E enjte, 25.04.2024, 09:15 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Isa Mustafa: Vetëm LDK mund ta ndalë degradimin

E merkure, 28.05.2014, 06:59 PM


Mustafa: Vetëm LDK mund ta ndalë degradimin e shtetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në hapjen e fushatës për zgjedhjet e përgjithshme, ka thënë se vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës mund ta ndalë trendin e degradimit të shtetit dhe të ofrojë zhvillim, punësim dhe shtet ligjor për qytetarët e Kosovës.

“Vetëm Lidhja Demokratike e qytetarëve atdhetarë, të ndershëm e punëtorë, mund ta shpëtojë Kosovën nga degradimi, nga krimi i organizuar, nga korrupsioni, nga varfëria, nga papunësia. Ju uroj këtë ditë të rëndësishme të fillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Është kjo ditë nga e cila do të fillojnë procese të reja e të mira për Kosovën; për fitoren e qytetarit; për fitoren e familjeve tona, kjo është Ditë për fitoren e Lidhjes Demokratike dhe të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se LDK po niset sot për ta bërë atdheun tonë Kosovën, një vend të drejtësisë, një vend ku sundon ligji, dhe jo një vend ku sundohet ligji.

“Një Kosovë e fortë e demokratike e ndihmon një Evropë të fortë. Ne jetojmë në Evropë dhe duam të jemi pjesë e vendimmarrjes evropiane. Lidhja Demokratike e Kosovës para dy viteve është bërë anëtare vëzhguese e Partive Popullore Evropiane. Kosova me Lidhjen Demokratike në krye, do të përmbushë kriteret për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nga ky tubim u urojmë fitoren Partive Popullore Evropiane për deputetë të Parlamentit evropian. Kjo fitore është edhe fitore e jona”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se familjet kosovare janë të brengosura për bijat dhe bijtë e tyre të papunë; pensionistët ankohen se u janë shkelë të drejtat e tyre elementare; bizneset thonë se qeveria po i ndëshkon për ta mbushur arkën; të sëmurit thonë se shpenzojnë mbi 40 milionë euro për të kërkuar shërim jashtë vendit; nxënësit e studentët thonë se qeveria e Thaçit mund t’u premtojë shkollim pa pare, por se shkollat dhe fakultetet atyre nuk ua ofrojnë dijen për ta ndërtuar ardhmërinë e tyre.

“Unë ju garantoj juve, qytetarë të nderuar se qeveria ime do të punojë vetëm për ju, se LDK do të qeverisë për qytetarin, do të punojë të zhvillohet çdo pjesë e këtij vendi pa dallim, veriu e jugu, lindja e perëndimi. Në qeverisjen tonë njerëzit do të trajtohen njëjtë”, ka shtuar kreu i LDK-së.

Ai ka thënë se vetëm LDK e ka fuqinë dhe do ta ketë mbështetjen qytetare më 8 qershor, për ta hequr qafe këtë qeveri që dërmoi Kosovën dhe që ia nxiu emrin e mirë që kishte fituar me mund e sakrifica, kur populli i Kosovës udhëhiqej nga Presidenti Ibrahim Rugova.

Përballë kësaj situate degraduese, LDK dhe ekspertët e saj eminentë, kanë përgatitur një plan zhvillimor për dy mandate nga katër vjet, ku parashihet një rritje e mbështetjes financiare për zhvillimin ekonomik, heqjen e barrierave burokratike dhe krijimin e shumë lehtësirave.

Mustafa ka potencuar se së pari ne do të punojmë intensivisht që ta rrisin buxhetin e shtetit në 2.5 miliardë euro, nëpërmes luftimit të ekonomisë joformale, luftimit të korrupsionit, kontrabandës në kufi, zgjerimit të bazës tatimore, krijimit të prokurimit elektronik, zvogëlimit të parkut të automobilave qeveritar etj.

Pasi ta rritim buxhetin do të investojmë për katër vite në bujqësi rreth 1.2 miliard euro dhe vetëm në këtë sektor do të krijohen 120 mijë vende të punës, duke përfshirë edhe industrinë përcjellëse ushqimore.

Ndërsa përfaqësuesi i Partive Popullore Evropiane, Mikulash Dzurinda, në tubim zgjedhor të LDK-së ka thënë se PPE ka dëshmuar edhe një herë të jetë forca udhëheqëse në Evropë, duke fituar zgjedhjet e Parlamentit Evropian fundjavën e kaluar, dhe unë besoj se edhe LDK-ja do të dalë fitimtare në zgjedhjet e ardhshme.

“Ashtu si shumë herë më parë, duket se ju jeni, si shoqëri, në një udhëkryq. Nuk janë sfidat në të ardhmen që mund të duken vështirë për tu kapërcyer. Por unë jam i bindur se LDK-ja ka kapacitet për të qenë forca lëvizëse për ndryshime pozitive dhe të bëhet një shtyllë e vlerave evropiane”, ka thënë eurodeputeti Dzurinda.

Ai ka shtuar se familja jonë politike, familja PPE, të cilës LDK-ja i takon, ka qenë gjithmonë pro-evropiane. “Të dashur miq, LDK-ja, si një anëtar i çmuar e PPE, garanton të ardhmen më të mirë për qytetarët e Kosovës. Një ditë në një të ardhme jo aq të largët, unë sinqerisht shpresoj se ne mund të vazhdojmë për të shkruar historinë evropiane së bashku, dhe për këtë duhet të jeni të sigurt se gjithmonë mund të llogarisni në mbështetjen e familjes PPE”, ka thënë eurodeputeti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora