E premte, 19.04.2024, 12:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Nebi Dragoti: Librat të jenë të të gjithëve

E shtune, 10.05.2014, 05:30 PM


DHE LIBRAT TË JENË TË TË GJITHËVE

Kritikë

NGA NEBI DRAGOTI

“…dua që buka, zjarri, toka, mielli, sheqeri, /librat, deti, Atdheu-të jenë të të gjithëve. . ”, është deviza e dhënë e Pablo Nerudës, poetit kilian, që i shkon për shtat çdo krijuesi në botë për ta pasur lajtmotiv të vetin. Do, s’do, duhet kuptuar drejt, të jesh në këtë pozicion, të japësh në fushën e artit në këtë linjë, doemos, Atdheu ta ka bërë vendin e nderit. ”Deviza dhe lajtmotivi”ngacmon talentin në kërkim për ta gjetur atë dhe për ta bërë armë të preferuar në konceptin më pozitiv të individualitetit të vet poetik gjatë proçesit të prodhimtarisë letrare. Pra, edhe librat duhet të jenë të të gjithëve, siç shprehet edhe poeti me famë botërore. Imazhi i dhënë nëpërmjet vargjeve cituar si fillim i këtij shkrimi kritik, është dritare për të parë krijuesi, se ku duhet të mbështetet ose më mirë ku duhet t’i ketë rrënjët qoftë edhe një vjershë e vetme para se t’i publikohet lexuesit. Parë dhe gjykuar në këtë prizëm mbi poezinë, që botohet sot gjithandej nëpër faqe shtypi apo edhe në volume të veçanta, jemi disa hapa prapa. Duhet punuar që poezia, pikësëpari, të pasqyrojë bukurinë në konceptin gjithëpërfshirës gjatë kohës, kur e punon atë. Ka shumë ujëra të tepërta që duhet të kullohen nga parcelat poetike, ku edhe duhet të frenohet rendja pas sasisë dhe të ngulmohet për të dhënë cilësinë. Më ngacmoi për këtë shkrim kritik faqja “Hapsirë letrare” e gazetës “boulevard” të Durrësit date 22 prill 2014 dhe pikërisht cikli “Lulëkuqet e zemrës” të poetit Sokrat Kotherja. M’u krijua në përceptim një tjetër panoramë poetike, ndryshe nga ç’kam lexuar(poezinë e sotme), ku konkludova: art konkret, jetësor, jo i stisur, jo rezultat i kërkimit formal, ku personazhe real nga jeta kanë performancën e tyre lirike në vargje. Në mënyrë të pakuptuar dhe pa ta diktuar S. Kotherja jep detaje ku rrezatohet natyrshëm morali i shëndoshë për njeriun. Dhe kjo ngroh lexuesin si qënie njerëzore dhe i mbeten në kujtesë ç’ka thotë poeti tek vjersha “Gjyshi”:”Dhe mua më la pas/Arat, lulet, këngët”…”M’u duk aq burrë e fisnik, /duke qarë në formë ligjërimi, iku…”, apo tek “Ky njeri” ku i mëshon tonit: “Ky njeri një aktpadi/për këtë botë “moderne”. Siç shihet fjala “modern” është futur në thonjëza dhe duhet komentuar në konceptin vlerësues që jep poeti për kohën si qëndrim i guximshëm i tij. Çdo kohë nuk është e perfeksionuar dhe nuk ka stad të plotë zhvillimi harmonik jetësor. Këtë ide e kam konstatuar edhe në krijime të tjera edhe,  pse jepet si me ndrojtje ky qëndrim. Ndryshe dhe me qartësi shpërthen tek “Mësuesi faqezi”:”-Cucat e njoma i kap, i puth, i nduk/Unë ngrita kokën lart e thashë:-Ato janë fëmijë, mor kopuk!”. Duke lexuar krijimtarinë e botuar të këtij krijuesi them, se grafika e tij është në ngjitje edhe për tematikat që rrok, edhe për artin e vjershërimit në përgjithësi. Ai, në “Jam poet”tregon  origjinën prej fshatari, ku fshatari, dihet,  është i lidhur me tokën, sepse, filozofikisht,  aty është jeta:”Mua malli më ka marrë/të vjelë misër e të shij grurë”…”Për djersën e mbirë në ballë, /për ngopjen me afshin e tokës, /për derdhjen e bujqëve në arë”. Ose, më tej:”Më prekin mustaqet e misrit/e ndjej tepër aromën e kashtës/më fut në dhe erë e plisit…”. Ka figuracione që vinë natyrshëm si:”…kur dielli/akoma s’ka shkuar në shtëpi”…”drithërat ngjyrë hëne/rombet e parcelave të arave…”. Ky poet ka unin e vet poetik me personazh njeriun në fokus, ku nëpërmjet aktivitetit të përditshëm bën dhe gëzon jetën. Nuk desha të lë papërmendur, se shoh që nuk largohet nga misioni që ka duke qënë edhe vëzhgues:”O njeri, /ku po shkon kështu…/Je nisur drejt/mbrëmjeve të absurditeteve…”. Është herët a vonë për këto konkluzione, unë si kritik i mendimeve pluraliste, e lë në të drejtën e lirisë së fjalës që ka çdo individ në sistemin demokratik për të cilin kontriubojmë që ta kemi sa më të kënaqshëm, sa më të shëndosh për gjithë shoqërinë pa e ndarë këtë në parcela të kamurish e të skamurish, ku disa rrojnë në lluks e disa nuk kanë të hanë, Në këtë cikël ka detaje poetike të gjetura e të thurura mirë, ku konstruktiviteti artistik duket si i përfunduar edhe pse autori në fjalë, por edhe kushdo qoftë, kurrë nuk duhet të dehet dhe të qëndrojë i kënaqur për atë që ka arritur. Ide të shëndosha ka edhe për konceptin që ka dhënë në krijimin “Pasuria ime”, e cila, kjo pasuri për poetin,  është trashëgimia kulturore, ku veç kësaj:”Nuk më hyn në sy asnjë bankë, /asnjë milioner e miliarder/sado pasuri e famë të ketë…”. Këtu jemi në pozicionin e duhur të tij në shërbim të shoqërisë. Them, se poezia e Sokratit është në rrugën e duhur, veç, mjafton të ngulmojë duke i mëshuar akoma më shumë pasurimit me elemente artistike dhe të largohet sa më tepër nga prozaizmi që haset nëpër vargje, sidomos edhe tek autorë të tjerë, siç shohim. Ky fenomen negativ dëmton rëndë poezinë e sotme. Vërej, gjithashtu, se duhet bërë kujdes me fjalorin dhe ndërtimin sintaksor, ku në vargje të ketë edhe ritëm të mbrendshëm, edhe lokuencë, edhe meditacion, sepse këto janë karakteristika të poezisë. Ka nevojë për tëharrje të ndonjë fjale, që duket e tepërt, jo në vendin e vet dhe pa peshën emocionale. Kalova me lexim të vëmendshëm nëpër këtë cikël për të vënë në pah e për t’u marrur më shumë vetëm me anët pozitive, sepse këtë e pashë të arsyeshme dhe, sepse, duke menduar kështu hedh dritë mbi tërë krijimtarinë e këtyre viteve në fushën e poezisë duke dhënë këto konkluzione si ndihmesë. Ky kalim leximi nëpër këtë cikël më kënaqi. Poezia kërkon t’i hapësh shtigje të reja, kurdoherë edhe në tamatikë, edhe në veshje me elemente artistike dhe, sa është e mundur, të bësh këngë pararendëse, vizionare në motivet ideore, që kërkon të arrijë shoqëria. Edhe këtë duhet ta bësh sa më ndryshe nga të tjerët. Lejohet, por pa e tepruar, që poezia ta ketë të mishëruar në trupin e saj ëndrrën e idealit njerëzor, dhënë sa më natyrshëm, sa më artistikisht. Një etikë e tillë objektive dhe funksionale e poezisë, besoj pa u gabuar, është e prirur për t’u arritur në çdo kohë. Kjo është e lakmueshme dhe në interesin më të mirë shoqëror për t’u arritur në poezi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora