DHE LIBRAT TË JENË TË TË GJITHËVE
Kritikë
NGA NEBI DRAGOTI
“…dua që
buka, zjarri, toka, mielli, sheqeri, /librat, deti, Atdheu-të jenë të të
gjithëve. . ”, është deviza e dhënë e Pablo Nerudës, poetit kilian, që i shkon
për shtat çdo krijuesi në botë për ta pasur lajtmotiv të vetin. Do, s’do, duhet
kuptuar drejt, të jesh në këtë pozicion, të japësh në fushën e artit në këtë
linjë, doemos, Atdheu ta ka bërë vendin e nderit. ”Deviza dhe
lajtmotivi”ngacmon talentin në kërkim për ta gjetur atë dhe për ta bërë armë të
preferuar në konceptin më pozitiv të individualitetit të vet poetik gjatë
proçesit të prodhimtarisë letrare. Pra, edhe librat duhet të jenë të të
gjithëve, siç shprehet edhe poeti me famë botërore. Imazhi i dhënë nëpërmjet
vargjeve cituar si fillim i këtij shkrimi kritik, është dritare për të parë krijuesi,
se ku duhet të mbështetet ose më mirë ku duhet t’i ketë rrënjët qoftë edhe një
vjershë e vetme para se t’i publikohet lexuesit. Parë dhe gjykuar në këtë
prizëm mbi poezinë, që botohet sot gjithandej nëpër faqe shtypi apo edhe në
volume të veçanta, jemi disa hapa prapa. Duhet punuar që poezia, pikësëpari, të
pasqyrojë bukurinë në konceptin gjithëpërfshirës gjatë kohës, kur e punon atë. Ka
shumë ujëra të tepërta që duhet të kullohen nga parcelat poetike, ku edhe duhet
të frenohet rendja pas sasisë dhe të ngulmohet për të dhënë cilësinë. Më
ngacmoi për këtë shkrim kritik faqja “Hapsirë letrare” e gazetës “boulevard” të
Durrësit date 22 prill 2014 dhe pikërisht cikli “Lulëkuqet e zemrës” të poetit
Sokrat Kotherja. M’u krijua në përceptim një tjetër panoramë poetike, ndryshe
nga ç’kam lexuar(poezinë e sotme), ku konkludova: art konkret, jetësor, jo i
stisur, jo rezultat i kërkimit formal, ku personazhe real nga jeta kanë
performancën e tyre lirike në vargje. Në mënyrë të pakuptuar dhe pa ta diktuar S. Kotherja jep detaje ku rrezatohet
natyrshëm morali i shëndoshë për njeriun. Dhe kjo ngroh lexuesin si qënie
njerëzore dhe i mbeten në kujtesë ç’ka thotë poeti tek vjersha “Gjyshi”:”Dhe
mua më la pas/Arat, lulet, këngët”…”M’u duk aq burrë e fisnik, /duke qarë në
formë ligjërimi, iku…”, apo tek “Ky njeri” ku i mëshon tonit: “Ky njeri një
aktpadi/për këtë botë “moderne”. Siç shihet fjala “modern” është futur në
thonjëza dhe duhet komentuar në konceptin vlerësues që jep poeti për kohën si
qëndrim i guximshëm i tij. Çdo kohë nuk është e perfeksionuar dhe nuk ka stad
të plotë zhvillimi harmonik jetësor. Këtë ide e kam konstatuar edhe në krijime
të tjera edhe, pse jepet si me ndrojtje
ky qëndrim. Ndryshe dhe me qartësi shpërthen tek “Mësuesi faqezi”:”-Cucat e
njoma i kap, i puth, i nduk/Unë ngrita kokën lart e thashë:-Ato janë fëmijë, mor
kopuk!”. Duke lexuar krijimtarinë e botuar të këtij krijuesi them, se grafika e
tij është në ngjitje edhe për tematikat që rrok, edhe për artin e vjershërimit
në përgjithësi. Ai, në “Jam poet”tregon
origjinën prej fshatari, ku fshatari, dihet, është i lidhur me tokën, sepse, filozofikisht,
aty është jeta:”Mua malli më ka marrë/të
vjelë misër e të shij grurë”…”Për djersën e mbirë në ballë, /për ngopjen me
afshin e tokës, /për derdhjen e bujqëve në arë”. Ose, më tej:”Më prekin mustaqet
e misrit/e ndjej tepër aromën e kashtës/më fut në dhe erë e plisit…”. Ka
figuracione që vinë natyrshëm si:”…kur dielli/akoma s’ka shkuar në
shtëpi”…”drithërat ngjyrë hëne/rombet e parcelave të arave…”. Ky poet ka unin e
vet poetik me personazh njeriun në fokus, ku nëpërmjet aktivitetit të
përditshëm bën dhe gëzon jetën. Nuk desha të lë papërmendur, se shoh që nuk
largohet nga misioni që ka duke qënë edhe vëzhgues:”O njeri, /ku po shkon
kështu…/Je nisur drejt/mbrëmjeve të absurditeteve…”. Është herët a vonë për
këto konkluzione, unë si kritik i mendimeve pluraliste, e lë në të drejtën e
lirisë së fjalës që ka çdo individ në sistemin demokratik për të cilin
kontriubojmë që ta kemi sa më të kënaqshëm, sa më të shëndosh për gjithë
shoqërinë pa e ndarë këtë në parcela të kamurish e të skamurish, ku disa rrojnë
në lluks e disa nuk kanë të hanë, Në këtë cikël ka detaje poetike të gjetura e
të thurura mirë, ku konstruktiviteti artistik duket si i përfunduar edhe pse
autori në fjalë, por edhe kushdo qoftë, kurrë nuk duhet të dehet dhe të
qëndrojë i kënaqur për atë që ka arritur. Ide të shëndosha ka edhe për
konceptin që ka dhënë në krijimin “Pasuria ime”, e cila, kjo pasuri për poetin,
është trashëgimia kulturore, ku veç
kësaj:”Nuk më hyn në sy asnjë bankë, /asnjë milioner e miliarder/sado pasuri e
famë të ketë…”. Këtu jemi në pozicionin e duhur të tij në shërbim të shoqërisë.
Them, se poezia e Sokratit është në rrugën e duhur, veç, mjafton të ngulmojë
duke i mëshuar akoma më shumë pasurimit me elemente artistike dhe të largohet
sa më tepër nga prozaizmi që haset nëpër vargje, sidomos edhe tek autorë të
tjerë, siç shohim. Ky fenomen negativ dëmton rëndë poezinë e sotme. Vërej, gjithashtu,
se duhet bërë kujdes me fjalorin dhe ndërtimin sintaksor, ku në vargje të ketë
edhe ritëm të mbrendshëm, edhe lokuencë, edhe meditacion, sepse këto janë
karakteristika të poezisë. Ka nevojë për tëharrje të ndonjë fjale, që duket e
tepërt, jo në vendin e vet dhe pa peshën emocionale. Kalova me lexim të
vëmendshëm nëpër këtë cikël për të vënë në pah e për t’u marrur më shumë vetëm
me anët pozitive, sepse këtë e pashë të arsyeshme dhe, sepse, duke menduar
kështu hedh dritë mbi tërë krijimtarinë e këtyre viteve në fushën e poezisë
duke dhënë këto konkluzione si ndihmesë. Ky kalim leximi nëpër këtë cikël më
kënaqi. Poezia kërkon t’i hapësh shtigje të reja, kurdoherë edhe në tamatikë, edhe
në veshje me elemente artistike dhe, sa është e mundur, të bësh këngë
pararendëse, vizionare në motivet ideore, që kërkon të arrijë shoqëria. Edhe
këtë duhet ta bësh sa më ndryshe nga të tjerët. Lejohet, por pa e tepruar, që
poezia ta ketë të mishëruar në trupin e saj ëndrrën e idealit njerëzor, dhënë
sa më natyrshëm, sa më artistikisht. Një etikë e tillë objektive dhe
funksionale e poezisë, besoj pa u gabuar, është e prirur për t’u arritur në çdo
kohë. Kjo është e lakmueshme dhe në interesin më të mirë shoqëror për t’u
arritur në poezi.
Maj, 2014.