Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Mesazh i fuqishëm

| E enjte, 29.05.2014, 07:58 PM |


VARGËZIM KARAKTERISTIK PËR FATIN E NJERIUT DHE TË ATDHEUT, SI MESAZH I FUQISHËM DHE FANATIK NË KRIJIMTARINË POETIKE

(Hajdin Morina: “Dhe unë rri me diellin”, poezi, botoi Shtëpia Botuese ROZFA, Prishtinë-2014)

Për ta zbërthyes si metaforë, “dhe unë rri me diellin” bashkë  fluturimin e erës në poezi, sikur të imponohet të shprushësh një imagjinatë, një mendim filozofik, një rrëfim stine, kohe, historie, apo një pjesë të jetës së njeriut, mbase të vetë poetit. Dhe, një gjë e tillë, na bëhet se e ka simbolikën e së mirës, shpresës por edhe të frikës për gjithçka. Po ashtu, kjo i ngjanë edhe trenit dhe binarëve, që reflektojnë ëndrrën, mallin, dhembjen e dashurisë, por edhe diçka që mund të largohet e të tretët dhe dot kurrë nuk mund ta zësh. Ky fenomen, i ngjanë edhe pritjes, ankthit e makthit përnjëherë.

NGA SEJDI BERISHA

Pesha dhe ngulmi i sertë poetik për ta gjetur rehatinë e përhershme njerëzore

Nëse është kështu, atëherë, autori i librit “Dhe unë rri me diellin”, Hajdin Morina, në këtë vepër ka kënduar e ka vargëzuar diçka të veçantë, e që ia ka thënë e regjistruar shpirti. Për këtë, dëshmojnë vargjet e strukturuar në tri kaptina” “Pema e dashurisë”, “Dritë arbëreshe” dhe “Fluturimi i erës”. Në këtë tërësi ciklike, mund të thuhet se, autori, çuditshëm dhe etshëm e nis rrugëtimin e vargut me poezinë “Një njeri më shumë”, ku thotë se ai shtohet atje, në hapësirën e dashurisë së zjarrtë, për të vazhduar me një sentencë tjetër si ekuacion deskriptiv me poezinë “Dhimbja e dhimbjes”, kushtuar poetit, Gjek Marinajt.

Duke shfrytëzuar, thënë kushtimisht, respektin dhe konsideratën ndaj peshës krijuese, autori, mjeshtërisht shfrytëzon mendimin e kompletuar dhe të thellë poetik për të na futur në “kurthin” historik dhe filozofik për atdheun, për Shqipërinë, që shërben si karrem për ta nxjerrë detyrimisht përgjigjen e lexuesit: “Cilin qiell e prekin/Degët e trungut tonë/, e për të vazhduar me këndimin karakteristik e alegorik, ndoshta për fatin e njeriut, ndoshta për fatin e tokës e të atdheut, duke i mbërthyer kështu epokat kohore dhe padrejtësitë e tyre në vargëzim, me mesazhin e fortë e të qëlluar të poetit fanatik në shprehje e mendime: “Jemi ngushtë/Eshtrat na janë mpirë/Eshtrat në trup/Eshtrat nën tokë”. Dhe kjo hartë e trembur dhe e hidhur historie, sikur e kërkon ndërgjegjësimin, këmbënguljen dhe përgjegjësinë e secilit, respektivisht të rrënjëve, trungut dhe të kurorës së atdheut, pra të njeriut, sepse: “A lundron Shqipëria/A kërkon lotët /A hisen e vet/Në tokë e në det”! Ndoshta, vetëm kaq mjafton për ta ngacmuar e provokuar thelbin e periudhave kohore, të rrugëtimeve historike.

Autori, në këtë vepër, për asnjë moment nuk shkëputet nga gjerdani i flaktë i tij poetik, i cili, kësaj radhe, ka jo vetëm frymë të re, por edhe vargëzim të stërholluar për çdo gjë që ia ka prekur e therë mendjen e shpirtin, mu sikur të donte të shkruante librin biblik të kapërthimit absolut të arsyes e të ndijimit, të temave që i ngjajnë vështrimit nga këndi i ngjyrave të jetës, apo nga përrallat për ylberin e që përmallshëm  kombinohen me rrezet e diellit dhe freskohen me ujin e lumit, apo të lotit si metaforë. Por, ku ta dimë e ta lexojmë deri në fund ne mendjen e krijuesit, apo mesazhin e fortë të vargut të tij. Për këtë, ai, si përnjëherësh këndon për fluturat e shpirtit të bardhë të fëmijëve, për buzëqeshjet dhe ëndrrat e tyre, për mjegullat që rëndojnë nga legjendat, apo, përmes formave të ndryshme të alegorisë dhe të qortimit, siç është rasti tek poezia “Kur i erdhën mendtë”, duke “u kënaqur duke bërë përralla e gremina/Duke hapur varre/Duke pakësuar djepat e dheut” etj.

Dhe, duke ecur e ecur me vargun, poeti sikur e bezdisë atë, e vargu sikur e çmend poetin, dhe kështu, krahas njëri-tjetri, ecin guximshëm dhe krenar nëpër teh të jetës, e cila, në këtë mënyrë, sforcon ndijimin me borxhet e dashurisë në të katër cepat e mendjes, duke dashur kështu t’i kapërthejë të gjitha synimet mbase edhe ëndrrat, të gjitha ecjet, që nganjëherë njeriut i kanë ikur boshe. Por, të tilla, ndoshta i kanë ikur edhe poetit për shumë arsye, kurse, tash janë peshë dhembjeje, janë kujtim i cili kërkon të thotë gjithçka dhe sërish të shndërrohet në çerdhe kujtimi për të grumbulluar edhe “legjenda” të tjera rrugëtimi të jetës. E, edhe pse dhembin e përcëllojnë, ato plagë jete, gjithnjë shndërrohen në rrëfime të ëmbla e të ngrohta, që gjithsesi, autori i konsideron si begati dhe lumturi të jetës. Ato, nuk e zvetënojnë as ditarin as kalendarin e ecjeve nëpër trakullima: “Sonte më 31 dhjetor/Më është mbushur shpirti/Me përmallim hyjnor”, ose: “Kam mall ta shoh sonte Nanën/Diku në ndonjë 31 dhjetor/Tek u shtron fëmijëve sofrën e Vitit Ri/Me pak ushqime njerëzore/Me plot dashuri hyjnore”.

Me vargëzimin e tillë, autori me vargje bën pikturë madhështore, dhe atë e sforcon dhe e shndërron si hartë të atdheut dhe të kombit, historia e të cilëve është tregim e rrëfim në vete, ndoshta dikush do të thoshte, edhe sot e kësaj dite i pa definuar deri në fund! Edhe nëse nuk është kështu plotësisht, por vargjet shpërthyese imponojnë kthimin e kujtesës nëpër data, periudha, momente të kohërave jo edhe aq të favorshme, por që janë edhe krenari, edhe vuajtje edhe përmallim e gëzim hyjnor.

Ligjërimi duke shprushur jetën, poetin e katandisë, e shkapërderdhë përmes pemës së dashurisë, e cila reflekton metaforën e rrallë e të fuqishme për kalvarin shumëngjyrësh të qëndresës e të përplasjes e përgjakjes së një populli. Pemën pra, jo vetëm të dashurisë, e ka si beden të stoicizmit, durimit, të kujtesës dhe të rrëfimeve përherë të pa zvetënuara për rrënjët, trungun dhe kurorën e etnikumit, të cilët faktorë kurrë nuk i ndanë, edhe pse shpeshherë janë dëmtuar, lënduar e përdhunuar: “Pemës së dashurisë/Sa herë ringjallej/Ia vinin flakën/...Ia vinin flakën/Shqiptarit/Dhe fjalës në letër/Që të mos ringjallej/Pema e dashurisë/Për Shqipërinë”!

Andaj, tërë këtij labirinti të llahtarshëm, poeti nuk ia ka dronë, sepse, tradicionalisht, nëpër mote e shekuj, e as sot: “As vjeshtë e verdhë/E projekteve moderne/Nuk ia shkund gjethet/Pemës së dashurisë/Të ringjallur në shpirt” (Poezia: “Pema e dashurisë”).

Kur lirisë, kur njeriut diku i dhemb…

Është për ta veçuar, se autori në këtë vëllim poetik, që karakterizohet edhe me poezi të shkurtra, këndimin e ka aq të sertë, sa që, po ta analizojmë  kohën dhe momentin e zbritjes dhe ngritjes nëpër shkallët e vargëzimit, jo rrallë, del se ai e ka mendimin, mesazhin dhe metaforën të “brumosura” me “meseletë” e mendimit të mprehtë intelektual dhe filozofik, dhe se, kështu na mbanë “zvarrë” nëpër qartësimin e mendjes për kohën dhe jetën, kuptohet, gjithnjë në vazhdim. Pikërisht për këtë, autori sikur na thotë: “Me flakën e dimrit të historisë/E kam mbajtur gjallë zjarrin në vatër/Kur çatia bëhej shoshë nga shiu gri/Në dimrin ballkanik me katër stinë”.

Të kësaj natyre, pothuaj se janë pjesa dërmuese e poezive në vazhdim, të cilat, nganjëherë, duken apo i ngjajnë lëvizjeve të pastudiuara të kozmosit, për çfarë, autori thotë: “Një poezi çfarë dua/Nuk arrij ta bëj dot/Nuk gjej fjalë/Nuk gjej metaforë”. Dhe, kështu të tretë e të sorollatë nëpër dritën dhe errësirën e rrugëtimit, për ta gjetur rehatinë e përhershme njerëzore, e cilat pikatet në shumë vargje, në mënyra e forma të ndryshme, sepse: “Kur lirisë kur Atdheut/Diku i dhemb/Dëshmorët kanë dhimbje/Në çdo pëllëmbë të plagës/Në çdo krua të gjakut”...

Këtë vrapim vargjesh e hasim edhe në ciklin “Dritë arbëreshe”, ku autori, edhe këtu gjendet dhe shëtitë si engjëll, i cili shpërndanë e kërkon lumturi, por për asnjë çast nuk e harron të kaluarën as historinë: “Në fortesat e fjalës/Shprusha këngët e moçme/Jam gjallë atje”! Për këtë arsye, tek poezitë, “Stina e gjakut tim”, “Sytë e Ulpianës”, “Ujqit e vjetër” etj., vargjet sikur nganjëherë shndërrohen në “gijotinë”, e cila nuk prenë koka, por këputë rrugë të këqija dhe hapë shtigje jete. Kështu që, poeti ligjëron e thotë bukur: “Sa herë pakësoheshim/Ujqit shtoheshin, ose: “Mos se këputet dega/Mos se thahet rrënja/Lisi bëhet më i lehtë/Trungu bëhet më i hollë”.

Poezia, zakonisht, por edhe gjithnjë, bëhet dhe këndohet lirshëm, mirëpo, si e tillë, ndonjëherë i ngjanë edhe bekimit edhe urimit, që nënat ua kanë bërë dhe ua bëjnë fëmijëve, e në këtë vepër, këtë madhështi nëne, poeti, qëllimshëm ua atribuon dhe ua dedikon, ndoshta edhe me peshë amaneti, lexuesve dhe opinionit për besnikërinë, për njerëzinë, unitetin e për bashkimin në logun e jetës dhe të dritës, atje ku forcohet themeli dhe ku përjetësisht punohet që shtëpia të mos lëkundet dhe as të mos rrënohet kurrë më, sepse, poeti thotë se janë ngjitur eshtrat me gurë dhe janë bërë një...!

Në këtë aspekt, në veprën, “Dhe unë rri me diellin”, i vërejmë, i prekim dhe i shohim periudhat kohore, duke i konsideruar me të drejtë këto fenomene si ritakime pafund, qoftë në Dyrrah (Durrësin e lashtë), qoftë në Amfiteatrin këtij qyteti, qoftë në Apoloni, qoftë në Siparunt, tek Drini i Bardhë, qoftë në Dardani e në Gërmi e në shumë e shumë qytete e vendbanime të tjera antike e iliro-dardane. Edhe nëse sot gjërat duken ndryshe, e moçmja nuk ndryshon, gjuhën e ka kufi. Ngase, siç na përkujton autori: “Këtu e paskam djepin/...Këta gurë të mëdhenj/I kam rrënjë”.

Hajnin Morina, për kah natyra duket i qetë, flet pak ose duket i heshtur, jo që nuk di dhe nuk ka aftësi. Përkundrazi, e tërë kjo veti njerëzore e tij, brendapërbrenda ka thesar e madhështi, të cilat gjëra ua dedikon dhe ua dhuron të tjerëve. Për këtë arsye, në asnjë moment nuk e pëlqen dhe as nuk e preferon fundin, mbarimin dhe as mbylljen e syve, sepse, atëherë, siç thotë, “Shembën trarët e territ/Mbi kurrizin tim”...

Qëndrimi njerëzor, shpresa dhe triumfi i poetit

Kjo veti, apo ky qëndrim kaq njerëzor, e nderon por edhe e stolisë poetin në çdo varg, në çdo poezi, sikurse edhe në veprat tjera të tij. Pra, “Dhe unë rri me diellin”, duke u shoqëruar me “fluturimin e erës”, ka një simbolikë të dritës, të jetës e të qëndresës në të gjitha situatat. Andaj, sa bukur tingëllojnë optimizmi dhe madhështia e H. Morinës, kur thotë: “Më vjen Era ime/Ma lë fytyrën në dhomën numër 7 të spitalit/M’i lë buzëqeshjet m’i lë sytë/Fli babi unë vij sërish”...! Dhe, si duket, i tërë cikli “Fluturimi i erës” i këtij libri përfshihet mbase edhe sikur rrëmbehet me vargjet, që autori i ka stolisur me dhembjen e shpirtit, në një periudhë kur ai veten e konsideronte si mohikan të mundur, kush e di se nga çfarë, apo nga sëmundja! Pikërisht, në këtë pjesë libri, zënë vend vargjet pikante të mallit e dhembjes por me besimin dhe me kokëfortësinë e shpresës dhe të triumfit.

Me poezitë “Flia e nënës”, “U sëmura”, “Pas operacionit”, “Nënën nuk e pata”, “Puhiza e shpresës” etj., ose, në këtë këndim me vargje të shkurtra për rrugët e zorshme dhe të gjata, por edhe të ngarkuara me gjithçka që e bëjnë dhe e rëndojnë jetën, autori, nuk lë as nuk kursen skutë të mendjes pa e zbrazur dhe shkundur nga dhembjet dhe kujtimet e hidhura por edhe nga triumfalja. Për këtë arsye, në këtë rast, pesha e vargëzimit ka kuptim dhe domethënie të veçantë, që ndonjëherë, përkrah të gjitha tjerave, na i detyron apo na i imponon edhe lotët, që nuk është gjë tjetër veçse fuqi e rrallë e këndimit poetik, që është reflektim edhe i peshës madhore të njerëzores. Pra, ai me gjithë ngarkesën shpirtërore që ka në këtë situatë, prapëseprapë nga trimëron: “Me puhizën e shpresës/Mundohesha të mos shkrumboheshin/Ato pak oaza gjelbërimi".

Dhe pas kapërcimit të lumit në mes jetës dhe vdekjes, nëse mund të thuhet kështu, autori sërish na “bezdis”, ose më mirë për të thënë, nuk ka lë rehat me atdheun, me vatanin, i cili, këtë çështje prapë e shtjellon idhëshëm: “Me shekuj ju kanë prerë/Atdheu të mos kishte rrënjë/Trungjet dhe rrënjët tuaja/Nuk e ndryshuan ADN-në”. Në këtë kontekst, përveç tjerash, e vërejmë edhe largpamësinë e autorit për pastërtinë e tokës, të dheut dhe të njeriut tonë. Dhe, me plotë arsye vargëzon: “Prandaj unë rri me diellin”, me të cilin varg dëshiroj edhe ta përfundoj këtë analizë libri për veprën me poezi që mbanë  edhe vetë titullin, “Dhe unë rri me diellin”, të autorit, Hajdin Morina, e cila, padyshim se e ka një veçanti artistike dhe qasje të vlerave poetike letrare, dhe si e tillë zë vend dhe begaton vlerat letrare kombëtare.