E premte, 19.04.2024, 06:38 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Tambëli më ka djegur, i fryej kosit

E diele, 08.06.2014, 07:30 PM


TAMBËLI MË KA DJEGUR

I FRYEJ KOSIT

NGA KALOSH ÇELIKU

Plasa duke u bërë thirrje shqiptarëve përmes shkrimeve publicistike në Shkup: mos shkoni pas gomarit, por pas Ujkut të maleve. Ujku, vërtetë e ka hëngër Qengjin te lumi pse ia turbulloi ujin, po ku ta dimë ne, ndoshta Qengji do që ta hajë Ujku?! Njësoj si personazhi im “hero” mbi gomar, që më shkruan nateditë “letra dashurie” nën shkrimet e mia profetike. Takime “ashikie” më cakton para selive të partive politike. Poezi erotike më lexon Natën pa Hënë. Përfundimisht, dua t’ju them: ecni pas Ujkut të maleve! Punë tjetër është ajo, se: a, do të më dëgjoni mua si shkrimtar, apo Dexhallin me trumbeta kur delë nëpër Bit – Pazar, në Shkup.

Zemërohem, kur “miqtë” e mi besnik ecin pas gomarit me samarin në shpinë. Veshët kur i ngre përpjetë në mes të rrugës dhe pëllet me të katra këmbët në batak. Dhelprës dinake, që gjurmët i fshin me bisht. Edhe atë, “miqëve” që dua t’ua lë samarin në shpinë. Barrën ta nxjerrin përtej Lumit. Dëshprohem, kur i shoh se ecin pas gomarit.

Vallë, ende duhet të ju rri mbi kokë me shkrime publicistike, se: Gomarin dhe Dhelprën dinake nuk duhetë lënë që ta na pri në ballë për Ditën e Nesërme?! Arsye, do të na shti në ndonjë kotec të pulave në Katund, ose nxjerrë pas barit në Livadh. Ujkut, përsëri t’i thotë te përralla popullore: lëshoe rrënjën, rroke këmbën!

Popullit shqiptar  i besoj, por jo edhe Gomarit dhe Dhelprës dinake, që edhe sot si dje, i fshin gjurmët me bisht. Pulat vetëm i shikon nën pemë, e ato njëra pas tjetrës i bien para këmbëve. Korbit që rrinte në degë me një cop djathi në gojë, kur dinakja i tha se këndon bukur?! Trushkreti, hapi gojën të këndojë, i ra djathi nga goja dhe ia rrëmbeu dinakja. Njëjtë, siç i thashë unë personazhit tim paronoik se, ma kënaqi Lapsin. Turrevrap nisi të më shkruaj poezi “patriotike”. Publikisht, më shpalli “dashuri” romantike.

Nëna ime vepronte ndryshe, pulën që këndonte si gjel, e therte në mes të Lëmës. Biro, kënga e saj ndjellë kob. Thikën duhet vënë në qafë, ta shtrojmë në sofër për darkë. Babai, kur dinakja vinte si mysafire në Katund, e nxirrte mauzerrin nga hatullat. Punë tjetër është ajo se sot, shumë pula hipin në gardh duke i përplasur fletët dhe këndojnë si gjel. Edhe atë, merreni me mend: pula të therura pa kokë, që kërcejnë nëpër Lëmë, në Ditën e sotshme, kur Mbreti i këngës që e paralajmëron agimin, është Gjeli.

Zemërohem, kur dëgjoj për themelimin e partive të reja politike shqiptare si pulat e therura pa kokë kur kërcejnë nëpër Lëmë. Përditë po më ngulitet në tru dhe më godet si tokmak vathe ajo thënja e popullit: Dy shqiptar, pesë parti politike. Qorrsokak, nga i cili edhe sot e kësaj dite, shqiptarët nuk mund të dalin tek qëllimi historik. Forca politike shqiptare, nuk matet me numrin e partive politike, por me kokat që u prijnë atyre partive politike. Kalorësit e arratisur i rrenë mendja se, mund të vijnë në politikën shqiptare në Shkup, si Ali Ahmeti nga Zvicra përmes maleve. Gabim e keni, o burra fushe! Ali Ahmeti nuk erdhi nga Zvicra kokë më vete si kalorës i arratisur. E, sidomos, kur pas dy-tri ditëve, merret vesh se kush janë themeluesit e atyre partive politike si kalorës të arratisur, dështoni si “lëvizje” politike që në start, pa dalë me të dyja këmbët ende nga pargu i Shtëpisë. Shkaku se, këtyre “bajraktarëve” (burrave të mejdanit), që i kanë shëtitur me rend të gjitha partitë politike shqiptare, nuk u shkon njeri i gjallë përmbrapa me kokën në qafë, as për një çaj rusi, nëpër çajtoret e Bit – Pazarit, në Shkup.

Ali Ahmetin për ta rrëzuar nga “pushteti”, duhet të dalin në skenën politike të tjerë burra mejdani me tirqi e xhamadan. “Nagantin” në brez. Sahatin me çystek përqafe. Fatkeqësisht, ju ende i mbani tespihet kuqezi në dorë, shallvaret e turkut si veshje kombëtare nëpër Qytet e dasma familjare. Këmbët dhe trutë në legen. E di, ju vjen inati se ua them në sy realitetin: ato burra nuk duhet të jenë me mjekra dhe dimi të grave. Patjetër. duhet të jenë burra mejdani, që ju nuk i keni parë me sy deri në Ditën e sotshme, përveçse në fotografi me dy kobure në brez. Përndryshe, me këto burra me dimi të grave nëpër këmbë, edhe gjatë kohë Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin do t’i kemi në ballë si politikanë në skenën politike shqiptare. Jo, pse i do populli shqiptar, por nuk ka të tjerë më të mirë si politikanë në Ditën e sotshme. Dhe, përderisa ju pasi t’u ketë “djegur” Menduh Thaçi, hedhi në treg si zarzavate të kalbura kopshti në pazar, për çdo vjet do të themeloni nga një parti politike, gjoja për ndryshime në politikën shqiptare, e ato si liderë partiak me votën e juaj “demokratike” edhe njëqind vjet do të rrinë rehat në “pushtet”. Partitë e juaja politike “demokratike”, që lindin ditenatë si këpurdhat pas shiut, ua zgjasin jetën, i bëjnë të pavdekshëm si politikanë në histori.

“Guxim” nuk kam ta them, se: janë të njëjtit individë të arratisur, edhe themeluesit e partisë re politike shqiptare. “Rilindje” kjo politike shqiptare, që sipas ardhjes në skenën politike, shumë i ngjanë “PYKËS” Shelgut të para disa viteve. E dini pse, individë të papërgjegjshëm (partizanë invalidë sistemi ideologjik), që e kanë vendin nëpër Qendra rehabilitimi e jo në politikë, u rreken themelimit të partive politike dhe ëndrrojnë të merren me “politikë madhore”. Pavetëdije, marrin më qafë rininë shqiptare, popullin shqiptar me dështime të njëpasnjëshme në politikë për interesa dhe përfitime personale e familjare. Fatkeqësia, që ende nuk e kuptojnë pykat politike “shqiptare” se, mashtrimit të popullit shqiptar me vite, duhet vënë pikë. Fund. Mjaftë e kanë mashtruar “vëllezërit” e Njerkës këtë popull të përvujtur e heroik, nuk ka nevojë edhe këta “patriotë” trusakatë t’i ngatërrohen me vite nëpër këmbë edhe në Ditën e sotshme!

E thashë njëherë, vetëm e përsëris për dudumët: nuk e di, pse i kam frikë protestat e tyre politike të veshura me petk politik e fetar në Shkup pa dhiare, sidomos kur pas tyre nuk qëndron asnjë organizator, ose u pri Gomari në krye që pas nuk i shkon rrugës as edhe gomarica. Edhe, themeluesit e partive politike shqiptare duhet t’i kenë në krye burrat me emra e mbiemra në krye si veprimtarë të dëshmuar për zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan. Patjetër, duhet t’i marrin mbi vete (shpinë) dështimet dhe “fitoret” e këtyre organizimeve politike. Nuk mjafton vetëm, ajo: e themeluam një Parti Politike Shqiptare me një emër bombastik, iniciator në krye për “ndryshime”. Turr mjetet e informacionit, kush më e para ta publikojë lajmin “exclusiv”: u themelua edhe një parti e re politike shqiptare. Fare pa e ditur se, kush janë burrat tjerë ose gratë që qëndrojnë pas atij emri?! Populli thotë: Trimi i mirë me shokë shumë. Vallë, mos edhe ketë “hero” mbi gomar që i kemi me thasë nëpër botë e kanë dalldisur kalorës të arratisur, që “vdiqën” të themelojnë parti të reja politike duke e përçarë këtë popull, gjoja për ndryshime politike?! Vetmevete, them: me siguri po, ma thotë mendja.

Koha do ta tregoj një ditë realitetin, përplasi në fytyrë: Defilimi dhe dalja në skenën politike e këtyre partizanëve të harxhuar e dështuar, është i rrezikshëm për popullin shqiptar. Vështirë me kësi kalorësish të arratisur bëhen ndryshime politike në Shkup. Rrufjanët e djeshëm, sot siç duket u ringjallën lugetër. Përsëri, na ndërsehen pas shpine me një asht në gojë. Profesionin e dikurshëm policor ende nuk e kanë harruar, mu si dje edhe sot: e hudhin gurin dhe e fshehin dorën. Komente anonime e në emër të “miqëve” të mi të dikurshëm e të sotshëm më shkruajnë nën shkrimet e mia profetike publicistike. Zanatin e vjetër, metodat policore dhe hujin e djeshëm pas dere, nuk e kanë harruar as sot duke e përçarë popullin shqiptar. Kotnasikoti, ende vazhdojnë të më provokojnë me metoda të njohura policore, merrem me ta t’i shti si “heronj” (trima pas lufte) nëpër libra, kur unë sot më nuk merrem me individë, por me fenomene shoqërore. Alamet emrash “patriotësh”, që më kanë spiunuar dje, vazhdojnë të më spiunojnë edhe sot. Dje, më kanë ndjekur si djalë ballisti, e sot po të njëjtit këlyshë me zgjebe më ndjekin si djalë partizani (komunisti). Dje, më shpallnin si “nacionalist e irredentist” shqiptar, i “rrezikshëm” për Shtetin. E, sot si spiun të “serbo-sllavise qe sulmon simbolet islame”. Vetëm e vetëm, që dje të shpërbleheshin si trusakatë me poste redaktori nëpër redaksi në rolin e policit letrar, e sot me poste politike partiake në Qeverinë e “vëllazërim – bashkimit”.

Hë për hë, unë që i njoh mirë këto këlyshë me zgjebe endacak rruge (rrufjanë) të librave të mi artistik e publicistik, të cilëve ua kam hequr maskat e rrejshme patriotike edhe matanë varrit, i kam zhveshur lakuriq para syve të popullit shqiptar, ashtu siç janë pisa e të pabesë, mendoj, shkruaj dhe di kështu si shkrimtar, me kokën time në qafë. E shoh në sy realitetin, në Shtetin e “përbashkët demokratik”. Bërllokun shqiptar, që na e ka zënë frymën. Dhashtë Zoti të jem gabim, dhe na delë Ndryshe si shqiptar.

Nuk i dihet, të presim edhe ndonjë ditë. Sot për sot, ende i kanë gjallë miqtë e tyre të “veprimeve patriotike” (policore) nëpër parti politike, polici, komisione lustruese. E Nesërmja, do ta thotë fjalën përfundimtare, cili ka qenë “spiunë” e cili “patriot”.

Tambëli më ka djegur, i fryej kosit…



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora