E enjte, 25.04.2024, 08:54 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Terrorizmi, zbulohet baza e Al-Kaedës në Rrugën e Durrësit

E shtune, 21.06.2008, 04:03 PM


Organizata jofitimprurëse “Thirrja për urtësi”, në listën e zezë të SHBA-ve. Kjo organizatë kishte rilindur pas aksionit të CIA-s në vitin 1998 në Shqipëri

Shaban Sulçe

Një operacion disavjeçar i CIA-s amerikane në Kuvajt ka zbuluar një “korporatë”, e cila dyshohet si financuesja më e madhe në botë e terrorizmit me filialin e saj edhe në Shqipëri, të quajtur “Thirrja për urtësi”. Shoqëria tregtare “Ringjallja e Trashëgimisë Islamike” (Revival of Islamic Heritage Society, RIHS) e regjistruar në Kuvajt si një shoqëri bamirëse, është diktuar nga agjentët amerikanë në kalimin e disa transaksioneve ku destinacioni ka qenë për llogari të grupeve të shpallura si nënstruktura të Al-Kaedës, si Lashkar e-Tayyiba, Emaah Islamiyah dhe Al-Itihaad al-Islamiya. Dy ditë më parë Departamenti i Thesarit në Shtetet e Bashkuara ka dalë në përfundimin se pikërisht me anë të këtyre transaksioneve janë financuar akte terroriste. Por në listën e degëzimeve të kësaj korporate gjigante të zbuluar në Kuvajt e që prej vitesh funksiononte si e ligjshme atje, është gjetur edhe një adresë, e cila të çonte në Rrugën e Durrësit në Tiranë. Ka qenë pikërisht adresa e OJQ-së “Thirrja për urtësi”, e cila ka funksionuar nëpërmjet financimeve të kësaj korporate që njëkohësisht ka bërë pagesa dhe për grupet më të fuqishme terroriste në botë, sipas Departamentit Amerikan të Thesarit.

Pretendimi
 
Në deklaratën publike të Departamentit të Thesarit në SHBA është theksuar se do t’u kërkohet autoriteteve të Kuvajtit që të ndihmojnë në zbërthimin e strukturave të kësaj korporate me dhjetëra filiale në të gjithë botën, pasi ajo deri tani rezulton si rubineti i financimit të disa akteve terroriste. Për më tepër, në njoftimin e Departamentit të Thesarit njoftohet se investigimi i personazheve të kësaj korporate ka nxjerrë në dritë faktin se bëhet fjalë për të njëjtën celulë që u godit në vitet 1998-2000, por që kësaj here ka ndryshuar “lëkurën” duke përdorur emra të tjerë. Edhe në këtë rast historitë puqen me Shqipërinë, pasi është i njohur fakti se në vitet 1998-2000 në vendin tonë u ndërmorën disa aksione, të cilat kulmuan me vrasjen e Salah El-Sayed brenda në një lavatriçe rrobash në Tiranë, ndërsa pakkush e dinte se ky person ishte vëllai i Ayman Al Zavahirit (arkitekti i Al-Kaedës), krahut të djathtë të Osama bin Ladenit. Pas këtij aksioni, që kulmoi shkatërrimin e celulës së krijuar në vitet ‘90, një varg hetimesh nxorën në dritë dhe disa shoqata humanitare që bënin qarkullimin e lekëve, të cilat u shkonin organizatave të nënstrukturuara të Al-Kaedës.

Raporti

Këto ngjarje i ka sjellë në vëmendje dhe Departamenti i Thesarit në SHBA, i cili ka njoftuar të premten se “të dyshuara se siguronin mbështetje për terrorizmin, zyrat e kësaj shoqërie u mbyllën ose u bllokuan nga qeveritë e Shqipërisë, Azerbajxhanit, Bangladeshit, Bosnjë-Hercegovinës, Kamboxhias dhe Rusisë. Në vendet ku aktivitetet e shoqërisë “Ringjallja e Trashëgimisë Islamike” janë ndëshkuar nga qeveritë, shtabi qendror i kësaj shoqërie ka zhvilluar metoda të shumëfishta për të vazhduar operacionet e saj. Në disa shtete, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën në veçanti, zyrtarët më të lartë të shoqërisë “Ringjallja e Trashëgimisë Islamike” kanë ndihmuar degët lokale për të ndryshuar emrat, për të siguruar mbështetje të re financiare për hapjen e organizatave të reja”, - thotë Departamenti Amerikan i Thesarit, i cili më poshtë përmend OJQ-në “Thirrja për urtësi” në Tiranë dhe OJQ-në “Dora e mirësisë” në Kosovë.

Prezenca

Rreth tre muaj më parë gazeta “Albania” ka shkruar lidhur mbi një faqe elektronike (forum-islamik.com) e gjitha në shqip dhe shumë e pasur me argumente dhe thirrje për xhihad. Financimi kishte kaluar përmasat e faqes elektronike dhe kishte mundësuar dhe regjistrimin e disa këngëve në shqip, që bënin thirrje për xhihad. Pasi u njoh me këtë fakt, “Albania” ka kontaktuar drejtues dhe ish-drejtues të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilët kanë pohuar se në Shqipëri është shumë e lehtë që të gjejnë strehë financimet me zanafillë terroriste. Kjo ndodhte pasi, sipas tyre, vendi ende nuk ka një ligj për fenë dhe shumë shoqata me natyrë fetare kanë të drejtën të operojnë totalisht jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. “Zakonisht personazhe nga bota arabe kanë hapur OJQ të reja dhe në postet drejtuese kanë vënë shqiptarë, ndërsa vetë nuk figurojnë, edhe pse janë pikërisht ata që kontrollojnë realisht këto shoqata. Madje Komuniteti Mysliman është aq i pafuqishëm si pasojë e mungesës së ligjit, saqë ka dijeni se disa nga këto shoqata kanë në borderotë e tyre edhe disa hoxhallarë të Komunitetit, por prapë nuk mund të bëjë asgjë në këto kushte”, - i tha pak kohë më parë “Albania”-s një ish-drejtues i lartë i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Shoqëria Kuvajtiane: “Nuk kemi lidhje me terroristët”

Shoqëria Islamike Bamirëse Kuvajtiane “Ringjallja e Trashëgimisë Islamike”, asetet e të cilave janë ngrirë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, mohoi në mënyrë kategorike deklaratat e bëra për lidhje me rrjetin terrorist “Al-Kaeda”. “Ne jemi një organizatë bamirësie, e cila është njohur dhe mbështetur nga qeveria e Kuvajtit dhe llogaritë tona janë të monitoruara ngushtë nga autoritetet. Bamirësia jonë ka pasur për qëllim kundërvënien ndaj terrorizmit dhe Al-Kaedës”, - tha dje për agjencinë franceze të lajmeve AFP një zyrtar i kësaj shoqërie. Deklarata nga kjo shoqëri ka ardhur pas vendimit të ditës së premte të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vendosi që të ngrinte asetet financiare të kësaj shoqërie duke bllokuar edhe selinë zyrtare të saj në Kuvajt. “Shoqëria Ringjallja e Trashëgimisë Islamike e ka përdorur bamirësinë dhe asistencën humanitare si mbulesë, për të financuar aktivitetin terrorist. Qeveria Amerikane aplikoi masa të ngjashme ndaj zyrave të kësaj organizate në Afganistan dhe Pakistan në vitin 2002, duke u bazuar në të dhënat që faktonin mbështetjen e tyre për Al-Kaedën”, - tha Stuart Levey, sekretari për masat kundër terrorizmit në Departamentin Amerikan i Thesarit.

Shqipëria sekuestroi prona dhe asete të të dyshuarve për terrorizëm

Rreth 37 mijë metra katrorë rezulton gjithsej sipërfaqja e pasurive të paluajtshme që u është sekuestruar në Shqipëri personave të dyshuar për financim të terrorizmit. Kjo pasuri e paluajtshme, e përbërë nga troje (27517.9 metra katrorë), apartamente banimi (1652.4 metra katrorë) dhe ambiente biznesi (7464.6 metra katrorë) është e shtrirë kryesisht në Tiranë dhe urdhrat për sekuestrimet e tyre kanë qenë gjatë periudhës 2004-2006.
Konkretisht, shoqërisë “Loxhalli sh.p.k”, me pronar Yasin Kadi, zotërues i 100% të aksioneve, i janë sekuestruar 26.347 metra katrorë sipërfaqe truall, 619 metra katrorë sipërfaqe apartamente banimi dhe 5009 metra katrorë ambiente biznesi. Autoriteti urdhërues për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme të “Loxhalli sh.p.k” ka qenë ministri i Financave, ndërsa baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri numër 2 datë 3.12.2004, ndryshuar me urdhrin numër 36, datë 27.11.2006.
Fondacionit “TAIBAH INT” i janë sekuestruar 726 metra katrorë sipërfaqe apartamente banimi. Autoriteti urdhërues për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme të këtij fondacioni ka qenë ministri i Financave, ndërsa baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri numër 9 datë 10.03.2005, ndryshuar me urdhrin numër 29, datë 05.07.2006. Një tjetër fondacion, të cilit i është sekuestruar pasuria e paluajtshme, pasi rezulton në listën e zezë të të dyshuarve për financim terrorizmi, është fondacioni “Al Haramania”. Këtij fondacioni i janë sekuestruar 432 metra katrorë sipërfaqe truall dhe 157 metra katrorë sipërfaqe apartamente banimi. Autoriteti urdhërues për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme të këtij fondacioni ka qenë ministri i Financave, ndërsa baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri numër 10 datë 10.03.2005, ndryshuar me urdhrin numër 30 datë 5.7.2006. Abdul Latif Saleh, një tjetër person i dyshuar si financues i terrorizmit, i janë sekuestruar 98.9 metra katrorë sipërfaqe truall dhe 150.2 sipërfaqe apartamente banimi. Edhe në këtë rast autoriteti urdhërues ka qenë ministri i Financave, baza ligjore ka qenë Ligji numër 9258, datë 15.7.2004, urdhri Nr.6, dt.25.11.2005, ndryshuar me urdhrin Nr.28, dt.5.7.2006. Gjithashtu sekuestro ka pësuar edhe pjesa e pasurisë së Al Kadi te “Kullat binjake”, përkatësisht 550 metra katrorë sipërfaqe truall dhe 2455 metra katrorë ambiente biznesi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora