Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Jo, Mentor Quku!

| E hene, 02.06.2014, 08:07 PM |


JO,  MENTOR  QUKU ! .. BURRA  SI  TI,  NUK  VDESIN  KURRË !

Nga Fritz RADOVANI

Shkodra ka humbë një qytetar dhe intelektual të mirfilltë, ndersa, Shqipnia, ka humbë modelin e një Atdhetari të Persosun! Shokët e Tij numroheshin me gishta...

Familja e vjeter shkodrane asht e vertetë se ka pasë dhe uroj të kenë Pinjollë me të cilët ka mese krenohet, po, Mentor Quku, ishte i rrallë në mjedisin e gjithë Shkodres.

I rij në Shpirtë, i pashëm, i qeshun gjithmonë, qyshë se e njoha në vitin 1953 në oborrin e shkollës Pedagogjike të Shkodres, po, mbi të gjitha i dashtun, joshës, dhe nder të veçantit Shqiptar që trashigoi Fisnikinë, Bujarin, Burrninë pa asnjë thermi fanatizmi, e këta janë një visar i çmueshem që Nana e Tij, i mkoi me qumshtin e vet si biluri...

Kam njohë në jetë Burra të vertetë në Shkoder, por nder moshatarët e mij, jo, per zakon se sot duhen thanë këto fjalë, po Shokët e Mentor Qukut, i vijnë rrallë Shkodres dhe gjithë Shqipnisë! E me plot gojë mund të them se Ajo Familje, 60 vjetë perpara kishte tri lule: Lalin, Mentorin e Lilin... Një nder’ i vertetë i Trojeve tona.

Provoi persekutimin e “heshtun”, tue iu privue e drejta me shkue në shkollen e mesme të gjimnazit bashkë me motrat, po gjithmonë kryenaltë se i perkiste asaj “klasë” që nuk pranonte privilegje me turp e faqe të zezë, gja të cilën, Qukët e kanë pague mjaft shtrenjtë nga persekucioni i pashpirtë komunist 47 vjeçar. Provuen burgjet, transferimet nder skajet ma të vështira të vendit, trajtimin antinjerzor komunist, po gjithmonë, dhe pa ma të voglen frikë krenarë dhe dashamirës ndaj shoqnisë së cilës, ua shperblyen me Besë dhe dashamirsi vuejtjen deri në vetflijim, po kurrë, me i sjellë një të keqe sado të vogël shokut dhe mikut nder të gjitha rrethanat e vështira të jetës. Ky ishte edhe Mentori!

Në vitin 1996 e takova rasësisht në rrugë tek Muzeu Popullor... Si gjithnjë, më foli dhe më tregoi se ishte angazhue per me krijue “Të Djathtën e Bashkueme Shkodrane”... Atyperaty...nuk isha optimist! Po, mbas një takimi me një grup qytetarësh tek shkolla Pyjore, ndryshova mendim dhe mora pjesë me qejfë në atë fushatë zgjedhjesh edhe pse asnjëherë nuk jam angazhue me parti politike, madje, ishte pikrisht Mentori dhe Nik Pavaci, që më propozuen si deputet perfaqsues i të Persekutuemëve Politik të Shkodres. Nuk u realizue kjo dëshirë e tyne, se ministria e mbrendshme më dha tri ditë ma vonë, dokumentin e pastertisë së figurës, atëherë, kur Prefekti i Shkodres z. Iljaz Vrioni, më tha: “Je i vonuar, se dje avioni u nis...”, dhe, unë iu pergjegja po me fjalët e tij, në një artikull në gazeten “Shkodra”... Megjithate, në saje të Mentor Qukut, Nikolin Pavacit, Nikolin Destanishtës, Ndrekë Bazhdarit etj., fitoria e së Djathtës së Bashkueme u arrijtë.

Ajo Fitore e Popullit të Shkodres ishte meritë kryesisht e Mentor Qukut, prandej edhe pothuej “askush” nuk e bani zemren gurë me ba një analizë objektive të saj, sepse Aty, ishte Ideali i Popullit të Shkodres, i Bashkuem si asnjëherë rreth një dashunisë Vllaznore, me të cilen, Ai do ti tregonte mbarë Shqipnisë, se vetem kështu ndertohet Demokracia! Asnjë prej Atyne Burrave që e organizuen dhe e arrijtën Fitoren e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, nuk u angazhuen nder poste shtetnore, dhe kjo ishte dëshmija e ndershmënisë së Tyne, gja që vertetonte një nga cilësitë e Tyne të Mëdha Shpirtnore: “Shkodra Antikomuniste asht e Bashkueme!”

Po, a u mjaftue me kaq “drejtori” i Muzeut Shkodres Prof. Mentor Quku?

Nuk besoj se ka njeri që mund të mohojë vleren e madhe të punës së palodhun të Mentorit, që në fillimet e para të luftës per Demokraci të Vertetë, e Ajo fillon atëherë kur qendra e Muzeut u kthye në Vater Pritje të Burrave të Nderuem Shqiptarë si: Profesorët e Pavdekshem Arshi Pipa, Gjon Sinishta, Zonja Camaj, Abaz Ermenji e madje, edhe nga personalitete të mëdha të Besimeve Fetare apo të kulturës Europjane...Pa zanë me gojë botimet dhe kumtesat e organizueme per Krenarinë e Shkodres Martire.

Këta Burra ishin frymzimi i Mentor Qukut...

Kjo veprimtari e Mentor Qukut e kishte domethanjen e vet!

Brumosja Shpirtnore dhe qytetare e Tij, në gjurmët e Kolosëve të Mëdhej si At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja apo Luigj Gurakuqi, e thërrisnin dhe, pikrisht ishte Mentor Quku, që U asht pergjegjë me jeten dhe Veprat e veta, që me plot gojë Sot, mund të mbishkruhen mbi aktivitetin e Tij Atdhetar: “Idealist deri në vdekje per një Shkoder Antikomuniste të Bashkueme!”

Nuk e dojshe sot një lajm si ky per moshatarin tim Mentor Quku, edhe pse jam i sigurt se Ai asht pranë me Ata Burra! Jeta e njerzëve të Nderuem si Mentor Quku nuk mbyllet asnjëherë, se Veprat e Tij janë të Pavdekshme, janë udhë e sigurtë Vllaznimi dhe Bashkimi ashtusi, gjithmonë, Shkodra i ka lindë dy herë Ata: Si Kreatyra Njerzore dhe si Atdhetarë të Perkushtuem në rrugen Heroike të “Rozafës”...

***

Para pak kohe, pa dijtë se ishte tue u mjekue në Itali, i drejtova një pyetje per një nga personazhet e historisë sonë, fushë në të cilen kemi komunikue gjithnjë, dhe ashtu U përgjegjë, tue e mbyllë: “...Vllaznisht, Mentori.”

Një ditë do ta publikoj mendimin Tuej, i dashtun shok i vjeter, mik dhe Vlla, siç më ke konsiderue gjithmonë deri pak ditë perpara!...

Jam shumë larg i dashtun Mentor Quku, me dashtë me kenë këta çaste atje...

I therun thellë në zemer nga dhimbja per Ty, çova mendjen tek At Fishta, dhe mu kujtuen vargjet e Tija:

... “Dal në dritsore me kundrue shatorren,

Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit

Flakojn mbi dhé –...

- e atë botë mendoj per ty.

E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue

Nji hyll, aty selin un tham me vedi,

Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da

I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen

Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,

Qi permallshem nder gemba rrin tue kja

Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,

Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket

Se bisedoj me ty!... Nuk dekka i miri,

Jo kurr...”

“Nji lule vjeshtet” At Gjergj Fishta, Lirika.

Melbourne, 2 Qershor 2014.