Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shoqata Antikomuniste: Deklaratë për shtyp

| E merkure, 28.05.2014, 07:33 PM |


Deklaratë për shtyp

Zërat e korbave të zinj kanë filluar të këlthasin përsëri në kaskierën politike shqiptare. Përfaqësuesit e rinj  të një force politike, siç është LSI-ja, që pretendojnë se kanë qenë në rradhët e atyre studentëve që u ngritën për përmbysjen e regjimit totalitar komunist, në dhjetorin e vitit 1990, kanë marrë flamurin e ringjalljes së atij sistemi gjakatar dhe të figurës së diktatorit më të urryer që ka sunduar në vendin tonë.

Figura të njohura të kësaj force politike, si Ilir Meta, Luan Rama, të shoqëruar edhe nga  Gramoz Ruçi e kompani, janë parë të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore kushtuar të ashtuquajturit  Kongresi i Përmetit, një nga faqet më të errëta të historisë së luftës së popullit tonë për liri. U panë duke folur para portreteve të diktatorit të përmbysur nga populli shqiptar më 20 shkurt 1991. U panë duke folur në prani të brohoritjeve të ekzaltuara të një turme te indoktrinuar “veteranësh të luftës” ku, më i madhi prej tyre, në atë periudhë as që kishte lindur fare.

Pamje të tilla u shfaqën edhe para tre javëve në ceremonitë e zhvilluara me rastin e së ashtuquajturës ditë e dëshmorëve. Njeri prej tyre, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço u pa të përulej me hipokrizi para portretit të diktatatorit. Hipokrizia arriti kulmin kur një grup fëmijësh ishin instruktuar të nderonin me grusht para varrezave të të rënëve, me nderimin simbol të pushtetit komunist.

Ne, ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë, u themi atyre pinjollëve të regjimit totalitar, se koha e tyre ka perënduar, se koha që gëzojmë është koha e jonë, se ne jemi sakrifikuar për këtë sistem që gëzojmë sot, se fitoren tonë e kemi larë me gjakun e mijra martirëve të rënë në luftën kundër komunizmit. Fitimtarët jemi ne, kurse ju jeni humbësit. Juy keni perënduar së bashku me sistemin që kishit gatuar. Të vdekurit nuk mund të ringjallen më.

Ndaj u themi: Hiqni dorë nga veprimet tuaja të mbrapshta! Shkëputuni nga mentaliteti komunist dhe kthehuni në një forcë të  vërtetë Europiano-Perëndimore, siç janë gjithë partitë simotra të vendeve demokratike! Përndryshe fundi i juaj nuk do të vonojë. Duhet të keni parasysh se Europa Demokratike nuk mund të pranojë kurrë, në gjirin e saj, individë të sëmurë nga flama komuniste. Ndaj, mos harroni! Po vazhduat në këtë rrugë, të vdekurit që ju kërkoni t’i ringjallni do t’ju marrin me vete.

Mos na harroni neve! Ne do të luftojmë me të gjitha forcat  për të ruajtur rendin demokratik dhe sistemin kapitalist që po ndërtojmë. Ne kemi përkrahjen e pjesës më të shëndoshë të popullit shqiptar që dëshëron një Shqipëri moderne, ku çdonjeri të zgjedhë rrugën që dëshiron dhe të mos e shikojë tjetrin si armik, ku historia të shkruhet ashtu siç ka ndodhur dhe jo sipas interesave të disave. Për një Shqipëri ku të sundojë parimi i demokracisë perëndimore

Nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë.

Tiranë, më 28 maj 2014