Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kamerat e RAI-t, në bregdetin shqiptar për zbulimin e mrekullisë turistike të Evropës

| E diele, 22.06.2008, 12:03 PM |


Nga Gëzim Llojdia
    
Raiuno transmetoi ditën e shtunë, në emisionin “Lineablu” një reportazh të gjatë për vendet turistike të bregdetit jugor të Shqipërisë. Reportazhi ishte epiqendra e emisionit të Donatella Bianchi-t, në një ndër kanalet italiane të ndjekura nga miliona teleshikues.

Pamje magjepsëse nga ajri me filmime helikopteri dhe nga motovedat italiane. Raiuno, stacioni qendror i Italisë transmetoi të shtunën një reportazh të gjatë në emisionin “Lineablu” për jugun e Shqipërisë. I nisur nga Durrësi, me një histori për bregun dhe vendin që po del nga tranzicioni i vështirë, por me nje bregdet dhe bukuri mahnitëse, kamerat profesionale të Raiuno-s kanë zgjedhur të sjellin në një emision ndër më të shikuarit në ekranin e Raiuno, fqinjin e përtej detit, Shqipërinë. “Hotele dhe një bregdet që mund t’i kenë zili vendet e tjera” shfaq kamera. Më pas biseda me zv/ministrin e Brendshëm Genti Strazimiri. Bregdeti i Vlorës nga pamjet e helikopterit janë më të bukurat në botë. Donatella nga helikopteri i ka ardhur rretherrotull gadishullit të madh shqiptar, duke u nisur nga Sazani. Gadishulli i Karaburunit me detin blu nuk ka më pamje magjepse dhe më terheqëse. Shpella e Haxhi Aliut në veri, deti në Karaburun të afron kaltërsinë e thellësinë. Karaburuni krijon në të dy anët e tij pamje mrekullore për turistët. Bukuri shkëmbore e natyre. Shpella dhe gjire të famshme qarkohen përmes kësaj vije bregdetare të përthyer. Siluetat e tyre zënë e shfaqen që në rrugëtimin detar. Shpella e Duk Gjonit, Gjiri i Bristanit, gjiri i Gramit. Bregdeti i Karaburunit është shkëmbor. Një hapësirë përmes shkëmbinjve brenda në sterë. Në librin e dëshmive gjenden të dhënat e shpellës së Haxhi Aliut: gjatësi 30 m, lartësi10m, gjerësi 9.5m. Është një vendstrehim për anijet detare; i sigurt, i mbrojtur nga erërat dhe piratët e detit. Emrin e ka nga kapedani i detit, Haxhi Ali Ulqinaku, i cili u vendos aty me të birin me dy tartana në shekullin XIII. Për të mbrojtur brigjet shqiptare, ai përdorte strehimin e sigurt detar, me labirinte shpelle. Nga shpella u zinte pusi anijeve detare të Venedikut, Anglisë, Francës. Donatella, së bashku me nje biolog italian i bëjnë një vizitë shpellës së piratëve - vendit magjik.
Ishulli i bunkerëve/Distanca nga qyteti detar 17 km. Lartësia e ishullit kap kuotën 342 m. Sipërfaqja e ishullit shqiptar 507 km. Emërtimi Sazan. Në lashtësi njihet prej kohëve të hershme (V-VI p.e.s). Udhëtimi për në ishull kryhet me mjete detare. Nga të gjitha anët pamjet e ishullit të vetëm shqiptar shfaqen madhështore. Por hija e diktaturës ka lënë pengun e saj, bunkerët. Të shumtë dhe gjithandej, me të dhëna për raste sulmi dhe harta objektivash. Në kodrinën e ishullit, pallatet disakatëshe (mes të cilave shkolla) dhe heshtja që i ka pushtuar tashmë. Motovedeta ndalet në pjesën veriore të ishullit në të cilën gjendet edhe baza ushtarake e Marinës Ushtarake Italiane si dhe Guardia di Finanza, së bashku me një efektiv të vogël të policisë shqiptare. Në pritje janë dy automjete ushtarake italiane, të cilat pas nderimeve të rastit na shoqërojnë në komandën e ushtarakëve fqinjë. Kameramanët italianë rrëmbejnë aparatet dhe nisin punën. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit ndalet në barin e improvizuar në ishull për ushtarakët. Në këtë lokal, përveç pijeve të ndryshme shiten edhe materiale të tjera nga ato të konsumit, deri edhe parfume origjinale. Pas pak minutash mbërrin edhe gazetarja italiane së bashku me ambasadorin D`Elia dhe drejtuesin e Guardia di Financës për Shqipërinë. Pamjet e xhiruara janë një ndër reklamat më të mira që i bëhet bregut shqiptar në këto vitet e fundit. Ekipi i “Lineablu”, pas Karaburunit ka zbarkuar në qytetin antik të Butrintit. Rrugët e pastra, mrekullia e qytetërimeve të hershme është shpjeguese edhe për Klodin, shoqëruesin e Donatella Bianchi, gazetarës më të sprovuar të emisionit “Lineablu”. Janë hedhur me varkën, kanë zbritur në Xarë dhe tek stabilimenti i midhjeve. Biseda me shqiptarë që flisnin bukur dhe rrjedhshëm gjuhën e fqinjit. Pamje dhe vende intriguese, atraksione të pazbuluarar ka qenë edhe epiqendra e emisionit të Donatella Bianchi në kanalin italian më të ndjekur nga teleshikuesit. “Albania” tashmë po bën progresin e radhës dhe xhiron e vet nëpër ekranet më të mëdha televizie të botës. Edhe Raiuno me këtë reportazh mbresëlënës synonte të orientonte vizitorët drejt këtij vendi. Pamjet dhe përgatitjet pritet t’i sjellin Shqipërisë këtë verë rreth 2 milionë turistë.