E premte, 19.04.2024, 06:46 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Teki Dërvishi i përndjekur në parajsë

E premte, 16.05.2014, 08:05 PM


TEKI DËRVISHI I PËRNDJEKUR

EDHE NË PARAJSË

(Shkas: Përurimi i librit (studim) Individualitete 2 – Teki Dërvishi i autorit Nehas Sopaj, botim i Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar – Shkup, 2013).

NGA KALOSH ÇELIKU

Teki Dërvishi, njëri ndër shkrimtarët disident më të përndjekur në sistemin komunist, i cili gjithë jetën për së gjalli nuk do t’i përvidhet as burgut më famëkeq të Goli Otokut, edhe pas ikjes fizike nga mesi ynë në një mënyrë të përçuditshme (në “heshtje”), nuk do do t’i shpëtojë as përndjekjes të Policisë sekrete letrare edhe në Parajsë. Shkrimtari duke i ditur “miqtë” e tij në jetë, punë, varrime dhe rivarrime para kamerave televizive, do ta lë me testament (amanet), që varrimi i tij të bëhet në mesin e ngushtë familjar, pa “miq” e pa ceremoni mortore. Vërtetë, përveçse shkrimtar i madh, ishte edhe Profet. E dinte se kush do ta vajtonte nesër mbi varr me lotë krokodili dhe fjalime patetike për karrierë policore letrare e poste politike. Rrufjanët e djeshëm, “patriotë” të sotshëm të arratisur nëpër parti politike. Ose, siç thotë Filip Shiroka te vjersha e tij antologjike “Një Ander vjershë e kushtueme trathtorëve tonë”, në të cilën i “shanë” të gjithë me rend, paj edhe babën Adam:

……………………………………………..

-Ç’ke bre bir – m’thotë – Ç’ke me mue,

Qi m’ke sha e m’ke trazue?... –

-m’ndiei, o plak – thaçë, gabim ke!-

-Nuk t’kam sha as s’di kush je!-

Nuk po m’njeh – tha – m’shiqo mirë:

Jam Adami plak, bre birë!-

……………………………………..

-Po baj çudë – tha – me t’vërtetë

S’po di, Eva ku i ka gjetë,

Kta tradhtorë të patynzonë

Qi turpnuene emnin t’onë;

E… me idhnim briti tue thanë:

“Farës s’ime kta nuk janë!”

Se… me kenë t’ont – tha – tue qa

Gruen kisha tash m’e nda!...

Por kta njerz kanë le ma vonë

Prej Kainit t’patynzonë,

Qi ka mbytun vllan e vet,

Vret mallkimi i Perëndisë,

Qi turpnon para njerzisë!

 

Populli thotë: Uji fle, por hasmi nuk fle. Edhe përndjekësit e Teki Dërvishit në kohën e sotshme nuk i merr gjumi. Natë e ditë shohin ëndrra të tmerrshme. Frikë kanë se, Shkrimtari do t’u ngritet nga varri dhe do t’u kërkojë përgjegjësi morale e politike për gjithë ato përndjekje të papara deri më sot për së gjalli. Që nga ditët e vuajtjes së dënimit si i ri me burg të rëndë në Goli Otok e deri te punësimi i tij në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, në Shkup. Vite ato, kur ai në këtë redaksi do të ndiqet këmba – këmbës nga ”krijuesë” e “gazetarë” Oborri të asaj kohe. Përderisa, një ditë do të provokohet nga “policë - redaktorët” cenzurëkuq në redaksi, që të dalë me shkrime edhe kundër Ismail Kadaresë. Shkrimtari nuk do të bie në këtë provokokim politik, prandaj edhe policët “letrar” të redaksisë do ta përzënë nga puna, hedhin në rrugë Shkrimtarin si “irredentist, separatist e nacionalist i rrezikshëm për Shtetin”.

Mezi do të gjejë strehim në NGBG “RILINDJA“, në Prishtinë. “Miqtë” e tij të penës, të cilët sot e përkujtojnë kokë më kokë pa fije turpi e morali me vajtime e përkujtime patetike, që dikur dolën me shkrime edhe kundër shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare në vazhdime do t’i derdhin lotët e rrejshëm rrëke nëpër faqe. Njeri i gjallë nuk do të gjendet t’i qetësojë pak, rroki për krahu t’ua fshi lotët e rrejshëm me faculetë.

Teki Dërvishi më nuk është në mesin tonë krijues, po rrufjanëve sot u turret dhe i ndjek hija e tij përmbrapa edhe në gjumë me gjithë atë bagazh të librave: Shtëpia e sëmurë (1978), Zbutësi i njerëzve me sy prej zumryti (1979) Thashë (1981), Herezia e Dërvish Mallutës (1981), Bregu i pikëllimit (1985), Pranvera e librave (1990), Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit (1990), Palimpsest për Dush Kusarin (1993), Kufiri me atdhe (1996), Nesër nisem për në Parajsë (1999), Ku është populli (2003) etj. Nuk i lë rehat kulturofagët, prandaj nguten disi ta rehabilitojnë veten me shokë, shpëtojnë nga shpirti i tij rebel prej krijuesi Profet. Shkas: Libri (studim) i autorit Nehas Sopaj, Individualitete 2 – Teki Dërvishi, botim i Lidhjes të Shkrimtarve Shqiptar, në Shkup. Libër i cili do të përurohet edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, në kuadër të Manifestimit Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: Takime nën Rrap, në Kërçovë (2013) dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar të Kosovës (2014), në Prishtinë. Poashtu, Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup, Shkrimtarit dhe Mikut Profet do t’ia përkushtojë edhe një numër special jubilar të revistës letrare “STILI 97”. Revistë letrare, që ky soj i Evës, për të cilin e pyet veten edhe Adami, se: Nuk e di Eva ku i ka gjetë, do të përpiqet me të gjitha forcat “krijuese” e politike ta ngulfasë si zë i ri kryengritës në letërsinë shqipe, pas këtij numri të botimit nuk do ta ndihmojë Ministria e Kulturës. “STILIN 97”, Instuticion shqiptar, të cilin soji i dalldisur e tërbuar i Evës (Njerkës) e lufton edhe sot e kësaj dite me të gjitha metodat “kulturore” e policore nga pusia pas shpine.

Megjithatë, “miqtë” e Teki Dërvishit në këto përurime të lartëpërmendura nuk do të kenë hapsirë për të derdhur lotë krokodili dhe “përkujtime” për Shkrimtarin - Profet. Prandaj, këtyre kalorësve të arratisur do t’u duhet edhe një përurim tjetër i librit të Nehas Sopaj. Livadh kulturor, ku ato do të rehabilitohen dhe përurojnë veten para kamerave televizive si “miq dhe bashkpunëtorë” të Shkrimtarit. Tyrbja e “odëvajtimit” të këtyre vajtocave të “Flakës së vëllazërimit”, gjëndet sa mëshelë e çelë sytë: Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”, në Shkup. Merreni me mend, një Shtëpi Kulture me pagëzimin e një emri të një poeti partizan maqedonas, autorin e poezisë “Duhanvjelësit”. “Vlerë artistike”, të cilën nxënësit shqiptar në plan-programet dhe lektyrat shkollore e kanë pasur dhe e kanë gjithë jetën si “rrugë artistike” në sistemin komunist nga ajo kohë “demokratike”.

Vendlindja e Teki Dërvishit – “Gjakova e kuqe” ngutet, Fadil Hoxhës t’i vendosë, ngrejë  në mes të qytetit përmendore?! Vendlindja e Bajram Currit, Plakut të maleve?! Qyteti, që ka dhënë plot trima atdhetarë, që sipas deklaratës së një qytetari të “Sofrës gjakovare” para kamerave televizive në MTV (Programi në gjuhën shqipe) e ka “ngritur” edhe flamurin kombëtar kuqezi para Isamil Qemalit, në Shkup?!  Vendlindja e Teki Dërvishit, që këtë vit shënoi 50 vjetorin e Mitungut jubilar të poezisë në Gjakovë, dhe nuk e di a lexoi dikush në sallë ndonjë varg të poetit, apo ia përmendi së paku dikush nga miqtë emrin si krijues rebel. Larg qoftë, ta ngrejë zërin për t’i ngritur një përmendore Shkrimtarit disident në vendlindje, rrëzë Çabratit.

Ftesat i shpërndajnë përmes postës elektronike e në dorë në të katër anët e Bit – Pazarit duke thirrë aty - këtu edhe ndonjë emër “autoritativ” për ta mbuluar “qëllimin kulturor – patriotik letrar” të këtij përurimi, në mesin e tyre edhe Redaktorin letrar të librit, Kalosh Çeliku si botues dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup.

Kalosh Çeliku si redaktor letrar dhe botues i librit, edhe pas shumë lutjeve të autorit të librit Nehas Sopaj, nuk do të marrë pjesë në kërë rivarrim “kulturor” të Teki Dërvishit. Arsyeja, e para: Veten nuk mund ta shti në një thes me përndjekësit e pamëshirshëm të Teki Dërvishit. E dyta: shkaku veprimeve “kulturore” dhe mjerimit të këtyre kalorësve të arratisur. Dhe, e treta: Nuk do në emër të Teki Dërvishit t’i rehabilitojë këto kalorës të arratisur në letërsinë shqiptare. Krah për krahu, të gjithë “miqtë” e Shkrimtarit do të jenë prezentë në numër kokë më kokë si dhentë e nënkryeme kur turren pas kripës te Përroni i Thanës nën dardhën gorrice: Ahmet Selmani si promotor i librit, Ali Aliu, Eshref Aliu, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Halil Zendeli edhe ndonjë partizan i vogël me pushkën në krah (Hoxha i Allahut me trutë dhe këmbët në legen). Përçudi, mungonin kolegët tjerë nga Flaka e vëllazërimit: Rexhep Zllatku, Abduladi Zylfiqari, Fejzi Bojku, Neset Emini, Naxhi Osmani, Daut Dauti, Sami Ibrahimi, Emin Azemi, Kim Mehmeti, Zekirja Krasniqi e Mustafa Spahiu. Dhe, shokët e artit skenik në Teatrin e pakicave (Dramës shqiptare), në Shkup: Muhamet Sherifi, Bajrush Mjaku, Selman Jusufi, Sefo Bejtë Krasniqi, Sefedin Nuredini, Xhevat Limani, Zejadin Murtezi e Refet Abazi.

Kulminacioni “artistik” si në kohën e “artë” komuniste: Njëri – tjetrin duke e shtyrë me bërryla, kush i pari do të hipë rrëmbejë  nga duart mikrofonin në foltore, derdhë më shumë lotë krokodili për “mikun” e penës dhe punës, shpalosë më shumë kujtime para kamerave televizive dhe popullit shqiptar.

Përfundimi artistik: Frikë të kesh sot, edhe të vdesësh në këtë kohë qorre, në mesin e kalorësve të arratisur me kokat nën sjetulla e palarenë në polici, ose tek partitë politike. “Miqtë” e penës dhe punës nuk do të lënë rehat as edhe në mesin e varreve. Mëkot t’i e lë me testament (amanet) varrimin: Vetëm familja e ngushtë, një qen, një mace dhe grave besnike me dajre e valle të të përcjellin në mesin e varreve.

“Miqtë” e penës do të gjejnë kohë, vend dhe hapsirë të të vajtojnë pas vdekjes, mu si në kohën e “artë dhe të lumtur” komuniste. Natën do të të vrasin, e do të të qajnë ditën. Varrin do të ta mbulojnë me lule. Lotë rrëke do të derdhin mbi kokë “miqtë” e penës me “vajtime” e fjalime patetike nëpër përurime të  librave dhe Akademive përkujtimore. Honoraret marramendëse, Çmimet e ashtuquajtura letrare, pensionet shtetërore dhe përmendoret madhështore, dihet do t’i rrëmbjenë për vete si veteranë lufte të “vëllazërim-bashkimit”, dje komunistë, sot neokomunistë në Shtëpinë publike.

Ndihmë, o Zot! Turru, e na shpëto dhe na ruaj nga ky soj pakurrizorësh të pangopshëm, që siç thotë Adami te vjersha e Filip Shirokës: Nuk e di Eva (unë them: Njerka) se, ku i ka gjetë rrumaducët me kokën në grazhd e palarenë në Livadh!...



(Vota: 55 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora