E enjte, 18.04.2024, 11:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Një pamporr do vijë nga deti

E marte, 06.05.2014, 06:35 PM


Një pamporr do vijë nga deti  dhe...

(dy rrëfenja në një)

Nga Përparim Hysi

Këto dy rrëfenja që po sjell për lexuesit m'i ka treguar, ndjesë pastë, babai im. Të  dyja janë pakëz të vjetra si histori, por në gjykimin tim, ende nuk e kanë humbur aktualitetin. Përkundrazi. Kjo, e dyta, sikur e ka domethënien me vlerë. Me këtë sy i shoh unë, por lexuesi ka kutin e vet dhe është si një aksiomë: nuk e vlerëson lexuesi, e ke marrë notën. Si një fshat që duket dhe nuk do  kallauz.

*    *   *

Imatë, ndjesë pastë, rrëfente bukur dhe unë nuk ia fal vetes që shumë nga rrëfimet e tij nuk i mbaj mend. Por gjithmonë vras mëndjen për këtë me "pamporr". Unë e shkruaj e zezë mbi të bardhë "papmporr", jo se imatë nuk thoshte dot vapor, por ai për të ruajtur origjinalitetin tregonte në ligjëratë të drejtë, ashtu siç e kish dëgjuar nga gjyshi i tij, Turhani, dhe, ca më vonë, nga babai i tij, Qazimi. Historia me "pamporr" kushedi kur vendoset në kohë, por, në filloj që nga gjyshi i babait tim, se që këtu e fillonte dhe imatë.

Ja dhe historia që përsëritej nga njëri brez tek tjetri. Gjyshi i babait tim, Turhani, i thoshte të birit: - Pritet të vijë një pamporr me sheqerka të kuqe dhe ke për  t'u kënaqur. Turhani vdiq. I biri, Qazimi,  u rrit dhe, kur u bë me fëmijë (një prej tyre qe imatë), u thoshte:- Pritet të vijë një pamporr nga deti dhe do sjellë sheqerka të kuqe dhe kini për t'i ngrënë ju. Edhe Qazimi vdiq, pa e parë atë" pamporrin" që do sillte sheqerka të kuqe dhe "stafetën" për të dalë e për ta pritur "pamporrin" ua la fëmijëve të tij. Kështu dhe imatë na thoshte ne, fëmijëve (qemë shtatë) që do vijë një pamporr nga deti e do sjellë sheqerka të kuqe. Unë nuk e di në ka  shpresuar vërtet në këtë legjendë imatë, por kam të drejtën të besoj nisur nga një fakt. Ne u shpërngulëm nga Skrapari në vitin 1941 dhe, imatë, ndryshe nga vëndasit që gjeti në Myzeqe, vajti e ngriti shtëpinë larg e larg nga fshati në një kodër aq të lartë,sa ç'është ajo kodra ku është ngritur Manastiri i Ardenicës mbi fshatin Kolonjë të Lushnjes. Që këtu,- tregonte imatë,- shohim si në  pëllëmbë të dorës "pamporrët" që shkojnë e vijnë deteve. Dhe vërtet ne i shihnim që aty "pamporrët", por kurrë nuk ndodhi që të hanim "sheqerka të kuqe". Sado që pritëm gjatë. Ndodhi  si të prisnim "Godon". E  në Samuel Beketi e ngriti në apogje "Duke pritur Godon", unë vetëm solla një rrëfim që kaloi gojë më gojë nga brezi në brez. Por, tek e mbyll këtë rrëfenjë, gjithmonë më mundon pyetja që nuk i jap dot përgjigje:- Mos vallë, ende, presim atë "pamporrin që do sjellë sheqerka të kuqe?!!!"

*    *   *

Komiti Hysen qe miku i familjes sonë atje, në Vërzhezhë të Skraparit. Kish dalë komit fillimisht se kish marrë hakën e babait të vet. Ia kishin vrarë dhe ky qysh 15-vjeç mori hakën . Mandej rronte më shumë në  mal si komit se sa në shtëpi të vetë që e kishte orë të tëra larg nga Vërzhezha. Duke qenë komit, e kish marrë rriskun mbi vete dhe e ktheu këtë punën e "vrasjeve" si profesion. Unë nuk e kam njohur,por historinë po e sjell jo pa arsye.

Paska ardhur mik, ky, Hyseni, një natë tek imgjysh. E pritën me të gjitha tertipet dhe, kur po i jepnin fund darkës (gati qe mezi i natës),miku,pasi paska ngrënë shpatullën e qëngjit, e paska marrë në dorë dhe nën dritën e llambës, paska "lexuar" në të. - Ou,- kish bërë miku pas "leximit",- më sillni  mushkën se më ka ndodhur diçka e keqe në shtëpi. Gjyshi që ia njihte "huqet" dhe e dinte mirë që komit Hyseni dinte të "lexonte" në shaptulla apo në kofsha pule, ia priti: - Jo. Jo. Nuk të lë unë që të ikësh tani, në mes të natës, se ti je me hasëm dhe ma lë mua turpin në derë, pastaj. Komiti Hysen paska qeshur me shqetësimin e gjyshit dhe  i paska thënë:- Qazim! Ika unë se e "pashë" mirë teskerenë dhe sa për hasmin, nuk më vret njeri mua,se unë kam shumë hasëm. Ata shpresojnë tek njëri-tjetri. Dhe kish ikur në mes të natës komiti Hysen. Bukuria qëndron në faktin tjetër: vërtet që askush nuk e vrau komitin Hysen. Hasmët shpresonin tek njëri-tjetri dhe komiti Hysen vdiq prej natyre. Tani unë i solla dhe moralin e tyre nxirreni vet.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora