E merkure, 03.03.2021, 12:11 AM (GMT)

Kulturë

Remzi Limani: Vetëm përmes dashurisë...

E shtune, 10.05.2014, 04:59 PM


VETËM PËRMES DASHURISË JETA KA KUPTIM DHE KUPTIMI KA JETË

Nga Remzi Limani

Kur flasim për dashurinë dhe për të bukurën, patjetër se në syrin e mendjes hyn femra dhe dashuria ndaj saj. Vlerat njerëzore, edukata, mirëkuptimi dhe ndërgjegjja e femrës karshi botës që e rrethon, për ta kuptuar mirëfilli rolin e saj karshi të tjerëve, të cilët, me mirësjelljen e femrës krah tyre, duke e fituar besimin e duhur, meshkujt ndihen rehat, të privilegjuar, shpirtërisht dhe moralisht edhe më të pasur. Pra, femra, e cila përveç bukurisë hyjnore, është e veshur edhe me petkun e njerëzores, shndërrohet në një margaritar të rrallë e të çmuar për rrethin e saj, sepse femra është shpirti i shtëpisë dhe fryma e mashkullit, pa të cilën nuk frymon asgjë prej gjëje.

Shtëpia pa praninë e femrës ngjanë në mulli pa ujë, që pa aromën e grurit të bluar shndërrohet në një objekt të shkretë e jashtë funksionit! E kemi fjalën për femrën e arsyeshme, të merituar..., e cila na bënë të ndihemi krenar me mirësjelljen e saj, sidomos në cilësinë e një gruaje të arsyeshme dhe të edukuar mirë. Kështu, nëse me të vërtetë është e mirë, e sjellshme dhe e njerëzishme, atëherë nuk ndjejmë nevojë të mendojmë për femër tjetër...

Njerëzit me përvojën e tyre për të bukurën femërore, kanë formuluar shumë epitete për femrat, si në kuptimin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ. Mirëpo, duke pasur respekt për femrat e zonja dhe qasjet e tyre të shëndosha, këtë herë do të merremi ekskluzivisht me hyjnoren e saj. Hyjnoren pas të cilës vrapojmë të gjithë ne, për të qenë krah një gruaje të bukur e të edukuar mirëfilli. Krah mendjes së saj të shëndoshë, sepse gruaja e arsyeshme, e cila në vetvete ngërthen njerzillëkun, dashurinë e sinqertë dhe bukurinë trupore, na bënë të ndihemi përplot me veten tonë, siç thotë edhe Balzaku: “Jeta e meshkujve është lavdia, jeta e gruas është dashuria”. Në këtë kuptim, dashuria është si frymëmarrje e parë, e hetueshme..., për të vazhduar me të dytën, që na mundëson frymëmarrje të plotë, ngase tashmë qëndrojmë pranë një gruaje që na bënë të ndihemi rehat, duke frymuar këndshëm në prehërin e saj të sigurt! Shekspiri thotë: "Është më mirë të jesh i varur mirë, sesa i martuar keq”! Nga kjo del se dashuria ndaj një femreje të bukur e të edukuar mirë, është gërshëtim i hyjnores me njerëzoren e domosdoshme, të cilën secili prej nesh e lakmojmë!...

Femra është burim i pashterrshëm frymëzimi, dhurata më e bukur mbi tokë që na e ka dhënë Zoti. Ajo është krijesa që meriton të duhet, të vlerësohet dhe të admirohet. Femra, Fjala dhe Arma janë vlera që s’bën t’i ndash nga kraharori. Sepse, me të parën të zgjatet jeta, me të dytën afirmohet kombi, me të tretën mbrohet atdheu.

Vetëm përmes dashurisë jeta ka kuptim dhe kuptimi ka jetë. Dashuria është fisnikërim i ndjenjave dhe lartësim i shpirtit. Femra është ajo që e lëviz botën dhe ta lëviz edhe tepelekun e kresë, po qe se të përplas në prehërin e saj. E kanë gabim të gjithë ata që mendojnë se mund të jetojnë pa dashurinë. Pa femra bota do të ishte ferr i vërtetë... Ajo e krijoi botën në kopshtin plot aromë dashurie, që të jep frymë jete dhe kuptim për të jetuar të bukurat e botës.

Bukuria nuk është vetëm në trup, ajo fshihet edhe në shpirt. Pra, trup e shpirt bashkë... Nga ky pikëshikim, femra është vatra e luleve më të bukura të botës. Ajo shfleton hartën erotike të trupit, kështuqë shikimet ndalen para fotografisë së saj eksplozive, të mbështjellë në afsh ndjeshmërie të zjarrtë, që e tundin gjinjë zanash si dallgë deti.

Falënderojmë Zotin, që na ka vendosur në kopshtin e bukurisë së pashterrshme. Njohim shumë krijues nga bota e artit, të cilët u frymëzuan dhe bënë emra kuptimi duke u marrë me të bukurën, që i lumturoi dhe ua fali shpirtin për të krijuar dhe për të qenë të lumtur me vetminë e tyre, duke e himnizuar femren në pikturë, poezi, në prozë dhe në këngë. Duke u shndërruar ndërkohë në ëndërrimtarë të mëdhenjë, me shpresën se sërish do t`i përqafojë aroma e ndonjë gruaje, që mund ta ketë derdhur flokun në prehërin e dikujt tjetër që nuk e kishte merituar? Femra ka vetëm një ligësi: ajo kërkon prova dashurie edhe kur e kupton se është e dashuruar...

Së këndejmi, përherë, me respektin më të madh, duhet t`i këndojmë të bukurës, e cila, sa na bëhet e ëmbël, herë - herë na servohet edhe si e hidhur. Kjo, nuk duhet të na shqetësojë aspak, sepse hidhësia e dashurisë e ka edhe ëmbëlsinë e saj dhe na vie disi e këndshme..., duke na i shpalosur ndjenjat tok me prushin e saj, pa të cilin na ngrinë shpirti. Në këtë kuptim, lëvizja e botës femërore, është ingranazhi kryesor, që i fut në lëvizje mendjet e botës, për të qenë përkrah të bukurës së mençur, pa të cilën nuk do të lëvizte asgjë prej gjëje! Sepse, bukuria e femres thonë se luan gurët e dynjasë. Fakti se për të bukurën janë thyer shpatat e shumë perandorive, na vërtetojnë ngjarjet historike nëpër kohë e hapësira të ndryshme. Jo rastësisht femra na bëhet e dashur si nënë, dashnore, grua... Si nënë, ajo merr kuptimin e shenjtores dhe dashurisë së pazëvendësueshme. Në këtë kuptim, humbja e dashnores apo gruas është shumë e dhimbshme por, asnjëherë nuk mund të peshohet me humbjen e nënës, ngase shenjtëria e saj zë vend të veçantë në panteonin e dashurisë së përjetshme. Pra, këtu jemi duke bërë fjalë ekskluzivisht për femrën, që nuk na është as farë as fis, por na bënë, që nëpërmjet saj ta hetojmë dhe ta kuptojmë dashurinë, mbi bazat e së cilës qetësohemi shpirtërisht duke zënë vend pranë tyre, si domosdoshmëri e natyrshme për të qenë të dashur dhe të dashuruar. Pa dashuri nuk mund të frymojmë shëndetshëm, as si shoqëri, as si individ.

Femra, pra, është shtylla e dytë e shtëpisë, pa të cilën as shtëpia nuk merr frymë shëndetshëm. Femrat janë ato që na bëjnë të ndihemi më komod me jetën, të jemi më të suksesshëm në krijimtarinë tonë. Femrat e arsyeshme bëhen frymëzimi ynë për një jetë të kuptimtë me gjithë frytet e saja. Ndaj, njeriu duhet ta kalojë jetën duke bërë jetë...

Mbyllja në vete, pa ndjenjën dhe pasionin e dashurisë, na bënë inferior ndaj vetes, rrethit dhe të tjerëve! Madje edhe ndaj dashurisë më të shenjtë që quhet Amësi. Personat që çdo gjë akumulojnë dhe instalojnë brenda vetes së tyre, ndërtojnë “mure” të pakapërcyeshme rreth vetes. Ata shndërrohen në diçka që shkakton pëlcitje të brendshme, si rrjedhojë e ndjenjave të izoluara, të mbërthimit të gjërave dhe fjalëve të pathëna, që qëndrojnë të ngurta përbrenda shpirtit të tyre!



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora