Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Salihu: Shkolla serbe e turke por jo shqiptare

| E premte, 30.05.2014, 06:59 PM |


LAJMËTARI (GAZETA) I STAMBOLLIT MË 1899 PËR KAZANË E PRESHEVËS

Shkruan: Xhemaledin SALIHU

Në Kazanë e Preshevës, vendbanimet kryesore janë: Presheva, Bujanoci dhe Bilaçi.

Presheva me 3.000 banorë është qytezë e pastër dhe e bukur  rrëzë Karadakut, por jo edhe larg hekurudhës. Ka pozitë të volitshme gjeografike, e cila shihet edhe nga hekurudha.Qyteza ka shume pemë, verës  duket si një kopsht me pemë.

Presheva është qendër administrative e Kazasë, ku është selia e guvernatorit/Kajmekamit në Mbretërinë Otomane/ dhe pushtetit tjetër. Sipas autorit S. Dim. në Preshevë jetojnë vetëm Turqit/ është fjala për Shqiptarët-autori/ dhe e teta pjesë e banorëve sipas këtij autori janë Jorgovcët, Cigan me besim ortodoksë./është fjala për Gjorgovcët , në veri të Preshevës, në të majtë të rrugës Preshevë-Rahovicë, te Mëhalla e Zallit, afër Mëhallës së Derrajve. Studiuesit shqiptarë dhe të huaj për Gjorgovcët thojnë se janë shqiptarë ortodoksë të serbizuar dhe që kanë folur gjuhën serbe/.Turqit kanë një Progjimnaz/shkolla turke Ruzhdije/.

Bujanoci me 2.000 banorë, jo shumë larg hekurudhës, në të majtë të Moravës. Pas Preshevës është vendi tregtar më i rëndësishëm dhe më i madhi në Kazanë e Preshevës, i cili ka më shumë se njëqind dyqane tregtare dhe zejtare. Përpara ishte nje fshat i vogël dhe i papastër.

Në Bujanoc ndodhte dita e pazarit çdo të hëne, kur  vinte krejt Kazaja, por vinin edhe nga Kumanova, Kratova, Gjilani, Velesi, Shkupi dhe Shtipi.

Bilaçi gjendet rrëzë malit Rujan, në lindje dhe ka pozitë të volitshme gjeografike. Në Bilaç ka disa dyqane tregtare dhe zejtare. Pos shkollës fillore turke, në Bilaç ekzistonte edhe një shkollë serbe katërklasëshe.

Vendbanimet tjera me rëndësi, në pjesën perëndimore të Kazasë së Preshevës janë: Rakoci, Lopardinca, Tërnoci, Levosoja, Zhunica, Rahovica, Zhbevci dhe Kërshevica, ndërsa në pjesën lindore disa fshatra të Bujanocit dhe të Tërgovishtes, kah Pçinja./Kazaja e Preshevës e themeluar më 1878 ka përfshirë edhe nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtës, pra edhe Manastirin e Pçinjës-autori/.Shumica e këtyre vendbanimeve në lindje kanë pasur të lejuara shkollat fillore serbe. Pra në Kazanë e Preshevës, për Shqiptarët nuk ka pasur shkolla në gjuhën shqipe, por këta janë dashur të mësojnë në shkollat turke apo serbe.

Popullata në Kazanë e Preshevës ishte shumë e vyeshme dhe punëtore. Ajo, pos bujqësisë dhe blegtorisë është marrë edhe me zejtari. Janë të njohur zejtarët e Preshevës që prodhimet e tyre i shitnin edhe jashtë Kazasë si dhe tregtarët që bënin tregti me qytetet fqinjë, me Selanikun dhe gjetiu.

Prej zejeve më së shumti kultivoheshin zeja e litarëve,e leshit, farkatar dhe e vorbave. Për autorin e kësaj gazete ndodh që secila shtëpi në Kazanë e Preshevës të ketë punëtori zejesh. Pos këtyre zejeve hasim edhe zejen e zdrukthtarisë dhe kacave.

Prej prodhimeve më së shumti mbillet gruri. Në Kazanë e Preshevës më së shumti ka arra, dardha, qershija, molla dhe kumbulla.Poashtu në perëndim, rrëzë malit Karadak dhe në lindje rrëzë malit Rujan, të cilët e mbështjellin Kazanë e Preshevës kultivohet edhe vreshtaria.Nga kafshët mbajnë dhe ruajnë dele dhe dhi.

Arsimi në Kazanë e Preshevës

Në Kazanë e Preshevës jetonin 30.000 banorë edhe ate sipas kësaj gazete Muhamedanë dhe Serbë ortodoksë, ndërsa popullsi tjetër nuk kishte. Kjo bie ndesh me studiuesin bullgar Vasil Kënçov, i cili sipas Sallnamesë  të vitit 1311/sipas Hixhrës/ thotë se në Kazanë e Preshevës jetojnë vetëm Shqiptarë/Arnautë/ Muhamedanë dhe Bullgarë, popullsi tjetër nuk ka.Po edhe shumë studiues të tjerë shqiptarë dhe të huaj, sidomos gjerman nuk e pranojnë këtë strukturë të popullsisë sipas kësaj gazete, sidomos gjermani  Han, austriaku Kanic e tjerë, për të cilët kam shkruar më herët.

Arsimi në Kazanë e Preshevës sipas autorit të këtij Lajmëtari ishte i përparuar. Po, për popullatën serbe dhe turke, ndërsa për popullatën shumicë shqiptare në Kazanë e Preshevës nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe.

Arsimi në Kazanë e Preshevës, me lejen e Sulltanit , 7-8 vitet e fundit, që nga viti 1891, u hapën nëntë shkolla serbe, në të cilat punonin 12 mësues me 400 nxënës.

Udhët më kryesore në Kazanë e Preshevës sipas autorit të Lajmëtarit të Stambollit janë: hekurudha, udha për Kumanovë dhe Shkup, udha për Gjilan, por nuk përmendet udha për Gjilan nëpërmjet Grykës së Konçulit.

Autori në Lajmëtar  të Stambollit shkruan edhe për veshjet dhe dasmat e Serbëve, ndërsa kurgjë nuk shkruan për veshjet dhe dasmat të popullatës tjetër në Kazanë e Preshevës.

Preshevë, më 27 maj 2014