Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Një ditë për familjen shqiptare

| E premte, 16.05.2014, 07:10 PM |


Një ditë për familjen shqiptare

Nga Entela Binjaku

Shoqëria shqiptare prej dy dekadash ka  hyrë në një hulli ndryshimesh të shoqëruara edhe me  një kalvar të pasosur vështirësish. Vështirësi të reja, vështirësi të vjetra…

Në tërësinë e këtyre ndryshimeve u përfshi edhe familja, Në këto dy dekada familja shqiptare është zvogëluar,  i ngian më shumë familjes së tipit bërthamë; gjatë kësaj periudhe janë rritur familjet njëprindërore, shoqëria ka treguar një lloj tolerance ndaj bashkëjetesës, ka më shumë çifte që jetojnë një kohë të gjatë pa lindur fëmijë etj.

Nisur nga vlerat universale të familjes Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar për të një ditë të posaçme: 15 Majin. Që  nga viti 1993 kjo datë  njihet si “Dita Ndërkombëtare e Familjes”, një ditë ndërgjegjësimi për rëndësinë, problemet e saj por dhe për angazhimin  politik  të shteteve anëtare ndaj cështjeve që lidhen me këtë institucion të rëndësishëm.

Vitet e fundit kjo datë  ka hyrë edhe në fjalorin e shoqërisë shqiptare, duke  treguar nga njëra solidarizimin me shumë shoqëri në botë (kryesisht falë angazhimit në organizmat ndërkombëtarë),  si dhe duke shprehur nga ana tjetër bindjen se familja duhet të jetë në qendër të vëmendjes së shoqërisë.  Kjo datë maji mund të shërbejë edhe për të shprehur nderimin ndaj familjeve shqiptare që  përballojnë vështirësi të panumërta për të mbetur  njësi e fortë dhe e bashkuar.

Familja përkufizohet si ai “grup individësh i lidhur nga gjaku ose nga martesa, që jetojnë bashkë,, që bashkëpunojnë ekonomikisht dhe ndajnë përgjegjësitë për të rritur fëmijët e përbashkët”. Wshtë ai institucion shoqëror që ndërthur një tërësi rolesh ku marrëdhëniet mes  anëtarëve janë më intime, më intensive dhe më të ngrohta.

Pavarësisht ndryshimeve sfidat për familjen nuk kanë munguar, as “në atë kohë”, as “në këtë kohë”.

E kërcënuar nga faktorët tradicionalë, si vdekja, sëmundjet, familja shqiptare sot është edhe nën presionin e faktorëvë të panjohur që shoqëruan ndryshimet.

Shpesh herë ajo është gjendur njëherazi nën ndikimin e këtyre faktorwve tradicionalë e “bashkëkohorë”, duke qenë e  vetme, e pambështetur dhe e papërkrahur nga shteti dhe shoqëria

Duke qenë se 15 Maji synon ndërgjegjësimin po sjell në vëmendje historinë e një familjeje në kryeqyet e cila sfidën e saj të madhe e ka me autizmin, crregullim për të cilin vitet e fundit po dëgjojmë më shpesh.

Për çrregullimet e spektrit autik në Shqipëri ka nisur të flitet relativisht vonë edhe pse njerëz që vuajnë nga crregullimet kësaj natyre  kanë jetuar përherë mes nesh.

Zakonisht për ta thuhej “se ishin të vonuar”.  Herë nga padija, herë nga mosnjohja, herë nga stereotipizimi, herë nga turpi,  për këtë lloj çrregullimi tek ne nuk është folur shumë. Edhe pse fillesat e trajtimit te institucionalizuar për fëmijët më aftësi të kufizuara kanë nisur në vitet ‘60, sërish ato parashikonin rastet të kufizuara trajtimesh por që nuk flisnin për autizmin. Ose ndoshta flitej fare pak.

Kur  pjestari i një familjeje vuan nga ky çrregullim ndryshon jeta e të gjithë familjes.  Atë e prêt një sfidë e madhe dhe e mundimshme që varion që nga mospranimi i deklaruar deri tek pranimi i heshtur. Jeta e një individi që vuan këtë çrregullim, mundon dhe çrregullon edhe jetën e prindërve  që kujdesen për të, i jep një orientim të ri raportit martesor, i cili vendoset përballë një vështirësie të madhe. Zakonisht një nga pjestarët nuk punon; në shumicën e rasteve është nëna.

Familja e Dritanit është një e tillë. Ajo jeton në një nga lagjet e vjetra të kryeqytetit. Dritani sot është 30 vjeç, jeton me dy prindër të moshuar dhe aktualisht përfiton një pension prej 9000 lekësh në muaj.

Vite më parë kjo shumë ka qenë edhe më vogël se kaq, pra gjithmonë e pamjaftueshme për shpenzimet dhe nevojat për veshje, për ushqim, për kujdes shëndetësor apo për shpenzime të tjera.

Me Dritanin e gjithë jeta e kësaj familjeje ka ndryshuar. Ai është shumë i lidhur më nënën pa të cilën nuk mund të bëjë asnjë hap.

Bashkëshorti është kujdesur për dy fëmijët e tjerë, ndërsa nëna e Dritanit i është përkushtuar tërësisht atij. Dy vajzat e saj më të mëdha se Dritani edhe sot ankohen se nuk e kanë jetuar kujdesin e saj ashtu siç do të dëshironin.

Nevoja e madhe dhe varfëria  e nxori në rrugë si shitëse ambulante, punë të cilën ajo e ka bërë për vite të tëra. Sot  është në prag të 60-ave dhe mundësitë fizike që të kujdeset për të birin sa vijnë e pakësohen. Tani në rrugë del e shet bashkëshorti.

Si personi që  kujdeset për  djalin ajo  nuk merr asnjë ndihmë sepse sipas specialistëve të komisionit të shëndetit  “ai është në gjendje të ecë vetë”.  Familja  ka shpresuar se mund të përftonte  ndonjë ndihmë nga pushteti vendor, por as këtë  nuk e përfiton sepse “Dritani nuk ka punuar asnjë ditë”.

Historitë e jetës në kërkimin sociologjik kanë një vlerë shumë të rëndësishme, sepse duke mbledhur edhe biografitë e personave çfarëdo mëson shumë për shoqërinë ku  jetojnë.

Përmes biografive të personave me aftësi të kufizuara arrihet të ndërtohet jo vetëm bota sociale e tyre por edhe e familjeve të tyre.  Historia e familjes së Dritanit është vetëm njëra nga historitë e shumta të familjeve shqiptare që jetojnë vështirësitë që krijon çrregullimi kronik  i një pjestari. Vetëm në lagjen ku jeton kjo familje janë disa histori të ngjashme. Të gjitha pa asnjë ndihmë nga shteti e shoqëria. Të vetme ato përballojnë nevojat e veçanta, pranojnë vështirësitë që i presin, jetojnë me dëshirën e vazhdueshme se fëmija i tyre do të mund të përfshihet në komunitetin ku jeton, por  shqetësohen shumë për atë që do të vijë më vonë.

Shoqëria jonë duhet të kuptojë se problemet e një familjeje janë probleme për të gjithë shoqërinë. Për këtë arsye qeverisja vendore, qeverisja qëndrore, shoqëria civile duhet të marrë më shumë angazhim e përgjegjësi për përmirësimin e ndihmës ndaj këtyre familjeve, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme, për alokimin e disa fondeve që do t’ju mundësuar krijimin e disa mjediseve të përshtatshme për këta individë. Kur janë të vegjël ata janë më të integruar në institucionet e edukimit, por kur rriten thuajse izolohen plotësisht nga jeta sociale, duke izoluar në vazhdim jetën e pjestarit që kujdeset për ta. Me këtë angazhim së paku familjet do të lehtësoheshin e do të nisnin të punonin. Transformimi i jetës së personave me çrregullim autik  është ende një strategji e largët për shoqërinë tonë, por lehtësimi i jetës së familjeve të tyre duhet të jetë një objektiv i vazhueshëm dhe i pandërprerë.

Të gjithë kanë të drejtën të jetojnë një jetë normale, edhe pse jeta familjare është tronditur mjaft. Demokratizimi i shoqërisë shqiptare vjen edhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë për domosdoshmërinë e ndihmës ndaj familjeve në nevojë. Kjo nuk mund të bëhet në një ditë, por as të mos kujtohet vetëm në një ditë, qoftë kjo edhe 15 maji, Dita Ndërkombëtare e Familjes.