E shtune, 20.04.2024, 04:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Ogerta Proko: Ikonat që nuk vdesin kurrë

E shtune, 21.06.2008, 03:10 PM


Marie Logoreci
Ikonat që nuk vdesin kurrë

Nga Ogerta Proko
     
Të jesh i adhururar apo të adhurosh? Jam gati e sigurt që shumica e atyre që do të pyesja, pa u menduar shumë gjatë do të më pohonin pjesën e parë të pyetjes. “Të adhurosh” dhe “Të jesh i adhuruar”! Nëse do të gjeja dy sinonime për secilën, ato do të ishin “Të kërkosh” dhe “Të të kërkojnë”. Pra në momentin që ti je i adhuruar gjithmonë është dikush që pret dhe kërkon diçka prej teje. E përmenda këtë si parantezë për të shprehur adhurimin për disa nga ikonat e skenës dhe ekranit shqiptar, të cilëve u kemi kërkuar dhe na kanë dhënë vërtet shumë për vite me radhë! Kujtimet shoqërohen nga lotët dhe ndjenja e mallit. Veçanërisht kur ato janë të paharrueshme, ashtu si kolosët e artit kinematografik shqiptar që ndërtuan themelet e këtij të fundit. Edhe pse jeta e tyre është shuar ata mbeten legjenda të skenës dhe të ekranit. Aktorët nuk vdesin kurrë!

Marie Logoreci

Më 26 qershor në TK zhvillohet një ceremoni përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së “Artistes së popullit” Marie Logoreci
Marie Logoreci ka lindur më 23 Shtator 1920 në Shkodër. Ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit. Paraqitja për herë të parë në film ka qenë tek “Skënderbeu”, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijet” e saj, dhe me pas në filmin e parë shqiptar “Tana”, “Toka jonë” etj. Maria bëri regjinë e dramës « Drita ». Ajo luajti në filmin televiziv, « Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme në nënave shqiptare duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare. Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta. Karakteri dramatik, ekspresiviteti i lëvizjeve dhe tipareve, temperamenti i flaktë, kanë gjetur shprehje të plotë në të gjithë qënien dhe në vokalin e saj. Ajo ka ditur t’i imponojë spektatorit figurën artistike me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk që nga pasuria intonative e zërit, deri te natyra dinamike e ekspresive e tipareve. Maria mbeti një aktore e madhe e skenës duke krijuar artin e saj indivividual.

Naim Frashëri

Naim Frashëri ka interpretuar për herë të parë në Priskë të Tiranës, ku teatri partizan shoqëronte pasdite batalionin luftarak të paraditeve. Ndërsa në Teatrin Kombëtar, që filloi në 1945, ai ishte ndër pionerët themelues të tij. Rolin e parë në filma e luan tek “Skënderbeu” më 1953, ndërsa të dytin tek “Tana” më 1958. role të mevonshme të tij janë: “Fëmijët e saj”, “Gjurma, “Plagë të vjetra” etj. Gjatë këtyre viteve ai ka marrë titujt më të lartë artistikë e deri te “Hero i Punës Socialiste”, që ishte një titull i lartë nderi. Por vdekja e tij në moshën 53-vjeçare u dha fund ëndrrave të Naim Frashërit, pikërisht atëherë kur pritej që ai të shërbente si fanar në horizontin e kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Dhe pavarësisht nga jeta e shkurtër, talenti dhe rolet që realizoi mbetën si shembuj përsosmërie për brezin e mëvonshëm artistik të Shqipërisë. Për lartësinë e realizimeve, diksioni i zërit të tij u krahasua me atë të Aleksandër Moisiut.

Sandër Prosi
Sandër Prosi

Sandër Prosi është një tjetër figurë e paharrueshme e jetës kinematografike shqiptare. Rolet që ai realizoi janë të shumta e të panumërta. Lindi në 6 janar të vitit 1920 dhe rolin e tij të parë e ka realizuar në filmin “Debatik”, gjatë vitit 1961. Më pas ai ka interpretuar në role kryesore në disa e filma, ku përmenden “Vitet e para”, “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Mëngjese lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Në fillim të verës”, “Fijet që priten”, “Përballimi”, “Nëntori i dytë” etj. Ai numërohet se ka luajtur rreth 32 role kinematografike dhe me qindra role në skenën teatrore. Ka fituar tituj nderi, por mbi të gjitha ka mbetur në kujtesën e artdashësve si “gjenerali i kinemasë shqiptare”.

Ndrek Luca
Ndrek Luca

Ndrek Luca, konsiderohet si një fenomen i kombinacioneve të tragjikes me komiken. Ai gjithashtu numëron rreth 35 role në kinema dhe shumë herë më tepër në teatër. Roli i tij i parë në kinema i përket vitit 1963 te “Detyrë e posaçme”. Më pas ai luajti tek “Komisari i dritës”, “Oshëtimë në bregdet”, “Duel i heshtur”, “Njësiti guerril”, “Prita”, “Plagë të vjetra”, “Operacioni Zjarri” e dhjetëra të tjerë. Ai ka luajtur gjithashtu edhe në filmat televizivë, nga të cilët mbahet mend “Udha e shkronjave”, ku ka interpretuar së bashku me Sandër Prosin.

Kadri Rroshi
Kadri Roshi

Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.
Ndërkohë para dhe pas tyre arti shqiptar i kinematografisë njohu humbjen e shumë aktorëve të tjerë si Pjetër Gjoka, Besim Levonja, Marie Logoreci, Prokop Mima, Bexhet Nelku, Loro Kovaçi, dhe më tej pas 90-tës vijojnë emrat e njohur, Vangjush Furxhiu, Pandi Raidhi, Violeta Manushi, Stavri Shkurti, Agim Shuke, Ilia Shyti, Ferdinand Radi, etj.
Me punën e tyre ata na kanë lënë një trashëgimi të pasur dhe kanë bërë të flasë shqip artin e kinematografisë. Për emocionet dhe mbresat e paharrueshme që na kanë falur për vite me rradhë, në adresë të tyre ne u dërgojmë një “Faleminderit”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora