E hene, 16.09.2019, 05:37 PM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Thaçi e ''dogji'' në Shkup

E premte, 23.05.2014, 08:02 PM


THAÇI E “DOGJI” NË SHKUP

EDHE ZIJADIN SELËN

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti e kam thënë se, Thaçi deri më sot ka një aftësi të paparë politike: “djegëjen” e kundërshtarëve politik. I “dogji” gati të gjithë ato aktivistë, që mendonin se janë më të aftë si politikanë duke u nisur që nga “legalizimi” i flamurit kombëtar kuqezi nëpër komunat shqiptare në Gostivar dhe Tetovë: Rufi Osmanin dhe Alajdin Demirin. Vetëm, pak të kishin qenë më parashikuesë si politikanë ata kryetarë komunash të asaj kohe, sot do të ishin vërtetë liderë historik, që do t’i prinin guximshëm në ballë popullit shqiptar. Pakujdesia, mençuria e tyre ishte sakate dhe e dalldisur “sot për nesër”. Shteti “juridik”, vetë nuk e mbanë flamurin republikan gjatë ditëve festive më shumë se tri ditë, e këta burra mejdani donin ta mbanin të valojë nëpër komunat shqiptare me muaj. Përmëtepër, edhe të tregohen trima, provokojnë policinë maqedonase: “ecni vetë ta zbrisni nga shtiza flamurin shqiptar”! “Trimëria” u pa edhe para kamerave televizive, në ngjarjet tragjike të 9 korrikut të vitit 1997, ku Rufi Osmani arrestohet dhe dënohet me 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore. Pas miratimit të Ligjit  për amnisti, në vitin 1999 lirohet nga burgu duke kaluar afërsisht dy vite në burgjet e IRJ të Maqedonisë. Kurrë në jetën e vet ai popull nuk ka hëngër më shumë dajak se, atëherë kur shkoi Cërvenkovski në Gostivar edhe ua bëri para kamerave televizive shqiptarëve me gishtin e madh të dorës teposhtë, bythekrye në përrua si “nacionalistë” shqiptar.

Rufi Osmani me Alajdin Demirin, në atë kohë vetëm pak të kishin qenë politikisht të mençur: vetëm tri ditë ta valonin flamurin shqiptar para komunave në Gostivar dhe Tetovë! E, pas tri ditëve ta zbrisnin vetë nga shtiza, nuk do t’i lenin hapësirë Cërvenkovskit me polici ta nëpërkëmbë Flamurin kombëtar shqiptar kuqezi dhe popullatën e pafajshme të asaj ane shqiptare. Hap  pakrye ky, edhe i Arben Xhaferrit si politikan me përvojë politike dhe Menduh Thaçit me shokë, që i “dogjën” bashkëpartiakët e tyre besnik si  politikanë me perspektivë të një Dite të Nesërme.

Arsye kjo, që Rufi Osmani: edhe, pse do ta fitojë për së dyti herë komunën e Gostivarit (2009), do të themelojë edhe parti të veten politike (Rilindja Demokratike Kombëtare), por kurrë nuk do të ngrejë krye si politikan vizionar. Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ai do ta humbë edhe Komunën e Gostivarit. Shembull konkret, gabimi i fundit në këto gara politike presidenciale dhe parlamentare (2014), që e shtyri edhe të jap dorëheqje dhe ta dorëzojë mandatin e kryetarit dhe të deputetit. Edhe Alajdin Demiri, pas disa emërimeve në postin e diplomatit do të përfundojë si “analist” i ndonjë televizioni lokal ose “nacional kombëtar” me pak krunde politike në grazhd.

Menduh Thaçi, nuk mund të lëvdohet si politikan i sukseshëm dhe vizionar, por ama për t’i “djegur” kundërshtarët e tij politik nuk e ka shoqin në skenën politike. Ikja e papritur e Arben Xhaferrit e dëmtoi mjaftë këtë politikan dinak “mysliman”. Përderisa ishin të dy së bashku, si dy qe në vijë nën zgjedhë, mes arës rrëzë Sharrit plak: njëri në vijë e tjetri në lëndinë, bënin edhe ugare politike.

Strategjia e tyre politike do t’ia rrëmbejë edhe shokët më të ngushtë të luftës Ali Ahmetit: Bardhyl Mahmutin, Fadil Sulejmanin, Harun Aliun, Lekën, Komandant “Hoxhën”, Abedin Zymberin, dhe Fatmir Hasanin. Komandantë lufte, që brenda pak kohe edhe këto do t’i “djeg” në jetën politike, hudhë në harresë nëpër katunde. Ndonjëri edhe do ta paguaj me jetë. Poashtu, do t’i “djegë” edhe Imer Selmanin, Fatmir Etemin, Sulejman Rushitin e Flora Kadriun.

Intersant është, rasti i fundit me Zijadin Selën. Kryetarin e komunës të Strugës, që para zgjedhjeve lokale dhe presidenciale, ngriti krye si “rebel politik”. Xixë shprese për ndryshime politike në IRJ të Mqaedonisë, hodhi ide për shtegdalje në hapsirën politike shqiptare. Papritmas, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare e rrezikoi “vojvodën”, që ai e shpalli edhe si “tradhtar” të asaj ane. Ngriti krye për t’ia rrëmbyer postin e kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare. Ose, u përpoq me “demokraci” partiake,  që Thaçi të jap “dorëheqje” vullnetare pas humbjeve presidenciale dhe parlamentare nga skena politike.

Përçudi, grepin politik ia lëshuan nga Kumanova, përmes Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM), dhe asaj të OVL - UÇK –ës. Organizatë e dalë nga Lufta e vitit 2001 duke u mbështetur edhe nga disa “organizata studentore” në protestat e fundit për rasitn e familjes Zeqiri nga Radishani. Shoqata “joqeveritare”, që mezi i tubuan në protesta me dhjetra aktivistë. Protesta të dështuara që në fillim, kush ka sy, veshë dhe tru në kokë, ishin nën nivelin e protestave të “Pranverës arabe”, në Shkup (2012). Që, siç duket edhe të shtinë në dyshim, a kanë pasur për qëllim dhe kanë qenë të organizuara vetëm e vetëm, që ta “djegin” Kryetarin e Komunës së Strugës, Zijadin Sela?! Protesta, në të cilën do të dëgjojmë edhe deklaratën “patriotike” për medie nga kreu i IGFM: “Ne do të mundohemi ta ruajmë paqen. Mirëpo nëse nuk ndërprehet dhuna do të ketë edhe luftë. Kjo do të jetë luftë më e madhe e jo si lufta e Ali Ahmetit”. Deklaratë politike, sikur ta kishte hedhur një pulë e therur nga maxhatorja pa kokë me pak shpirt duke kërcyer nëpër lëmë në Katund, e jo një kryetar i një Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM). “Plumb qorr”, në Ditën e sotshme me të cilin politika shqiptare me Luftën për “Liri dhe të drejta kombëtare”, moti i ka larë duart, ka përfunduar nëpër libra: Që, me Luftën e Kosovës (1998 – 1999) dhe me Luftën e fundit të 2001 –shit, në IRJ të Maqedonisë. Puna e luftërave të shqiptarëve për Liri, siç e kanë zakon t’i këndojnë edhe nëpër këngët popullore me çifteli: Ne shqiptarët për çdo vjet e nisim nga një luftë përvjet, herë me Krajl e herë me Mbret, në shekullin e XXI ka përfunduar në histori. Shqiptarëve u ka mbetur edhe Lufta me penë, shkencë, dije dhe dialog politikë në tavolinë. Askushin, mos e rrejë mendja më se, do të bëjë edhe një luftë, popullin shqiptar ta nxjerrë në male! Qoftë në Shqipëri, Kosovë ose në IRJ të Maqedonisë për liri. Shtet Etnik Shqiptar. Koha e luftërave shiptare me pushkë ka përfunduar moti. Sot për sot, është koha e dialogut politik, penës dhe trurit.

Fatkeqësia kombëtare: Shqiptarët e IRJ të Maqedonisë i kanë me dhjetëra parti të përçara politike, dy-tri e ku ta di unë me sa organizata “joqeveritare”. Ose, siç thotë populli shqiptar: dy shqiptar, tri parti politike. Realiteti, nga një luftë e përbashkët dolën me dy organizata “joqevritare” të dalë nga Lufta e 2001 –shit (SHVL - UÇK dhe OVL - UÇK). Organizata “joqevritare” që gjithë kohën mbetën nëpër varre me vajtime për të vdekurit dhe invalidët e luftës, hiqen sikur populli shqiptar sot për sot nuk ka problem më të madh politik: Pushtetin në Qeveri. Nateditë mbetën në rolin e lypësit te Ura e Gurit, kërkesa politike e protesta qytetare kur t’u teket në rrugë. Shoqata “joqeveritare” që ende thirren në “dorëzimin e armëve”, veprim unikat shqiptar, që nuk besoj se ndodhë me ndonjë tjetër popull në botë. E këndej, nateditë kërkon dhe vajton për Liri, barabarësi kombëtare me “vëllezërit”. Shtet Etnik Shqiptar.

Alarmuese është rasti në Ditën e sotshme, kur Rreziku na troket te dera. Individë të arratisur dhe shoqata “joqeveritare”, si nuk e kanë kuptuar ende porosinë historike të Rilindasëve shqiptar (nuk e kam fjalën për rilindasët e Edi Ramës), se: Populli shqiptar nuk shkon më pas gomarit. Dalldisjeve dhe përçarjeve politike plot huti familjare të interesave personale, klanore me protesta dhe deklarata teknefese.

Menduh Thaçit, nuk duhet pasur lakmi në politikëbërje atdhetare, ama në zbulimin e rrufjanëve dhe në “djegëjen” e kundërshtarëve të tij politik, nuk e ka shoqin në shtatë krajli. Vërtetë, e humbi politikanin strategjik Arben Xhaferrin, por siç duket kohën e fundit e ka zëvendësuar me atë të udhërrëfyesit, Ali Ahmeti.

Dhe, nuk është çudi, Nesër këto dy kalorës të arratisur me mbi njëzetë vite përvojë në skenënën politike, me këtë kapicitet politik që kanë shqiptarët në arenën politike,  edhe gjatë kohë do ta mbajnë njëri – tjetrin për krahu në “Pushtet” si Don Kishoti me Sanço Pançon duke luftuar me mullinjtë e erës për Dylqinenë e Tobozës…



(Vota: 95 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT