Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: ''Debat'' për librin shqip

| E shtune, 10.05.2014, 05:03 PM |


“DEBAT” PËR LIBRIN SHQIP NË PRAG TË ZGJEDHJEVE

NGA KALOSH ÇELIKU

Përmes telefonit tim personal celular gjatë Panairit të librit të 26 – të, në Shkup (2014) dhe zgjedhjeve presidenciale edhe parlamentare të parakohshme, mora një ftesë: “Të premten në orën 11:30 në komunën Çair do të mbahet një debat mbi sfidat kulturore me shkrimtarë eminent nga shqipëria: Besnik Mustafaj, Flutura Açka, Moikom Zeqo etj. Ju ftoj për pjesmarrje aktive.“ Thashë: edhe, pse nuk kam shumë kohë të merrem me këto “flijime artistike” të kalorësve të arratisur në Ditën e sotshme, kur shqiptarëve u digjet zjarr mbi krye, vendosa të shkoj në atë “debat” për librin në prag të zgjedhjeve të një “Presidenti musliman” dhe atyre të parakohshme parlamentare. Shkaku se, në atë debat për librin, shumica edhe ishin miq të mi të penës të ardhur nga Shqipëria: Skënder Rusi, Flutura Açka, Besnik Mustafaj, Moikom Zeqo, Yrjet Aliçka e Demir Gjergji. Përmëtepër, të ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë në bashkëpunim me Komunën e Çairit dhe “Librarinë e Çarshisë”, në Shkup. Punë tjetër është ajo se, debatet për librin mbahen nëpër institucione kulturore shtetërore: biblioteka universitare, shkolla e panaire të librit. Kulminacioni “artistik kulturor”: grupit të krijuesve shqiptar i printe në krye Akademiku Dr. Ali Aliu, krah për krahu me një ish deputet socialist nga Shqipëria pa prezencën e krijuesve shqiptar nga Kosova, Mali i Zi, Presheva me Bujanovcin dhe Diaspora. “Akademiku” i tre Akademive shqiptare i njohur në jetën publike për kësi veprimesh “patriotike paralele” në emër të kulturës shqiptare. Personalitet, i nevojshëm për kohën qorre dhe “këshilltar” i të gjitha partive politike shqiptare deri më sot, sa herë që hipnin ato të “bekuara” e rehatoheshin në pushtet, në kokërr të shpinës. Autori i shumë letrave publike deri më sot postuar personaliteve të jashtëm e të brendshëm dhe partive politike për “ndihmë të zgjidhjes” së krizës politike të “vëllazërim-bashkimit”. Gjithmonë në krye të detyrës. Përçudi, me vete përveç baxhanakut do t’i marrë edhe pesë-gjashtë kalorës të arratisur historik. Turren me të katra pas postit të një kryetari parlamenti (spikeri), e harrojnë se: në kohën e ish Jugosllavisë kanë pasur kryetar shteti (Sinan Hasani). Edhe, më pyesin në YouTube “hoxhallarët” besnik të Allahut, kur do të bëj vetëvrasje?! Puna më e lehtë e një shkrimtari të kalibrit Kalosh Çeliku për të vendosur përkundër porosive të Kur’anit: Ditën që do të zgjidhet Çështja shqiptare. Megjithatë, politika është artë i së mundshmes, të cilën nuk e bënë populli, por politikanët e aftë me besimin e tyre në zgjedhjet demokratike. Probleme të tjera kanë shqiptarët, jo të posteve politike, po të zgjidhjes së Çështjes shqiptare.

“Shpëtimptari kulturor e politik” (A. A.), dihej ishte ky burrë mejdani me këlyshët e tij me zgjebe përreth, që siç thotë Shkrimtari i mirënjohur shqiptar disident Teki Dërvishi në një dramë satirike të vënë në skenë gjatë ndryshimeve demokratike në Teatrin e Kombësive në Shkup (Nesër nisem për në Parajsë), na printe si “myslimanë ehamdurila me Din e Iman” për në “Xhehnet”. Kultura shqipare, sikur t’i takonte vetëm një ose dy partive politike shqiptare, e jo mbarë popullit shqiptar.

Edhe, e di pa më pyetur fare si lexuesë besnik, u intereson çmimi im i shitjes si Kalosh Çeliku?! Publikisht, e them: Hiç më pak se një miljonë euro. Përsëri, duhet të bisedojmë për pazarin e shitjes të Emrit familjes kaçakëve. Ende nuk e kam ulur çmimin e shkrimtarit në këtë “botë përparimtare kulturore artistike” për një të Nesërme shqiptare. Mund të ma digjni xhipin e dhjetë mijë eurove kur të doni përpara dritareve të shtëpisë, por do t’ju besojë se punoni për popullin shqiptar dhe Atdheun, vetëm atëherë kur do të filloni t’i digjni flakë para vilave të politikanëve xhipat e mbi njëqindmijë eurove: Gruevskit, Cërvenkovskit, Ali Ahmetit dhe “vojvodës” Mendyh Thaçi.

I vetëdijshëm isha se, do të ballafaqohem me fytyra gërditse të partizanëve të politikës shqiptare, kulturës dhe librit shqip, të cilat do t’i vjellë me gjithë zorrë në ndonjë shkrim timin të ardhshëm publicistik, vendosa pas gjithë asaj kohe të gjatë mungese nëpër këto takime “artistike - kulturore” të shkoj në atë “debat” për librin. Edhe, nuk më doli keq, e përfitova këtë shkrim publicistik për librin shqip në Shtetin e “përbashkët”. Dhiaret nëpër të cilat ecë kjo “armë” e vetme besnike e Rilindasëve tanë me shekuj. Fjalën nuk e kam për “Rilindasët” e sotshëm të Edi Ramës. Nëna Parti, përveçse në Ministrinë e Kulturës edhe në këtë “debat” për librin në Shkup, krah për krahu me partizanët e Edi Ramës do të m’i nxjerrë para syve kulturofagët e emëruar nëpër poste politike e komisione kulturore që nuk kanë “haber” nga kultura shqiptare, përveçse prodhimit të tollumbave me shumicë e pakicë në tepsinë e Nënës Parti në pushtet.

Parashikimi im, ishte i saktë: armiqtë e librit shqip erdhën grupe – grupe dhe i zunë vendet e tyre në sallen e Komunës së Çairit, në vend të Panairit të librit (Shkupi 2014) atje, ku maten forcat politike e kulturore të “bashkëjetës” me dy shoqata “joqeveritare” botuese shiptare në letër të librit shqip: ndonjë bibliotekë, Teatri Shqiptar, institucioni tjetër kulturor. Dashamirët e flaktë të librit shqip dhe shkrimtarët në sallë, patjetër tashti sipas portokolit politik të organizatorëve duhet ta presin edhe Kryetarin e Komunës z. Izet Mexhiti me disa minuta vonesë. Kandidatja për deputete e popullit, zonja Ermira Mehmeti e veshur kuqezi falë Zotit madh erdhi para kohe. Shprehi kjo e zakontë e të gjithë politikanëve, përderisa kanë dele të buta në vathë mes ujqërve të “vëllezërve” të Njerkës. Kope, të cilat nën hijen e dardhave gorrice nuk i mjelë me kusi në dorë Bariu i maleve, por argati i Shejtanit e Dexhallit në Qeveri. Falë Zotit, më në fund mezi erdhi edhe kryetari i Komunës me duartokitje frenetike në sallë. Mikpritje e “përzemërsi shqiptare”, sipas traditës të të parëve tanë me mustaqet vesh më vesh, struken hedhur krahëve, sahatin me qystek përqafe e “koburen” në brez. Miqësi sipas traditave shqiptare të cilën nuk e patën krijuesit mysafir nga Shqipëria.

Personazhet e shkrimeve të mia publicistike nëpër libra, i kisha ballë për ballë në numër (kope): Doktorziu si gjithmonë në rolin e “akademikut”, në ballë krah për krahu me krijuesit nga Shqipëria. Intelektualët nga Kosova, poashtu e kanë përzënë  këtë eksponent unikat të “vëllazërim - bashkimit” nga Prishtina. Strehim ka gjetur ende në Shqipëri dhe IRJ të Maqedonisë si “azilantë” i përndjekur politik, nga “politikani strategjik” numër dy i LDK –ës të Ibrahim Rugovës, përfundon në Kabinetin e Kiro Gligorovit. Diku, nga mesi  sallës edhe këlyshët e tij me zgjebe si “truproje artistike”.

Fatkeqësia “artistike”: e gjithë kjo “ngjarje kulturore” ndodhte në kohën kur mbahet Panairi i Librit (2014) në Shkup me pesë - gjashtë Shtëpi Botuese Shqiptare si pjesmarrëse sa për sy e faqe, nën nivelin e kohës së komunizmit. Kohë kjo, kur partitë politike në IRJ të Maqedonisë bëjnë luftë të ashpër për pushtet. Libri shqip në Shkup, përsëri mbetet nën hijen e fushatës zgjedhore të partive politike, që bëjnë luftë politike fytas me pak shpirt: jetë ose vdekje. Dhe, pak gjë në jetën e tyre si ministra të kulturës e deputetë kanë bërë për librin shqip. Fjalën nuk e kam vetëm për librin shqip, por për librin si miku më i mirë besnik në përgjithësi nëpër botë dhe “armë paqe”. Urën e afrimit të popujve të armiqësuar e përgjakur nëpër shekuj. Shkrimtarët, që prej kur ekziston bota, politikanët i kanë marrë për shërbetorë të Oborreve dhe “armiq” të Shtetit. Njerëz të marrë që shkruajnë edhe poezi. Shumica kanë vdekur edhe për bukën e gojës: Asdreni, Lasgush Poradeci, Frederik Rreshpja, Pano Taçi, Teki Dërvishi, Anton Pashku, Mirko Gashi, Sadudin Gjura, Mehmedali Hoxha, Abdylazis Islami, Shaqir Sadiku, Fadil Bekteshi me shokë, që edhe sot e vazhdon lufën matanë gardhit në mesin e varreve.

Megjithatë, shkrimtari si misionarë për të përhapur dashuri dhe paqe nëpër botë, ndonjëherë edhe ka qenë i dalldisur nga politikanët në ballë të popullit. Partizanët e tyre, si krijuesë Oborri. Rrufjanët, që pa fije turpi vazhdojmë t’i shohim krah për krahu përballë nëpër “organizime kulturore”. Shembull i freskët unikat është Shkupi. Panairi i librit (2014), ku njëra palë (maqedonase) me të gjitha “nishanet” e Shtetit të “përbashkët” bënë propogandë artistike zyrtare për librin dhe pala tjetër shqiptare me kalorës të arratisur, shtihet se gjoja bënë jetë artistike paralele politike dhe kulturore. Veprimet e tyre i kemi të njohura edhe me Mbrëmjet e Poezisë në Strugë. Panaireve tjerë të librit, në Shkup ku këtyre aktiviteteve “paralele kulturore” gjithmonë u pri një partizan i “përjetshëm” (A. A.), që nga koha e shokut Tito duke i “strehuar aktivitetet kulturore” nëpër skuta të errta të çajtoreve, gjoja se bënë “politikë madhore kulturore” për t’i hyrë në qejf liderit partiak në pushtet, të cilin deri më sot e mori më qafë si shumë liderë të tjerë shqiptar. Honoraret marramendëse nëpër komisione politike-kulturore të shtetit të “përbashkët”, pensionet e tre shteteve dhe Akademive shkencore, botimin e kompleteve të librave, ose të ndonjë libri të tyre “historik” me vlera të “arrira artistike”.

“Kritikun” e ri letrar (Këlyshin me zgjebe), gjithmonë e kanë me vete, vetëm Nëna Parti t’ia bëjë me gisht dhe ai mezi pret t’i ndërsehet, lehi pas shpine ndonjë krijuesi shqiptar disident. Moti e kam thënë këtë fenomen të çuditshëm shqiptar, dhe e kam rrahur me çekiç në zjarr si farkatari pykën e hekurit. Tjetër punë është ajo se, ky nuk është pykë hekuri, por pykë druri, edhe atë: shelgu. Edhe, e di se për lexuesin bëhem banal nëpër shkrimet e mia parashikuese publicistike. Vetëmse, nuk kam faj unë si shkrimtar. Faji është i përgjithshëm kulturor mbarëshqiptar, që këto kulturofagë me vite, edhe sot e kësaj dite i ngatërrohen nëpër këmbë popullit shqiptar.

Dorën në zemër, në atë “debat” për librin kanë qenë në nivel “kulturor” të diskutimit, se ato dinë të dalin në foltore me diskutimet e tyre dhe të harrohen me orë, të mos dinë të zbresin nga skena “kultuore” patriotike. Përjashitm bënë këtu një “lexuese” e flaktë e librit, që hyri jashta portokolit të “debatit”. Këmbë nguli që të thotë disa fjalë në këtë “debet” për librin shqip. Organizatori edhe pse nuk e kishte paraparë me program “debatin”, i la hapsirë si femër shqiptare “pa të drejta të barabarta të grave.” Edhe e dini çka ndodhi: diskutantja iu dalldis pas një shkrimtari prezentë aty në sallë. Librin e tij e kishte lexuar së bashku me ish të dashurin e saj në një plazh jashtë Atdheut dhe i kishte lënë shumë përshtypje artistike. Shkrimtari në fjalë sipas saj ishte edhe më i madh se Ismail Kadare?! Shkaku i “frymëzimit” të këtij shkrimtari, ajo i kishte shkruar mbrëmë një letër dashurie edhe ish të dashurit të saj, që e kishte braktisur moti para këtij “debati kulturor” për librin shqip. Haptas, në prani të publikut i vardisej si “lexuese”, ose e provokonte shkrimtarin “problematik” të Nënës Shqipëri. Edhe, patjetër me të kjo “lexuese e flaktë” e librit duhej të pi një kafe intime, sy më sy brenda katër mureve. Merreni me mend, edhe me cilin: shkrimtarin, që para pak kohe e kishte bërë një shkrim autobiografik në superlativ për Ali Ahmetin?!

Kalorës të arratisur nëpër partitë politike shqiptare që i kemi me qerre, deri kur do t’i lëmë të bredhin rrugëve me krijusit shqiptar të Atdheut: për pak pare dhe një dreke e një darke të varfër të shiten gjithë jetën tek politikanët e pandërgjeshëm në shërbim të politikës ditore shqiptare?! Krijuesë të cilët i kënaqi Atdheu (Shqipëria), tashti kanë mbetur të provojnë edhe bukën e “hidhur” dhe mëshirën e partizanëve politik shqiptar të IRJ të Maqedonisë (kurbetit). “Dashamirëve” të librit, që përshëndesin me duartrokitje frenetike hyrjen e politikanëve në sallë para kamerave televizive e jo poetët dhe poezitë e tyre të shkruara me shpirt e gjak, gjatë netëve të pagjumë para syve të Dexhallit me trumbeta nëpër Bit - Pazar. Fushatës së tyre parazgjedhore pa krye për pushtet t’u bashkohen me poezi e libra, e ato kur do të hipin nesër në  pushtet do t’i shpërblejnë  si “veteranë lufte” të hedhur në rrugë pa bukë. Krijuesë me Kakademikun në krye t’u pri në arsimin bashkëkohor dhe kulturën mbarëkombëtare shqiptare…Nesër?!...