Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Pellgje të hirta

| E enjte, 29.05.2014, 07:54 PM |


PELLGJE TË HIRTA

 

POEZI NGA PËLLUMB GORICA

 

NË DRITËN TINËZARE

 

Rrotulluar vorbullave të egra me mister mbështjellë,

fshehur pranë tokës me sytë e qelqtë në heshtje,

të zbrazët s’arrinim të shihnim as veten në shtjellë,

veç hapa zhgënjimi ku s’gjenim dot prehje.

 

Të çapëlyer gurët kishin ngulur kudo rrënjë,

shpirti i tkurrur endej reve nëpër natë,

me dhunë godiste fjala e dhimbjes së rëndë,

zhgënjimi na ndiqte nga pas gjer në shtrat.

 

Me duar të zverdhura shtrëngonim çastet

të shkulnim supeve peshën nga humbja,

vrundullonin kohë të largonim prej udhës hijet,

ëndërra të përdhunuara, ndjenja  me mijëra.

 

E dëshiruara erdhi si makina me flatra uturuese,

madhështia u fik në dritën tinëzare më pas.

Ajo përplitej nga shkrepëtima shurdhuese

dhe labirinteve u struk si lakuriq nëpër natë.

 

 

FRYMA JOTE  RREZE  DIELLI

Poetit Milanov Kallupi

 

Te Rrapi i Bezistanit prek i menduar lashtësinë

e dehem pa pirë në valë të kaltra Shkumbini,

nga larg ca hajke, Novi,seç më vijnë,

t’i mbaj në zemër si gjerdan të shtrenjtë rubini.

 

Ti vargjet shpesh i merrje qiellit,

me këngë prej kumërish i ndillje;

i vishje hera-herës me rreze dielli,

dhe si kopështar mes nesh i mbillje.

 

Ky trupi yt prej metafore,

gjithmonë një fjongo dashurie,

tashmë hesht si mal dëbore,

kujtesës i mbete themel mirësie.

 

 

PELLGJEVE TË HIRTA

 

Me nota këngësh i vesha ëndrrat e pathurura

në netët e gjata që kurrë s’më lenë të vdes.

Dhe rilindën me diellin mëngjese të bukura,

mes shtigje zjarresh që sytë mi ndez.

 

Ndër vite fryma u ngroh me dekoracione pritjeje,

s'më bëri të ngec në heshtje pa vlerë,

hapat i shpejtoji tutje shpirtit pa hije,

kur stina e re po vinte tërë erë.

 

Prej ikjesh kraharori mu mbyt i përlotur,

në shtëllunga hapësirash mori me vete largësitë

si lumi i rrëmbyer, mbushur me ujë të ndotur,

pellgjeve të hirta më pulsojnë dashuritë.

 

 

DIELLI ËSHTË PORTRETI YT

Sarandës

 

Në prehër të malit ke hedhur rrënjë,

një grusht dritare me sy perëndish,

si oaz i bukur në një qiell plot dritë,

shpirti të flladit veç ngjyrë kaltërsish.

 

Legjendë e lashtë dyzetshenjtorësh,

mes netësh grindesh me stuhitë,

ditëve puthesh me dashnorët,

dielli është portreti yt.

 

Trokasin ëndërrat në përqafim të ngrohtë,

melodinë e fjalëve në shpirt e përcjell larg;

si një sirenë qëndron mbi tokë,

në shpirtin tim, të gdhend varg.