërimi për të dy popujt, për sot dhe brezat që vijnë” (Tomorr Caushi, Jovetëm mirënjohje, Tiranë 2013, fq. 147).
Përshtypje të vecantë autorit i ka bërë Qyteti i Vjetër (Palia Poli). Aty janë të gërshetuara të gjitha kulturat. Aty gjen kisha dhe xhami që kanë bashkëjetuar për disa shekuj. Kalaja antike, portat e vjetra të qytetit, gjurmë të Republikës së Venedikut dhe puse të vjetër me moshën e qytetit, ruhen me kujdes, të paprishura që nga koha e themelimit të qytetit Rrethimno.  Autori e ka parë qytetin me syrin e një etnografi. Ka gjetur ngjashmëritë në traditat dhe zakonet midis dy popujve tanë që konsiderohen miq midis tyre, nga historia e gjatë si popuj në kufijtë e njëri-tjetrit.
“ Në kulmin e asaj feste u ngrit Daniela Muka dhe hoqi një valle të preferuar greke. Sa bukur dhe me ritëm. Njëra këmbë qëndronte mbi një gotë dhe tjetra shoqëronte ritmin e orkestrës. Kur hiqte atë valle Daniela e vogël, nëntë vjeçe, nuk mund t`i shkonte mëndja se një valle të ngjashme e kishin hedhur të parët e saj, gjyshi dhe stërgjyshi, kur kërcenin mbi sininë që në gosti dhe dasma, bënte rolin e servisjes”. (Tomorr Caushi, Jovetëm mirënjohje, Tiranë 2013, fq. 165).
Personazh janë bërë emigrantët që autori i kishte njohur më parë apo dhe mosha të reja që nuk kishte mundur t`i njihte. Aty janë midis të tjerëve Ylli dhe Eda Tice nga Topojani, Familja Simoni nga Këlcyra, Demiri nga Frashëri. Aty është miku dhe shoku i tij Ramadan Çapoku me bashkëshorten e tij, Haxhirenë.  Emigrantë pothuaj nga të gjitha fshatrat e Dëshicës. Rrethimnoja është një Dëshnicë e vogël, ndaj dhe emigratët e njohim mirë njeri-tjetrin dhe i gjenden në cdo kohë pranë njëri-tjetrit.
*****
“ Profesori bukurshkrimit” i kushtohet një prej figurave më të përkushtuara të arsimit shqip, Prof. Thoma Papapano. Autori e ka përshkruar këtë figurë me dashuri dhe respekt, për punën e tij të palodhur e ndienjën e përgjegjësisë për ta mësuar shkrimin e shqipes ashtu sic ishte miratur në kongresin e Manastirit, pa i bërë deformime. Autori citon fjalët e Profesorit që ua thoshte vazhdimisht nxënësve të vet të Shkollës Pedagogjike të Gjirokastrës: “...duhet të mbahet e pastër e të shkruhet bukur gjuha shqipe, se ndryshe shëmtojmë këto male, edhe këto fusha, edhe bukurinë e pyjeve, edhe ujërat kristal të burimeve. Cdo gjë kalon në sitën e shkronjave”.
Kështu u thoshte vazhdimisht Profesor Papapano. Nëse në ato vite nxënësit e kanë patur jo  të lehtë të kuptonin fjalët e profesorit, për atë lidhje në dukje misterioze midis shkronjave dhe Atdheut, sot ata nxënësit e dikurshëm që mosha u ka kapërcyer mbi të gjashtëdhjetat, e kuptojnë fare mirë përmbajtjen e tyre, se shumë pjesë të trojeve tona i kemi humbur,  pasi në rrjedhë të historisë sonë mbi tre mijëvjeçare, për shumë kohë na kanë munguar këto shkronja.
Ishte fillimi i viteve `50, kur Tomorr Caushi do të ulej në bangat e shkollës Pedagogjike të Gjirokastrës (1950-1954). Në ato banka do të uleshin dhe Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, dy poetët më në zë të Shqipërisë moderne. Profesor Papapano si dhe shumë të tjerë mund të gjenin Tiranën si vendin ku mund të zhvillonin aftësitë e tyre shkencore.
Po ata zgjodhën Gjirokastrën se aty ishte brezi që do të merrte në dorë fatet e Shqipërisë. Ky veprim të kujton një ngjarje që ka ndodhur 2300 vjet më parë. Aristoteli la Akademinë e Athinës dhe iu drejtua Maqedonisë, se Filipi i Dytë, mbreti maqedonas, e kërkonte në pallatin e vet për ta patur si mësues të djalit të tij, Aleksandrit.  “Vërtet e humba Akademinë,- do të shprehej më vonë Aristoteli,- por fitova Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, fama e të cilit arriti deri atje ku këmba njerëzore mund të shkelte. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe pas 2300 vjetësh. Profesor Papapano dhe të tjerë Profesorë që punuan në Shkollën Pedagogjike të Gjirokastrës, vërtet humbën diçka nga vetja e tyre, por fituan dy gjeni të letrave shqipe: Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Ne dëshnicarëve na dhanë Tomorr Caushin.

****
Bukuria e stilit të autorit është realizuar më së miri në përshkrimet që u ka bërë figurave të njohura dëshnicare. Bënja është një nga fshatrat e Dëshnicës që e ka shkruar historinë e saj me pushkë e me penë. Midis këtyre figurave të shquara, Kamber Bënja ka kapërcyer hapësirën e vendlindjes së tij dhe ka hyrë në historinë e Shqipërisë si dëshmori i parë në mbrojtje të Kulturës shqiptare. Ishin statujat e qytetit antik të Apollonisë që e vunë trimin Kamber Bënja të përballej me pushtuesit austriak që po i grabitnin dhe i çonin muzeumeve të Vjenës.
Autori ka portrezuar me mjeshtëri një tjetër figurë madhore të fshatit Bënjë, atë të Nexhip Bënjës. Janë figura madhore, se jeta e tyre ka qenë e lidhur me fatet e vendit, me rezistencën ndaj pushtuesve të huaj. Vrasja e kollozit turk në Leskovik dhe lidhjet e tij me çetën e Çerciz Topullit, e bënë të njohur në të gjithë Shqipërinë. I kënduan këngë, por e derdhën dhe në bronz si një figurë emblematike e luftëtarit të Lirisë, në monumentin e Luftëtarit Kombëtar që u ngrit në Korcë më 28 nëntor 1932, vepër e skluptorit përmetar Odise Paskali.
Për këto figura kanë shkruar dhe autorë të tjerë, por në penën e Tomorr Caushit kanë fituar përmasa të reja, janë bërë më të dashur e më të afërt, të duket sikur je duke biseduar me ta dhe sikur ngjarja ka ndodhur vetëm pak kohë më parë. Të duket sikur ke jetuar jo vetëm kohën tënde që nga lindja, por edhe atë para teje dhe ndihesh i lidhur pazgjidhmërisht me breza e breza që kanë jetuar më parë. Kjo është fuqia e shkrimtarit, që me fuqinë e veprës së tij të bën të pranishëm në territore që nuk i ke shkelur më parë e breza e njerëz që nuk i ke takuar. Po do të ndalem edhe në një tjetër figurë mbresëlënëse të fshatit Bënjë, atë të Vesel Rustemit dhe, pse të mos i themi dhe atij, Vesel Bënja, luftëtarit  në qeverinë e Vlorës që më 29 Nëntor 1972, pranë zyrtarëve më të lartë të kohës, zbuloi për popullin e pranishëm në atë shesh, Monumentin e Pavarësisë.

****
Një vend të rëndësishëm, në këtë libër, zënë disa nga figurat më të respektuara në Dëshnicë. Ali Kamja përfaqëson mençurinë e dëshnicarit. Në detyrën e kryetarit të Komitetit për rrethin e Këlcyrës në vitet e Pasçlirimit tregoi modelin e një drejtuesi që jetën e vet e vuri në shërbim të shoqërisë. 
Me dashuri e mirënjohje për punën  shkencore është përshkruar edhe Mentor Përmeti, që pak kush e ka ditur se rrënjët e tij janë në fshatin e Topojanit, djali i patriotit të shquar, Lufti Topojanit.  Në kujtimet e motrës së autorit, Xhevahire  Çaushi Bejo është dhënë portreti i mësuesit që kishte lënë vendlindjen e tij të largët, Shkodrën dhe kishte ardhur mësues në Fratar (1937-1939). “Edhe ai (Mark Leci) është  një maratonomak shkodran, i cili në kohën më të vështirë sillte dritë në Fratarin e largët”.
Në këtë libër jepen mbresat  vetiake të autorit në ushtrimin e profesionit të tij si mësues. Njihemi me ata mësues të përkushtuar që menjëherë pas Çlirimit të vendit shkuan në disa fshatra të Dëshnicës për të përhapur dritën e dijes. 
Po na janë dhënë edhe portrete dëshnicarësh  që nuk u kursyen për hapjen e këtyre shkollave, duke vënë në dispozicion pronat e tyre. I tillë ishte Jakja në fshatin Kajcë. Ishte nga fshatarët më të varfër të fshatit, megjithatë, arën e tij më të mirë e kishte falur për të ndërtuar shkollën.
Në Bubës fshatarët kujdeseshin jo vetëm për fëmijët e tyre dhe shkollën, por edhe për mësuesit. Në ditën e parë të mbrritjes në Bubës, autori tregon se u ndie ngrohtësia e bubësllinjve për mësuesin e ri, midis tyre dhe i Nasibi Bërzanit.
 “ Në darkë më çuan për të fjetur, bashkë me disa arsimtarë të tjerë, në shtëpinë e Estref Alliut. Një shtëpi model për kohën që flasim. Shiltetë ngjyra-ngjyra mbi qilimat e bukur dhe jastëkët e qëndisur nga duart e Kajames, i jepnin një tjetër nur asaj dhome. Vetëm një etnograf me eksperiencë mund ta përshkruaj atë tablo, tamam si një muze që duhej të ruhej për këtë punë”. (Tomorr Caushi, Jovetëm mirënjohje, Tiranë 2013, fq. 118).  Autori na ka dhënë atë punë të çmuar që stafi mësimor ka dhënë edhe në shkollat e Bënjës, Fratarit e Seniçanit. Janë copa tregimesh ku secili gjen vetveten. Natyra e bukur dëshnicare ka zënë vendin e vet në çdo ndodhi e ngjarje. Ndienjat njerëzore janë gërshetuar me mjedisin familjar e shoqëror. Pasi e lexon këtë libër, e ndien se historia jonë dhe bashkë me të dhe historia e Dëshnicës, duhet ndriçuar vazhdimisht. Popujt pa histori janë të destinuar të zhduken. Dëshnica me histori që në zanafillë të njerëzimit, është krenare për të parët e saj. Krenarinë na i shton edhe libri më i ri  i shkrimtarit Tomorr Caushi “ Jo vetëm mirënjohje”.




(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora