E enjte, 25.04.2024, 06:49 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Zëri i Amerikës: Intervistë me Ramush Haradinaj

E premte, 06.06.2014, 06:37 PM



Haradinaj: Nuk jemi pishman që kemi mbështetur proceset e mëdha

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj i tha Zërit të Amerikës se duke mbështetur bisedimet me Serbinë, AAK ka mbështetur Kosovën

Nga Besim Abazi

Më tetë qershor në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike të të gjitha komuniteteve janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës është duke zhvilluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se nëse del fitues do të përshpejtojë integrimin e veriut dhe brenda 100 ditësh do të dëshmojë së atje nuk do të ketë nevojë më as për barrikada në rrugë, por as për prani të madhe të forcave të KFOR-it dhe të policisë së EULEX-it.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, kanë mbetur pak ditë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Ramush Haradinaj: E para, presim që të jenë zgjedhje të lira, të rregullta dhe “fer” dhe i thërras qytetarët e vendit që të gjithë të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Është me rëndësi që të votojmë të gjithë. Janë zgjedhje parlamentare dhe institucionet e Kosovës do të varen nga këto zgjedhje. Katër vite që vijnë, por jo vetëm katër vite që vijnë, do të varen nga vendimi që e marrim më tetë qershor. Aleanca ka bërë punën e vet. Me kujdes ka prezantuar planin zgjedhor që e kemi quajtur, “drejtimi i ri”, që është bazë për një plan qeverisës, filluar me programin sektorial, nga energjia, ekonomia, metalet deri te arsimi e shëndetësia, neper të gjitha trevat në Kosovë. Kemi qenë në prezantim të planit regjional, tani jemi në përmbyllje dhe së fundi mendojmë se kemi mbërri me e prezantue planin tonë qeverisës për qeverinë e vendit pas tetë qershorit.

Zëri i Amerikës: Por a keni arritur ta bindnin qytetarin përse duhet të votojë ai për juve?

Ramush Haradinaj: Kemi plan real për zhvillim ekonomik, për rritje dyshifrore tyë bruto produktit. Është bukur i thjeshtë plani ynë. Ne mendojmë të aktivizojmë burimet natyrore që i ka Kosova. Qymyrin për energji elektrike dhe derivate, metalet për industrinë përpunuese, pra metalurgjike. Të hyrat që i sigurojmë nga këto ekonomi dëshirojmë me i investua në bujqësi, në industrinë ushqimore. Po ashtu, qëndrojmë për qeverisje pa korrupsion, me nikoqirllëk, pra, pa luks të tepruar dhe për ekonomi që është pa informalitet dhe evazion fiskal. Pra vijmë në racionalen, në një qeverisje që është racionale përmes së cilës ne nuk krijojmë humbje në vetvete dhe të gjitha ato që i krijojmë si të mira i kemi për investim të brendshëm dhe për zhvillim ekonomik edhe për hapje të vendeve të punës por edhe rritje ekonomike.

Zëri i Amerikës: E përmendët luftën kundër korrupsionit e cila deri tash është vlerësuar si e pamjaftueshme dhe Kosova shpesh është gjetur jo shumë mirë në tabela të organizatave ndërkombëtare. Si mendoni ta realizoni këtë luftë?

Ramush Haradinaj:  Me mospërfshirje. Me mospjesëmarrje në korrupsion. Pra, udhëheqësit institucional në rast se nuk marrin pjesë, ose nuk praktikojnë praktika korruptive, ata e krijojnë parakushtin kryesor që korrupsioni të luftohet në vend. Në rast se udhëheqësit e institucioneve të vendit, nivelet e para përdorin praktika korruptive, është e pamundshme të luftohet korrupsioni në vend.  Garancia që i japim Kosovës, qytetarit të vendit është se e kemi fuqinë me fillue me qeverisë me vendin me në fund në Kosovë pa praktika korruptive, në mënyrë që t’i mundësojmë secilit që t’i bashkohet qeverisjes, jetës, pa praktika korruptive edhe qytetarit edhe sipërmarrësit edhe pushtetarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, ju keni mbështetur qeverinë në proceset siç janë bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, por jeni ankuar për ritmin e tyre. Si do të duken ato nëse vini në pushtet?

Ramush Haradinaj: E para, ne e kemi mbështetë vetveten, ne jemi Kosovë dhe kemi mbështetë tema të Kosovës me rëndësi të madhe. Ne aspirojmë me qenë anëtar i BE-së. Dihet vetvetiu, çdo kandidat për BE, ne aspirojmë me qenë edhe anëtar i NATO-s dhe OKB-së, ndoshta më shpejt do të jemi në NATO se në BE, mirëpo dihet se çdo anëtar që aspiron të jetë kandidat për BE, duhet ta krijojë mini BE-në përreth vetes. Ne e kuptojmë këtë, e dimë se është me rëndësi. Ne kemi interes në normalizimin e mëtejmë të marrëdhënieve me fqiun tonë, Serbinë. Në kuadër të këtij normalizimi përfitojmë edhe në shtrirjen e juridiksionit në veri. Pra, nuk jemi pishman për këtë ndihmë që i kemi dhënë vetvetes. Na ka ardhur keq se ka ngecje pas 19 prillit, pas marrëveshjes. Ka ngecje në zbatim. Ka mos të them edhe abuzim me zbatimin. Për këtë arsye kemi kërkuar që të modifikohet dialogu, pra i ardhmi të mos jetë i kësaj natyre, klasik politik, por të ketë edhe aspektet racionale, konkrete të marrëdhënieve të ndërsjella dhe kryesisht të ndodhin në departamentin për zgjerim në Komisionin Evropian.

Zëri i Amerikës: Bisedimet parashohin ato që thatë edhe ju, shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, shpërbërjen e strukturave paralele etj. Si, konkretisht mendoni t’i zbatoni këto nëse ju vini në pushtet?

Ramush Haradinaj: Unë mendoj se ka mundësi me qenë të sinqertë të ndërsjellë me qytetarët e Kosovës, me serbët në veri. Pra të gjitha ato paragjykime mund të bien shpejt. Në 100 ditë të një qeverisjeje që ua vërteton atyre se është e vërtetë, se është kredibile, se mendon edhe për ta, se edhe ata janë qytetarë të vendit, nuk do të ketë nevojë më as për barrikada në rrugë, por as për prezencë të madhe të KFOR-it e të forcave të policisë së EULEX-it, për shkak se ka të bëjë me mirëbesim, ka të bëjë me vërtetësi. Dhe unë besoj shumë se kjo është e arritshme në Kosovë. Pra, unë e parashoh integrimin e mëtejmë të veriut si një proces më të përshpejtuar në të ardhmen, por, po ashtu parashoh edhe normalizimin me Serbinë si një proces më të përshpejtuar për shkak se as Serbia nuk ka kohë për të humbur, por as ne nuk kemi kohë për të humbur për shkak se jemi shumë më vonë sesa të gjithë fqinjët në regjion në proceset integruese.

Zëri i Amerikës: Po, u kthehem çështjeve të brendshme dhe zgjedhjeve që ndodhen para jush. Nëse dilni fitues, siç pretendoni në zgjedhjet e tetë qershorit, Me kë mendoni se mund të bashkëqeverisni?

Ramush Haradinaj: Unë mendoj se Kosova ka nevojë për institucione që ndërtohen nga partitë opozitare për shkak se e kemi një koalicion qeverisës dhe një qeverisje që është në dy mandate e njëjta që i ka shkaktuar vendit humbje, që janë serioze.  Dhe për të rimarrë veten Kosova ka nevojë për të gjitha argumentet që të jenë të reja, për një drejtim të ri, ashtu si e kam quajtur planin zgjedhor të Aleancës, pikërisht se mendojmë që na nevojitet një drejtim i ri, pra me partitë politike opozitare në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Që janë LDK, Vetëvendosje...?

Ramush Haradinaj: Të gjitha forcat politike opozitare që shprehin gatishmëri me bashkëveprue në një plan qeverisës që është zhvillimor, të cilin ne e kemi quajtur,drejtimi i ri.

Zëri i Amerikës: Duke u nisur nga e kaluara e AAK-së, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit lokale, ku e  mbështesni besimin se mund të jeni më të fuqishëm kësaj radhe?

Ramush Haradinaj: Unë shoh zgjedhjet që ka qytetari i vendit. Për shembull qytetari i vendit duhet të vendosë tani për të votuar, ta zëmë, opsionin qeverisës që e ka sjellë gjendjen në vend në një gjendje jo të mirë, qeverisjen Thaçi. Ose për të votuar opsionin qeverisës të zotit Mustafa, i cili dështoi me kryeqytetin, ose kolegë të tjerë. Në këtë rast, ne pozicionohemi mirë, kemi qenë serioz, me plan qeverisës, japim garanci 100 ditëshin e qeverisjes Haradinaj 2004 – 2005, por, po ashtu e kemi vërtetuar se e kemi seriozisht kësaj here me e nxjerrë vendin. Pra, çdo angazhim yni mendoj se i ka bindur qytetarët se bëhet fjalë për një ofertë shumë serioze dhe të dobishme për jetën e qytetarëve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: E përmendët 100 ditëshin e qeverisjes Haradinaj, por ajo qeverisje ka vazhduar edhe pas zotit Haradinaj. Nëse atëherë nuk arriti AAK të realizojë shumë prej premtimeve të saj, pse do të duhej sot t’i besohej që mund ta bëjë?

Ramush Haradinaj:  E vërtetë, por unë edhe tash nuk e mendoj në një qeverise kur Aleanca i ndihmon dikujt. Realisht me shkuarjen time dhe me rrethanat që janë krijuar atëherë, kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme. Jo vetëm fakti që unë shkova, por edhe presidenti Rugova u sëmur dhe vdiq më vonë. Pra u dëmtuam në total në kualitetet e atij koalicioni dhe është e dhimbshme që ndodhi ashtu. Kësaj radhe japim ofertë me garanci të plotë. Unë i marr përgjegjësitë, e kam thënë disa herë, nuk ofrohem me qeverisë për t’u fshehur, ofrohem me qenë në ballë të qeverisjes, me i marrë përgjegjësitë dhe me qenë garant i asaj qe ndodhë në vendin tonë për të gjithë ne dhe për të gjithë qytetarët e komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora