E premte, 19.04.2024, 10:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: Po vjen Lidhja në Prizren

E shtune, 10.05.2014, 05:46 PM


Namik Selmani

 

PO VJEN LIDHJA NË PRIZREN

 

Në qershor u lidh një besë

Vjen nga trojet fllad lirie

Duam tokën tonë të shtrenjtë

Duam male, dete, brigje.

 

Mos na merrni hise dielli

Mos na prekni trojet tanë

Se për besë ju djeg dhe qielli

Edhe guri bëhet flake.

 

Mund të të kesh ti njëqind jetë

Mund të kesh toka dhe stane

Kur është fjala për atdhenë

Jemi gati t’ndezim zjarre.

 

Fol, or fol, Abdyl Mentari

Mos u tut Ymer Prizreni!

Ndrin mes odës një bajrak

Urtë, urtë, shkon kuvendi.

 

Dhjetra këngë po prekin tela

Një tupan jehon te Sharri

Me plisbardhë u mbushka bjeshka

Sup më sup po rri shqiptari.

 

Më vjen Lidhja nëpër vargje

Po kërkon grykën e pushkës

Vjen nga vite mjaltë fjale

Që jehojnë te prag i kullës.

 

Druri guri po gëzojnë

Po gëzon foshnja te barku

Loket ëmbël po urojnë

Dhe në sup iu skuq bajraku.

 

 

FENIKSI I GOSTIVARIT

(Kushtuar Sandulla Zendeli (Daja) me origjinë nga Gostivari,

që prej 50 vitesh jeton në Suedi dhe kontribuon për kullturën kombëtare)

 

Ku dimrat suedeze hedhin stinëve shall dëbore

Blerimi i syve të ty më sjell kudo katër pranvera

Qofsh dritë e re, profesor, mes dritash madhështore!

Që të rizgjojmë së bashku mençurinë në breza.

 

Ta duam kalërimin në lëndinat arbërore të VATRËS

Aty ku kujtesa për ty është pragu që kurrë s’kallet.

Të jemi farkatarë për gazin e truallit të lashtë të BACËS

Të jemi maratonomakë që s’kanë stacion ku të ndalen.

 

Të vjen aty Gostivari ku dhe druri i Sharrit kthehet në penë

E dielli i Pollogut të vjen si të ishte zjarr Prometeu

Fisnik të duan, ku fjalëshqipja kthehet në legjendë

Ku djepi arbëror na kujton një qiell të dashur atdheu.

 

Aty qofsh një lule Gostivari në një vazo shqiptarie

Librat rradhiti si uratat e ngrohta dhe ëmbëltore të nënës

Hej, o fisnik i ushqyer në një vatër dhimbjesh e kopësht lirie

Të duam si pjesa më e bukur filizore e ëndrrës.

 

Kur dimrat suedezë nxjerrin nga mot dhëmbët e bardhë

Zgjohet një pranverë shkronjash shqiptarie si ortek me lule

Aty, lumturia jonë ndalet, skuqet e hedh bukurisht spirancë

Ylberet e mençurisë të së ardhmes na bien të gjithë ndër supe.

 

(Gostivar, Tiranë - 2 prill 2014)

 

 

MYSAFIRI I PRANVERËS

 

Liqenin puth një gjethe shelgu

Një guguftu lëvrin ndër fletë.

Çdo mbrëmje pres e pres te shtegu

Si mysafir që hap një derë.

 

Më pret një breg si kapedan,

Ku dashuria flet e hesht

Po si s’u njohëm vjet më parë,

Moj laureshë që vallen hedh.

 

Po si u çmendën duart, buzët

Në një lëndinë ku ka aq prush?

E humbëm krejt nëpër udhëkryqe,

Në një miniere pa anë e fund.

 

Ç’të bëjmë, moj mike me udhëkryqet,

Janë shtuar shumë, sa trurin mpijnë,

A thua jemi dallandyshe

Që duam vend të cicërijmë?

 

U rritëm shpejt si lastar lisi

Dhe shiu i kohës supin lag

Qerpik i syrit si portë prilli

Çel trëndafilë të kuq, të bardhë.

 

U rritëm shpejt si rriten shelgjet

Na morën sytë blerim e ngricë.

Me ëndrrën tonë u matën detet

Kur mbollëm bashkë dashurinë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora