E merkure, 24.04.2024, 04:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Kosova Info: Intervistë më shkrimtarin Ndue Ukaj

E merkure, 07.05.2014, 06:59 PM


Intervistë më shkrimtarin dhe nënkryetarin e PSHDK-së, z  Ndue Ukaj

PSHDK-referencë për identitetin tonë europian

“Duke parë degradimet e shumta të vendit, përdhosjen e vazhdueshme të identitetit tonë kulturor, tendencave për të ndryshuar historinë, rritjes së dashurisë për armiqtë e dikurshëm, performancën joevropiane të spektrit të gjerë politik, orientimet e shpeshta proosmane, kam menduar se PSHDK-ja, me traditën që ka, me filozofinë që ngërthen dhe me vlerat që sintetizon, mund të jetë një forcë drejtpeshuese në këtë mjegullnajën politike të Kosovës

“Duke parë degradimet e shumta të vendit, përdhosjen e vazhdueshme të identitetit tonë kulturor, tendencave për të ndryshuar historinë, rritjes së dashurisë për armiqtë e dikurshëm, performancën joevropiane të spektrit të gjerë politik, orientimet e shpeshta proosmane, kam menduar se PShDK-ja, me traditën që ka, me filozofinë që ngërthen dhe me vlerat që sintetizon, mund të jetë një forcë drejtpeshuese në këtë mjegullnajën politike të Kosovës.”

Kosova Info: Zotëri Ukaj, si analist dhe krijues, pse zgjodhët PShDK-në?

Ndue Ukaj: Dihet se Demokristianët e Europës, kanë krijuar ura të paqes dhe ishin shtylla themelore të krijimit të Unionit Europian, aty ku aspirojmë të gjendemi në një të nesërme. Gjithashtu, në aspektin ekonomik, demokrisitianët ishin pjesë e lëvizjes më të madhe politike, të pas Luftës së Dytë Botërore, që ndihmuan popujt europian, të arrijnë deri te mirëqenia e përgjithshme që e kanë sot. E gjithë kjo punë gjigante është bërë, e shtytur dhe udhëhequr nga parimet dhe  vlerave universale, që ndërlidhen fuqishëm me dinjitetin, lirinë dhe drejtësinë, që janë shtylla të demokristianizmit.

Duke qenë pjesë e kësaj lëvizjeje të gjerë, kam vlerësuar se PShDK-ja, i duhet Kosovës, si një zë që promovon identitetin tonë europian dhe përkatësisë tonë perëndimore. Përkundër faktit se kjo s’është parti populiste dhe masive, kam vlerësuar se ajo mund të jetë një referencë drejtpeshuese në shoqërinë tonë. E degradimet e kohëve të fundit, e dëshmuar këtë që po them fuqishëm. Andaj, kam menduar se me një grup njerëzish, të ushqyer nga ideale mirëbërësie, këto vlera të synojmë t’i implementojmë në kontekstin tonë, ku ndjehet nevoja për të krijuar ura të paqes, e ku liria, drejtësia dhe dinjiteti, të vihen në epiqendër të politikës. Përvoja e viteve fundit, sidomos hovi me të cilën po synohet të çrrënjoset kultura jonë, tradita dhe identiteti, tregojnë nevojën për ekzistencën aktive të kësaj partie.

Jam i vetëdijshëm se petkat politike për krijues, zakonisht janë të ngushta dhe s’ju shkojnë për shtati. Mirëpo, duke parë degradimet e shumta të vendit, përdhosjen e vazhdueshme të identitetit tonë kulturor, tendencave për të ndryshuar historinë, rritjes së dashurisë për armiqtë e dikurshëm, performancën joevropiane të spektrit të gjerë politik, orientimet e shpeshta proosmane, kam menduar se PShDK-ja, me traditën që ka, me filozofinë që ngërthen dhe me vlerat që sintetizon, mund të jetë një forcë drejtpeshuese në këtë mjegullnajën politike të Kosovës. Ajo, edhe pse nuk është tani  e përfshirë në jetën politike, pra në institucione, vazhdon të jetë aktive, duke bashkëpunuar me partitë simotra në Europë dhe duke promovuar filozofinë e saj politike.

Natyrisht, partitë politike te ne, vazhdojnë të jenë tufa militantësh, ku pak vjen në shprehje intelekutaliteti, fakt ky që e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe ka sjell në skenën politike dështak të shumtë.

Kosova Info: Ku është sot PShDK-ja, pasi ajo kohëve të fundit ka qenë e shkapërderdhur në shumë copëza. Sa po punohet në bashkimin e saj?

Ndue Ukaj: Kosova po bën përçapje të ngadalshme drejt demokratizimit dhe në këtë kontekst, partitë duhet të jenë bartëse, promovuese dhe stimuluese të këtyre proceseve. Këtë rol ato mund të luajnë, vetëm duke pasur në hierarki njerëz me dinjitet e profesionist të suksesshëm. Për më tepër, ky proces do mend e kulturë. Pikërisht për mungesë të këtyre, ne vazhdojmë të lëngojmë nga kriza të njëpasnjëshme. Partitë te ne, nuk kanë arrit të demokratizohen si duhet dhe për pasojë, natyrisht ka pasur ndarje, përçarje, por jo për parime të qarta humane e politike. Më shumë për interesa personale. Këtë lëngatë e ka kaluar edhe PShDK-ja, e cila, ka pasur dhe ka peripeci. Por, tani është hapur dhe ka tendenca për demokratizim dhe ecje me vetëdije ka vlerat themelore të demokracisë kristiane.

Paralel me sfidat e përgjithshme që e karakterizojnë jetën tonë politike, është edhe PShDK-ja. Ka nevojë të vazhdueshme për hapje, forcim të shkollës politike demokristiane, që është një shkollë universale, e bazuar në parimet e lirisë, solidaritet dhe drejtësisë. Janë këto vlera, që në perëndim, kanë krijuar kohezion dhe zhvillim konsistent ekonomik.

Kosova Info: Në zgjedhje do të dilni të vetëm a po me LDK-në, meqë kohëve të fundit shihet një riafrim, ose siç po thuhet, bashkim i aleancave të moçme?

Ndue Ukaj: Ne jemi duke biseduar me faktorë të ndryshëm vendor e ndërkombëtarë, me miq të shumtë demokristianë, që të krijojmë një konsensus të qëndrueshëm.

Opsioni i daljes së vetme në zgjedhje qëndron, pro gjithashtu po zhvillojmë negociata me partitë e mëdha. Do të jemi pjesë e atij koalicioni që pranon filozofinë tonë politike dhe njeh filozofinë tonë, për një identitet të qartë europian.

Kosova Info: Ju shkruani shpesh edhe për tema të ndjeshme. Si i vlerësoni proceset politike në vend. A jemi në rrugë të duhur si Kosovë?

Ndue Ukaj: Degradimi më i madh i Kosovës, është ai identitar. Pra kemi humbur busullën e orientimit. Jemi në gjysmën e dytë të dekadës së dytë, prej kur jetojmë në paqe dhe demokraci dhe kjo kohë, s’ka mjaftuar që t’i shërojmë gjitha plagët e së kaluarës.  E po ashtu, në vitet e lirisë e demokracisë, janë hapë edhe plagë të reja, sidomos ndjehet ankthshëm ndjenja e mosbesimit në shtetin tonë dhe të ardhmen e tij. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtarë, janë bërë përçapje evidente për konsolidimin e shtetit tonë.  Ndërsa tani është radha, të bashkuar e me të vetmin synim, ta bëjmë Europën atdheun e vlerave tona të përbashkëta, siç do të thoshte ideologu dhe shkrimtari i famshëm çek, Vaclav Havel. Kjo është aspiratë themelore e popullit të Kosovës , e politikës se saj, ashtu sikurse e kombit shqiptar anë e kënd. Integrimi në familjen e kombeve të përparuara që përbëjnë Unionin Europian, për ne s’është luks, por detyrim moral e kulturor. Ne duam të bëhemi pjesë e qenësishme e kësaj familjeje dhe të hyjmë në mesin e atyre kombeve të përparuara, me demokraci stabile, mirëqenie të shëndoshë e përparim ekonomik. E këto përparime, mund të marrin një koha ma pozitive dhe të përshpejtohen, atëherë kur të zhvillojmë hovshëm ndjenjat e lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit.

Që Kosova të qartësojë pozicionin e saj, përballë sfidave të viteve të fundit, duhet t’i shmang krizat e sajuara identitare. Pikërisht për këtë, si pjesë të identitetit tonë të përbashkët, duhet t’i rikujtojmë në mënyrë konstante vlerat e historisë sonë të përbashkët dhe të lartësojmë përherë, periudhën e lavdishme të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pa të cilin, historia shqiptare s’mund të kuptohet. Ne, gjithashtu duhet të kujtojmë kulturën e shkrimit shqip përgjatë shekujve të robërisë dhe shtypjes barbare, sikundër edhe periudhën e ndritshme e frytdhënëse të Rilindjes Kombëtare, kur  energjitë e shumta shqiptare, të shkapërderdhura nëpër botë, u bashkuan për të çliruar kombin shqiptar nga zgjedha e gjatë osmane.

Kosova Info: Ju jeni edhe krijues letrar. Ku është sot, Ndue Ukaj, si krijues?

Ndue Ukaj: Vazhdoj të në qetësi punën time krijuese. Shkruaj vazhdimisht edhe kritikë letrare dhe publicistikë. Kam disa projekte nëpër duar, por, që të shohin dritën duhet ende të pushojnë. Do të botohet së shpejti në Suedi, libri im “Arka e shpëtimit”, në suedisht, ndërkaq ky libër është duke u përkthyer në edhe në anglisht



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora