Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Anita Kadriu: Mashtrojnë me shami për vota

| E enjte, 22.05.2014, 06:17 PM |


Mashtrojnë me shami për vota

Nga Anita Kadriu

Për të grumbulluar sa më shumë vota në zgjedhjet e 8 qershorit përsëritet premtimi për lejimin e bartjes së shamive nëpër shkolla. Skenar i njëjtë kishte ndodhur disa vjet më parë, kur Hashim Thaçi i kishte premtuar kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) se do të merrte vendim për lejimin e mbulesave për nxënëset, në këmbim të mbështetjes nga besimtarët myslimanë për partinë e Thaçit. Madje Tërrnava bënte edhe fushata lobuese duke besuar se Thaçi do ta realizonte premtimin.

Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale, Thaçi bind partnerin në koalicion parazgjedhor, Ferid Aganin, se çështja e bartjes së shamive është zgjidhur përfundimisht.

Ai ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ Nr.6/2010, të hartuar dhe nënshkruar nga ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili i ndalonte vajzat të bartin shamitë në shkolla.

Mirëpo, përveç shfuqizimit nuk është bërë i ditur asnjë detaj se si do ta definojë Udhëzimi Administrativ çështjen e bartjes së shamive. Kjo situatë po shfrytëzohet nga PDK-ja dhe PD-ja pak ditë para zgjedhjeve, duke synuar votën e elektoratit që ka një kërkesë të tillë.

Ministria e Arsimit, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, ka nisur të ndryshojë nenin e udhëzimit administrativ, i cili prapë nuk do ta definojë saktësisht bartjen apo jo të shamive. Ky ndryshim parashihet të jetë i përfunduar deri të enjten (sot). Megjithatë burime brenda partnerit të madh të koalicionit bëjnë të ditur se zyrtarë brenda kësaj partie, pas përfundimit të procesit zgjedhor, do ta dërgojnë Udhëzim Administrativ në Kushtetuese, duke u thirrur në nenin që e definon Kosovën shtet laik. Luftën për të marrë vota përmes çështjes së shamive e kritikon ashpër edhe Bashkësia Islame e Kosovës, duke thënë se kjo nuk është punë e asnjërës nga partitë politike.

Ndryshimi në udhëzim është kërkuar nga lideri i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani, si kusht parazgjedhor për koalicionin me PDK-në, pra shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ që ndalon shamitë në shkolla, kusht që është pranuar nga kryeministri Thaçi dhe i cili ia ka dhënë “dritën e gjelbër” MASHT-it për ndryshim. Mirëpo, askush zyrtarisht në Qeveri nuk e konfirmon se Udhëzimi Administrativ do të lejojë bartjen e shamisë.

Lirije Kajtazi, ish-anëtare e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, ka thënë se ndryshimi i këtij udhëzimi në kohë fushate është e qartë se po bëhet për përfitime politike. Kajtazi ka theksuar se ky vendim i MASHT-it është komplet në funksion të fushatës. Sipas saj, një nismë e tillë ishte paralajmëruar të ndërmerret dhe para zgjedhjeve lokale, por nuk ndodhi.

Kajtazi ka thënë se për çdo ndryshim të udhëzimeve administrative duhet të ndiqen procedurat, e sidomos kur fjala është për çështje që konsiderohen më madhore. Çdo ndryshim i udhëzimeve administrativ ajo tha se duhet të shkojë përmes vijës institucionale, si dhe të inkuadrohet edhe pjesëmarrja e publikut në debate. “Kjo nismë është në funksion të fushatës dhe është shumë e paqëlluar. Për ndryshim të udhëzimeve administrative duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, thotë Kajtazi. Ajo ka bërë thirrje të mos cenohet Kushtetuta e Kosovës, e cila e definon Kosovën si shtet laik.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve arsimore, Jonuz Salihaj, ka thënë se ky ndryshim është në funksion të fushatës dhe, sipas tij, “nuk është fer ndryshimi të bëhet në emër të votave”. Ai ka theksuar se nuk beson që PDK-ja apo PD-ja do të fitojnë zgjedhjet me këtë veprim, pasi, sipas tij, dy javë para zgjedhjeve këto parti duan të lënë përshtypje se po interesohen për të drejta të njeriut dhe se “gjoja po kontribuojnë për zgjidhje të problemit që është konsideruar si temë tabu”.

Salihaj ka thënë se nuk është as momenti të trajtohet kjo temë para zgjedhjeve dhe po ashtu të bëhet ky ndryshim pa pyetur Gjykatën Kushtetuese. “Së pari duhet të interpretohet nga Gjykata Kushtetuese dhe pastaj të nisin ndryshimet”, ka thënë Salihaj, duke bërë thirrje të respektohen institucionet dhe dokumentet institucionale sikurse është Kushtetuta.

Ndërkaq, edhe BIK-u përmes një komunikate, ka bërë thirrje që partitë politike të merren më punët dhe programet e tyre, ndërsa Bashkësia Islame do të kryejë misionin e saj kushtetues. “Kryesia e BIK-ut mbetet e përkushtuar që të realizojë të drejtën e shkollimit dhe të punësimit të femrës myslimane edhe me mbulesë në institucionet publike, si të drejta të panegociueshme.

Zgjidhja për këtë çështje, dhe çështjet të tjera duhet kërkuar në kuadër të Kushtetutës së vendit dhe shembullit të vendeve të Bashkimit Evropian, atje ku pretendojmë të integrohemi, larg çdo politizimi e polarizimi për interesa politike e klanore”, thuhet në këtë njoftim të BIK-ut.

ZERI.INFO