Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zejnepe Rexhepi: Imazhe poetike mbi kurora dafinash

| E premte, 09.05.2014, 07:05 PM |


Imazhe poetike mbi kurora dafinash

“Mos e shiko fundin e detit” - Andrea Zarballa

Nga Zejnepe A. Rexhepi

Poeti sarandiot, Andrea Zarballa dhe vëllimi i tij poetik “Mos e shiko fundin e detit” janë simbiozë e mishërimit të pamohueshëm midis emocionit dhe mendimit, midis imagjinares dhe reales, ashtu që perceptimi më i thellë mbi të, të lë shijen e një libri pretendues në Panteonin letrar. Libri i Zarballas të vjen si një klithmë, një lloj anatemimi, e jo një porosi dosido, prandaj as që ka nevojë për “sheqerosje”, siç ndodh, madje jo rrallë, me kritikën tonë të sotme.

Një poet urtak për kah natyra, por me një dozë të theksuar rebelizmi në ide e përpjekje, A. Zarballa, të ngjason me vetë detin, thellësitë e tij plot befasira e thesare…, mirëpo edhe të tilla trazime dallgëzore që dinë të përmbysin, atëherë kur plagët bëhen të pashërueshme nga dhembjet dhe nuk e honepsin dot më indiferencën. Është poeti që na mësoi se si mund të shpëtohet libri edhe në kohë kolerash (ideologjish komuniste) dhe të mos “përdhosen” vlerat e tij!

Si dëshmi për vlerësimin e këtij libri, në mënyrë të veçantë e falënderoj mikun tonë të përbashkët, Timo Mërkurin, falë të cilit e sigurova vëllimin “Mos e shiko fundin e detit” të A. Zarballës dhe disa libra tjerë poetësh sarandiotë. Them se, pushtohesh nga një ndjenjë lumturie, gjersa shfleton libra me vlerë!

“Lavdia” madhështi apo improvizim metaforik

Pas disa rileximesh të librit, më duhet të pranoj se, jo të paktë janë poetët, sidomos sot, që e vështrojnë me largpamësi të ardhmen krijuese të tyre, që ëndërrojnë kurora dafinash e vargje antologjike…, por A. Zarballa, s’e honeps këtë “soj” poetësh. Ai i këndon poetit të vlerave, jo të “lavdive”, i këndon madhështisë së vargut, dhe jo improvizimit të metaforave…!

Shqetësimi i poetit për kohën e idhujtarizmit të antivlerave, sajoi modelin e lavdisë, që si perceptim ka kurorën e lavdisë së poetëve, që fillon pikërisht një të diele të “palavdishme”. Duke dashur që këtë përmbushje emocionale ta shpalos edhe para lexuesit më të gjerë, e mora të plotë këtë poezi, ndonëse të vendosur të parën në libër, edhe nga vetë autori, unë do ta quaja zanafillë e kodeksit simbolik të të gjitha vargjeve të Zarballas.

Lavdia

Të hënën ngjeshi në kokë një kurorë dafine,

të martën mbushi xhepat si kacekë me gjethe dafine,

të mërkurën shkuli një pemë të tërë dafine dhe e

hodhi supeve,

të enjtën u pajtua rojtar në pyllin e dafinave,

të premtën la testament të presin gjithë pyjet e dafinave

e t’ia hedhin mbi varr.

të shtunën e zunë një palë djersë të ftohta, pa fund.

Të dielën iku i palavdishëm.

(“Mos e shiko fundin e detit”, f. 3.)

Në përkapjet metaforike, kjo poezi, të cilën me ëndje e rilexova disa herë, për të mos më ikur ndonjë fjalë, a ndonjë psherëtimë poetike, të vënë në funksion të përcaktimit javor, të ditëve - shekuj, të lavdisë - përbuzje, mendoj se merr fizionominë e përjetimit ndjesor të vetë poetit.

Lavdia ngjesh kurorë dafinash, mirëpo poeti dhe lavdia, në të vërtetë, janë imazhi i poetëve antikë. Te poeti ynë, tërë kjo ndjesi krijohet ndoshta, si ndikim parandjesor i humbjes si në imazhet eskiliane. Mund të jetë ndoshta, vetëm një përkim variantesh?! Por, një poet bregdetas, në sepetin e traditës së vendbanimeve bregdetare, i dëgjon pëshpërimat e detit, kur në valixhet e kujtimeve të jetës gjen arketipe dhembjesh e oshëtimash, nëpër kohët e vështira të mitologjisë e të ditëve që i jeton.

Kam bindjen se, të shkruash poezinë Joniane, duhet të kesh marrë bekimin e muzave, të jesh lindur me këtë dhunti a të të ketë lagur qoftë edhe një stërkalë uji i njelmët, “si një tis mëngjesi të përgjumur” (shprehje e kritikut A. Aliu).  E kjo poezi, njëlloj si në dhjetëra poezitë e para të librit, synon zhbirimin përtej - Përjetësinë.

Identiteti i përhumbur i poetit nëpër udhëtimet Joniane

Identiteti i zërit poetik të A. Zarballas, është si një përshkrim rrjedhash historike prej disa dekadash e më larg në kohë, duke sajuar kështu atë tablonë e gjerë të dramës shqiptare, ku poeti domosdoshmërisht gjen variantet e përshtatshmërisë së vetes. në përmasat e paforma të dheut të të parëve.

Strukturimi më i vëmendshëm tematik i poezive të këtij vëllimi, më shtyri të ndalem në poezitë: “Modesti” (2), “Distanca” (20), “Spanja” (22), “Fatalisht” (23), e ca të tjera të kësaj përmbajtjeje. Janë poezi që të ndjellin valë emocionesh të shumta e diskutime letrare, të nxitura, në saje të begatisë ideore e frazeologjike. Dhe, nuk ka se si të mos mbeten mbresëlënëse vargjet: “Mbaje në një farë distance njeriun/për të mos u gjendur pra rrudhave neveritëse…” (“Distanca”, 20-21).

Një linjë paralele e studimit ideo - artistik të vargjeve, mundëson ecjen gjurmëve të identiteteve krijuese, me ç’rast, nën tisin biografik të soditjeve, gjenden fijet lidhëse të poetit tonë me Urtinë e krijuesve antikë, mbase jo sa për të shpjeguar dallimet kulturore. Kjo traditë analize, mbi një lloj poezie, të mundëson qasje intreprtimesh të frytshme, në suaza të komparacioneve të përtej kohës, ku dukshëm thellohet ideja se “të gjitha kohët janë të sotme”. Në vargjet: “I ngjitej asaj kodre dhe sodiste Globin…/Por, jo se kishte iluzione,/s’mund ta shikosh tërë Globin nga një kodër-/modestët, s’janë medoemos të marrosur, / por, e dinte se kalonte ai nga kodra”, të poezisë “Modesti” (4-5), kthehet kuptimi i pranisë së poetit, si dikur, një epiqendër e rëndësishme e traditës klasike.

Me reflekset e lirikës autoktone, mbi gremisjen e fisit, braktisjen e vendit, përgjërimin për të ardhmen më të sigurtë..., e lexojmë poezinë: “Anijet e mbytura” (8-9). Përderisa, në “Poetët e vdekshëm” (12), poeti ka të njëjtin trishtim, tek sa në një varg shprehet: “M’u mbush fundi i shpirtit me gjemi të mbytura”. Ky varg përmbledhës, i miliona përmbysjeve shpirtërore, si i një udhëtari të regjur, vetë Uliksi, na orienton kah një ndërgjegje historike, e ndërlidhur thellësisht me ngjarjet dhe fatin e poetit, detarit, shqiptarit të migruar - udhëtar i Globit. Ky përngjashmim i Zarballas, me poetët e udhëtimeve të pafundta metaforash, derdhet këndshëm në vargjet: “Një varkë që erdhi dhe u ndal në dritaren time/dhe unë që s’duroja dot kaq pafundësi,/kundroja i mbështetur në parvaz..., (“Gjumi” , 11).

Poezia e Zarballas përmban shumë rrëfim poetik dhe formësohet si një perceptim i tërë mbi një ishull ideor që mban aromë Atdheu. Frymëzimi i poetit nis si një përndezje vatrash të ngjarjeve të së kaluarës, e që nuk u ndrydhën dot as 30 vjet të tëra, sepse lirikat janë fluturime prehjesh e vlimesh shpirtërore. Fundja, sfidat e të kundërtave e vënë në lëvizje, gjithherë qenien njerëzore dhe e shtyjnë poetin që t’i përcjellë këto impulse, pavarësisht rreziqeve që sjellin vajtje-ardhjet e furtunave. Një ishull i tillë, metaforik, midis furtunash është Saranda e izoluar, si Jugu i margjinalizimeve ideologjike, aty e gjetiu. Poezia e Zarballas, përmes vargëzimit unikal, thuajse është zotëruese e stuhisë, meqë sajohet si gjithpërfshirëse e dramës shqiptare, me ç’rast ekspresioni poetik vihet në shërbim të universit tematik, të poetëve që shënojnë epokë, ku pamëdyshje ndodhet krijimtaria e Zarballas.