E shtune, 20.04.2024, 04:29 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Apokalips në ajër?!

E marte, 20.05.2014, 08:15 PM


Apokalips në ajër?!

Nga Elvi Sidheri

Një përmbledhje e shkurtër e lajmeve të fundit të këtyre ditëve...

Tundje toke (se nuk kam dëshirë as që t’ia them emrin këtij fenomenit natyror në fjalë)...në shumë zona të Shqipërisë, një grumbull shtëpish të krisura muresh, shembura taracash e shkolla të dëmtuara në Dumre, Cërrik etj.

Njerëz të trembur, natë e kaluar jashtë pallateve apo apartamenteve, sidomos atyre të kateve të larta, që rëndom në të tilla raste për largqoftë, shkunden cazë më tepër nga dridhmat e tokës.

Edicione informative të nisura vazhdimisht me “lajm të fundit” që flet për këtë fenomen, më pas edhe si kanë kaluar ditët, sërish përmenden me përpikmëri edhe tundjet e zakonshme më të lehta derisa toka të vijë në vete njëherë e mirë, duke i bërë sërish të marrin frymë të lehtësuar njerëzinë e shqetësuar.

Pastaj...përmbytje masive të papara nëpër Bosnje dhe Serbi.

1/4 e popullatës boshnjake e prekur direkt nga vërshimi i pakontrolluar i ujërave, shtëpi që shkërmoqen si të ishin kështjella prej letre, fiks përpara kamerave televizive të gjithë Europës, që kanë vrapuar për të vëzhguar këtë situatë katastrofike.

Njerëz që kanë përjetuar luftën e tmerrshme të viteve 90-të, që tashmë shohin t’u rrënohet para syve tërë katandia e tyre e që prapë kuptojne se duhet t’ia nisin nga e para.

Në Serbi mbytur qytete të tëra, rrezikuar centrale elektrike, emergjencë e madhe po ashtu.

Ah po, se desh harrova, thonë se përgjithësisht “rrufeja në hale” nuk bie, por ky gjithësesi nuk është rasti gjithmonë, pasi në mes të kësaj gjendje alarmi, i paska ngarkuar përfundimisht mushkat për në botën tjetër edhe njëfarë Dobrica Qosiç.

Si të themi për t’a përshkruar më mirë këtë matufin e ngordhur, ky ishte asgjë më tepër sesa pikërisht homologu antishqiptar, ose e thënë më qartë, alter-egoja serbe (jo vetëm nga mbiemri i njëjtë)...i Rexhep Qoses tonë.

Për të cituar një film tashmë gati legjendar të kohës së Realizmit Socialist...”Prapa diellit le të vejë” Dobrica Qosiçi, në të njëjtin vend të errët ku padyshim do të kenë përfunduar edhe Millosheviçi, Çubrilloviçi e shumë “viçër” të tjerë serbomëdhenj.

Falë Zotit, tek ne, dëmet e vetme që shiu i papushuar i kësaj pranvere të lagësht ka shkaktuar, kanë të bëjnë me fruta-perimet dhe serat e Myzeqesë, se për të tjera, siç duket natyra dhe Perëndia, janë plotësisht të ndërgjegjshme për vetë-kamzhikimin tradicional që “homo-albanensis” praktikon rregullisht ndaj vetvetes, pa qenë nevoja që ndonjë forcë madhore të ndërhyjë në këtë aspekt fatkeq.

Në hyrje të Shkupit, pa u përcaktuar akoma mirë ndarja e re e tortës së majme qeveritare mes dy aleatëve-antagonistë politikë maqedono-sllavë dhe shqiptarë, plas guerrilja urbane pas vdekjes si pasojë e një krimi ordiener të një të riu maqedonas.

Sa hap e mbyll sytë digjen pronat e shqiptarëve, bllokohet qarkullimi, ndizen fort si qëmoti gjakrat nacionaliste, tensionohet edhe njëherë atmosfera thellësisht e helmuar ndëretnike.

Gjë që tregon se tashmë ka nisur me sukses të garantuar paraprakisht, faza e parë e qeverimit të rradhës VMRO-BDI, këtyre nacionalistëve që i hakërrehen njëri-tjetrit me shkopa bejsbolli dhe armë të ftohta natën e që i ngjyejnë së toku turinjtë në tepsitë e orgjisë qeveritare-pushtetare ditën.

Por çfarë ndodh nëpër botë, tej trojeve tona etnike apo gadishullit në të cilin frymojmë prej mijëvjeçarësh të tërë?

Një avion me 200 e kacafiu pasagjerë, zhduket pa lënë një copë të vetme gjurme sa për lezet, nga faqja e dheut, nga sipërfaqja e ujit të oqeanit, si të ishte mizë (si s’na u ndanë këto insektet metaforike fluturuese këto ditë more?) e jo një alamet aeroplani!

Ku vajti, si vajti, nga vajti, kush e çoi dhe si e shpuri aty ku eventualisht vajti, pse vajti, a vajti apo ra ndokund?

Mister i vërtetë!

As regjizori më i mirë i një filmi triller apo fantashkence, nuk do të kishte ditur të servirte një regji misteri më të arrirë, ku vend për teori dhe shpjegime të çdo lloji, ka me shumicë.

Nga ata misteret mbi të cilët dorë me një që Hollivudi do prodhojë dhe shesi me sukses një mullar me filma frymëmbajtës në të ardhmen, i krahasueshëm për nga impakti mbi publikun e gjerë, me Area 51 në Nevada (aty ku qysh nga seriali X-Files e deri tek çdo teori konspiracioni që ka të bëjë sadopak me UFO-t, përqëndrohet vëmendja e ithtarëve të paepur të këtyre tezave)...apo vrasjen e pazgjidhur të presidentit Kennedy dhe Trekëndëshin e Bermudeve.

Ka më?

Po sigurisht që ka!

Në Ukrainë rusët dhe presidenti i tyre më tepër i fandaksur nga deliri i zakonshëm i madhështisë që i zë domosdo tërë njerëzit si puna e tij që gëzojnë prej shumë vitesh një pushtet të pakufijshëm, sesa gjë tjetër, kanë muaj që përpiqen të destabilizojnë, pushtojnë, copëtojnë, përçajnë, dëmtojnë dhe shkatërrojnë këtë vend fqinj me ta.

Nuk u doli Krimeja e bukur buzë Detit të Zi (aty ku rëndom në vitet 50 të shekullit të kaluar, bënte pushime përrallore dhe udhëheqësia byroiste e partishme e shtetit diktatorial komunist shqiptar)...këtyre rusëve?!

Shkuan e iu futën me themel edhe Ukrainës lindore, Donjeckut të pasur minerar etj, nisën armët më të sofistikuara kontrabandë nga përtej kufirit për tek rebelët filo-rusë, filluan manovrat ushtarake, organizuan farsën e njohur të pseudo-referendumëve për pavarësi nën terrorin e tytave të kallashëve rusë dhe pas rezultateve 99.99 %, kërkuan bashkimin me Nënën e dashur klloçkë Rusi!

E gjitha kjo sipërmarrje e rrezikshme, ndërkohë që Europa e moshuar, kishte kohë që flinte e qetë idiotësisht dhe mendjelehtësisht mbi dafina, duke e supozuar tejet gabim, si të kaluar njëherë e përgjithmonë rrezikun rus për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.

Luftë e Tretë Botërore në prag?

Askush s’e beson ose aq më pak, dëshiron këtë gjë.

Luftë e Ftohtë numër 2 që përvijohet përditë e më tepër midis SHBA, Europës përherë të pavendosur e jovepruese nga njëra anë...dhe Rusisë nga tjetra (me Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, pak më vonë edhe Bjellorusinë e trembur të Lukashenkos ndoshta, që shërbejnë si fusha e shahut në këtë kontest të ri rivaliteti Lindje-Perëndim)?

Mjaft e mundur kjo!

Në Rusi fundja nuk janë mësuar me demokraci, kurrë s’e kanë njohur qoftë edhe formalisht versionin sado joperfekt perëndimor të demokracisë, kanë kaluar nga stadi i muzhikëve nën Carin e rradhës, tek kolkozet dhe gulagët e Lenin-Stalinit, më pas kanë njohur dekadencën e ish Bashkimit Sovjetik, anarkinë dhe oligarkët e periudhës së parë post-sovjetike të Jelcinit dhe tashmë sistemin putinist.

Nuk është fare për t’u habitur pra, që Rusia të vijojë me politikat e saj ekspansioniste sfiduese të rendit ndërkombëtar e në të njëjtën kohë, Perëndimi e mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara, do të marrin kundërmasat e tyre efektive ndaj synimeve të Ariut Rus të rizgjuar rishtazi me prepotencë arrogante nga letargu.

Në Turqi, kryeminstrit Erdogan i mbeti në grykë pa e nisur akoma, fjalimi që me siguri do të kishte pas përgatitur për të mbajtur para parlamentit në Tiranë, pasi sigurisht sipas këndvështrimit të tij, ndonjë regji ogurzezë, i shkatërroi një minierë në Soma, ku mbetën të vdekur nëntokë 300 punëtorë.

E gjitha kjo në mënyrë që Erdoganin “e gjorë”, më pas t’a akuzonin për neglizhencë e mospërfillje të paralajmërimeve të opozitës lidhur me kushtet inekzistente të sigurisë në atë minierë!

Në Afrikë, nuk mjaftojnë epidemitë e panumërta, krizat e urisë, luftërat civile, masakrat, krimet kundër njerëzimit dhe mizerja, por të del në skenë edhe një formacion fondamentalist që të rrëmben si pa gjë 200 vajza minorene nga shkolla, i konverton me dhunë, i detyron të martohen me detyrim me militantët e vet, për t’i nxjerrë në treg si skllave në fund...

Përse gjithë kjo?

Sepse këto vajza të ngrata kanë bërë fajin “e madh” që të shkojnë në shkollë, të arsimohen!

Se na kishte marrë malli për talebanët, jo për gjë!

Po tjetër?

Kina ekonomi madhore ka nisur të skërmitet me fqinjët e saj përreth, të sulmojë apo pretendojë shkëmbinj japonezë në det të hapur ose të fillojë shpimet naftë-kërkuese në territore të kontestuara nga vietnamezët e filipinasit.

Vietnami që historikisht s’ia ka përtuar askujt (sipas rradhës...francezëve, amerikanëve, kinezëve dhe Pol Potit mizor), nuk nguroi edhe në këtë rast që t’ia kthejë menjëherë reston fqinjit të vet hijerëndë e si pasojë dhjetëra fabrika kineze u vunë në flakë dhe emigrantët kinezë po ia mbathin ende me të katërta të evakuuar nga anijet e shtetit të tyre mëmë.

Në Siri lufta vazhdon me po të njëjtin pathos shfarosës pa evidentuar asnjë prirje ngadalësuese të këtij konflikti civil me konotacione dhe infiltrime të forta terroriste.

Pranverat arabe përfunduan njëra pas tjetrës në udhë pa krye.

Libia po zhytet në një luftë të re qytetare mes milicive para-ushtarake dhe xhihadistëve po ashtu!

Akujt tashmë që po shkrijnë, temperaturat ngrihen gjithmonë e më tepër, tornadot e stuhitë tropikale bëjnë kërdinë anembanë, peshqit po skarcojnë nëpër detëra, speciet shtazore po firojnë një nga një, me vrimën e ozonit nuk dihet si i kemi punët, ajri që thithim sa vjen e rëndohet...

Në atdheun tonë të dashur, përveçse tanimë zogjtë janë kthyer të fluturojnë të lirë në qiellin e kaltër pranveror (kanë “rilindur” edhe shpendët)...plehërat vazhdojnë të qelben erë cep më cep!

Kështu teksa sezoni turistik afrohet gjithnjë e më tepër, ushtria jonë e lavdishme, në 5 vjetorin e anëtarësimit në NATO, përvesh mëngët dhe iu mësyn me forcë të padëgjuar togjeve me mbeturina, në plazhe e liqene...

Qimet gjithashtu bëhen tra, trarët shëndrohen papritmas në kruajtëse dhëmbësh dhe mushkonjat ose hariet e mërzitshme të bregdetit myzeqar, vijojnë të përjetojnë ditët e tyre të lavdisë së pamenduar, ndërsa media, politika e gjindja e thjeshtë polemizon pareshtur mbi to dhe lidhur me dilemën hamletiano-divjakase: “To be or not to be...was it a narko-mosquito or a plane”??!

E si për t’i vënë kapakun kësaj kusie në vlim e sipër, nëpër kinematë e gjithë rruzullit tokësor, qarkulloi për një periudhë të gjatë edhe filmi “Noah”, që flet për historinë e Varkës së Noes.

Përmbytja universale pra.

Edhe kjo na mungonte!

Njerëz të nderuar, si shumë gjëra po ndodhin njëkohësisht në këtë planet, aq shumë sa nuk mund të mos u kushtohet vëmendje!

Apokalips në ajër pra?

Do Zoti jo, sadoqë shumëkush do e meritonte.

Unë preferoj të ndjek arsyetimin e një shoqes time, që dëshirën e saj për t’u bërë për herë të parë bionde, nga brune siç ka qenë përherë, e pa si shkak për zemërimin e natyrës dhe lëkundjet e tokës së këtyre ditëve!

Goce, rri brune më mire!



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora