E premte, 29.03.2024, 10:37 AM (GMT)

Kulturë

Vaid Hyzoti: Qyteti i pikëlluar i Rexhep Shahut

E merkure, 07.05.2014, 06:15 PM


QYTETI I PIKËLLUAR I REXHEP SHAHUT

(mbi  vëllimin "Qyteti i Lutjeve" të Rexhep Shahut, botuar në Tiranë, në Mars, 2014)

NGA VAID HYZOTI

Një burrë i ashpër, me një fuqi të pazakontë, lindur e rritur nën hijen e malit të Pikllimës, bën një rrugë të largët. Në krahë ka hedhur si në hejbet e tërë nahijes së tij, atë mal poetik dhe, me këtë pasuri të pazakontë, vendoset në një qytet të çuditshëm. Është qytet me  emër të madh, me emër të mirë dhe  heroi ynë hap kokërdhokët e syve ta shohë në çdo cep, të përshtatet e t'i përshtatet atij. Nuk  i tregon gjë për pasuritë që ka, por e nis qëmtimin në një bulevard me një  emër mbretëror për nderimin dhe paramendimin që kishte malësori ynë për këtë qytet. Dhe ia vlen të jetë një halë pishe, siç e pagëzon veten. Eksplorimi  i mëpasmë është në çdo rrugë, rrugicë, sokak e konak, në sytë e të gjithë njerëzve që has. Pas një lodhje të gjatë, ndihet i verbër, sytë ia kanë nxjerrë, si shumë e shumë të tjerë që ka hasur. Por ai tashmë është shkrirë me këtë qytet dhe si një famulltar e imam, se dhe vetë nuk përcaktohet se kujt religjioni i përket ekzaktesisht, madje as që njeh ndarje në besime, por duke iu drejtuar fesë njerzore, njerzve pa sy, rikrijon  vetë një qytet lutjesh. Në fund të fundit për arkitekturën e ndërtimin e tij nuk i duhet të shohë (se sy s'i jep kurrkush, as në treg të zi), se sytë, si shumëkujt, ia kanë nxjerrë. Po mirë kanë bërë. Le të ndjeje dhimbje heroi ynë, se ndjesitë shtohen dhe ai lutet dhe e ndërton arkitekturën e qytetit me atë pasuri të tij, me atë mal pikëllime në hejbet e vendlindjes, që e përdor për tempullin e vet poetik të lutjeve për njerezit....

Një mal pikëllime dhe duket se nuk mjafton tamam në lutjet tejet njerzore të Rexhep Shahut. Madje, për mua ky libër ka dhe gjëra të pazakonta dhe për faqosjen, pasqyrën e lëndës, kohës që të mban për ta lexuar. Kështu ka ndarje në 138 krijime, ku në të vërtetë është vetëm një poemë, që me afshin e të shkruarit, duket se do vazhdojë ende. Mbase jo nga autori, por nga lexuesit që, të ndikuar nga lutjet e poetit, do i zbulojnë vetes plagë të reja që i fshehin nga turpi apo "burrëria" dhe do të luten dhe ato. Një e pazakontë tjetër është se kushdo që e merr në dorë këtë  vëllim e lexon nga fillimi në fund dhe vazhdon sikur vazhdon lidhja e një rrethi. Prej këtej  me duhet të them se ka një magji: gjithë ky libër voluminoz (176 faqe), për frymën që  e përshkon, tematiken e ndjeshmërinë, të shtyn të mendosh se është shkruar jo vetëm për një orë, por në një çast të vetëm. Se autori ka qenë aq i mbushur, aq i kthjellët, aq lutës dhe ëndërrues për njeriun, aq shumë pranë tij, saqë gjithçka e sjell me një bindje artistike të plotë, të besueshme e drithëruese. E këto tipare gjenden aq rrallë sot, kur shkruhen aq shumë poezi e lexohet aq pak....

Një qytet me një arkitekturë të re, i ngritur me ëndrrat dhe deshirat, që çdo banor do ta bënte krenar, padyshim do dhe mozaikët e gurëve e pllakave, lulet e lulishtet, sheshet dhe parqet, kënget për fëmijet, dashuritë e ndjera shpirtërore (nga ato ku nuk nevojitet ndihma e viagrave apo çdo lloj nxitësi artificial). E meqë i ka  këto me bukuri dhe larmi ngjyrash, mbase nga një "numërim" i shpejtë autori i quan si krijime më vete, ndonëse shkrihen në mënyre organike me të tërën.

Lutjet kanë një leksik të pazakontë, sipas religjionit. Por tek Rexhep Shahu (e thamë edhe më lart), janë shkrirë në një të gjitha faltoret dhe ai lutet me zërin e tij, me fjalët e trishta që vrasin vesin të sherojnë njeriun. Tërësia e metaforave, në të shumtën e herës, si dhe tropeve të tjera është tepër domethënëse në përcjellje të mesazheve me atë veshjen e veçantë që merr zëri i tij përgjerues shpesh, i ashpër, i drejtpërdrejtë. Një fjalë e pikëlluar si e marrë nga mali, e butë si rrafshnaltat, e përlotur apo dhe tejet e kthjellët... Se autori synon të mbërrijë përtej vështrimit të syrit (në ligjeratë të zhdrejtë nga poezia "Kam frike të të lë vetëm"), të ngreje zërin mbi njeriun "që gërvish veshët e botës", me bindjen e plotë se "ëndrrat e mia një ditë/do të çelin lule në tokë" (poema "Më ka marrë malli") dhe sa e sa të tjera. Se projektuesi i këtij qyteti kërkon ta mbushë rrugën plot me zëra të çiltër fëmijesh, me gazin e tyre. Se pa ato zëra, siç thotë vetë, "nuk do të rrija as një mijë pash nën dhe".

Kam një droje të marr sa e sa shembuj  krijimesh e figurash, se më duket se  dhe me vleresimet, dhe me komentet, dhe me lavdërimet, ia prish bukurinë e virgjër figurave, ideve, mesazheve poetike. Por në vazhdën e librit "Lis i Vetem në Fushe", nisur nga arritjet më të mira të tij, Rexhep Shahu na sjell një libër të mrekullueshëm poetik, ndonëse "i rëndë" në dhimbje, por me të vërtetën dhe bukuritë e ndjesive njerzore. Se e thamë: është "malësori" që thërrmoi një mal pikëllime për të ndërtuar  një qytet poetik....



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora