E premte, 19.04.2024, 04:40 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Vëllai im i madh e donte shiun

E premte, 06.06.2014, 09:19 PM


VËLLAI IM I MADH

E DONTE SHIUN

NGA KALOSH ÇELIKU

Vëllai im i madh, Ramë Çeliku dhe i vetmi krah në familje, e donte shiun. Krahu i djathtë i Babait edhe me penë e armë në brez. Djaloshi i stuhive, që e ndiqte Babain maleve këmba - kmbës. Edhe në shtëpi, edhe në livadh, edhe në arë,  edhe në qytet me kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë. Edhe, kur duhej t’i masi forcat me armiqtë e tërbuar historik, brez pas brezi nëpër prita pas lufte. I donte armët e luftës, që shpeshëherë me Babain i provonin netëve të gjata të Dimrit tymeflakë nëpër dritare, në Katund. Mauzerrin përpiqeshin ta fshehin nga unë si fëmijë, edhe pse unë një ditë i zura në befasi në dhomë duke i pastruar me armë në dorë. Frikë kishin se, mund të më shpëtojë ndonjë fjalë goje me fëmijët e Katundit, t’i marrë më qafë si “armiqë të Shtetit”. Që nga ajo ditë, më nuk e fshihnin nëpër hatulla mauzerrin, por nën shtrat. Armë e asaj kohe, që unë e mora si lodër dore nëpër Lëmë. Bombat i gjeja vetë, kur kërceja me shokë nga trari lisit i kasollës bythekrye dorë për dore në kashtë. Shumica ishin bomba të kuqe italjani (molla të kuqe). Vetëm ajo, që e mbante gjithmonë me vete Babai, ishte “kashikarë” serbi, që unë asaj kohe e thirrja “dardhë turke”.

Vite me borë ishin ato, kur Ujku zbriste nga malet dhe na hynte tinëz në vathë. Delet i therte pasqafe si kasapi, dhe vetëm njërën e hidhte mbi shpinë, të tjerat i shkonin vetë pas deri te Lugu i Ymerit. Vallai ishte ai që krah për krahu me Babain shkrepnin pushkë pas Ujkut kur na biente ndër dele, e ndiqnin matanë Përronit të Thanës. Përderisa, ne në shtëpi bënim gjumë të rehatshëm në shtratin me kashtë. Unë me librat e Vëllait të këndimit, që na kishin mbetur kujtim nga koha e Ministrit shqiptar të Arsimit Ernest Koliqi, rritesha me vjershat e Rilindasëve nën hijen e Lisit midis livadhit. Vjersha, të cilat do t’i lexoja me zë mbi bar, mësoja përmendësh, rrëzë Çukës. Mes atyre faqeve për herë të parë e gjeta edhe vjershën e Asdrenit, Kosovës. Vjershë, të cilën më vonë gjatë studimeve në Prishtinë, edhe pse e bleva kompletin e librave të Asdrenit, botim i “Rilndjes” të Prishtinës, nuk e gjeta mes atyre faqeve atë vjershë të zjarrtë patriotike. Vargje, që më ndoqën gjithë jetën: O shqiptarë, rrokni huj e shpatë, ta shpëtojmë Kosovën e ngratë. Nuk dum gjë tjetër – nukë, / vetëm ca armë dhe ca bukë!/. Porosi e Rilindasëve të saj kohe, që më ndjek edhe sot e kësaj dite nëpër vite edhe përtej varrit. Rrugën, ata burra të penës dhe pushkës ma treguan me gisht. Dhiareve t’u ngjitem maleve. Dorën në zemër, armë me të cilat krenohem dhe më kanë mbajtur gjallë në mesin e ujqërve. Përndryshe, moti do të kisha përfunduar në varr me fjalime patetike e “vajtime”: një gur te këmbët, një te koka. Traditës “myslimane” me një cërpkë te koka për ujë në atë “dynja”, në vend të dy shtambave me verë.

Zoti deshi, ose fati që unë të mbetem gjallë mes këtij bërlloku. Babashehu, Dervish Nurja i Llagjeve, një mik besnik i Babait  mezi ma shpëtoi jetën. Plaku i mençur i asaj ane me mjekrën e bardhë deri në fund këmbëve. Fryma e tij ujore e qiellore si burim mistik i Lumit të Zajazit, që ende më ecë si lumë malor përmes fushës nëpër damarë. Gjak. Trup. Vite me radhë e kam bartur hajmalinë e tij përqafe mes xhindeve, që përnatë deri në agim më hudhnin dorë më dorë majë lisave. Shkaku se, mjekesia e asaj kohe hoqi dorë. Mëkot, Nëna me mua si dyvjeçar për shpresa jete, ndejti në spital dy vite me radhë në Shkup. Spitali, një ditë më lëshoi si të pashpresë për jetë. Dervish Nurja, qe ai që unë mbeta gjallë. Vërtetë, xhindet ende më hudhin gjithë natën dorë më dorë majë lisave mbi çati, por përsëri në mëgjes më kthejnë mes Babait dhe Nënës në shtrat.

Netët e gjata ishin të tyre, por ditët me Diell ishin të miat me të cilat më tërhiqte rrugës pas bishti Sagjini, kau i zgjedhës i Babit. Delet ruda, më vonë më dhanë gji si Zanat e maleve kreshnikëve te dardhat gorrice, pranë Çiflikut të Xha Derallës, të cilat me sharrë në dorë i shartonte vetë plaku mjekërbardhë me kësulën e Bajram Currit në kokë. Fuqi kreshnikësh, që shtatë sahat larg sot ta flug vargun. Dashi me dy brirët dap e dap, më ushtronte për luftë heroike në trap te Lugu i Ymerit. Vetëmse, me brinja nuk më hudhte në përrua si shok, prandaj edhe sot e kësaj dite ecim Dimër e Verë të dy tok. Krah për krahu mes këtyre rreshtave për në Baba Tomor. Shiu nuk na lagte nën dardhat gorrice. E as bora kur zbriste para Diellit nga Çelëvjollca.

Rufeja, edhe në atë kohë shtinte pandërprerë në lisa e jo në ferra, por ne nuk e kishim frikë. Vëllai im i Madh e donte shiun. Shtambat e tij që i lanin me ujë fushat dhe malet me borë Verë e Dimër. Barin dhe lulet. Kafshët e egra dhe të buta me dy e katër këmbë. Insektet, po jo edhe grerëzat hutaçe. Natyra na përkundte në djep, ishin ninullat e saj që na rrisnin e na bënin burra. Gjokut t’i kërcejmë mbi shpinë. Armën e mejdanit ta nxjerrim nga brezi. Shtatë sahat larg ta flugim vargun.

Vëllai pas disa viteve pune si mësues në Vrutok të Gostivarit, do të kthehet si mësues në fshatin Zajaz, e më vonë në vendlindje, Cërvicë. Vite ato të vështira, kur arsimi shqip nuk shikohej më sy të mirë dhe ndiqej nga partizaanët komunistë këmba - këmbës. Librat e këndimit nga Shqipëria, i lexonim tinëz kokë më kokë e dorë më dorë, Kërçova kur nuk kishte ende gjimnaz në gjuhën shqipe. Vëllai me shokë, i përveshën duart për hapjen e paraleleve të para në gjuhën shqipe pranë gjimnazit maqedonas “Mirko Mileski” në Kërçovë (1967). Asaj kohe, plot vështirësi si nxënës i shkëlqyeshëm, mezi u regjistrova në shkollën normale “Zef Lush Marku”, në Shkup, por për shkak të numrit të ulët të nxënësve për hapjen e paraleve në gjuhën shqipe në Kërçovë, Vëllai në dobi të arsimit shqip me pajtimin tim si vëlla sugar, më tërhoqi nga Shkupi në dy paralet e posahapura të para në gjuhën shqipe në gjimnazin e parë të Kërçovës.

Paralelet e posahapura historike, vetëm emrin e kishin në gjuhën shqipe. Shkaku se, i gjithë procesi mësimor zhvillohej në gjuhën maqedonase me përjashtim të lëndës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Nxënësit shqiptar, për dallim nga ato maqedonas kishin si “shpërblim” edhe një lëndë plus në gjimnaz, si ”nacionalistë dhe irredentistë” shqiptar: Gjuhën dhe Letërinë Shqipe.

Nxënës nga të gjitha katundet e Kërçovës, kush më këmbë, gomarë e kush me biçikleta: pranverë, vjeshtë e dimër për çdo ditë i suleshim për dije Kërçovës. Shaqir Sadiku, miku im i bankës asaj kohe me një shkatrraçe me dy rrota, edhe ai hynte në klasë. Kohë e egër ajo, kur shovenizmi maqedonas ishte në kulminacion. Kuadri arimor në gjuhën shqipe mungonte me të madhe, e profesorët maqedonas atë vit na sharruan, rrëzonin pamëshirë si lisat në livadh, nga dy paralele pranë këtij gjimnazi sa ishin në gjuhën shqipe me mbi 70 nxënës, mezi e kaluan klasën pesë – gjashtë veta. Përpjekje kjo, dhe qëllim i tyre tinzar për t’i mbyllur dy paralelet e para në gjuhën shqipe.

Veteranët e arsimit që i hapën paralelet e para në gjuhën shqipe (1967), filluan të ndiqen në çdo hap, të cilët nga përndjekja dhe presionet nëpër vendet e punës, u detyruan i gjithë grupi i arsimtarëve, papritmas një ditë të ikin në Francë. E nga andej u shpërndanë nëpër botë e Amerikë. Vëllai mbeti me punë mbi 15 vjet në Paris. Krahu i vetëm i familjes që i mbante fëmijët e vet në shkollim dhe mua si vëlla në Shkup e Prishtinë.

Vite më vonë, kur u kthye në vendlindje e fitoi shpërblimin komunist: mbeti edhe pa punë. Armiqtë e arsimit shqip, përsëri deshën ta përzënë nga vendlindja. Inati e bëri të veten, nguli këmbë. Mezi gjeti punë pak vite para pensionit si ofiçar në një fshat të malësisë Kërçovës. Vëllai im i madh, që punoi dhe jetoi me vite në Paris. Qytetin e kulturës, ku gjysma e banorëve krijonin e gjysma kritikonin veprat krijuese artistike.

E unë pas kryerjes së Normales, pas arratisjes në Paris (1970), pas tre muajve u ktheva në Prishtinë me studime. Dhjetë vite me gjithë studime i kalova në këtë Kryeqytet Shqiptar Universitar, ku dy vite e gjysëm edhe punova si arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Drenas (Gllogovc) të Drenicës. Vitet e 80 – ta, pas ushtrisë jugosllave, mezi u punësova në fshatrat e thellë të malësisë së Shkupit, ku punova si mësues 15 vjet me radhë mes atyre maleve. Shkollave të para shqipe, që i  kishin hapur plot vështirësi të parët tanë me pushkë e laps në dorë. Vende, në të cilat nuk kishte shkelur ende këmba e turkut, as edhe ajo komuniste sllave, por kishte shkelur këmba e shqiptarit. Përçudi, shkollat shqipe i gjeta të pagëzuara me emra të Rilindasëve dhe patritoëve shqiptar: Skënderbeu, Vaso Pashë Shkodrani, Naim Frashëri, Faik Konica, Sami frashëri, Fan Noli, Liria etj. Katunde shqiptare, që me dhunë me gjithë familje ishin shpërngulur në Turqi dhe pas një muaji, përsëri ishin kthyer në trojet e veta shqiptare.

Vitet e ashpra të arsimit shqip në këto anë, dhe përndjekjet e mëdha politike më detyruan me dhunë që të largohem nga arsimi. Punën ta vashdoj si shkrimtar me profesion të lirë, në Shkup. Ende, më mbanin gjallë arat e Babait. Herë pas here ikja edhe në vendlindje. Fati im, i kisha gjallë prindërit: Nënën dhe Babain, që gjithë pasurinë e tyre e vunë në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare. Edhe, Vëllai i Madh. Kohë që nuk zgjati shumë ato vite me borë. Njëri pas tjetrit fillova t’i humbë, së pari Babain nga i cili nuk mbajë mend asnjë shuplakë për gabime, e pak më vonë edhe Nënën, në vendlindje. Vëllai im i Madh, pas një sulmi në zemër erdhi në spitalin e Shkupit për shërim një ditë me shi (1997). Ditë, kur erdhi me mercedes dhe shofer personal nga Tirana në Shkup me “djemtë” e tij edhe poeti i madh shqiptar, Frederik Rreshpja. Vëllai, atë natë e hapi edhe dritaren krah më krah, që ta shohi se si biente shiu litar në Shkup.

Ditën e nsërme, papritmas iku nga mesi ynë dhe u arratisë me nderime familajre rrëzë Çukës. Katundi e mori në gji ta përkund në djep për Ditën e Nesërme. Farën, që e mbolli dikur me shokë mes atyre arave, dha frute.

Vëllai im i Madh, tek tashti e kuptova pse e donte shiun…



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora