E enjte, 25.04.2024, 06:00 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: “Vedrai, il mondo cambiera” (bota do të ndryshojë, Shqipëria s’i dihet)!

E premte, 30.05.2014, 09:00 PM


“Vedrai, il mondo cambiera” (bota do të ndryshojë, Shqipëria s’i dihet)!

Nga Elvi Sidheri

Luiza është një mësuese fizike me profesion, e emigruar familjarisht prej disa kohësh jashtë atdheut, e cila ka kaluar një çerek shekulli jetë nën monizëm si dhe shumë shqiptarë të tjerë...

Qysh kur ka lindur, gjatë diktaturës dhe po aq në këtë periudhën kohore post-monizëm që dendur emërtohet si pluraliste e demokratike, meqënëse eksperienca e akumuluar jetësore nuk është se i mungon, ajo ruan këndvështrimin e saj të ftohtë e deri diku të zhveshur nga emocionet, lidhur me këto periudha të sipërpërmendura.

Në këtë mënyrë ajo gëzon mundësinë dhe kthjelltësinë që të shprehet me objektivitet lidhur me shumë ngjarje e përjetime, sikur të ishte duke shpjeguar ligjet kokëforta të fizikës.

Argumenti i këtij bashkëbisedimi në fakt u bë një përvjetor i Kongresit famëkeq të Përmetit, ku buçitën brohoritjet “Parti-Enver” dhe ku u shfaq sërish në mënyrë kriminalo-provokative portreti i diktatorit që ka ca muaj tashmë që ka nisur të na parakalojë sfidueshëm në ceremonitë zyrtare-shtetërore të 29 nëntorit, 5 majit, 24 majit (zonja Luiza me të drejtë përmend edhe 10 korrikun e Ushtrisë Popullore apo 11 janarin e Republikës Socialiste, si data të mundshme për t’u ringjallur, sipas të njëjtit plan ogurzi)...

Ku ishim?-Asgjëkundi!

Ç’bëmë?-Farë gjëje!

Ku vemë?-Askund!

E ç’mësuam nga historia jonë?-Asgjë prej gjëje!

Janë këto pyetjet më tepër retorike sesa gjë tjetër, që Luiza i bën vetvetes dhe si shumë shqiptarë të tjerë, edhe ajo ndihet thellësisht e zhgënjyer nga stadi primitiv në të cilin ende dergjet vetëdija historike e popullit dhe shtetit shqiptar të 2014-ës.

Ajo me të drejtë mendon se ngazëllimi i ca “palo komunistëve debilë”, ngjan tepër tragjikomik, ndërkohë që skenat idolatrike që i përkushtohen diktatorit, atë e mbushin me trishtim.

Pamja dhe mbi të gjitha, sjellja e zyrtarëve të shtetit shqiptar në këto ceremoni, atë e indinjon dhe njëkohësisht tërë atmosfera patetike i ngjan me ato dokumentarët propagandistikë shurdhues që transmetoheshin para shfaqjes së filmit, dikur nëpër kinematë e kryeqytetit, plot me Parti, Enver dhe dingas me suksese e luftë klasash.

Ajo nuk ka vuajtur Spaçin, as Qafë Barin, nuk ka qenë e përjashtuar nga Partia (por as anëtare)...e sërish i kujton të gjitha privimet, mungesat, kufizimet e asfiksinë permanente që gjeneronte sistemi...

Në shkollë portreti i Enverit, vjersha e Partisë, shalli i Pionerit.

Në shtëpi televizori me kanaçe të improvizuar për të parë “RAI”, këtë dritare fantastike për të njohur botën e ndaluar.

Si gjimnaziste e studente, ajo pati njohur fletë-rrufetë ala-kineze, sekretarucë rinie që të bënin gjëmën për një fund të shkurtër, një model flokësh a një këngë të huaj (jo revolucionare).

Në rrethin e familjarëve të saj, një djalë qe arrestuar vetëm përse pëlqente e dëgjonte Gianni Morandi-n (dhe këngën me të cilën jo rastësisht është titulluar ky shkrim...”Vedrai il mondo cambiera”, pra “Do t’a shohësh që bota do të ndryshojë”).

Luiza nuk mund të lerë pa përmendur sidoqoftë edhe grupet famëkeqe të “Kontrollit punëtor-fshatar” që linçonin në kuptimin e plotë të fjalës, në mes të bulevardit dikë për pantallona të gjera kauboj, ndokënd tjetër për flokët e gjata e një fatkeq të tretë, se u dukej “turi-borgjez”, cazë dekandent domethënë!

Por padyshim që ajo nuk mundet të harrojë edhe stërvitjet ushtarake, zboret e tmerrshme!

Triumvirati i çmendur komunisto-enverist atë kohë ishte pikërisht i mënxyrshmi: “Shkollë-Punë-Kalitje”!

Një trekëndësh i vërtetë i Bermudeve ala-marri sociopatike socialisto-enveriste, që përforcohej nga predikimet e pareshtura të komisarëve të sektorëve kurdoherë nëpër aksione e nga agjitatorët ushtarakë në zbore, sipas formulës magjike: “S’ka diplomë, pa kazëm e automatik”!

Për të ngrënë?

Bukë e citate nga fondi i pashtershëm i shokut Enver...

Djathi, veza, molla, gjalpi, mishi, ishin përherë me pikatore e po të rastiste njeriu me oreks dhe që rrjedhimisht të bënte gabimin fatal të ankohej...

E rrasnin në qeli ku fundja një copë bukë me ujë të ndënjur (në shoqëri me miushin besnik të burgut dhe morrat e dyshekut me kashtë)...ishte “e garantuar”, rradhë për tollonat njeriu nuk do mbante më e mësimet e Partisë, i dëgjonte gjithësesi me autoparlant 24/24.

Luiza pasi qe diplomuar, ishte caktuar mësuese në një shkollë të mesme të largët të malësive të varfëra të Tiranës.

Ajo flet dhe akoma sot e kësaj dite e kujton me dhimbje jetën e fshatit socialist.

Ishte disafish më e vështirë sesa në qytet!

Sipas përshkrimit të saj ende tepër të gjallë, fshatit atëherë i kishte rënë flama!

Ara të kolektivizuara deri tek ngastrat më të vogla.

Çdo hektar i kolektivizuar, bagëti kockë e lëkurë me stallat e varfëra të kooperativës malore që falë një organizimi pak të thuhet “perfekt”, s’jepnin as qumësht, as mish e as lesh!

...Se për lesh ishin katandisur të gjorët banorë humanë dhe shtazorë të atyre fshatrave!

Pula, pata, zogj të pakët e të tromaksur, të fshehur si ilegalë nëpër qilarë, sepse Ramos (kujton me një mprehtësi të admirueshme bashkëbiseduesja jonë Luiza, se në Shkodër gjatë viteve 80-ë, u bë shumë popullore kënga boshnjake “Ramo druzhe moj”, e cila ju bashkangjit emrit dhe veprës së Sekretarit të Parë të PPSH, shokut Ramiz Alia)...i pati rënë mendja që të shpikte arëza, tufëza, “mufkëza”, për t’a katandisur fshatin si mos o Zot.

Trokë, po fare trokë!

Ajo sido që të jetë sjell në mend me dashuri nxënësit e zbathur e me rroba me arna, që vinin në shkollë me barkun në protestë nga uria.

Një copë bukë e misërt ngjyer me shëllirë, plus ndonjë rrotë qepë, ndërsa për ditë feste, biskota 10 lekëshe me sherbet.

Kaq!

Bebe që rriteshin me qull e asgjë tjetër e që kur kishin ndonjë llokum 5 lekësh të futur në napë për t’a lëpirë, qe ditë e shënuar!

Gra të reja 20-30 vjeçare që punonin në ara, që ngarkonin drutë në shpinë e që thurnin triko ndërsa ecnin të kërrusura drejt shtëpisë ku i prisnin një qerre me kalamaj, pleqtë, burri, kunetërit e pamartuar, të gjithë të uritur dhe që ato duhej t’i ngopnin me 1 litër qumësht që merrnin tek dyqani i fshatit, ku njeriu thyente kokën, por ushqim nuk gjente.

Gra të reja të vyshkura, rreshkura, kërrusura, që ishin në lule të rinisë e që dukeshin si gjyshet e vetvetes!

Kishin hequr me direktivë Partie, kostumet tradicionale, që patën qenë pak të ngarkuar vërtetë.

Visheshin me tuta të zeza nën një fund me pala, me përparëse sipër e një napë të bardhë në kokë.

Me çfarë zbukuroheshin?

Po ja, një herë në vit bënin permanent flokët (“si nuse polici” e cilëson këtë krehje Luiza)...e në shtëpi ndonjë kanoçe “Coca-Cola” e ardhur kontrabandë nga shoferët e kamionëve TIR, që zinte vendin e nderit në bufe dhe ndonjë shampo e huaj e mbaruar që shërbente si stoli “e paçmuar” mbi arkën e pajës.

Luiza kujton shumë qartë frikën se mos dikujt i rrëshkiste goja dhe fjalia e papeshuar si për shembull: “S’mbushim dot plëncin me bukë”...mos vente gjer në veshin e operativit të zonës.

Frika ruante vreshtin e frika i bënte memecë të mëdhenj e të vegjël, burra e gra!

Por në shtëpitë e varfëra e me lecka, nuk mungonte kurrë një portret i madh i “Enverit që përshëndet” e ca vepra të tij...se njerëzia shqiptare bukë nuk kishte, por veprat e “Udhëheqësit” i blinte!

Kur lindte fëmijë, kur martoheshin të rinj, kur dikush e linte këtë botë, kortezia ala-diktaturë kishte rregullat e saj strikte.

Shëndeti i parë për Enverin, i dyti për Partinë...i dhjeti e më tej, për atë që kishte lindur, qe martuar apo që i kishte ngarkuar mushkat për Shish-Tufinë.

Në raste fatkeqësish, ishin të fortë ata që mbeteshin në këtë botë, se të fortë e kishin Everin dhe Partinë doemos!

Mësuesja e fizikës Luiza tregon sesi ishte organizuar jeta atëherë...një parrullë në murin e pallatit ku jetonte (“Të mbajmë lart frymën revolucionare” për shembull), një tjetër në kodrën e fshatit, plot parrulla cep e më cep rrugëve ngado që të veje, kudo që të rrotulloheshe.

“I gjithë populli ushtar”...”Ne në gojë të ujkut hedhim valle”...”Shqipëria shkëmb graniti”...”Kursimi detyrë patriotike”...pastaj të shtunat e Enverit, të dielat e Enverit, piramida e Enverit që plasën pas varrimit model koreano-verior të diktatorit.

Më pas kujtimet asaj i përplasen nga njëra rradhë në tjetrën.

Nga bidoni i vajgurit tek tullat e rradhës së qumështit, nga rradha e djathit tek ajo e sapunit, nga beteja për të blerë bukën tek përleshja për qesen e mishit.

E nuk ishte aspak më optimiste çështje kur vinte puna për t’u veshur njerëzia.

Për kanotiere e të brendëshme trikotazhi Korçe, rradhat ishin si të kishin dalë në dyqan peshq të sapozënë (gjë tejet e rrallë), të gjeje një pardesy, duhej të djerësije 7 palë këmishë, për çizme, syze dielli e bizhuteri, s’bëhej fjalë (konsideroheshin si “mbeturina mikroborgjeze”, por që ishin krejt normale për banorët e Bllokut e ata që u shërbenin).

Luks konsiderohej edhe një sapun duarsh “Lux”, një krem familjar “Nivea”, pale bizhuteritë...Çfarë?-Modë dekadente...”Të ha malli për Spaç zotrote”?!

Partia e donte gruan si burrë!

Një model i dyshimtë kostumi i qepur tek rrobaqepësja e lagjes, shkaktonte një reaksion zinxhir të tillë kritikash, gërr-vërresh, demaskimesh e përgojimesh, saqë nuk ia vlente t’i hyje fare asaj sipërmarrjeje.

Na tregon Luiza se kur i çoje fëmijët në çerdhe a kopësht, edukatoret kishin për detyrë t’u nxirrnin me “takt” tërë të palarat, “çfarë flasin mami me babin?”, “kush vjen tek ju?”, “ a keni festuar 8 nëntorin, po 16 tetorin?”, “a keni të afërm jashtë shtetit?”...etj, etj

Ishte sipas përshkrimit të saj, ishte praktikisht një jetë në kufijtë e së pamundurës!

Na thotë Luiza se: “Ajo që do doja të them, është që ai portreti i Enverit me buzën në gaz, që e kanë nxjerrë nga varri si edhe fantazmën e tij, më shtie krupën!...Mendoj së pari se kanë të drejtë të indinjohen, të fyhen, të revoltohen të persekutuarit politikë të regjimit, ata që provuan qelitë e torturave, ata që falën rininë, ata që u privuan nga liria, ajri, nga familjet e tyre.

Në këtë grup nuk përfshij vjedhësit ordinerë etj...Flas për ata të vërtetët, të heshturit e të diturit si i ndjeri Amik Kasoruho me shokë”.

Por Enveri, nostalgjikët e pashërueshëm, shpura e krimbur e enveristëve të kamur “evergreene”, asaj i shkaktojnë idiosinkrazi të thellë.

Luiza mendon se asnjë popull normal, nuk do t’a lejonte rikthimin e portret-dashësve edhe njëherë!

“Ka ligje që duhet të veprojnë”!- thotë ajo.

“Neve na dënonin për një këngë “Vedrai il mondo cambiera” dhe nga frika e regjimit se mos bota ku ata komandonin ndryshonte me të vërtetë, njeriu bënte 25 vjet burg për këtë  palo krim madhor”!-shton e prekur Luiza.

Në fund, para se të përshëndetemi, Luiza e mbyll me një fabul mjaft metaforike për të treguar sesi lugati-Enver, akoma jeton mes nesh...

...“Në një fshat ishte një Bé i famshëm për mizoritë dhe karakterin e tij të pashpirt.

Fshatarët kishin vite që i luteshin çdo ditë Zotit që t’ua hiqte qafe këtë njeri.

Një ditë prej ditësh, Beu ngordhi...

Mirëpo kishte lënë një testament ku thuhej se kur t’a groposnin, brezin duhej t’ia linin jashtë, mbi dhé...

Ky ishte kushti, këtu qëndronte edhe “bishti i dardhës” i kërkesës së tij post-mortem.

Nën-kushti ishte që kush e shkelte brezin e Beut të vdekur, duhej të varej në degët e rrapit madhështor që gjendej në qendër të fshatit...

Fshatarët ndërkohë, të lumturuar që Beun e lig nuk e kishin më nëpër këmbë, menduan se brezin nuk do t’a shkelnin e kështu puna me Beun ishte mbaruar, kapitull i mbyllur, ai nuk do t’u binte më në qafë, pra e pranuar mendjelehtësisht kushtin...

Meqë Beu ishte groposur në një pozicion të tillë strategjik, në një kryqëzim ku fshatarët nuk kishin nga t’ia mbanin ndryshe, pasi vetëm aty duhej të kalonin për të dalë e hyrë në fshat...shumëkush nga mos-vëmendja, nisi të shkeli brezin e flamosur...

Kështu lista e të varurve si pasojë e “brezit të Beut” nisi të rritej në mënyrë alarmante...

Atëherë fshatarët u mblodhën nën rrap dhe panë që kishin bërë një gabim të pafalshëm kur kishin pranuar kushtet e Beut, pasi po hiqnin më keq tani që ai kishte vdekur sesa më parë kur ende jetonte”...

PS: Për sa kohë që figura e diktatorit Enver Hoxha, megjithë brez, nuk groposet 7 pash nën dhé njëherë e përgjithmonë, eksperienca e vyer e këtyre fshatarëve të ngratë, do të na shërbejë si leksion edhe ne shqiptarëve...



(Vota: 13 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora