E premte, 19.04.2024, 02:50 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Vulgariteti i telepromocioneve agresive!

E hene, 26.05.2014, 06:30 PM


Vulgariteti i telepromocioneve agresive profane!

Nga Elvi Sidheri

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit modern shqiptar, teksa i madh e i vogël, pa dallim feje, krahine e ideje në atdhe e jashtë tij nëpër trojet shqiptare, bëhej gati ose gjente mënyra origjinale për të kremtuar 28 nëntorin 2012, një telepromocion fantazmagorik, shfaqej përditë diku para edicioneve të lajmeve, në shumë televizone shqiptare...

Ishte kush tjetër përveç “Medobil-it”!

Sepse që thoni ju o të nderuar lexues, ky produkt mrekullibërës, mënjanë që ua fironte kilet, dhjamërat dhe celulitin apo flashkjen e tepërt muskulore përdoruesve të tij, vetëm falë një çaji të thjeshtë, pati marrë përsipër edhe që të “nderojë” tejet origjinalisht, festën tonë më të madhe kombëtare në atë kohë...

Kështu, një prapanicë e dhjamosur, si pa të keq dilte disa herë në ditë në ekranet shqiptare, duke patur në sfond përherë përgjatë një periudhe jo të shkurtër kohore para dhe pas 28 nëntorit të 100 vjetorit të pavarësisë...flamurin tonë kombëtar me shqiponjën dykrenare!

Fundja, pse ore, ka respekt më të vlerësueshëm për një kremtim të tillë madhor, sesa kilet e humbura potencialisht të dhjamit të asaj të pasmeje bullafiqe, të shoqëruara me një pasion nacionalist të padyshimtë, nga pamja e flamurit tonë kuq e zi?

Ja pra...edhe festë...edhe byçë...edhe dhjam i tretur...dhe ”Medobili” që ua uronte kështu festën gjithë shqiptarëve duke ua mbivendosur atë fundshpinë të dhjamosur gjigande, direkt përmbi simbolin më të çmuar kombëtar!

Po çfarë i bie gjithësesi të jetë ky Medobili?

Citojmë tekstin e promocionit në fjalë: “Duke ju falenderuar Medobilit, s’ka “fryerje” të barkut...”!

Thënë ndryshe, duke përdorur  versionin origjinal siç duket të mënyrës sesi mendon kush e ka shkruar një çorbë të tillë derrash sa gjuhësisht, aq edhe sa i përket vetë produktit të lartpërmendur: “Zahvaljuju?i Medobila”...

Kjo për shkak se të mendosh dhe të formulosh idetë në serbisht apo maqedonisht e më pas të mëtosh të flasësh ose shkruash në shqip, së paku tingëllon si cazë komike...edhe fyese për gjuhën tënde për më tepër apo për veshët ose sytë e shikuesve të ngratë.

Kjo “Fryerja” e  barkut pastaj përbën vetëm një nga detajet e shumta të gjuhës skandalozisht jashtë tërë normave të sintaksës shqipe, që përdoren jo vetëm në këtë telepromocion, por edhe tjetërkund.

Kthehemi sidoqoftë tek të ashtëquajturit “efekte” të jashtëzakonshme dhe të padëgjuar të këtij “Medoblit”...

Ku është parë ndonjëherë more njerëz, që thjesht duke pirë një çaj, sado veti të “magjishme” të posedojë ky i fundit, që një person të humbasë 18-15 kg brenda 45 ditësh e kjo të ndodhë pale edhe në mënyrë të shëndetshme?

“In your dreams”...do thoshin amerikanët!

“In your worst nightmares”...në makthet tuaja më të tmerrshme, do shtoja unë!

Në të vërtetë është absolutisht e kundërta e këtyre pretendimve Medobilase telepromociouese.

Organizmi i njeriut, me këtë rënie drastike në peshë jo vetëm që dehidratohet me shpejtësi të pakufijshme frikshëm, por mbi të gjitha ai nëpërmjet humbjes së lëngjeve vitalë (jetësorë) e të kripërave minerale, humbet para së gjithash masë muskulare.

Masë e cila flashket e dobësohet duke humbur tonusin dhe elasticitetin e turgorin (fortësinë) normal.

Së dyti humbet masë kockore duke dobësuar krejt sistemin skeletik me pasoja të parikuperueshme.

Organizmi pëson përmes kësaj të ashtëquajture “terapi dobësuese” një dëm të pallogaritshëm duke shkuar me galop drejt plakjes së parakohëshme me pasoja fatale për shëndetin.

Për t’a thënë paksa më shkoqur pra, nëse vërtetë dikush dëshiron që të humbasë 18 kilogramë në 1 muaj e gjysëm, atëherë do të ishte më e këshillueshme që të hynte në grevë totale urie, ose që të bënte ndonjë xhiro të shëndetshme për në Aushvic apo Birkenau, për të shikuar me sytë e tij sesi fironin me të vërtetë e vyshkeshin përditë hebrejtë e ngratë në ato kampe shfarosje si pasojë e trajtimve çnjerzore dhe lënies së vazhdueshme pa bukë...

E tani e ka rradhën “Shot for slim”!

Po more, pse e harruam gjë?

Se në të vërtetë kur dëgjoj për zemrën e “Artiçokës” dhe kur shikoj rëndom nëpër televizionet tona ato vajzat që gjallë në botë se e kam marrë vesh se nga janë me origjinë së pari, ndërsa nuk kam asnjë dijeni nëse ato kanë qenë realisht mbipeshë siç tregojnë ca foto të cilat fare mirë mund të jenë “prekur” e rregulluar me photoshop, kur sodisja ato topat e dhjamit që thuhet aty se i kanë humbur këto gocat pas “Shot for slim-it”...atëherë ide subversive më vinin në mendje...

Lëre që supozoj se shumëkujt mund t’i ketë vajtur ndërmend fakti që mund të jenë edhe modele apo vajza të paguara thjesht për të thënë ato që u mësojnë prodhuesit e këtyre produketeve dobësues e asgjë më tepër.

“Shot for slim” është njëçikë më modest në pretendimet e veta sido që të jetë.

5-6 kile në muaj humb njeriu sipas tyre, ngaqë kjo Artiçoka hamendësohet se e shkrin dhjamin si me magji.

Por ndërkohë, në të njëjtin telepromocion televiziv, në të tjera raste pretendohen të humben edhe 2.5 kg brenda tre ditëve (sipas dëshmive telendisëse të kavieve njerëzore, që flasin edhe shqip nganjëherë, të cilët/cilat kanë pranuar ndoshta, që t’i nënshtrohen këtij eksperimenti pseudo-trajtim dobësues)...

Gjë kjo që do të ishte në botën reale dhe jo atë surrealen inekzistente të reklamuesve të këtyre produkteve, thjesht antihumane!

Sepse humbja e peshës në këtë mënyrë, është disproporcionale.

Organizmi njerëzor rrezikohet seriozisht nga një rënie e tillë drastike në peshë, e modelit të “10 kg për 1 javë e gjysëm”!

Kur prodhuesit dhe promovuesit e këtyre produkteve gërthasin se ky lëng mrekullibërës djeg me shpejtësi dhjamërat, ata “harrojnë” që ai njëkohësisht djeg dhe shpartallon me themel edhe vetë muskujt e kockat.

Shkatërron indet e organet, ndërhyn në proceset metabolike duke dërrmuar njëherë e mirë raportin asimilim-disimilim (Metabolzmi përbëhet nga dy procese, “Asimilimi dhe Disimilimi”...Asimilimi përbëhet nga marrja, thithja në organizëm e lëndëve ushqimore, gjithçkaje që hamë, kurse disimilimi do të thotë përpunimi dhe shpërbërja e këtyre materialeve brenda organizmit).

Kështu rëndohet e dëmtohet puna e sistemit kardiovaskular (zemra dhe qarkullimi i gjakut), ai tretës, nervor, renal (veshkat)...duke goditur rëndshëm dhe kompromentuar thellësisht funksionimin e tyre.

Në përgjithësi tërë këto produkte publicizohen kohë e pa kohë dhe janë të shoqëruara me një gjuhë banale jashtë çdo rregulle të gjuhës shqipe, me gabime elementare drejtshkrimore dhe pasqyrojnë artikuj fare pak të besueshëm, aq më pak të sigurtë ose të pranueshëm bazuar tek të dhënat që rreken të paraqisin para publikut.

Po të ndalemi sërish tek rasti “Medobil”...

Kush na garanton se ky produkt është prodhuar në ambient të sigurt, konform kritereve më të mira të BE?

Kush garanton se formula e përdorur është e aprovuar nga strukturat kompetente përkatëse dhe që nuk e dëmton atë që e përdor një produkt të tillë?

Kush garanton që modelet e paraqitura aty janë kthyer vërtetë në formë pas marrjes së “Medobilit”?

Askush pikërisht!!

Dëshmitarët e vetëm që shfaqen në publicitetet e këtyre firmave fantomatike, janë ose njerëz që duket sikur janë paguar për të thënë saktësisht atë që do firma prodhuese që të dëgjojë prej tyre publiku potencialisht blerës, ose persona të panjohur që duket sikur po recitojnë para skuadrës së pushkatimit, ose ndonjë prezantuese televizive maqedonase (sllave) për Medobilin, që në Shqipëri mënjanë ndoshta zonës minoritare të Liqenas-Pustecit, s’e njeh askush, ose mjekë të panjohur që pretendohet të jenë amerikanë, australianë, marsianë, hënorë, alienë apo ku e di unë se çfarë?!

Doktori amerikan të themi James Hollywood (kush e njeh?) dëshmon se ky produkti është shumë i efektshëm!

Kush është ky njeriu?

Ku e dimë neve që është doktor dhe jo për shembull tornitor?

Ose edhe aktor porno, rojtar burgu të sigurisë së lartë, veteriner pse jo?!

Ndonjë diplomë nuk shfaqet asnjëherë, asnjë copë dëshmi e vetme që të tregojë qoftë edhe largësisht se këta njerëzit (zakonisht të huaj) që nxirren për të autentifikuar efektet e habitshme të mrekullueshme të Artiçokës Shot for slim, Medobilit etj, etj, janë të vërtetë, profesionistë të fushës për të cilën flitet për më tepër.

E dini si është puna?

Unë kur shikoj për shembull Claudia Schiffer që guidon një makinë gjermane në një publicitet të njohur, e di shumë mirë se ajo është paguar majmërisht për një gjë të tillë...

Por në të njëjtën kohë, në këtë publicitet mua askush nuk ka marrë përsipër të më thotë largqoftë se Claudia e bukur dhe sensuale, me sytë e saj blu dhe lëkurën e bardhë borë e flokët e gjatë biondë që i derdhen si ujëvarë mbi shpatulla...është edhe specialiste makinash apo mekanike me profesion!

Ky lloj publiciteti normal, mua dhe shikuesve të tjerë, synon të na bëjë të “dashurohemi” me markën në fjalë të automobilëve, ashtu siç biem përmbys pas Claudias...

Asgjë më tepër!

Në Perëndim dhe në botën e qytetëruar nuk mundet qoftë edhe bota publicitare, që të gënjejë e mashtrojë, aq më keq, që të rrezikojë seriozisht shëndetin e klientëve mendjelehtë, me produkte totalisht të paçertifikuar, potencialisht të rrezikshëm, mjaft mashtrues.

Edhe për kaq sipërfaqësorë e budallenj mos i merrni njerëzit please!

Shqiptarët është e vërtetë që besonin vite më parë se t’i jepje 1 milion Sudes, do të thoshte se ajo kishte mundësi të të kthente 5 milionë...dhe kjo të ishte diçka normale...

Por edhe që gomari fluturon, nuk e beson sidoqoftë njeri më!

Doni të provoni vërtetë një “shot” ore popull, shkoni në lokal dhe futjani një shot me “tequila” ose një teke raki në mejhanen e lagjes jeni që jeni...(duke pirë me vetëpërmbajtje kuptohet).

Arsye për të dyshuar tek publiciteti në përgjithësi ka shumë...

Mjeku misterioz që medikamentin të cilit “rastësisht” po i bëhet reklamë, e pi vetë, është patjetër një aktor i veshur posaçërisht si doktor.

Por të paktën, ai medikament e ka kontrollin e Ministrisë së Shëndetësisë (supozohet).

Edhe shampot që deklamojnë prej vitesh luftën “jetë a vdekje” me zbokthin, kurrë s’kanë patur asnjë efekt real.

Por në fund të fundit, kush dëshiron të jetë njëkohësisht pa flokë dhe pa zbokth...i rroftë tullacëria!

Edhe kush dëshiron të blejë dysheqet e panumrueshëm “...flex” apo “Gjumeo”...le t’a bëjë.

Dëmi është i reduktuar tek portofoli përgjithësisht, duke shpëtuar shëndeti!

Por duke ditur se pikërisht “shëndeti” në llogari të fundit është më i rëndësishmi, atëherë të dashur njerëz, lexues, kini parasysh se siç thonë fqinjët tanë italianë: “Non e oro tutto cio che brilla”!

Pra që domethënë se: “Nuk është ar gjithçka që shëndrin”!

Hapni sytë...për shkak se kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt në fund të fundit!



(Vota: 14 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora