E enjte, 25.04.2024, 01:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Sonila Meco: Politikës së sotme shqiptare i mungojnë vizioni, idetë, kthjelltësia, njerëzit e duhur

E premte, 20.06.2008, 05:04 PM


Nga Albert Zholi
 
SONILA MEÇO: Politikës së sotme shqiptare i mungojnë vizioni, idetë, kthjelltësia, njerëzit e duhur

Dashuria është kimi e alkimi bashkë
 
AKTIVITETE DHE TRAJNIME

Vere 1996, Budapest, Hungari           -  Shkollë verore për  politikat në Tranzicionin e Vendeve të Europës Lindore.
Vere 1998, Paris, Francë             -   Seminar me temë “ Barrierat e Komunikimit mes të rinjve në Europë”.
Dhjetor 1998, Londër, Angli        -    Kurs trajnimi për të rinjtë europianë mbi Rëndësinë e Komunitetit në Europën e Bashkuar.
Tetor 2000, Pragë, Ceki               -    Seminar trajnues dhe pjesmarrje aktive në konferencën me temë “ Perspektiva e Reformave në Bursat Ndërkombëtare”.
Maj 2004, Sarajevë, Bosnjë Hercegovinë  - kurs trajnimi nga Rrjeti i Europës Juglindore mbi Profesionalizmin në Media me fokus në Raportimet mbi historitë njerëzore, problemet sociale dhe ato shëndetësore në mileniumin e ri.
Mars 2005, Tiranë -   Kurs trajnimi mbi mënyren e raportimit dhe prezantimit në media nga trajnues të rrjeteve CNN dhe BBC.

Hyrja

Jetën pas studimeve Universitare e ka ndarë me ekranin dhe shtypin. Gjithnjë në lëvizje, gjithnjë në kërkim të së resë. Kohën e respekton në maksimum.

Sapo është larguar nga televizioni “Vizion Plus” dhe është  atashuar pranë televizionit “Klan” ku ka nisur dhe karriera e Sonila Meços, kohë  në të cilën është njohur dhe me dashurinë e saj të madhe, Drinin, me të cilin bashkëjeton prej pak muajsh. Ndërsa është shumë e njohur për aftësitë e saja intelektuale dhe cilësohet si drejtuesja më e mirë e edicioneve të lajmeve në Shqipëri, Sonila dallohet dhe për angazhimin e saj të madh me jetimët shqiptarë. Një sërë eksperiencash, tajnimesh, kursesh, e kanë bërë atë ndër femrat më të spikatura shqiptare në dekadën e fundit.  E palodhur, studiuese, rezultative, Sonila kërkon në labirinthet e jetës, më të vështirën për të arritur më të bukurën.

Sonila dhe jeta shkollore. Mësimet e para dhe marrëdhëniet me shokët dhe mësuesit.

-Sa herë më pyesin për shkollën, më pleksen kujtimet e studimeve në orët e vona me emocionet dhe ngasjen e stërvitjes disa orësh-e gjatë pasdites. Që nga klasa e dytë fillore e gjer në vitin e dytë gjimnaz jam aktivizuar në sport dhe sedra më është provokuar dyfish, për të qenë ndër më të mirat në klasë e ndër më të spikaturat në skuadër. Andaj pavarësisht kohës së pakët jam impenjuar seriozisht tek të dy angazhimet që e kanë ndihmuar reciprokisht njëri-tjetrin. Sporti më ndihmonte të isha më e shoqërueshme, ambicioze por jo xheloze, konkurruese ne klasë por duke vlerësuar punën në grup, teksa formimi shkollor më ndihmonte të isha sportiste e disiplinuar dhe korrekte në respektimin e dietës dhe stërvitjes së fortë.

Megjithatë shkolla ka veçoritë e sajë. Preferencat për lëndët ndryshojnë me vitet e shkollës. Cilat ishin lëndët tuaja të preferuara?

 -Në kohë të ndryshme kanë variuar edhe preferencat, shpesh më rrëmbente një pasion i beftë për të zgjidhur probleme matematike aq sa merrja pjesë në olimpiada rrethi e kombëtare. Mandej më mahnitnin shkrimtarët e mëdhenj dhe shpresoja tek dhuntia e mrekullisë së të shkruarit, hartimet e mia më ngjanin si krijime të jashtëzakonshme por gjithhershëm ndikoheshin nga autori që më tërhiqte për momentin. Kur merrja ndonjë nëntë mendoja se ky qe triumfi im, mësuesja nuk mund të kuptonte dot artin tim dhe tek e fundit kështu kish ndodhur me artistët e mëdhenj, nuk qenë kuptuar kurrë nga brezi i tyre. (qesh). Këto qenë “marritë” e adoleshencës dhe kur kujtoj sa të tilla më kanë rrëmbyer në kohë të ndryshme sa nuk habitem që përfundova pedagoge finance me karrierë në gazetari.(qesh)

Shumë njerëz periudhën e shkollës e cilësojnë si periudhën më të artë të jetës?

-Janë pa fund kujtimet e atyre viteve, nëse do shkëpusja disa do të më hatërmbeteshin të tjerat, por jam e lumtur që kam pasur vite plot angazhime, ngjarje, pasione dhe kompetitive që në fund shënjuan atë Sonilë që njohin sot miqtë e publiku.

Cilat kanë qenë ëndrrat, prirjet dhe a  keni qenë ndonjëherë në ambiente televizive në vitet e shkollës?

-Prirjet kanë qenë të shumëllojshme, e thashë dhe pak më parë. E papërtuar, e motivuar, e panginjur për të provuar gjithherët  çka kam dashur ta zbuloj veten nëpërmjet përvojave dhe jo e kundërta. Më kujtohet sesi eksperienca e parë televizive ka qenë në moshën 14 vjeçare në një pjesë baleti që hapte siparin e festivalit të këngës 1992. Grupi i aerobisë  në të cilën bëja pjesë fitoi disa konkurse dhe në fund na zgjodhën për të çelur festivalin. Ka qenë vit i vështirë për shqiptarët, eksodet, rënia e sistemit, papunësia, varfëria, arratia prej një izolimi shpirtëror e kulturor, të gjitha na kishin kredhur në kaosin e zbulimit dhe gjetjes së vetvetes dhe të them të drejtën pavarësisht se dilema të tilla na shoqërojnë individualisht kur ato përfshijnë një popull të  tërë kthehen në përvoja të jashtëzakonshme. Qe një kaos që përtej dhimbjes kërkonte të rilindtte ëndrra dhe një shtet i ri. Atë vit Gjebrea fitoi me këngën “Jon” dhe unë ndihesha e mahnitur nga fakti se shihja nga afër artistët e skenës. Dhe si eksperiencë e parë televizive nuk qe keq, por natyrisht nuk qe baleti apo aerobia pika ime më e fortë andaj dhe egoja kërkonte më shumë, kërkonte veten.

Si e gjetët ëndrrën e jetës?

-Mes shumë dilemash për degën e studimeve, zgjodha Financën në vend të Biznesit, Juridikut apo Marrëdhënieve Publike jashtë Shqipërisë. Një zgjedhje që e bënë rrethanat për mua më shumë se unë për veten, sepse vetëm në fund të maturës kuptova se bëja përjashtim nga nxënësit e mirë që vendosnin me kohë për degën e studimeve të larta. Unë qeshë e zënë me aktivitetet, librat artistikë, marrosjet e castit pas lëndëve të ndryshme që përmbyseshin brenda një semestri për t’i zënë vendin një tjetër pasioni…. Pra kam qenë gjithherët në kërkim por pa një qëllim të qartë. Andaj dhe formimin sot e ndjej te gjithanshëm dhe jo të fokusuar veç në ekonomi, e mu bash për këtë dhe pozicioni i pedagoges nuk do të më përmbushtë të gjithën sepse gjatë viteve të shkollës qeshë investuar për më shumë se aq. Andaj nëse për degën e studimeve të larta vendosën rrethanat e momentit, për profesionin zgjodha unë.

Të gjitha startimet kanë emocionet e tyre. Ç’emocione keni ndjerë ditën e parë të transmetimit nëpërmjet kamerës televizive?

 -Emisioni i parë qe një prodhim i tv “Klan”  për Kampionatin Europian të futbollit 2000. Së bashku me Dritan Shakohoxhën dhe Suelën, një vajzë shumë simpatike drejtuam një format rishtar televiziv që pati sukses të jashtëzakonshëm. Atë ditë mu desh të vishja një fustan të gjatë, të grimohesha për herë të parë si një personazh ekrani, koka më rëndonte nga karficat por çuditërisht ndihesha aq mirë, në vendin e duhur sa të nesërmen kur ma konfirmuan edhe drejtuesit e televizionit besova pa mëdyshje se ekrani qe zbulimi më i bukur i jetës sime mbarsur me përvoja e dëshira kaotike.

Cila ka qënë dita më e vështirë në televizion, po dita më e bukur?

 -Ooooooooh, besomë është një pyetje që kurrë nuk kam për të t’i dhënë dot përgjigje, sepse kur çaste të vërteta, ndodhi të mëdha e ngjarje historike ke mundësi t’i ndash me publikun çdo minutë të bën protagonist apo dëshmitar të afërt të një çasti historik.

Sipas mendimit tuaj primare tek një prezantuese është  bukuria apo inteligjenca?

 -Njerëzit të shohin para se të dëgjojnë, por nëse  mahnitja e shikimit  mbaron shumë shpejt sado e madhe magjia e një fytyre të bukur, ajo e fjalës  nuk rresht kurrë, kuptohet kur artikulon mendim të bukur. Andaj nëse do jetë të gjatë në ekran e zemrat e publikut ji mençurisht e bukur.

Cilët kanë qenë idhujt tuaj të ekranit që ju kanë ndihmuar në karrierë?A do ta ndryshonit këtë profesion me një profesion që do t’ju bënte shumë më  të pasur?

-Ky profesion fatmirësisht të jep kënaqësinë e të qenit e paguar dyfish, nga dashuria e publikut dhe nga borderotë(qesh). Nëse investohesh fort profesionalisht , nëse ngahera kërkon e mëson, nëse e do me shpirt gazetarinë televizive paguhesh mjaft mirë edhe materialisht.

Ç’është dashuria për Sonilën dhe a ekziston dashuria e vërtetë?

 -E kanë përkufizuar koka të mëdha të njerëzimit dashurinë dhe i kanë dhënë emra personazhesh të mëdhenj, unë patjetër jam diku aty, ne besimin e palëkundur se e vërteta ekziston por jo e ngurtë, unike. Ajo transformohet, pështillet e harliset në mijëra momente e ndjesi të ndara me njeriun pa të cilin s’mundesh të shijosh asnjë minutë të kësaj jete. Është kimi e alkimi bashkë, nuk dua ta përkufizoj veç ta përjetoj.

A është marrë me politikë Sonila dhe përse?

-Me politikë? Po të isha marrë besoj do më shihnit në ndonjë shtab elektoral apo të njëanshme në emisionet e mia. Asnjëra nuk ka ndodhur e ju siguroj nuk ka për të ndodhur dhe për shumë.

Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare?

-Vizioni, idetë, kthjelltësia, njerëzit. Praktikisht gjithçka për të qenë politikë për ne, por ka gjithçka për të justifikuar vetveten si profesioni i dytë më i vjetër në botë.

Cilat janë interesat tuaja  dytësore

Leximi i librave, shtypit dhe mbajtja në kontakt me cështjet ndërkombëtare.  Udhëtimi dhe njohja me kultura të reja.   Volejbolli dhe noti.

Nqs do flasim për titujt...?

Kandidat master në SHPUSE pranë Fakultetit Filologjik. Master mbi Studimet Europiane

Dhe lidhjen me shtypin...?

Nga viti 2002 një sërë artikujsh të botuar në të përditshmet shqiptare mbi tema sociale, politike dhe një sërë intervistash me personalitete të njohura nga fusha të ndryshme.

Bashkëpunime me disa OJF dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile për një sërë tryezash të rrumbullakta, seminaresh dhe aktivitete me fokus në çështje të medias, integrimit e reformave që e shoqërojnë si dhe në tema sociale.

Ju për një periudhë kohe keni qenë Pedagoge efektive në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Kontabilitet (Tetor 1999 – Mars 2001)

Po. Kam përgatitur leksione dhe seminare në lëndën e Financës Ndërkombëtare për vitet e IV-ta, lëndë që jepej për herë të parë në këtë fakultet në degën e Financës dhe kam përgatitur seminaret e lëndës Drejtim Financiar për vitet e III në degët Financë dhe Biznes. Kam përkthyer e përshtatur një sërë artikujsh nga revista ndërkombëtare për qëllime studimi dhe përfshirje në tekste mësimore

Ju keni disa bashkpunime me Institutin Kombëtar të Intergrimit të Jetimëve Shqiptarë, çfarë ju ka shtyrë në këtë bashkpunim?

 -Thelbësor është misioni që ka marrë përsipër ky Institut i nderuar. Nevoja për më shumë vëmendje në një botë gjitnjë e më globale, në sisteme gjithnjë e më të vështira për të mbijetuar bëhet edhe më e ndjeshme në një vend si yni ku plagët dhe kaosi social, përmbysja e hierarkisë së vlerave, degradimi i institucionit të familjes prej faktorësh soc-ekonomik na dënojnë cdo ditë me drama të vogla e të mëdha. Duke punuar në media shoh e përcjell thuajse cdo ditë copëza të tilla jete me shpresën se janë të fundit, se shoqëria do të gjejë forcën, guximin e kurajën të nxjerrë jashtë kontekstit të saj tradicional këto deformime e qëndrime refraktare karshi shtresave më në nevojë. Këmbëngulja e jashtëzakonshme e Ilir Cumanit përkoi me ndjeshmërinë time të lartë karshi fëmijëve dhe sot jam e lumtur që me emrin, angazhimin dhe ndihmën time të bëhem pjesë e kësaj sipërmarrjeje të madhe për t'u ndjerë të barabartë e të vlerësuar në një shoqëri gjithnjë e më egoiste.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora