E premte, 18.10.2019, 10:27 PM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: ''Hëna e Shqipërisë''

E marte, 06.05.2014, 07:31 PM


HËNA E SHQIPËRISË – NJË SHPREHJE E PESIMIZMIT

(Ben Blushi:  HËNA E SHQIPËRISË,  Shtëpia Botuese Universitare “UET press”, Tiranë, prill 2014, fq. 141)

Nga ADIL FETAHU

Simbolika e Hënës

Edhepse autori i libriT “Hëna e Shqipërisë”, Ben Blushi, simbolikën e Hënës në kontekst të parashikimeve të tij pesimiste për Shqipërinë e sqaron tek në eseun e parafundit (“Shqipëria po shkon në hënë” (fq.138-139), unë në këtë vështrim për lexuesit e mi  simbolikën e Hënës do ta sqaroj në fillim, vetëm se në kontekst tjetër, atë të mitologjisë dhe besimeve të vjetra pagane, ndonëse ka edhe në ditët e sotme besime të tilla madje edhe ndër shqiptarët. Prandaj, duket se këtë e ka pasur parasysh edhe autori Ben Blushi.

Hëna në mitologjinë popullore konsiderohet si simbol dhe motiv i besimit për veprimeve të caktuara. Është besuar se në varësi të fazave  të caktuara dhe të pozitës së Hënës (hëna e re, duke u mbushur; hëna në gjysmën e saj;  hëna e plotë; hëna në të sosur), varej efekti, rezultati i veprimeve të njeriut. Kështu, mbjellja e të lashtave, por edhe martesa duhej bërë me Hënë të re. Sepse, hëna e re simbolizon  lindje, fillim të ri, rilindje; në fazën e rritjes simbolizon arritje të reja; hëna e plotë simbolizon plotësimin e dëshirave; ndërsa hëna në rinie e të sosur simbolizon rënien, dorëzimin. Këto besime pagane ishin të shprehura në kohën e kultit të natyrës, te popujt e vjetër, por në njëfar dore edhe sot e kësaj dite popuj e fise të ndryshme besojnë në efektet e Hënës në fatin dhe frytësinë e jetës në tokë. Hëna, që konsiderohej si “motër e Diellit”, ka qenë dhe akoma është frymëzim i artistëve, piktorëve, poetëve, kompozitorëve . Nja nëntë shtete të botës e kanë simbolin e hënës në flamujt e tyre. Po t’i kthemi librit të Ben Blushit: Hëna e Shqipërisë.

Parashikimet pesimiste të Ben Blushit

“Fazën në rënie të hënës së Shqipërisë” Ben Blushi e ka zgjatur e shtrirë në 10, 20, 30, 50, 100 e madje edhe 200 vjetët e ardhshme, me parashikimet e tij aspak optimiste, madje mund të thuhet mjaft pesimiste.  Rënia e Shqipërisë do vjen si pasojë e pabarazisë mes klasave, brezave dhe territoreve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë e më gjerë, ku do ketë papunësi, varfëri, pesimizëm, braktisje e vendit. Kësaj pabarazie i shkon për shtati izolimi i Shqipërisë.  Libri “Hëna e Shqipërisë” është një histori që nuk ka ndodhur, por që autori parasheh se  do të ndodhë, përkundër dëshirës së tij që parashikimet t’i ketë të gabuara.  Parashikimet e tij pesimiste autori i shtjellon në nëntëmbëdhjetë ese e debate, të shtruara në 141 faqe të librit. Është ky një skanim i gjendjes së tashme në Shqipëri, në Kosovë e më gjerë, dhe një “profeci” për të ardhmën, madje deri në vitin 2214!

Në eseun “Dua të tregoj një histori që nuk ka ndodhur”, autori parashikon katastrofa ekologjike që do të ndodhin në dyqind vjetët e ardhshme, siç është ngrohja globale, përmbytjet, mbulimi i qyteteve e rajoneve të tëra nga uji,  mungesa e ujit të pijshëm, thatësia që djeg florën e faunën, zhdukja e llojeve të bimëve e kafshëve, e katastrofa gjithfarësh natyrore. Ushtritë e botës do luftojnë me stihitë e ujit, ndërsa Tirana mund të bëhet qytet bregdetar, kurse një pjesë e Evropës do të jetë shkretirë.

Në eseun “Çfarë do të jetë Shqipëria në njëqind vitet e ardhshme” (fq. 7-11), autori thotë se në vitin 2100 do të ketë një milion banorë më pak se që ka sot, dhe kjo do të ndodhë për shkak të pakësimit të lindjeve. Një absurd që ka ndodhur me shqiptarët e vërteton statistika (fq.10), sipas së cilës prej vitit 1500, të gjitha shtetet e Evropës kanë shtuar dhjetëfish e më tepër popullsinë e tyre. Në vitin 1800, në Ballkan popullsia serbe kishte 180  mijë banorë, ndërsa ajo greke 630 mijë, kurse shqiptarë kishte afro 700 mijë. Në vitin 1900 kishte 3 milionë serbë, 2,6 milionë grekë dhe mbi 1,5 milion shqiptarë. Absurdi është se neve na konsiderojnë me normën më të lartë të lindjeve, ndërsa jemi shtuar më pak se të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit e të Evropës (prej vitit 1500, jemi shtuar vetëm 3,5 herë!). Blushi nuk i përmend shpërnguljet e dhunshme të një mase të madhe të popullit shqiptar nga Ballkani në periudha e faza të ndryshme të historisë. Trendin negativ të  shtimit të popullsisë autori e lidhë me varfërinë, qeverisjen e keqe, cilësinë e jetesës, mungesën e shpresës për mirëqenie, emigrimin.

Autori beson se bashkimi me Evropën do të ndodhë në dhjetë a pesëmbëdhjetë vjetët e ardhshëm, por që enthusiazmi për anëtarësim në BE do të shënojë rënie edhe për shkak të krizës që e ka kapluar vet Evropën, e cila është e preokupuar me pleqërinë e popullsisë. Sa më shumë që po i afrohet Shqipëria, aq më shumë po largohet Evropa nga Ballkani, ngase zgjerimin e ka drejtuar kah lindja, për ta zgjeruar tregun e përbashkët që është me interes ekonomik dhe politik. Ky është synim i Gjermanisë, e cila po e merr primatin dhe dominimin e po i cakton prioritetet e Evropës, ashtu që në të ardhmen BE do të duket si një makinë, me timonin gjerman. Mirëpo, Rusia që po forcohet gjithnjë e më tepër, nuk është e interesuar për BE-në. Shqiptarët do të jenë gjithnjë e më skeptikë ndaj Evropës dhe zhvillimit të vendit, e do të shtohen ata që e dëshirojnë izolimin, për t’u pasuruar vet në kurriz të popullit. Izolatrikët nuk duan të hyjnë në Evropë, për të humbur liritë dhe privilegjet e fituara jashtë parimeve dhe normave evropiane. Do të krijohet një simbiozë midis të pasurive e politikanëve, deri sa të shkrihet e të shndërrohet në një shtresë. Varfëria e shumicës do rritet, e kjo ndikon në pakësimin e papunësisë, për shkak të migrimit dhe uljes së normës së lindjeve.

Bashkimi me Kosovën

Kur e analizon çështjen e bashkimit me Kosovën, autori thotë se vetë shqiptarët nga të dy anët e kufirit janë ata që do të jenë kundër bashkimit, sidomos elita politike e Kosovës, e cila nuk dëshiron që fuqia politike e tyre të vendoset në Tiranë. Ai thotë se “kur dëgjon elitën politike të Kosovës se si flasin për Shqipërinë, më duken aq shumë të ftohtë, aq sa po të mos flisnin shqip, do të dukeshin se janë finlandezë. Në gjuhën e tyre të kujdesshme dhe precize, nuk gjen asnjë nuancë mbi të cilën mund të ndërtosh shpresën e bashkimit të shpejtë me Shqipërinë” (f.53). Pas çlirimit të Kosovës, ideali i bashkimit me Shqipërinë është ftohur, sepse nacionalizmi humbë kur fiton pushtet. Ata nuk duan ta humbin pushtetin dhe pavarësinë e tyre. Kosova më parë do të dojë të bashkohet me Evropën, se me Shqipërinë, konkludon autori (f.63). Kosova do vazhdojë të pasurohet si një vend prodhues, dhe kjo krijon më pak arsye që shqiptarët e Kosovës të bashkohen me një vend më të varfër se vendi i tyre. Por varfëria dhe vonesa e anëtarësimit në BE, rritë nacionalizmin, sikur ndodhi në dhjetorin e vitit 2012, kur Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat për BE. Në kushte të varfërisë, klasa politike do kërkojë bashkimin me Kosovën, që  t’ia atribuojë vetes si një sukses. Sidoqoftë, autori parashikon se në tridhjetë vjetët e ardhshëm do të ndodhë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Këtë më së tepërmi do ta duan Veriu i Shqipërisë që konsideron se është injoruar nga qeveritë sa i përket pjesëmarrjes në administratë dhe  në investime. Nacionalizmin shqiptar Blushi e sheh me tri koka: në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, apo më saktë, si tri shqisa të një koke: gjuhën në Kosovën, veshin në Maqedoni dhe sytë në Shqipëri (f.70). Blushi parashikon rritjen e nacionalizmit në Shqipëri, që do kërkonte bashkimin më të shpejtë me Kosovën, njohjen e statusit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni, mbrojtjen e pakicës shqiptare në Preshevë, shqiptarizimin e emigrantëve të asimiluar në Greqi dhe kompensimin e çamëve nga shteti grek. “Brumë për nacionalistë Shqipëria ka shumë, pavarësisht se ene nuk ka bukë, por në furrën e varfërisë brumi mund të piqet”, konkludon Blushi.

Dy ese  ia kushton islamit  dhe ndikimit të tij si organizim politik  në trojet shqiptare, por edhe në Evropë (f.74-93). Pasi elaboron praktikimin dhe ndikimin e islamit në shoqërinë shqiptare, autori vëren se dështimet për modernizim dhe evropianizim e kanë forcuar islamin, si një lëvizje politike, e heshtur por shumë aktive që po fiton ithtarë dhe terren kundrejt partive politike që po i humbin ato. Këtë e ilustron me fakte, duke përmendur se në Shqipëri janë gati 650 xhami pa leje, të cilat  janë  kthyer në institucione që zëvendësojnë policinë, menzën, shtëpinë e kulturës, shkollën. Islami ka fituar aq shumë hapësirë politike, sa përkrahja e tij ndikon edhe në zgjedhjet politike. Në Shqipëri po zhvillohet një lëvizje fetare të cilën ajo nuk e ka njohur ndonjëherë. Islami sidomos është përhapur te të rinjët, me aq devotshmëri sa nuk e kursejnë as jetën në luftën e xhihadit në Siri. Këtë rrymë po e financojnë fondacione të ndryshme nga jashtë. Ndasitë fetare të shqiptarëve do të ndikojnë dhe vonojnë edhe bashkimin kombëtar. Duke marrë shembuj, se si kisha nuk e ka ndihmuar por e ka penguar përparimin e shoqërisë njerëzore, autori thotë se Evropa me kohë e ka kuptuar se dekristianizimi ose defetarizimi e shtynë shoqërinë përpara. Prandaj, sugjeron se në shoqërinë shqiptare duhet të ndodhë deislamizimi, që nuk nënkupton ndarjen nga islami, por moderimin dhe ndryshimin e mënyrës së jetesës sipas islamit modern. Këtu ka qenë vendi dhe rasti që autori t’i bëjë një vështrim edhe ortoksizmit grek, që po e rrezikon Shqipërinë më tepër se radikalizmi islam, sepse islamizmi nuk pretendon shkëputjen e asnjë pëllëmbë nga toka e Shqipërisë, kurse ortodoksizmi grek e ka shkëputur Çamërinë dhe synon të shkëputë edhe “Vorio Epirin”!

Pabarazia

Blushi parasheh se pabarazia mes klasave, brezave dhe territoreve do të jetë tipar i Shqipërisë në njëzet deri tridhjetë vjetët e ardhshme. Sot 5% e shqiptarëve kanë mbi 50% të pasurive në llogaritë bankare dhe në asete. Në kohën që vjen, të pasurit do pasurohen, e të varfërit do varfërohen më tepër. Askund në botë varfëria nuk ka shkaktuar kaq shumë dëm demografik, sa emigrimi dhe braktisja e 1/3 së shqiptarëve nga vendi i tyre. Për të vërtetuar tezën, se Shqipëria luhatet midis varfërisë dhe mjerimit, autori ka dhënë shënime statistikore për: bruto-prodhimin, borxhet publike, varfërinë, korrupsionin, informalitetin ekonomik, prodhimin dhe konsumin e energjisë, numrin e armëve në përdorim dhe vrasjet, numrin e të burgosurve, shpenzimet për shëndetësi, konsumin e duhanit, shkallën e rritjes së popullsisë, divorcet. Të gjitha ato shifra e përqindje janë dekurajuese. E ka me gjithë mend, kur thotë se prodhimi më “profitabil” në vend është marihuana ose cannabis sativa, me vlerë gati 5 miliardë euro, dhe të ardhura 500 milionë euro në vit nga eksporti i këtij prodhimi. Edhepse ka fusha nafte, Shqipëria vazhdon të importojë për shumicën e nevojave të veta. Mineralet e kromit dhe bakrit do shpenzohen për njëzet vjet. Ushqime më shumë blenë, se sa prodhon. Me kushtet që ka turizmi është degë me perspektivë, por edhe shumë vjet nuk do ta arrijë maksimumin e zhvillimit, sepse mungojnë investimet dhe ka probleme me pronat. Këta indikatorë bëjnë që papunësia dhe pabarazia nuk do zbutën, dhe se do ketë migrim të brendshëm fshat-qytet, duke gravituar kah qendrat më të mëdha si Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra por edhe Korça. Ajo që sot nuk mund të imagjinohet, shpejt ka për të ndodhur, që Shqipëria të ketë nevojë për fuqi punëtore të huaj, dhe duke marrë parasysh pozitën gjeografike, këtu do vijnë me shumicë kinezë dhe afrikanë për të punuar e zhvilluar biznes. Ata do lindin fëmijë dhe do natyrazilohen, me të gjitha të drejtat, kështu që do të kemi Shqipëri të zezë e Shqipëri të verdhë. Punësimi i të huajve dhe zhvillimi i bizneseve të tyre, do të ndikojë që gjuha angleze të dominojë në biznes, do futet në administratë, do bëhet kusht për punësim dhe do t’i bëjë presion gjuhës shqipe.

Pabarazia do shprehet keqas edhe në arsim, sepse fëmijët e të pasurve do shkollohen në shkollat më të mira jashtë vendit, dhe ata pastaj do kenë përparësi në administratën shtetërore dhe në drejtimin e bizneseve. Pabarazia në arsim mes shtresave dhe territoreve ekziston edhe tash, ngase as kushtet, as cilësia as kontrolli në arsim nuk janë të njëjta në fshat e  në qytet, veçmas në zonat më të thella të vendit, ku punojnë mësues të pakualifikuar e në kushte të këqija.

Diferencat sociale, pamundësia e punësimit do shtojnë pasigurinë dhe pesimizmin e të rinjve, të cilët për të fituara para ose do merren me punë të paligjshme, ose do emigrojnë jashtë vendit, e kjo ka për pasojë edhe rënien e natalitetit. Autori i bënë një analizë pesimizmit në përgjithësi, dhe pesimizmit shqiptar në veçanti, dhe konstaton se çuditërisht, në dhjetë vendet më pesimiste të botës shtatë janë vende të Evropës, kurse vendet më të varfëra të botës janë optimiste. Duke krahasuar vendet më pesimiste dhe ato më optimist, autori thotë: më mirë të jemi pesimistë si francezët, sesa optimistë si nigerianët. Shqipëria ka përparua këto njëzet vjetët e fundit dhe është më mirë se që ka qenë, por është më keq se që duhet të ishte, prandaj pesimizmi do rritet krahas tempos së ngadalshme të krijimit të mirëqenies, në krahasim me vendet e zhvilluara të botës. Kur flet për pesimizmin shqiptar (fq.132-141), autori përmend Nolin e Konicën, por edhe Migjenin e Fishten në kontekste të ndryshme. Dhe, vet titulli i librit të Blushit: “Hëna e Shqipërisë” lidhet dhe përfundon me fenomenin e pesimizmit, ngase hëna  cila sjell natën, hijen, tranzicionin, pasivitetin, rënien, nuk prodhon dritë.  Në fund të librit, autori ndoshta shprehë një dozë pendese për pesimizmin e tij të paraqitur në këtë libër, duke e krahasuar pesimizmin me sëmundjen e diabetit.

Nëse dikush e krahason librin e Blushit “Hëna e Shqipërisë”, me veprën e Sami Frashërit: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do bëhet”, një krahasim i tillë do ishte i pavend, dhe do ishte vërtetë si të krahasohej Diellit me Hënën. Sepse, derisa vepra e Samiut ishte një manifest patriotik dhe ideologjik i “Rilindjes”, dhe program i luftës për krijimin e shtetit shqiptar, në të cilën gjeti frymëzim dhe shprehje mendimi shqiptar më i përparuar i kohës,- në veprën e Blushit do të gjejë ”frymëzim” për pesimizëm. Dhe, derisa Samiu jep përgjigje për të tri pyetjet nga titulli i librit të vet, Blushi nuk jep asnjë përgjigje për nëntëmbëdhjetë pyetjet e shtruara në funt të librit të tij. Megjithatë, Blushi edhe me këtë libër ka treguar talent në analizën e realitetit dhe parashikimet e tij afatgjata, qe besoj se edhe vet autori do te dëshironte të ishin të gabuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT