E merkure, 24.04.2024, 11:42 AM (GMT+1)

Mendime

Skender Minxhozi: “Marrç malet”

E premte, 20.06.2008, 04:48 PM


Skender Minxhozi
“Marrç malet”

Shkruan: Skender Minxhozi

Një kronikë televizive e ditëve të fundit njoftonte se çdo ditë në pikën kufitare të Kapshticës, policia greke kthen rreth 120 emigrantë të paligjshëm. Bëhet fjalë për atë kategori njerëzish, vijon kronika, të cilët duke përfituar nga stina e ngrohtë, i ngjiten malit të Gramozit apo malësive aty rrotull, për të kaluar matanë kufirit, me shpresën se edhe këtë vit plantacionet e agrumeve të afendikonjve do të kenë punë krahu për ta. Një llogari e thjeshtë, dukur futur brenda këtyre shifrave edhe pikat e tjera doganore të Jugut, na thotë se janë më mijëra, në mos me dhjetra mijëra, fatkëqinjt që tentojnë një fat tjetër nga ai që kanë.
Histori e vjetër, muzikë e vjetër, kjo e emigracionit shqiptar ilegal drejt Greqisë fqinje. Po mbushen dy dekada qëkurse dëgjojmë për procesione varfanjakësh që zhduken faqeve të maleve apo kaçubeve e ferrave të Epirit. Për të mos folur për ata që pasi bien në duart e policisë vendase, bëhen shpejt pishman për rrugën që morën e që kthehen mjaft shpesh në lajme të trishta kronikash me trupa të vrarësh që sillen në morgjet e spitaleve tona.
Ky procesion vdekjeje, më shumë sesa punësimi sezonal, po vijon me një intensitet të palëvizshëm prej vitesh. Ky fakt na thotë se ne sot ndodhemi fiks përballë të njëjtave situatave dhe sfidave, si pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më parë. Një limë vizitash dypalëshe, një përrua marrëveshjesh dhe shkresurinash të tjera nuk kanë bërë asgjë për të lehtësuar e pse jo, edhe për ta ndalur këtë hemorragji njerëzish të dëshpëruar. Shumë po flitet e po shkruhet këto ditë për lehtësim vizash apo edhe për heqjen e tyre te afërt. Revista i ka kushtuar një investigim të plotë këtij procesi. Na rezulton se retorika i tejkalon disafish faktet dhe realitetin. Të marrësh një vizë është ende një operacion i koklavitur në sportelet e ambasadave të Tiranës. Të shkosh tek të afërmit në Greqi, Itali apo Britani të Madhe, është sot një ndërmarrje ku paratë e udhëtimit nuk janë gjithsesi problemi kryesor.
Dhe menjëherë, si me magji, turma e anonimëve merr një torbë në krah dhe i drejtohet kufirit. “Të marrësh malet” ka qenë një shprehje që historikisht ka evokuar ikjen nga sytë këmbët, duke nënkuptuar një hall të madh. E pra mesa duket shqiptarët ende janë duke marrë malet. Në të gjitha drejtimet, me të gjitha mënyrat. Dhe kjo i bën turp çdo shteti. Aq më tepër një shteti “të asociuar”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora