E premte, 19.04.2024, 10:29 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Teqeja në Amerikë - Nderi i kombit

E enjte, 15.05.2014, 06:59 PM


Teqeja Bektashiane në Amerikë — Nderi i kombit– Feston 60-vjetorin e themelimit

Nga Frank Shkreli

“Dyertë e Teqeve Bektashiane janë gjithmonë të hapura për të gjithë njerëzit, Shqiptarë dhe të huaj, pa marrë parasyshë fenë, origjinën, ngjyrën, racën ose klasën shoqërore të tyre.  ‘Shtëpia e Haxhi Bektashit’ është shtëpia e të gjithëve’, ka thënë Naim Frashëri.  Kjo është tradita që ndiqet nga Teqeja jonë, e cila i mban dyertë e hapura për të gjithë.  Dhe duke ndjekur rrugën e Haxhi Bektashit, ajo gjithmonë predikon paqën, dashurinë dhe vëllazërimin midis të gjithë Shqiptarëve dhe me të gjithë njerëzit.”   Baba Rexhebi

Testament ky shumë domethënës fetar, atdhetar dhe njerëzor, sidomos për botën e sotëme të ndarë dhe të përçarë nga pikpamjet e ndryshme politike dhe fetare.  Këtë mesazh, Teqeja Bektashiane në shtetin Michigan të Shteteve të Bashkuara e ka jetuar dhe zbatuar për të gjithë ata që kanë dashur dhe duan ta shohin.  Ky mesazh, në të vërtetë, nuk nevojitë ndonjë koment shtesë pasi është i mjaftueshëm dhe flet vet dhe në këtë 60-vjetor — shpreh filozofinë  dhe nënvijon veprat e Bektashizmit bazuar në paqë e dashuri, në radhë të parë midis të gjithë Shqiptarëve pa dallim, por edhe midis njerëzve kudo në botë.  Për 60-vjetë tani, Teqeja Bektashiane — e themeluar nga i mirënjohuri për komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe më gjërë — i përndershmi Baba Rexhebi,  ka shëndritë si një hyllë drite e pajtimi midis shqiptarëve dhe ka qenë kurdoherë e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim.  Kjo nuk ishte  një qëndër vetëm për Bektashinjtë ose për Myslimanët, por ajo si një Qendër e jetës fetare dhe kulturore të të gjithë shqiptarëve në Amerikë, frekventohet nga shqiptarët e të gjitha besimeve, nga individë si dhe udhëheqës fetarë të Kishave Katolike dhe Ortodokse shqiptare, të cilët priten dhe përcillen si mysafirë nderi dhe si vëllëzër të një gjaku.  Veprimtaria dhe bashkpunimi prej dekadash, midis qendrave fetare shqiptare dhe udhëheqsve të tyre në Amerikë, përfshirë edhe Teqenë Bektashiane, kanë qenë një frymëzim për të gjithë, duke treguar se feja dhe kultura vetëm mund të fisnikërojnë shoqërinë dhe jo t’a dëmtojnë.

Në këtë frymë, Teqeja Bektashiane Shqiptare e Michiganit fton të gjithë besimtarët dhe dashamirësit e saj, që të marrin pjesë për të festuar së bashku, me solemnitetin që meriton, 60-vjetorin e themelimit të Teqesë, të Dielën më 18 Maj, 2014 në sallën e madhe të Qëndrës, ndonëse Teqeja hapi dyertë e saj, për herë të parë këtu në Shtetet e Bashkuara, më 15 Maj, 1964.

Baba Rexhebi, themeluesi, frymëzuesi dhe shtylla e kësaj qëndre për dekada, i cili ndërroi jetë më 1995,  për fat jetoi për të parë rivendosjen e Bektashizmit në Shqipëri, që së bashku me besimet e tjera, ishte zhdukur me ligjet absurde të regjimit të Enver Hoxhës, që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.   Si rrjedhim, klerikët e të gjitha feve e pësuan shumë keq nga regjimi i Enver Hoxhës, përfshirë klerikët bektashianë.  Ai mbante lidhje vëllazërore me klerikët shqiptarë të të gjitha feve që vepronin në Shtetet e Bashkuara.  I Përndershmi Baba Rexhebi, i ndjente thellë vrasjet dhe persekutimet në radhët e të gjithë klerikëve shqiptarë të të tre besimeve të shqiptarëve, nga regjimi komunist.  Në lidhje me këtë, ai qe shprehur me rastin e një akademie përkujtimore të martirëve të fesë dhe të Atdheut më 1985 në Kaliforni, duke u shprehur se, “Me këtë rast dëshiroj të përshëndes klerin katolik shqiptar, për të cilin kam respektin dhe admirimin më të madh. Ata pësuan vuajtjet më të mëdha nën përsekutimin komunist për arsye të rezistencës së tyre të fortë.  Shumë ipeshkvinjë, priftërinjë murgesha dhe laikë katolikë u ekzekutuan ose vdiqën në burgje dhe kampet e përqëndrimit. Ndër ta kishte patriotë, shkrimtarë e poetë të dalluar, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në rilindjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare‘’.   I Përndershmi Baba Rexhebi ka thënë gjithashtu me atë rast se, “Edhe kleri ortodoks dhe mysliman shqiptar u persekutua, sidomos pjesëtarë të sektit mysliman Bektashi.  Së bashku me katolikët, klerikët e sektit Bektashian u persekutuan ashpër”, ka thënë Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane në Detroit të Shteteve të Bashkuara.  Aq keq e kishte pësuar kleri bektashian nën komunizëmin enverist, sa që sipas të dhënave të Teqesë Bektashiane në Michigan, kur më 1991 u rivendos liria e fesë, në Shqipëri kishin mbetur gjallë vetëm pesë baba dhe një dervish, prej rreth 100 që jetonin në vitin 1967, kur Shqipëria vendosi të ndalonte fenë me ligj dhe të burgoste ose të zhdukte klerikët.

Por ishte Baba Rexhebi ai që e mbajti gjallë Bektashizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Ai ishte motori shtytës i veprimtarisë i jetës fetaro-shpirtërore si dhe i rolit dhe i veprimtarisë patriotike dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara.  Ai kishte vendosur që përveç hapësirës për shërbime fetare,  mbrenda Teqesë të ndërtonte një bibliotekë ku janë të depozituara libra shqipe të vjetëra e të reja, por edhe në gjuhë të huaja mbi Shqipërinë dhe shqiptarët,  si dhe gazeta e revista, duke e këthyer qëndrën edhe në një burim kërkimesh dhe leximesh për të gjithë ata që janë të interesuar për kulturën dhe historinë e shqiptarëve.  Ishte kjo një veprimtari e skalitur në përvojën personale të Baba Rexhebit, të një atdhetari dhe fetari të shquar dhe të vendosur, i cili krahas dhe në bashkpunim me  udhëheqsit e qendrave të tjera fetare shqiptare në Amerikë, e bëri Teqenë një qëndër fetare, atdhetare dhe shoqërore, ku të gjithë shqiptarët vazhdojnë të mblidhen pa dallim feje e krahine për të festuar e për të qarë hallet — në paqë, pajtim e vëllazërim me njëri tjetrin, ashtu siç i do Perendia.

Në njohje dhe vlerësim të këtij angazhimi fetar dhe patriotik, vitin që kaloi Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i dorëzoi (së bashku me qëndrat tjera fetare shqiptare në Detroit), Teqesë Bektashiane, dekoratën e lartë kombëtare, “Nderi i Kombit”.  Gjatë asaj vizite vitin që kaloi në Michigan, Presidenti Nishani  theksoi,  në fjalimin e tij, vlerat që Teqeja Bektashiane, për gjashtë dekada ka jetuar dhe predikuar, dmth paqën dhe tolerancën, si pasurinë më të çmueshme  të bashkjetesës dhe harmonisë fetare — por që duhej të ishin shëmbull edhe për harmoninë politike dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës ndër shqiptarët.

“Institucionet fetare në Detroit” ka thënë presidenti Nishani, ” janë, gjithashtu, kolona institucionale të shqiptarizmit, vatra të ruajtjes dhe trashëgimisë së gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare te shqiptarët.  Shqiptarët gjejnë në këto vatra edhe aromë e shpirt shqiptarie, mikpritje dhe bujari. Ne nuk duhet vetëm të konstatojmë, por edhe të përulemi me respekt, të shprehim mirënjohje”, është shprehur Presidenti i Shqipërisë, Z. Nishani.

Uroj që klerikët pasardhës të Baba Rexhebit, besimtarët bektashianë si dhe mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan të festojë me respekt 60-vjetorin e themelimit të Teqesë Bektashiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në frymën fetare dhe atdhetare që ka lënë pas si trashëgimi Baba Rexhebi.  Në kujtim të këtij burri të madh, jam i sigurt se edhe në 60-vitet e ardhëshme, Teqeja Bektashiane në shtetin Michigan të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të jetë një qëndër, ku si deri tashti, do të mbizotërojë — për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët kudo – një frymë dhe atmosferë paqeje, tolerance dhe vëllazërimi — pa ngatërresa, pa  konflikte dhe pa plagë ndasirash, të reja e të vjetëra.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora