E enjte, 18.04.2024, 06:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhahid Bushati: Tipologjia e fabulave

E merkure, 21.05.2014, 08:02 PM


Një vështrim mbi tipologjinë e fabulave

(Shënime për librin “Trumcaku ftillon ferrën” të V. Saro)

Nga Xhahid Bushati, shkrimtar - studjues

1.

Kur lexon 23 fabulat (në vargje) të librit më të ri të Vangjush Saros, është e pamundur të mos vëresh ndjesinë, vetëdijen dhe raportin e poetik të krijuesit me zhanrin që shkruan. Është një raport mes dialogëve të personazheve-shpirtëzues, që në rrëfimet e tyre lineare përmes subjekteve të qarta përcjellin mesazhe që janë produkte nga përditshmëria jonë. Ajo që i bashkon fabulat e këtij vëllimi, (të cilat i mendoj si tipar e vlerë të autorit), është ruajtja e freskisë së motivit. Kështu na vijnë poetikisht bisedat: mes lisit dhe shkurres, çafkës me pelikanin, vjollcës me palmën, pishinës me detin, pikave të shiut me degën, të luanit, ujkut dhe dhelprës, trumcakut me ferrën, përemrave Ti, Unë dhe Ai, korijes me bilbilin, librit me syzet, etj. Tipologjia e kësaj natyre fabulore të bisedës mes dy personazheve, nga pikëpamja formale dhe e structures, është një gjë e njohur si proces letrar. Është lëvruar nga shumë autorë në rrjedhat historike të krijimit. Mund të themi, fabula e ruan ende këtë lloj tradicionalizmi. Sa do të vazhdojë, nuk e dimë…

Me librin e tij të fundit, “Trumcaku ftillon Ferrën”, Vangjush Saro vendos ca shenja të reja në krijimet e tij fabulore. I gjejmë ato në konceptim, në këndvështrim dhe ndërtim. Kjo lidhet me aktin poetik individual të tij. Më tej, shenjat që përmendëm i shohim përmes shprehësive të fjalëve dhe ngjyrave semantike që mbartin, të cilat kanë prirjen (e shëndetshme) të marrin “hua” edhe nga elementet përrallore. Raportet dhe ndërthurjet e këtij zhanri me këtë gjini, jo vetëm e kanë konsoliduar fabulën si krijim, por në stil i kanë dhënë asaj një konfiguracion të veçantë. Ky konfiguracion mbështetet në tre parametra: në fabulat e tij nuk ka inflacion të fjalëve; po ashtu, janë me interes narativiteti i ligjërimit dhe përdorimi i dëndur i foljeve, si gjendje dhe veprim i ngjarjes dhe i vijëzimit të personazhit, i konfliktit dhe i pohimit artistik brenda hapësirës së fabulës.

2.

Tipologjia e dytë e fabulave që gjallojnë në këtë libër, mbartin filozofinë e autorit, më mirë përpjekje që përcjellin episode aktuale dhe frymën e bashkëkohësisë, e cila është zbërthyer: në mendësinë dhe psikologjinë e personazhit, në shpalosjen e botës dhe të vlerës së tij, në raportet me mjedisin, ku ai jeton e lë gjurmë, etj. Të kujtojmë fabulat: “Pilivesa”, “Sorra”, “Kuleta”, “Vizitë”, “Dallga”, “Trishtimi i lapsit”, “Caku”, “Kali dhe Oazi”, “Minjtë”, etj. Një pjesë e këtyre fabulave ruajnë edhe një veçori tjetër domethënëse. Edhe ky element përmbajtësor vizual është i njohur në letërsinë tonë për fëmijë e të rinj. Këta autorë, në procesin historiko-letrar, fabulës i kanë vënë edhe një përfundim a konkluzion morali. Shpesh, ky element ka pasur natyrë proverbiale, didaktike e moralizese, në të shumtën e herës, e lidhur me kohën, e cila i ka diktuar për t’i evidentuar të tilla fenomene. Këto dukuri i gjejmë në disa fabula të Vangjush Saros. Por, autori e ka mënjanuar këtë funksion moralistik. Me shumë mjeshtri “copëza e gjetur” e stofit të fabulës, i shërben asaj si vizion dhe i jep frymëmarrje të mëtejshme.

Për ilustrim, kam marrë fabulën me titull: “Pilivesa”. Ja si e lexoj grafikisht: Pilivesa - fillesa - më pas helikopteri. “Fluturimet e mëdha” harrojnë fluturimet e vogla. Për rrjedhojë, humbet identiteti, njohja e vetvetes dhe nis shthurja. Poeti thotë: “…s’duan t’ia dinë / ç’ka qenë ajo”. Pas këtij rrëfimi, autori e vazhdon përceptimin e tij, duke iu kthyer aktit njerëzor: “Ti histori thur sa të duash, / kjo ndonjëherë / të bën të vuash…” Për ilustrim, gjithashtu, po marr edhe fabulën me titull “Sorra”. Ja si e lexoj atë, përsëri grafikisht: Situata e parë. Raporti i Sorrës në majë të pishës me mendësinë e saj: “Pale ç’mund të ngjasë / kur të më shikojnë…” Situata e dytë. Fluturimi i Sorrës në zbulimin e objekteve përreth saj, bën që marrëdhënia e tyre me personazhin mburravec të jetë indiferente, statike e zhvillimore. Ato “e jetojnë jetën e tyre” pa sorrën, e cila shpreson të bjerë në sy, ëndërron lavdi, pse jo edhe pushtet, por është dhe mbetet e pashpresë. Situata e tretë. Ngjyrat poetike që e rrethojnë personazhin-sorrë, e sfumojnë atë. Zhvlerësimi dhe humbja jepen larg çdo morali, që zakonisht në këtë zhanër e gjejmë si shpesh. Autori, si konkluzion, përcjell një mësim nga bota e urtësisë, përmes vargjeve: “Kujton se te ti / i ka sytë gjithë bota…” A nuk ngjajnë edhe këto dy vargje si fabul më vete?..

3.

Po ndalem edhe në disa tipare të tjera të autorit. Fabulat e librit “Trumcaku ftillon Ferrën” janë interesante, të qarta. Ato ruajnë origjinalitet dhe kanë humor. Personazhet individualizohen. Në veprimet dhe fjalët e tyre, ata shfaqin “karakteristikat”, natyrën e tyre. Ata janë bindës dhe situatat në të cilat i vendos autori - realiste. Vargjet kanë ngjyrë dhe një fjalor të zgjedhur poetik. Ndërsa lexuesi, mendoj, që i shijon me ëndje dhe mëson se personazhet që dialogojnë me njëri-tjetrin mbartin virtyte dhe vese. Ai nuk e ka të vështirë të përqafojë virtytin, që rrezaton si pohim artistik e mesazh i çdo fabule. Të gjitha këto shpalosin talentin dhe individualitetin e spikatur artistik të Vangjush Saros, që lë gjurmë të dallueshme, gjurmën e poetikës fabulore në këtë zhanër dhe përgjithësisht në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj.

……………………………………

Shënim: Mbajtur në diskutimin që Shoqata Mbarëkombëtare e Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj organizoi për librin me fabula “Trumcaku ftillon Ferrën”; (i dyti në këtë zhanër për autorin, pas vëllimit tjetër titulluar “Dhelpra shpërblen lepurin”). Ishin dhe diskutuan rreth vlerave të këtij libri apo shprehën rezervat e tyre, edhe B. Xhama, P. Koçi, P. Zoto, Gj. Kurtiqi, A. Bishqemi, K. Boriçi, I. Bobaj, T. Kurtiqi, M. Qirici, F. Gjestila, A. Dervishaj, R. Braholli, H. Kobellari, etj. Pas bisedave të autorit V.Saro në disa televizione  - TV News 24, TVSH, ABC News - pas paraqitjes në disa gazeta, portale e rrjete sociale, si dhe në shkollën “Kongresi i Manastirit” (Tiranë) ky diskutim ishte episodi i fundit i përcjelljes së librit te lexuesi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora