Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: 77 vite më parë lindi Serafin Fanko

| E shtune, 24.05.2014, 04:55 PM |


77 vite më parë lindi Serafin Fanko

Nga Albert Vataj

Si sot 77 vite më parë, 24 maj 1937, datëlindi Serafin Fanko, aktor, regjisor, skenograf dhe kostumograf, një prej ikonave të “Migjenit” kësaj magje ku u gatuan përvoja dhe personazhe, tipa dhe karaktere, ku erdhën në jetë kryevepra të autorëve shqiptar dhe të huaj. Serafin Fanko ishte padyshim një personalitet i rëndësishëm, pjesë e pashlyer e memories artistike të skenës së teatrit dhe kinematografisë. Me ç’nuk i mbishi 70 vitet e tij të jetës, të përplota me vitalitet dhe larmi, deri më 29 shtator 2007, kur zemra e tij do të ndalte, duke mos mundur ta ndal vërshimin dhe shkëlqimin e famës qw e ngjizi me pasion dhe pwrkushtim.

Në përçapjen për të hedhur dritë mbi rrugëtimin e tij, në një nga prononcimet për mediat, Fanku mbamendet tw jetw shprehur:”Para se të filloja Liceun Artistik, kam punuar në gjashtë profesione. Kam qenë ndihmës magazinier, shkruajtës në Uzinën e Fermentimit të Duhanit në Shkodër, instruktor valleje në Shtëpinë e Oficerëve, valltar i Ansamblit të Shkodrës, instruktor valleje në Klubin e Rinisë, ku drejtor në atë kohë ishte Fadil Kraja. Gjatë kësaj periudhe unë kam frekuentuar kursin e pikturës me piktor mjaft të talentuar dhe të dëgjuar të Shkodrës dhe për gjashtë vjet kam studiuar piano. Këto nuk më kanë bërë muzikant, por më kanë bërë të njoh muzikën dhe muzikantët e mëdhenj. Kurset që kam ndjekur më kanë ndihmuar duke e mbështetur me shumë baza punën time si regjisor”.

Fanko numëron rreth 125 role në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Ai është dalluar në karrierën e tij artistike, si një aktor karakteri dhe tepër potent në interpretimin e tij. Janë të shumta dramat që Serafin Fanko ka vënë si regjisor në skenën shqiptare, disa prej të cilave edhe të nderuara me çmime. Krejtçka ju desh pwr tw ngritur përmendoren e pavdeksisw, ai e sendërtoi në Shkodër, aty ku jetoi dhe u madhua nga duartrokitjet dhe mirwnjohja.

Në larminë e veprimtarisë së tij artistike Serafin Fanku është një barometër vlerësimesh dhe konstatimesh, ai ishte dhe mbetet një përcaktues i së vërtetës në gjithë ato dilema, me të cilat po përballet arti shqiptar në përgjithësi, teatri në veçanti. Ai ishte i mendimit se: “Çdo komb mburret me vlerat e tij. Për mua kjo është më e rëndësishmja. Nuk është e nevojshme që të bëhemi skllav të vlerave të huaja. Unë nuk mund të mohoj Shekspirin, Molierin, Pirandelon e mjaft të tjerë, ata ekzistojnë dhe kanë vlera botërore. Për një teatër që i vendos në skenë këto vepra është nder, por çdo komb duhet të mburret me vlerat e tij”.

Serafin Fanko është vlerësuar me 21 çmime e tituj, por asnjëherë nuk është ndjerë i ngopur me vlerësimet që i kanë bërë. Në karrierën time, thoshte ai, jam nderuar me çmimet: “Artist i Popullit” dhe “Artist i Merituar”. Kam marrë 5 çmime radhazi “Aleksandër Moisiu”. Mbaj titullin “Simbol i Vlerave Humane”, i cili më është dhënë nga UÇK-ja dhe ky për mua është një vlerësim i veçantë, pa harruar “Çmimi i Mirënjohjes”. Në një karrierë kaq të gjatë sa kjo e imja, çmimet të shoqërojnë gjatë gjithë kohës. Ato janë një vlerësim për punën dhe një stimul për të ecur përpara me guxim më të madh tek vetvetja. Por çmimi më i madh janë duartrokitjet e dashamirëve të teatrit. Një sallë e mbushur plot, do të thotë respekt dhe vlerësim prej zemre, përfundon ai.