E merkure, 24.04.2024, 10:59 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Shteti ateist konvertonte shqiptarët!

E enjte, 15.05.2014, 08:05 PM


Kur shteti ateist konvertonte shqiptarët!

Shteti ateist jugosllavë bëri konvertimin e shqiptarëve katolik në mysliman (1945-1953) në rrethet e Gjilanit e të Vitisë për t’i shpërngulur në Turqi. Disa shpëtuan nga dëbimi, disa iu shmangën konvertimit. Kështu sot, Zefi e ka djalë xhaxhai Zenunin, Mejremja e ka mbesë Marinë. Shkojnë e vinë në dasma e morte si kushërinj të parë, gjithnjë duke e kujtuar me psherëtima atë kohë që mos u harroftë.

Nga Gani MEHMETAJ

Kohë më parë u përshkallëzua një polemikë në gazetat shqiptare të Tiranës ku kërkoheshin momentet  “pikante” të cilat do ta denonconin Enver Hoxhën mysliman, apo që në emër të myslimanëve bëri gjenocid ndaj Shkodrës e Malësisë katolike. Me të njëjtin mas ia ktheu një polemist tjetër duke u përpjekur të dëshmonte se ishin ortodoksët e katolikët shqiptarë ata që e sollën dhe e konsoliduan murtajën komuniste në Shqipëri, ndërsa nxiten luftën civile ndër shqiptarë. Kjo luftë në media e në politikë ende nuk ka përfunduar. Tek-tuk po përvijohet edhe mos durimi fetar. Njëra palë thuhet se denoncimet po i bënë edhe në mediet e huaja, duke i dhënë ngjyrim sikur ka përflakje të luftës ndërfetare, kurse pala tjetër sikur kjo gjë nuk do të bëhet kurrë falë zemërgjerësisë së shumicës shqiptare myslimane! Pse bëhet kjo ndarje e dëmshme nga intelektualë shqiptarë të qëllimit të mirë, nuk e kam të qartë, sepse nga të huajt a mercenarët shqipfolës që po marrim goditje të vazhdueshme kjo gjë nuk na befason.

Lufta kundër Kishës katolike Shqiptare-në emër të Serbisë

Vrasja në mas e shqiptarëve në veri dhe e shqiptarëve katolikë në veçanti ishte luftë e urdhëruar nga Serbia, ndërsa partizanët e Enver Hoxhës ishin zbatues të këtij krimi. Lufta e partizanëve të Enver Hoxhës dhe e partizanëve serb të ish-Jugosllavisë kundër shqiptarëve katolik ishte po ashtu përpjekje për të përshkallëzuar luftën civile në Shqipëri e Kosovë. Enver Hoxha me partizanët shqipfolës dhe partizanë serbë në Kosovë, bën gjenocid të paparë kundër shqiptarëve katolikë dhe shqiptarëve të tjerë nacionalistë, sepse donin të zhduknin një bërthamë të fuqishme të shqiptarizmit, meqë me shqiptarët e tjerë kishin plane të tjera- shkombëtarizimin e shndërrimin në internacionalistë proletarë, pra pa komb e pa fe (Shqipëri), apo planifikonin t’i shpërngulnin në Turqi, sipas marrëveshjes me Ankaranë(Kosovë e territoret tjera shqiptare në ish-Jugosllavi).

Duke vrarë e burgosur priftërinjtë e kreun e Kishës Katolike Shqiptare ata donin të shkëpusnin lidhjet me Perëndimin, sepse planifikonin që Shqipërinë t’ia bashkonin Jugosllavisë, satelitë i të cilave ishte diktatori Hoxha me kreun e komunistëve shqipfolës, sepse ata shqiptarë nuk mund t’i quash.

Fushata e Enver Hoxhës dhe e Serbisë kundër shqiptarëve në përgjithësi e shqiptarëve katolik në veçanti nisi në mënyrë të koordinuar. Partizanët e Hoxhës vrisnin shkodranë e malësorë në mënyrë të pamëshirshme, partizanët serbë e malazezë vrisnin shqiptarë të Kosovës e territoreve tjera etnike pa dallim feje e krahine. Natyrisht kreun e kishës katolike e zhduken edhe në Kosovë, sepse kjo ishte strategji e serbëve që e sundonin  Jugosllavinë- të pengonin frymën e pavarësimit të shqiptarëve, ashtu sikurse që bënin luftë Beogradi edhe kundër Kishës Katolike Kroate e cila ishte shtylla e shtetit kroat.

Serbia kishte urrejtje patologjike ndaj kroatëve katolik, sepse kroatët synonin të shkëputeshin nga Jugosllavia. Serbia e luftonte herë vet, herë më mashën e partizanëve të E. Hoxhës Kishën Katolike Shqiptare, sepse kisha e mbështeste shkëputjen e shqiptarëve nga ish-Jugosllavia, sepse kisha katolike 500 vjet ishte shtylla e kombit, ndërsa e kërkonte diellin atje ku perëndon e jo në Jugosllavi e Rusi.

Kur shqiptarët konvertoheshin që të dëboheshin në Turqi

Krahas vrasjeve në shkallë gjenocidi shqiptarët u dëbuan për më shumë se njëzetë vjet (1945-1967) në Turqi. Procesi pati filluar me herët, por lufta e ndërpreu Ndërkaq, ndaj shqiptarëve katolikë në Kosovë nisi procesi i konvertimit në myslimanë, po ashtu i nisur me 1912. Shteti ateist jugosllav bënte konvertime fetare nga katolik në mysliman, duke u përpjekur të përfundonte një proces që Perandoria turke e kishte nis para 500 vjetësh. Shqiptarët katolik të rretheve të Gjilanit e të Vitisë me fshatrat e Anamoravës e të Karadakut iu nënshtruan dhunës së paparë që të bëheshin myslimanë, ose të iknin kah sytë këmbët. Procesin e konvertimit e udhëhiqnin serbët deri me 1953, kur pati ndërhyrje nga Perëndimi të ndërpritej kjo dhunë barbare. Kështu u krijuan martirë të tjerë si Martirët e Karadakut në kohën e Turqisë.

Shqiptarët katolikë që konvertoheshin në myslimanë shpërndaheshin pastaj në Shkup, Kumanovë, madje deri në Tetovë e fshatrat për rreth në pritje të vizave turke, pjesë e kontingjenteve për shpërngulje në Anadoll. Me t’u kthyer në myslimanë i dëbonin në Turqi. Ndërsa secili syresh duhej të deklarohej që është turk, ndryshe i torturonin e ndiqnin pa mëshirë. Prandaj sot në Maqedoni ka 77 mijë të deklaruar turq, ndërkaq shumica dërmuese janë shqiptarë të bërë turq nga zori i torturave sllave.

Shumë familje të pa konvertuara shqiptare ikën nga sytë këmbët: në Kroaci, Itali apo edhe më larg në SHBA. Ndërkaq, shqiptarët myslimanë i zuri muzgu në Turqi. Më shumë ka shqiptarë në Turqi se sa në Kosovë e territoret etnike shqiptare.

“Tri ditë e tri net i mbajtën një grup kryefamiljarësh nën torturat çnjerëzore në burgun e Gjilanit, që  t’i kthenin në fenë e turkut” - me tregonte miku im nga Karadaku këto ditë.

“Ata që s’pranuan, vdiqën nga torturat, ose i lëshuan gjysmë të vdekur. Ata që pranuan fenë e re, i ndanë nga vëllezërit e tyre. Por një pjesë e atyre që nuk u shpërngulen sot jetojnë në fqinjësi, pa harruar se janë vëllezër në shkallë të dytë. Zefi e ka djalë xhaxhai Zenunin, Mejremja e ka mbesë Marinë. Shkojnë e vinë në dasma e morte si kushërinj të parë, gjithnjë duke e kujtuar me psherëtima atë kohë që mos u harroftë kurrë.

Kjo është një pjesë e historisë tragjike të shqiptarëve. Kjo nuk u bë as pse Enver Hoxha ishte mysliman, as pse në Gjilan e Viti i pati barbarë fanatik, por sepse ishin çakej të Serbisë. Ata renegatë me Enver Hoxhën në krye nuk ishin as shqiptarë, as myslimanë, nuk ishin as njerëz, ata ishin kriminelë që i bënë dëme kombit e njerëzimit. Ndërsa do të duhej të ndiqeshin si qentë e çartur.

Prandaj përpjekjet e reja për mos durim fetar prapë urdhërohen nga Beogradi, por herë-herë zbatohen nga mercenarë shqipfolës. Por ne duhet t’u dalim për ballë e të mos biem pre e mos dijes apo e mungesës së taktit intelektual.



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora